Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vatikani: Jo kishë mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës

| E shtune, 27.02.2010, 06:59 PM |


Nga INA 
 
Një mesazh i fuqishëm nga Vatikani ka mbërritur në adresë të Qeverisë së Maqedonisë, që është kundër ndërtimit të kishës ortodokse "Shën Konstantini dhe Elena" mbi themelet e shtëpisë së humanistes dhe nobelistes me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu e njohura si Nëna Tereza.
Lajmi bëhet i ditur për gazetën "24 orë" nga burime qeveritare, të cilët theksojnë se reagimi i selisë së shenjtë ka qenë sugjerues për të mos u ndërtuar kisha mbi themelet e shtëpisë së humanistes. Me këtë vendim nuk dihet se a është e njohur edhe partia shqiptare në pushtet BDI, ndërsa konfirmimi i kësaj bëhet pikërisht nga burime pranë parties maqedonase në pushtet.
Me ndalimin e ndërtimit të kishës, nuk do të ketë as edhe xhami në sheshin e Shkupit. Mirëpo, përkundër kësaj, në shesh ka vijuar vendosja e bazamenteve dhe ndërtimeve fillestare për vendosjen e busteve të parapara në bazë të projektit "Shkupit 2014".
Ky projekt dje ka qenë temë debati që ka shkaktuar akuza dhe kontradikta edhe në mesin e deputetëve të partive të pozitës dhe opozitës. LSDM-ja opozitare akuzoi dje në seancën pyesin deputetët se me projektin "Shkupi 2014", Qeveria po tenton që të përdorë këtë si projekt të fushatës së ardhshme të VMRO-DPMNE-së. Kryeministri Nikolla Gruevski në përgjigjen e tij ka theksuar se projekti Shkupi 2014 ka edhe efektin e angazhimit të fuqisë punëtore, pasi që sipas tij, për realizimin e tij do të hapen vende të reja të punës.
"Në ndërtimin e sheshit do të angazhohen mbi 15 mijë punëtorë dhe dy mijë të tjerë si kooperues. Të gjithë këta kanë familje dhe nga kjo del se 150 mijë familje do të ketë përfitim nga realizimi i këtij projekti", ka theksuar kryeministri Gruevski, duke shtuar se projekti do të kushtojë 80 milion euro dhe jo sipas pohimeve rreth 200 milion euro. Projekti "Shkupi 2014" ka qenë pjesë e bisedimeve mes partnerëve të koalicionit, me ç`rast BDI ka kërkuar që edhe sheshi të reflektojë realitetin multietnik në Maqedoni. Jozyrtarisht siç merret vesh,lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski kanë biseduar për mundësinë që në kuadër të këtij projekti të përfshihen personalitete historike shqiptare. (INA)

*****

'Shkupi 2014', opozita: Frustracione dhe harxhime
Opozita në Maqedoni ka ndërmarrë edhe hapat e parë për të penguar realizimin e projektit "Shkupi 2014", për qendrën e kryeqytetit, që ka ngjallur shumë . Grupi parlamentar i LSDM-së ka shtruar në parlament kërkesën për një seancë urgjente në të cilën do të debatohet rreth këtij projekti.

"Vlerësojmë se kjo çmenduri duhet të ndërpritet, vlerësojmë se dikush duhet ta ndalojë Qeverinë në harxhimin 200 milion euro të qytetarëve për frustracione dhe harxhime kriminale. Për këtë arsye grupi parlamentar i LSDM-së, deputetët e PRSD-së, të partisë liberale dhe të Alternativës së re, sot deri te kryetari parlamentit të RM-së shtruan kërkesën për thirrjen e një seance urgjente në të cilën do të debatohet për korrupsionin përmes harxhimit të 200 milion eurove për përmendore në RM", deklaroi Cvetanka Ivanova, kryetare e grupit parlamentar të LSDM-së.

Qendra e re e Shkupit, rinis tensioni etnik në Maqedoni

Partitë opozitare maqedonase dhe partitë shqiptare kanë paralajmëruar se projekti për ndërtimin e qendrës së Shkupit, i prezentuar nga qeveria mund të dëmtojë marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Por qeveria është duke mbrojtur projektin e saj i cili parashikon ndërtimin e disa godinave dhe përmendoreve, të cilat siç thuhet janë vetëm simbole të maqedonasve.
Ndarje etnike
Pjesë të sheshit kryesor në Shkup tashmë janë rrethuar dhe kanë filluar punimet për projektin "Shkupi 2014", por reagimet gjithashtu nuk kanë të ndalur.
Subjektet politike opozitare paralajmëruan se projekti qeveritar mund të shkaktojë tensione mbi baza etnike. Tito Petkovski është lideri i Social-demokratëve të rinj:
"Këtë që po e bën qeveria pa mos konsultuar qytetarët dhe partitë politike, mund ta nxjerr situatën jashtë kontrollit në fushën e marrëdhënieve ndëretnike," tha Tito Petkovski.
Projekti, ku parashikohet të ndërtohen disa godina me stile të ndryshme arkitekturore nga e kaluara si barok apo romantizëm, por edhe vendosja e përmendoreve dhe statujave të personaliteteve maqedonase, ku qendrore do të jeta ajo e Aleksandrit të Madh, por gjithashtu ndërtimi edhe i një kishe në sheshin kryesor, janë arsyet se pse ky projekt mund të nxisë tensione etnike.
Partia më e madhe opozitare, Lidhja Socialdemokrate, kërkoi referendum për idenë. Gordan Georgiev është nënkryetar i saj:
"Kjo marrëzi e VMRO DPMNE-së duhet të marrë fund. Edhe një herë i bëjmë thirrje Gruevskit, i cili thotë se mendimi i popullit është i rëndësishëm, që të shpallë referendum për projektin Shkupi 2014," tha z. Georgiev.
"Të zbatohet parimi i shumicës së dyfishtë"
Por Demokracia e Re, partia opozitare shqiptare e cila gjithashtu është kundër projektit qeveritar, nuk mbështet idenë e referendumit. Kryetari i kësaj partie, Imer Selmani, thotë meqë bëhet fjalë për projekt qeveritar atëhere për të duhet të vendosë parlamenti me sistemin e votimit të dyfishtë, pra që ai të miratohet të votojnë edhe shumica e deputetëve shqiptarë:
"Momenti më i mirë dhe më i qëlluar për Demokracinë e Re do të jetë një debat i hapur pikërisht këtu në parlamentin e Maqedonisë dhe duke përdorur votimin e dyfishtë që të aprovohet një projekt i këtillë. Gjithçka tjetër, ashtu siç është prezantuar se është një projekt i qytetit ose një projekt i komunës Qendër besoj se na kthen në periudhën e pas viteve të 90, kur kishte majorizime ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë," tha Imer Selmani.
Por vërejtja tjetër ku pajtohentë gjithë kritikuesit e projektit janë financat. Maqedonia ëshët në një periudhë më vështirësi të theksuara financiare. Projekti thotë opozita është plotësisht i panevojshëm.
Por përfaqësues të partisë qeverisëse VMRO DPMNE kanë mbrojtur projektin. Ata thonë se ai do të sjellë vlera të tjera për kryeqytetin e Maqedonisë. Aleksandër Nikollovski është deputet i kësaj partie:
"Është gënjeshtër dhe manipulim i LSDM-së se projekti kushton 200 milion euro. Kjo nuk është e saktë, projekti kushton më pak ose 0.5 për qind nga buxheti i implementuar në 8 vite buxhetore, që do të thotë 80 milion euro," tha z. Nikollovski.
Reagime të fuqishmevijnë edhe nga përfaqësues shqiptarë dhe myslimanë.
OJQ-të thonë se në projekt duhet patjetër që të përfshihen edhe ndërtime ose përmendore që nuk do të simbolizonin vetëm maqedonasit, kurse Ramadan Ramadani flet edhe për përçarje fetare.
Ai është përfaqësues i një grupi iniciatorësh për ndërtimin e një xhamie në shesh, e cila ashtu si kisha ka qeëë aty, por nuk planifikohet të ndërtohet:
"Myslimanët kanë marrë porosinë e tyre se ky kryeministër nuk mendon për ata," tha z. Ramadani.
"Vendim marrje e centralizuar"
Projekti "Shkupi 2014" u prezantua në opinion në fund të javës që shkoi. Që atëherë debatet vazhdojnë, por për disa vëzhgues ato nuk janë edhe aq kuptimplota, kur vendimet për këtë projekt janë marrë tashmë.
Komunikologu Sead Xhigal thotë se mënyra e veprimit tregon mënyrën e ushtrimit të pushtetit:
Maqedonia ende funksionon si shoqëri me një sistem të fuqishëm të centralizuar vendimmarrjeje. Dominojnë koncepte të ushtrimit të pushtetit, përkundrejt koncepteve të menaxhimit, koordinimit apo bashkëpunimit," thotë z. Xhigal.
Dhe ndërkohë që punimet kanë filluar në sheshin e Shkupit, rriten edhe kundërshtimet për projektin që tenton të ndryshojë dramatikisht pamjen e qendrës të kryeqytetit.
Kundër projektit është shprehur edhe BDI që është partia shqiptare në qeveri.
Kurse opozita tha se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për ta penguar atë.


***********************


Qendra e Shkupit, tensioni i dytë etnik pas 'Enciklopedisë' 


Intervistë me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Gjorgji Stardelov rreth Enciklopedisë maqedonase dhe hapat që pritet të ndërmarrë Akademia më tej në lidhje me këtë projekt. 

Deutsche Welle : Cila është zgjidhja përfundimtare mbi Enciklopedinë, edicioni i parë i saj dështoi për çështjet bibliografike dhe tani po përgatitet një botim tjetër i ri?

Gjorgji Stardelov : Jo, këto nuk janë të vërteta. Redaksia e re e krijuar ka për detyrë që të zhvillojë një koncept të ri për zgjatjen e këtij projekti. Materialet e përfunduara tashmë do të shfrytëzohen, ndërsa për çështjet e diskutueshme do të krijohen tekste të reja, në të cilat do të prezantohen edhe emrat e autorëve të tyre. Kur të përfundojë faza kryesore e redaktimit, Enciklopedia do të publikohet në faqen e internetit të ASHAM-së, kështu që do të arrihet transparencë më e madhe në veprimtarinë e Akademisë për Enciklopedinë.

Enciklopedia maqedonase u promovua në mënyrë euforike. Në një deklaratë, ju keni thënë se ky është një libër polemik, që jep një pasqyrë të Maqedonisë.

Gjorgji Stardelov : Polemikë në gjuhën maqedonase do të thotë një debat shkencor. Sa i përket Enciklopedisë maqedonase, sa i përket atij debati shkencor mbi vendet e kontestueshme, më gëzon fakti se Enciklopedia depërton nëpërmjet kanaleve të veta deri tek lexuesi. Në filozofinë e shkencës sot qëndron problemi i gabimit si një faktor që ka nevojë për kritikë të përhershme të problemit, dhe përpunim të përhershëm të tij. Kështu që librat kontraversë nuk janë librat më të këqinj. Kuptohet se ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë me të njëjtat interpretime, por do të mundohemi që të ketë më shumë shtojca me më pak polemika.

Akademik Stardelov, si e përjetuat ju si shkencëtarë politizimin e Enciklopedisë?

Gjorgji Stardelov : Nëse e mendon kthjellët, ka patur mendime të thëna në një gjendje të pakontrolluar. Asnjë njeri normal që njeh përvojën e djegieve të librave, i cili njeh gjërat që po na ndodhin në historinë moderne, kur janë djegur librat e njerëzve më të mëdhenj të botës, në të ashtuquajturën natë të kristaltë, me një mendje të shëndoshë nuk do të kishte sugjeruar djegien e Enciklopedisë, ndalimin ose zhvleftësimin e saj.

Cila është përgjigja e juaj ndaj faktorit shqiptar shkencor që këmbëngul në hapjen e një sektori shqiptar, për komunitetin shkencor?

Gjorgji Stardelov : Në kuadër të ASHAM, brenda qendrave ekzistuese do të ngrihet një qendër kërkimore që do të merret me çështjet e komuniteteve etnike. Sepse, përveç hapjes së disa universiteteve dhe instituteve, të cilat kanë krijuar kuadro vërtetë të rëndësishme nga komunitetet etnike, unë pres fazën tjetër të zgjerimit të veprimtarisë së kërkimit shkencor në ASHAM dhe në këtë fushë ne kemi projektin për krijimin e një qendre kërkimore për trashëgiminë kulturore
Për ZSH: Gjergj Kabashi