Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Romeo Gurakuqi: Kufijtë detare, Qeveria e Vlorës mbronte detin shqiptar nga grekët

| E shtune, 27.02.2010, 06:55 PM |


Kufijtë detare, Qeveria e Vlorës mbronte detin shqiptar nga grekët

Nga Prof. Dr. Romeo GURAKUQI 

Një monografi kërkimore në dorëshkrim, në pritje të botimit, që synon të ndriçojë mbi një bazë dokumentare arkivore një problem të diskutuar në mënyrë përgjithësisht fragmentare së fundmi në shtypin shqiptar, gjegjësisht problemin e vendosjes së vijës kufitare në mes shtetit helen dhe shtetit shqiptar më 1913-1914. Punimi është një përpjekje për të shqyrtuar një pjesë të historisë së vendosjes së një vije ndarjeje politike në mes shtetit të fundit ballkanik të lindur nga shpërbërja e Turqisë europiane, principatës Shqiptare, me mbretërinë e Greqisë. Monografia përqendrohet në periudhën vijuese, që pason vendimin e datës 11 gusht 1913 të Konferencës së Ambasadorëve. Ky përkufizim politik është një nga pjesëzat e historisë së dhimbshme të krizave ballkanike 1912-1914, kriza të cilësuara si kriza rritjeje dhe të përparimit të pjekurisë së shteteve të Ballkanit bashkëkohor. Në këndvështrimin tonë, mund të themi se kriza grekoshqiptare 1912-1914, ka qenë edhe një krizë e shkaktuar nga tejkalimi i pamotivuar i procesit natyral rritës të Mbretërisë së Greqisë, në dëm të një kombi me rilindje të vështirë e të ndërlikuar. Problemi i Shqipërisë së Jugut dhe caktimi i kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë, kanë qenë probleme të mirëfillta të fushës së politikës së jashtme, që kanë implikuar jo vetëm palët e interesuara, por para së gjithash Fuqitë e Mëdha në tërësi. Punimi ka si datë përmbyllëse rivendosjen e pushtimit grek mbi Shqipërinë e Jugut, më 31 tetor 1914, në rrethanat e precipitimit të Luftës së Parë Botërore dhe dezintegrimit të autoritetit shtetëror të principatës shqiptare, justifikuar ky ripushtim me nevojën e vendosjes së një autoriteti publik mbi këtë krahinë. 

PROBLEMET

Për shkak të kontradiktave të thella në mes Fuqive të Mëdha, para së gjithash mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, Shqipëria në Konferencën e Ambasadorëve, për të mbajtur në këmbë koncertin e Fuqive, u copëtua. Trungut kombëtar shqiptar iu ndërprenë arteriet themelore që e bëjnë të funksionueshëm një komb, lidhshmëria politike, ajo ekonomike, komunikimi i brendshëm njerëzor. Pasojë e drejtpërdrejtë e saj, natyrisht se nuk do të ishte tjetër veçse varfërimi i mëtejshëm ekonomik i rajoneve të tëra malore shqiptare si rezultat i ndërprerjeve të marrëdhënieve tradicionale, ndërprerja e disa rrugëve tradicionale të komunikimit në Jug, fillimi i një periudhe të gjatë çrrënjosjeje ndaj pjesëve të mirëfillta shqiptare, gjë që çoi në një heshtje të përjetshme të tyre në shtetin helen, ruajtja e konservatorizmit gjysmë-mesjetar edhe më tej në epokën moderne, mbajtja konstante e pasigurisë së brendshme politike në shtetin e ri shqiptar, dobësim i mëtejshëm i nukleve kulturore europiane brenda kombit shqiptar, në Veri dhe në Jug, një Ballkan Perëndimor krejtësisht të destabilizuar për një kohë të gjatë. Trajtimi i problemit të kufirit të shtetit të ri shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj., por u bë nga Fuqitë nën prizmin e mosprishjes së "koncertit europian", gjë e cila, në këndvështrimin e kësaj diplomacie, do të mund të çonte më pas në një luftë europiane. Më 30 maj 1913 u nënshkrua Traktati i Londrës në mes Turqisë dhe Aleatëve Ballkanikë, në bazë të të cilit turqit u detyruan të dorëhiqeshin nga pjesa më e madhe e tokave ballkanike, të cilat i kalonin fuqive ballkanike, me përjashtim të pjesës që do i përkiste Shqipërisë, territori i së cilës do të duhej të përcaktohej nga Fuqitë e Mëdha në kufijtë veriorë dhe jugorë. Konferenca e Ambasadorëve në Londër konfirmoi njohjen e shtetit shqiptar, dhe Turqisë e fuqive aleate ballkanike iu imponua me pahir që t'ia linin gjashtë Fuqive të Mëdha detyrën e përcaktimit të kufijve të këtij shteti dhe zgjidhjes së problemeve të tjera që lidheshin me shtetformimin. (nenet 2 dhe 3). Nëpërmjet formulimit të këtyre dy neneve, Fuqitë ia arritën ta përjashtonin çështjen shqiptare nga rrethi i kompetencave të Konferencës paralele të palëve ndërluftuese, gjë që në të kundërtën do të kishte qenë fatal për të ardhmen e këtij vendi. Në këtë mënyrë, çdo diskutim i çështjes shqiptare pas këtij vendimi, doli jashtë çdo kompetence të aleatëve ballkanikë dhe do të diskutohej në nivelin e diplomacisë më të lartë. 

KUFIJTË 

Qeveria e Vlorës dhe forcat patriotike shqiptare iu përveshën punës për neutralizimin e veprimtarisë antikombëtare të Esad Pashë Toptanit, duke ia minimizuar mbështetjen e tij dhe duke bërë çfarë të ishte e mundur në planin diplomatik, që territori nga Korça dhe Konica deri në gjirin e Ftelias t'i mbetej Shqipërisë. Për këtë na dëshmon një letër e Luigj Gurakuqit dërguar nga Roma më 18 maj 1913, Lef Nosit. Ndër të tjera ai shkruan: "Për kufinin e poshtëm të Shqipënis po mundohena si në Londre, si këtu, me gjithë fuqitë: po na shigurojnë se Korça e Konitza do jenë t'onat e nga ana e detit nuk do t'i japin Greqis ma tepër se gjer në gji të Ftelies. D. Beratin e dërgova në Bukuresht të bajnë edhe një meeting për Korçën". Më 29 korrik 1913, Fuqitë e Mëdha vendosën formimin e "një principate sovrane të trashëgueshme dhe neutrale, nën garancinë e Fuqive" Në këtë mënyrë, pas lindjes së vështirë të Vlorës, ky ishte pagëzimi zyrtar i njohur ndërkombëtarisht i shtetit shqiptar. Pas diskutimesh të gjata, Fuqitë e Mëdha ranë dakord mes vetes të pranonin ndërtimin e një komisioni për përcaktimin e kufirit jugor të Shqipërisë. Ka qenë ministri i Jashtëm francez, Stephen Pichon, që i propozoi ministrit të Jashtëm italian, Tommaso Tittoni, që dy fuqitë e Adriatikut, Italia dhe Austro Hungaria, duhej ta pranonin komisionin e mësipërm, duke lënë brenda Shqipërisë, Gjirokastrën dhe Korçën. Pas vendimit historik të 29 korrikut 1913 të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, mbi bazën e të cilit u konstitua formimi i shtetit të ri shqiptar si një principatë e pavarur, sovrane dhe trashëgimtare në linjën e djalit të parë, nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha, vendimi më i rëndësishëm për objektin e temës sonë, të fokusuar në Shqipërinë e Jugut, ka qenë vendimi i datës 11 gusht 1913. Gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha arritën të sheshonin një pjesë të kontradiktave dhe gjithashtu qëndrimi intransigjent i Francës në mbrojtjen e paprinciptë të interesave shoviniste greke, pësoi një zbutje. Në fillim të muajit gusht 1913, pas propozimit të ministrit të Jashtëm britanik, Grey, drafti i kufirit jugor të Shqipërisë përcaktoi përfundimisht dy pika kryesore: 1. vija e kufirit do të shkonte nga Korça në Kepin Stillos, duke ia lënë të dyja këto pika dhe ishullin e Sazanit, Shqipërisë; 2) definitivisht u ra dakord për një komision teknik që do të vendoste pikat në terren për të gjitha krahinat e brendshme, me kushtin që të gjithë ishujt e Egjeut (të cilat deri tani Italia i kishte mbajtur si kundërpeshë ndaj Greqisë për kufirin jugor shqiptar), t'i kalonin Greqisë. Popullsia e Korçës e priti me gëzim të madh lajmin e mbetjes së qytetit të tyre në Shqipëri. Aleksandër Stavre Drenova shkruante nga Bukureshti se: "Këto ditë muarme edhe lajmin e bukur se Korça mbeti në Shqipëri pas vendimit të Konferencës ambasadorve të London".
Gazeta Shqiptare - Për ZSH: Gjergj Kabashi