E premte, 19.04.2024, 09:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Shaban Sinani: Shaban Demiraj Si “albanët” u bënë “shqiptarë”

E shtune, 27.02.2010, 07:54 PM


Shaban Demiraj Si “albanët” u bënë “shqiptarë”

Nga Prof. dr. Shaban Sinani 

Është një dukuri e njohur që popujt ta njohin veten me tjetër emër nga ç’i njohin të tjerët, aloglotët. Identifikimi gjuhësor i vetvetes është një proces i vështirë. Në eposin e kreshnikëve, që përfaqëson një përmendore kulturore që ishte “e mbyllur” në fund të Mesjetës, heronjtë e dallojnë veten jo në mënyrë etnonimike, por duke identifikuar tjetrin (shkja, jelin, arap e harambash) ose duke u paraqitur të ndryshëm prej tjetrit në gjuhë, veshje e rite (“folën në gjuhë të vet”, “veshë e mbathë në veshë të vet” etj.). Me shqiptarët ka ndodhur i njëjti proces përveçimi përmes etnonimit si në shumicën e popujve dhe kombeve të tjerë. 
Në rrjedhë të kohërave, prej shekullit të dytë, kur del për herë të parë në mënyrë të dëshmuar emri i albanëve (“Albanoi”) dhe i vendit të tyre (“Albanon”), deri në epokën moderne, etnonimi i shqiptarëve, në të dyja format, të brendshme e të jashtme, ka njohur ndryshime. 
Për një kohë të gjatë studiuesit janë treguar të vëmendshëm kryesisht për anën formale-gjuhësore të zhvillimit historik të emrit etnik të shqiptarëve: albanë, arbanë, arbënë, arbër, arbëreshë, arvanitë, deri tek shqiptarët. Studimi i prof. Bardhyl Demirajt, me titullin lakonik “Shqiptar”, botuar këto ditë nga shtëpia botuese “Naimi”, i paraqitet lexuesit si një monografi shkencore, e sheh këtë çështje në një mënyrë tjetër, jo vetëm origjinale, por edhe paradigmatike. Origjinale sepse pyetja që shtron studiuesi përmes kësaj vepre është nëse ndryshimi gjuhësor i këtij etnonimi ruan në përmbajtjen e vet edhe gjurmën e ndikimit të përbërëseve të tjera të identitetit kombëtar, sidomos të ndikimit të besimeve dhe qytetërimeve të mëdha perandorake me të cilat bota shqiptare ka pasur prekje historike dhe fqinjësore. Paradigmatike sepse në këtë studim paraqiten, sistemohen e shqyrtohen argumente të disa rendeve: historike, arkivistike, etnologjike, gjuhësore, fetare dhe të disiplinave të tjera, në funksion të certifikimit të rrugës së mjegullt nëpër të cilin ka kaluar emri i shqiptarëve, duke ndryshuar formë gjuhësore brenda së njëjtës leksemë ose duke u shprehur gjuhësisht në fjalë-rrënjë tjetër; si dhe duke i vlerësuar këto ndryshime në kushtëzim përmbajtësor me shfaqjen e faktorëve të rinj historikë ndikues jo vetëm në shfaqje, por dhe në kodin e identitetit të bashkësisë. 
Studimi i përgjigjet interesit të lexuesit vendës e të huaj për të ditur burimin e emrit etnik të shqiptarëve, shkaqet pse prej një forme të kryehershme të njëjtë për ata vetë dhe të tjerët më pas u paraqitën dy të tilla: albanë dhe arbanë; dhe sidomos shpjegimit të rrethanave përcaktuese që çuan në humbjen e hegjemonisë së emrit të arbërve, si fjalë quajtëse gjithëpërfshirëse për ata që deri në një shekull e kishin njohur veten si të tillë por më tej ai nuk mundte ta ruante ende shenjimin përbashkues; si u kthye emri i ri etnik i tyre në gjedhe ku shqiptarët mund ta ndienin veten se ishin të njëjtët, pavarësisht prej dallimeve krahinore, fetare dhe etnozakonore që koha kishte lënë në identitetin e tyre: si një privilegj a lëndim, si një pasurim a ndëshkim. 
Monografia “Shqiptar” e prof. Bardhyl Demirajt, sido që interesim themelor ka kalimin prej arbërve tek shqiptarët, prej një epoke historike në një tjetër, nuk lë jashtë vëmendjes vetë burimin e etnonimit mesjetar të shqiptarëve të kohës së “shtetit të Arbërit”: arbanë, arbër. Nuk nënçmohet asnjë prej mundësive të ardhjes gjuhësore, etimologjike e historike të etnonimit “arbër” prej më të hershmit “albanë”, duke përfshirë dhe ato me karakter romantik e popullor, ose që rezultatet e kërkimit shkencor thuajse i kanë përjashtuar. Në ndihmë të një shqyrtimi të kujdesshëm të kësaj lidhjeje autorit i vijnë format e vetëquajtjes së bashkësive të mërgimtarëve të kohës arbërore në vendet fqinje, në Itali, Greqi e Dalmaci, që ruajnë një gjendje të moçme jo vetëm gjuhësore. Të dhënat e shumta të shërbyera nga autori shërbejnë për të shkuar drejt përfundimit se emri etnik mesjetar i shqiptarëve dhe i vendit të tyre (arbanë/rabanë, arbënë, arbëneshë, arbëreshë, Arbëri/Rabania, arvanitë), është një interpretatio homoglotica e emrit të fisit ilir të albanëve. Ndryshimet e ndodhura në formën gjuhësore u përgjigjen ligjeve të fonetikës historike të shqipes. Në kapërcyell prej stadit parashqiptar në atë shqiptar, ndodhi rotacioni dhe errësimi i zanores “a”. E vetmja pikëpyetje është se si ndodhi që në këtë interptetim të ri gjuhësor, përveç errësimit të zanores së hapur “a” (albanë - arbënë), ndodhi një rotacion atipik për shqipen dhe tipik për rumanishten (“alb/arb”). 
Sa i takon formës së identifikimit prej tjetrit, etnonimi i shqiptarëve ndoqi pandryshueshmërisht një interpretatio aloglotica koherente, që I përgjigjet edhe sot të njëjtës që del në krye të herës, në njoftimet e Ptolemeut. 
Nëse ndryshimin prej etnonimit gjuhësisht të njëjtë të shqiptarëve dhe parashqiptarëve deri në formën mesjetare autori e ndjek kryesisht në rrugë etimologjike, kalimin prej arbërit tek shqiptarët e shqyrton në mënyrë të gjithanshme. Ajo që ndodhi me tiparet etnoveçuese të shqiptarëve prej fundit të Mesjetës e këndej duket qartë se është një proces i ndërlikuar dhe jo aq i njohur në studimet shqiptare. Studiuesi provon se “arbër” e “shqiptarë” në periudha të ndryshme nuk kanë qenë kuptimisht në raporte të njëjta me përftimin e tyre sot, si etnonim historik ndaj etnonimit modern. Këto dy etnonime i kanë njohur të gjitha fazat dhe raportet e kuptueshme të procesit të zëvendësimit të njëri-tjetrit. Në krye “arbanë-arbënë” ishte një etnonim që as përjashtonte, as ngushtonte dhe as konfondonte botën shqiptare me të tjerët/tjetrin, alogjen e aloglot. Në një periudhë të mëvonshme, kur në realitetin shqiptar u krijua një gjendje heterogjene, sidomos në pikëpamje të besimit, etnonimi “arbanë-arbënë-arbër” rezultoi një etnonim vetëm i përpjesshëm: ai ruajti kujtimin e një kohe që shenjonte shqiptarët si të krishterë. 
Pikërisht pamjaftueshmëria gjuhësore për t’iu përgjigjur pamjes së re të identitetit të shqiptarëve, të krijuar prej veprimit konvergjues dhe divergjues të faktorëve të brendshëm e të jashtëm, me sa duket nxiti ndërgjegjen gjuhësore, dhe jo vetëm gjuhësore, por përgjithësisht instinktin e vetëruajtjes të bashkësisë, të kërkonte, të njësonte kuptimisht, të përhapte dhe përfundimisht të përgjithësonte një etnonim të ri. Është shprehje e një shpirti të shkëlqyer mbijetese që shqiptarët, në këtë kapërcyell të vështirë, zgjodhën të riidentifikohen sërisht duke iu referuar tiparit më homogjenizues të tyre, gjuhës. Studiuesi me të drejtë u largohet formave romantike dhe madhështuese të shpjegimit të emrit etnonimik të shqiptarëve përmes një shenje që nuk ka qenë ndonjë herë totem i shqiptarëve, shqiponjës apo formës së shkurtër, shqipes. Por, gjithashtu, është një shprehje gjithaq e shkëlqyer e vetëdijes përbashkuese kombëtare, që nuk e përjetoi kalimin prej arbërve tek shqiptarët si një ndryshim opozicional, si një alternim të sforcuar, si një sakrificë në dëm të një pjese a në dobi të një pjese tjetër. 2010 


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora