Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Komuna e mbyll xhaminë e Marinës

| E premte, 26.02.2010, 09:56 PM |


Foto: Tringa Ramadani
Foto: Tringa Ramadani
Nga
Dafina Myrtaj & Jetmira Rexhepi, Express

(E plotësuar) Kuvendi Komunal i Skenderajt ka marrë sot vendim që ta mbyllë xhaminë e fshatit Marinë. Vendimi pritet të ekzekutohet që sot.

Deri në një vendim tjetër të Bashkësisë Islame se çka do të ndodhë me këtë xhami, ajo do të jetë e mbyllur. Gjithashtu, është marrë vendim edhe për largimin e imamit të kësaj xhamie, Kemal Duka, i cili vjen nga Elbasani. 

Pas këtij vendimi një grup i banorëve të fshatit Marinë kanë protestuar, duke u zotuar se nuk do të lejojnë largimin e imamit Duka, për arsye se, sipas tyre, imami u ndihmon fshatarëve me mjete financiare dhe ndihma ushqimore.

Ndërsa hoxha nuk ka dashur të përgjigjet qarte nëse do të largohet me vullnet apo jo. Ai ka thënë se banorët këtu e duan, mirëpo nuk do të luftojë më shtetin.

Marina nuk ka prehje

Nga 716 xhami sa ka Kosova, vetëm ajo e fshatit Marinë të Skenderajt, e udhëhequr nga Xhemajl Duka, nuk përfill Bashkësinë Islame të Kosovës. Për këtë tash e sa ditë mbi pesë mijë qytetarë të Skenderajt kanë nënshkruar peticionin e OJQ’së Prehja që kërkon largimin e imamit, që BIK’u thotë të jetë ilegal në këtë xhami. Rrëfim nga Marina. 

Nëse të gjithë imamët e Kosovës punojnë sipas programit të Bashkësisë Islame të BIK-ut, imami i vetëshpallur i xhamisë së Marinës në Skenderaj bën përjashtim. 

Imami i kësaj xhamie është Kastriot Duka, i njohur me emrin Xhemajl. Që prej pas luftës në Kosovë thuhet të ketë ardhur nga Elbasani për t’i ndihmuar të varfrit dhe jetimët e këtij fshati. 

Për këtë disa banorë të Marinës atë e quajnë hero dhe shpëtimtar të të varfërve. Por, ka edhe plotë të tjerë që kanë një mendim tjetër fare për të. Nga këta të fundit, hoxha i Marinës cilësohet si person i dyshimtë dhe i rrezikshëm. Dhe për këtë këta banorë kërkojnë largimin e menjëhershëm të tij. 

Të një mendimi të tillë tashmë janë më shumë se pesë mijë banorë të komunës së Skenderajt. Ata kanë dhënë nënshkrimet e tyre në peticionin e Iniciativës Qytetare të Skenderajt. Përmes këtij peticioni, qytetarët kërkojnë largimin me çdo kusht nga xhamia e Marinës, ku mes tjerash e akuzojnë atë për keqpërdorim të xhamisë për aktivitete jofetare. 

Njëra ndër organizatorët e këtij peticioni, Ajnishahe Halimi nga OJQ “Prehja” akuzon Kastriot Dukën për dhënie të identitetit të rrejshëm. Sipas saj, askush nuk e di identitetin e vërtetë të tij. Ajo po ashtu beson se brenda mureve të xhamisë së Marinës ushtrohen veprimtari të paligjshme. 

“Aty më shumë mund të quhet motel sesa xhami. Dyshojmë që abuzohet seksualisht me vajzat dhe gratë e fshatit. Ka raste kur të vijnë delegacionet nga jashtë vendit dhe ai hoxhë organizon nga dy autobusë me vajza të reja për të shkuar në aeroport e për t’i pritur ata”, thotë drejtoresha e OJQ-së “Prehja”. 

Për më shumë, ajo akuzon hoxhën e Marinës për dërgim të grave dhe fëmijëve të fshatit në ekskursione, ndërkohë që, sipas saj, askush nuk di se ku shkojnë ato. 

“Organizojnë ekskursione për gra. Ka pasur rast që i kanë dërguar në Turqi, ku kanë qëndruar një muaj. Ndërsa as një fotografi nuk bëhet me arsyetimin se është haram. Ato shkojnë pa përcjellje të askujt. Askush nuk flet çka bëhet në ato ekskursione”, thotë drejtoresha Halimi. 

Ajo pohon se arsyeja kryesore e kësaj iniciative të qytetarëve është që të mbrohen të drejtat e grave dhe fëmijëve të atij fshati, pasi që, sipas saj, fshati Marinë është një ndër fshatrat ku ka më së shumti burra të vrarë e të zhdukur. 

“Nuk është e rastësishme që ai ka zgjedhur pikërisht Marinën. Në këtë vend ka shumë familje që kanë familjarë të zhdukur gjatë luftës. Ai hoxhë ka më lehtë t’i manipulojë ata. Për 20 euro ai detyron vajzat 4 vjeç që të mbulohen me shami”, shton Halimi. 

Ndërsa një tjetër organizator i peticionit në kushte anonimiteti pohon se për ndërtimin e xhamisë së Marinës, fondet të cilët janë siguruar nga Kastriot Duka, ishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi nga katër palë, njëra prej të cilave është BIK, që imami i kësaj xhamie të përcaktohet nga këta të fundit. 

“Xhemajli nuk lejon që kjo xhami të futet nën juridiksionin e BI të Kosovës, nuk pranon që BI të vendosë imamin në këtë xhami dhe ushtron në mënyrë ilegale funksionin e imamit”, thotë ky person. 

Peticion e Iniciativës Qytetare të Skenderajt e ka nënshkruar publikisht edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Kryetari Lushtaku pohon se Xhemajl Duka duhet të largohet nga udhëheqja e xhamisë sepse, sipas tij, ai është ilegal dhe nuk u përgjigjet institucioneve të Kosovës. 

“Ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët institucionale për largimin e tij. Besoj që shumë shpejt do t’i themi ‘shko p’i shpije’”, thotë Lushtaku. 

Ai pohon se pas arritjes së peticionit në duar të tij, çështja e xhamisë së Marinës do të diskutohet në Asamble Komunale, ku edhe do të merret vendimi definitive për këtë. 

“Banorët e kanë vështirë ta largojnë atë person sepse është duke e shfrytëzuar gjendjen e rënde ekonomike që ka ky vend. Në këtë rast kryesisht shfrytëzohen fëmijët jetimë, fëmijët e martirëve e të dëshmorëve. Për mua si kryetar i kësaj komune është shumë e rëndësishme sepse është e rëndë që të shfrytëzohen qytetarët e mi”, shton Lushtaku.

Një ndër banorët e fshatit Marinë që kërkojnë largimin e hoxhës së fshatit është Sabiti. 
“Për me fol keq për xhami o gjynah. Por, edhe me fol mirë për hoxhën e xhamisë tonë o edhe ma gjynah. Ai së bashku me njerëzit e tij janë njerëz të pamoralshëm. Unë vetëm dy ditë i kam leshu fmitë e mi me shku me m’su në xhami. Kurrë ma. Unë jam i varfër, jetoj me një social dhe me pension të babës. Hoxha nuk më ndihmon mu se nuk e kam çikën e rritme e nuk e kam gruen e lazdrume”, thotë ky person.

Mirëpo, ai beson se hoxha i Marinës nuk do të largohet nga fshati i tij, pasi që, sipas tij, ky person ka mbështetje nga njerëzit në pushtet.

“Edhe 100 peticione me u ba, ai person nuk largohet sepse ka përkrahje nga të ‘mdhejt’”, thotë Sabiti.

Mirëpo, kështu nuk mendon Sadija, e cila jeton pak metra larg shtëpisë së Sabitit. 

“Krejt çka flasin keq për atë xhami është e pavërtetë. Hoxhë ma t’ mirë n’Kosovë nuk ka. Ai është shumë i ndershëm, që dhjetë vjet që e njohim asnjëherë nuk na ka dhanë dorën. 
Ai hoxhë i ndihmon njerëzve të varfër. Vetëm për Ramazan ka shpërnda ndihma ushqimore në vlerë prej 20 mijë eurosh. Ai kur ka ardh në fshat, na ka pru edhe kanalizimin. Askush prej qeverisë nuk ka ndihmu sikur hoxha jonë”, thotë Sadija, një vajzë e pamartuar. 

Ajo pohon se nga ky hoxhë, çdo muaj merr një rrogë prej 50 eurosh pasi që merret me mirëmbajtjen e xhamisë.

“Çdo xhuma unë e fshij xhaminë. Kjo o normale sepse ma përpara duhet me u fshi xhamia se shpija. Edhe pse unë e baj për hir të Zotit, hoxha Xhemajl me pagun çdo muaj me 50 euro”, shton Sadija. 

Ajo është një ndër vajzat e fshatit që ka pasur fatin të shëtisë me ekskursionet e organizuara me paratë e xhamisë së fshatit. 

Mirëpo, sipas saj, në këto ekskursione ajo ka qenë e shoqëruar nga babai ose vëllai i saj. 
Sadija tregon se me iniciativën e hoxhës është ndërtuar edhe një ambulantë në fshat, mirëpo, sipas saj, udhëheqësit komunalë ndalojnë veprimtarinë e saj.

“Nuk na lshojnë ambulanten se veç ia kanë inati hoxhës”, thotë ajo. 

Lëvdata dhe urime për hoxhën Xhemajl ka edhe babai i Sadijes, Hamiti. 

“Kush e shan hoxhën e shan edhe Zotin. Nuk e lëvdoj pse ai më ndihmon mu, larg asaj, mirëpo e lëvdoj se kujtohet për njerëzit e varfër. Nuk jemi për me e largu hoxhën nga fshati. Jemi kundër”, thotë plaku Hamit. 

Për largimin e Xhemajl Dukës nga xhamia e Marinës janë edhe zyrtarët e BIK. Krye-imami i Kosovës, Sabri Bajgora, thotë se prej 716 xhamive që ka vendi, kjo xhami bën përjashtim sepse nuk është nën kompetencat e BIK. 

“Këshilli i BI në Skenderaj e ka caktuar imamin e saj legjitim, z. Gazmend Hotin, i cili është penguar dhe vazhdon të pengohet nga disa banorë të fshatit ta kryejë detyrën e tij si imam i kësaj xhamie. Kryesia e BIK e konsideron Xhemajl Dukën si një imam të dhunshëm dhe jo legjitim.”, thotë kryeimami, Bajgora. 

Ai pohon se kryesia e BIK-ut si dhe Këshilli i BI në Skenderaj për rastin në fjalë kanë njoftuar të gjitha organet tona kompetente, duke përfshirë edhe MPB-në. Mirëpo, sipas Bajgorës, organet e rendit nuk kanë arritur t’i kryejnë obligimet e veta ligjore, sepse janë penguar nga një pjesë e banorëve të fshatit.

“Ne atë e kemi siguruar se askush nuk do ta pengojë në veprimtarinë e tij si kryesues i shoqatës humanitare, por ai në asnjë mënyrë nuk mund ta fitojë legjitimitetin e kërkuar si imam. Megjithatë, ne shpresojmë se shumë shpejt, z. Xhemajl Duka do ta lëshojë xhaminë në fjalë, sepse kjo është për të mirën e të gjithëve, në radhë të parë besimtarëve të fshatit Marinë”, përfundon Bajgora. 

Peticioni për largimin nga xhamia e Marinës sot (e premte) do t’u dorëzohet organeve kompetente, ku më pas pritet të merret një vendim përfundimtar se kush do të jetë udhëheqës i kësaj xhamie.