E marte, 19.03.2024, 02:22 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Shtëpia botuese braziliane ''Protexto'' botoi librin e Engjëll Koliqit - ''Ndjenjë Drite''

E diele, 21.10.2007, 05:51 PM


Shtëpia botuese braziliane ''Protexto'' botoi librin e Engjëll Koliqit - ''Ndjenjë Drite'' (Sentimento de Luz):

Drita e Dashurisë dhe e vërteta shqiptare hyjnë fuqishëm në opinionin brazilian

Libri i parë poetik i Engjëll Koliqit në gjuhën portugeze, që këto ditë u botua në Brazil ka gjithsejt 161 poezi, të ndara në gjashtë shtylla përmbledhëse tematike:
1. Vritet dashuria dhe thuhet normalitet;
2. Ariu dhe arusha e maleve të fatit;
3. Jemi ne protagonistë të së vërtetës;
4. E ndërrojmë botën me dashuri;
5. Në pritje;
6. Mrekullia që po ngjan.

Shkruan: Sarë Gjergji

Kopertina e librit të sapobotuar e autorit Engjëll Koliqi
Stubëll. Tetor, 2007. - Këto ditë, shtëpia botuese “PROTEXTO” në Brazil ka nxjerrë në dritë librin e autorit kosovar Engjëll Koliqi-it, me titull “Ndjenjë Drite” (Sentimento de Luz), një libër voluminoz me gjithsejt 161 poezi, të renditura në gjashtë cikle, apo shtylla përmbledhëse tematike, siç shihet më lartë. Ky libër, siç vlerëson edhe redaktorja dhe përkthyesja e librit nga italishtja, në portugisht - Vera Lucia Alves Neves (shkrimtare e kritike e njohur, e doktoruar në shkencat linguistike dhe profesoreshë universitare në pension), kryefjalë ka dashurinë, me të cilën mjeshtërisht shprehet edhe dhembja, edhe shpresa, edhe besimi në fuqinë e mrekullisë, edhe përkushtimi për ndërrimin e botës... Këto qëllime dhe vlera të poezive të tij në këtë libër, i ka sheshuar edhe vetë autori, që në dedikimin e librit dhe në titujt e poezive, tashmë shumë të kërkuara nga opinioni brazilian. Interesimi i madh për poezinë e këtij autori është vërtetuar edhe në dy ekspozitat me poezitë e Koliqit, që ka pasuar me botimin e shumë prej tyre në revistat braziliane, si dhe në deklamimin e tyre nga artistë vendorë, nëpër emisionet kulturore të radiotelevizioneve të atjeshme. Ja seç thotë autori në dedikimin e tij, në fillim të librit: “Këtë libër ia kushtoj dashurisë njerëzore univerzale, me urimin që të rritet gjithnjë e më shumë në të gjitha qeniet njerëzore në mbarë gjithësinë, si dhe shekullit tonë, nga unë i pagëzuar me emrin e dashurisë, me detyrë që të ndërrojë botën, me dritën e së vërtetës!” Të shohim edhe kushtrimin, vlerat dhe britmat e autorit, që shprehen nëpër titujt e poezive në këtë libër, siç janë: Bota e humbur; Nën ligjet e fjalës; Ta thejmë heshtjen; Së paku të bërtasim; ...Dhe thuhet normalitet; Ngjyrat e dhembjeve; Të dehurit e jetës; Si gjithnjë; Një jetë në bisht të shpresës; Jashtë vullnetit tonë; Për të humbur gjurmë; Duke kënduar për ty; Dyert e mbyllura; Gjithnjë për shije të dashurisë; Në duart tua; Në emër të dashurisë; Koha flet; Diç ka ndodhur; Në zemër të diellit; Të mos mbesim kurrë vetëm; Para buzëqeshjes sate; Të gatshëm të festojmë; Sipas ligjeve të dashurisë; Vetëm përpara; Me njëmijenjë këngë; Në valle reth diellit; Sipas testamentit të Nënës Tereze; Konstruktohet ardhmëria; Itabirito-Stubëll; Duke dëshmuar dashurinë; Ëndërra e engjëjve; Dielli është i yni; Zemra që thërret; Formula ime e dashurisë; Po mbërrin stina jonë; Kthehu Zotynë; Lulet tua; Kosova jonë; Dardania e ardhmërisë; Jam në botën time; Duke kërkuar lajmin e mirë; Mrekullia në vepër, Emrat tanë; Në ëndërrën time të madhe; Një këngë e vonuar; Vazhdojmë; Jam në nënqiellin tënd; Fenomen hyjnor; Mes njëmijenjë pyetjesh, etj.
Për të kuptuar edhe më mirë përmbajtjen, vlerat dhe qëllimin e këtij libri poetik të autorit kosovar, që pa dritën e botimit në gjuhën portugeze, në Brazil, po e përshkruajmë të plotë parathënien e redaktores dhe përkthyeses së librit – Dr Vera Lucia Alves Neves, më sa vijon:
“Nuk është lehtë të shkruash për një poet që ka fjalë të forta e shumë të ndjeshme, siç është Engjëll Koliqi. Ai nuk është një autor i thjeshtë, që i vë fjalët dhe i dërgon në vargje të mbyllura të poezisë. Është para së gjithash një njeri që ndjen dhembjet e popullit të tij, që njeh kërkesat dhe nevojat e vendit të tij, që dëgjon zhurmën e burimeve duke rrjedhur nëpër gurë dhe – para së gjithash – ka në zemër tokën e vet ajrin e Kosovës së Tij.
Dashuria është fjala çelës e tij, respektivisht kryefjala e tij. Ai nuk flet për dashurinë mes dy trupave, por diç më shumë se kjo. Formula e tij është ndërgjegjëja e ekzistencës së besimit në fuqinë hyjnore, në mbarë gjithësinë, dhe që bën të krijojë në proporcionin e tij atë që retë të kërkojnë malet.
Poezia e Engjëll Koliqit është si një cikël frymëmarrjeje. Në inspirime ai hyn në kontakt me rrënjët e shpirtit të tij. Është të jesh vetëm, është lëvizje e të mbushurit me energji, përgatitje... Në inspirime është takimi, çasti i lulëzimit, që të rilind me tjetrin, të bëjë që shpresat të jenë pjekuria e ëndërrimeve.
Poezia e tij është një ripërtëritje e brendshme, një rivitalizim i ëndërrave të papërjetuara, të ëndërrave që kërkojnë përcaktimin e të jetuarit. Kjo ripërtëritje e thellë  ndjehet në fjalët e tij, që  nuk janë vetëm konkrete. Dashuria e tij është e pakushtëzuar, e guximshme dhe zemërbutë. Me këtë dashuri ia del të ikë nga energjitë negative dhe në vend që të humb hapsirën e tij, nuk lejon të kontrollohet nga negativiteti, as të sakrifikohet...
Ishte një nder të prezantohet Engjëll Koliqi, sepse poezia e tij ka rrjedhur mu nga zemra, nga një ndërgjegje gjithnjë e pastër dhe e rilindur, gjithnjë e rritur në dhembshuri, në kungim (ushqim shpirtëror) me vetëvetin dhe me natyrën, në dëshirën e tij që të lëvizë lirshëm mes kthjelltësisë dhe emocioneve, mes të të menduarit dhe veprimit (aksionit), pa paragjykim në marrëdhëniet me të tjerët dhe me vetëvetin, duke kërkuar gjithmonë të vërtetën – të vërtetën që t’i besojë vetëvetit, të vërtetën që të besojë në transformimin (ndërrimin) e botës, të vërtetën që të besojë në muzikë, në art, në bukuri, në rend dhe në fisnikërinë e ndjenjës (sentimentit). Është pikërisht kjo veti që e bën të posaçëm, të fortë dhe sfidues, të fortë në mënyrën e tij të të shprehurit, të sigurtë në qëllimet e tij.
Poezia e Engjëll Koliqit do të mund të jetë për opinionin një sfidë – jo abstrakte, por një sfidë që mund të prekë në kokë dhe në kraharor, mbasi frazat e tij të mund të integrohen në historinë tonë të jetës, duke përfituar forma, kreativitet dhe kërkim të gjithëhershëm në drejtim të vetënjohjes”.
Nga Brazili bëhet e ditur se edhe libri tjetër publicistik, “Nëna Tereze – një dashuri e pakufishme” (poashtu në gjuhën portugeze,i këtij autori, do të dalë nga shtypi brenda këtij muaji, nga shtëpia botuese “O Lutador”, në Belo Horizonte. Gjithashtu në përgatitje është edhe libri tjetër poetik “Forca e Jetës”, që sipas të gjitha gjasave do të botohet portugisht dhe gjermanisht, si edhe libri “Shekulli im quhet dashuri”, i përkthyer portugisht, nga italishtja.
Le të shpresojmë që së shpejti mund t’i lexojmë librat e këtij autori, të njohur në botë, edhe në vendin tonë, në gjuhën amtare. Ai thotë se në gjuhën amtare ka shkruar mijëra vargje, shumë tregime, udhëpërshkrime.... por deri tash ende nuk ka botuar libër shqip, por beson se së shpejti do të shohin dritën e botimit disa libra të tij, në gjuhën amtare – në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, me kërkesën  edhe të disa shtëpive botuese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora