E premte, 29.03.2024, 09:26 AM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: Fetarizimi i politikës në IRJM - rrezik për ekzistencën biologjike të shqiptarëve këtu

E merkure, 24.02.2010, 10:00 PM


Fetarizimi i politikës në IRJM - rrezik për ekzistencën biologjike të shqiptarëve këtu

Nga Valon Kurtishi

Konteksti shoqëror

Në fillimvitet 90 të shekullit të kaluar ish federatën jugosllave e cila po shkonte me shpejtësi drejt shërbërjes, e kishin kapluar ethet politike të shumëpartizmit e lirive fetare. Në këtë periudhë u formuan edhe partitë e para politike jokomuniste si dhe pati një liri më të zgjeruar e ndjekur kjo edhe me një rikthim triumfal të politikave, imazherisë dhe terminologjisë fetare moralizuese në jetën publike. Kjo erdhi më tepër si një reaksion ndaj ndrydhjes që i patën bërë regjimet socialiste religjionit në gjithë Europën lindore moniste, sesa një rikthim i vërtetë shpirtëror i masave të sekularizuara europiane në gjirin e doktrinave dhe praktikave puritaniste fetare. Europa perëndimore nga ana tjetër, vazhdonte ritimin e saj normal e të vazhdueshëm sekularizues pa ndërpreje të mëdha anomike shoqërore, prezente në atë kohë në gjithë lindjen europiane si rezultat i ndryshimeve strukturore që ndodhnin në këto shoqëri.
Në këtë drejtim, partitë politike që u formuan në këtë kohë kishin në programet e tyre një frymë më pranuese dhe toleruese ndaj religjionit dhe dogmave të tij. Në vazhdim të kësaj, parti politike apo politikanë të veçantë u përpoqën që në pajtim me kushtet politike, rethanat e ndryshuara shoqërore dhe momentin historik, të shfrytëzojnë këtë rilindje të fesë për qëllime të tyre personale apo edhe për realizimin e kauzave kombëtare. Të parët që e bënë këtë ishin dy kombet më të mëdhenj sllavë nga të cilët edhe varej fati i Jugosllavisë federative: kroatët dhe sërbët. 
Kroatët i ringjallën kujtimet, besimet dhe vlerat e tyre historike të cilat në të kaluarën e afërt dhe të largët historike kishin qenë pika kryesore e referencës së identitetit të tyre kombëtar. Përbërësi kryesor i identitetit kombëtar kroat që i dallonte këta sllavë të jugut nga sërbët po sllavë të jugut, ishte përkatësia e ndryshme fetare katolike përkundrejt ortodoksisë bizantine sërbe. Kështu elita kroate e shfrytëzoi me mjeshtëri të madhe përkatësinë kulturore e fetare perëndimore të kombit kroat për të fituar aleatë në skenën europiane, në luftën e drejtë për pavarësi nga shteti jugosllav i cili po rëshqiste gjithnjë e më shumë drejt një unitarizmi sërbomadh. Gjermania, Shba, Britania e Madhe, Argjentina, Hungaria, Vatikani si dhe një shumësi e vendeve sllavishtfolëse katolike si Sllovenia, Çekia apo Polonia i dhanë një mbështetje të fuqishme diplomatike, mediatike, humanitare dhe ushtarake aspiratave kroate për pavarësi, të shtyrë ndër të tjerash por kryesisht edhe nga përkatësia fetare katolike e shumicës dërmuese të popullit kroat. Një aspekt i rëndësishëm i propagandës kroate në këtë kuptim ishte edhe potencimi i përhershëm nga ana e elitës së tyre i përkatësisë perëndimore të kulturës kroate si dhe dëshirës për të ikur nga Ballkani i prapambetur ortodoks dhe mysliman. 
Sërbët gjithashtu ishin aktivë në këtë drejtim. Përkatësia e tyre fetare ortodokse i bënte më të pranueshëm në shtete të tilla me të cilat kishin lidhje të hershme historike si Rusia, Greqia apo Rumania. Thënë kushtimisht, secili lojtar aktiv në skenën jugosllave të kohës manipulonte sipas rethanave dhe situatës politike me përkatësitë kulturore e fetare të popullsive respektive, për të përfituar përkrahjen mediale dhe reale të njërit prej “civilizimeve të mëdha botërore” siç do ti quante studiuesi amerikan Samuel Huntington. 
Armiku pastaj demonizohej duke shfrytëzuar momente të caktuara historike apo edhe konjukturat ndërkombëtare të kohës. Sërbia duke qenë në konflikt me kroatët katolikë nga njëra anë, boshnjakët myslimanë si dhe shqiptarët myslimanë, katolikë e ortodoksë nga ana tjetër, zhvillonte një fushatë të mirëkoordinuar dhe mirëstudiuar të demonizimit dhe shfrytëzimit të çdo elementi nga botëkuptimi, kulturat apo historitë e këtyre popujve i cili mund të shitej si imazh negativ në botën vendimmarëse perëndimore. Kështu nga propaganda sërbe është përmendur gjithë kohës qeveria fashiste e Ante Paveliqit dhe Shteti i pavarur kroat i L2B, divizionet SS Hanxhar dhe Skënderbeg, internacionalja e zezë kleriko-fashiste e Vatikanit, Perandoria Austro-hungareze, fundamentalizmi dhe fundamentalistët islamikë boshnjakë dhe shqiptarë, Perandoria Osmane dhe gjoja statusi i privilegjuar i shqiptarëve në të, çështja e holokaustit ndaj hebrenjve, Gjermania, Italia, fazhizmi, nacizmi, e djathta ekstreme, lufta e dytë botërore, etj. Janë përvetësuar për kauzën sërbe terma të tillë të pranueshëm në përmasa globale si liria, demokracia, respekti për tjetrin, lufta çlirimtare, rezistenca ndaj fazhimit, lufta krah për krah me të tjerët kundër ideologjive apo regjimeve totalitariste në historinë europiane, lufta kundër sunduesve të huaj në këto territore etj.

Rasti shqiptar

Në drejtim të shqiptarëve, propagandat sërbe dhe në një vijë me to edhe ato maqedonase e malazeze, kanë spekuluar shumë me përkatësinë fetare islamike të shumicës së popullit shqiptar në Ish Jugosllavi. Propaganda e kësaj natyre është ngritur në një industri të tërë, duke filluar nga veprimtaria shkencore, publicistike, mediatike e duke mbaruar me skenarë të kobshëm agjenturor që i ka aplikuar UDB dhe pushteti jugosllav, maqedonas dhe malazez në gjirin e masave shqiptare dhe boshnjake në momente të caktuara të zhvillimeve vendimtare politike. 

Në këtë dejtim, manipulimi më i madh ka ndodhur në të kaluarën dhe po tentohet sot në lidhje me çështjen e fundamentalizmit islamik te shqiptarët në Ballkan. Duke dashur të shfrytëzojnë elementë të caktuar radikalë islamikë ndër shqiptarë, pushtetet sërbe asnjëherë nuk kanë penguar shpalljen publike të ndjenjave fetare islamike te popullsia jonë. Përkundrazi, prindërit tanë kanë qenë dëshmitarë të periudhës së kaluar kur pushtetet okupatore sllavosërbe, maqedonase dhe malazeze jo vetëm kanë lejuar por edhe kanë stimuluar me para publike shkollat islamike, klerikët islamikë, veshjen islamike, mbulesat isalmike, ndërtimin e objekteve islamike, studimet islamike në qendra të botës lindore etj. 
Me një fjalë, çdo gjë që kishte lidhje me përkatësitë lindore dhe jashtë europiane të shqiptarëve apo kulturës së tyre është përkrahur, financuar dhe afirmuar nga okupatori sërb në të kaluarën dhe ai maqedonas sot. Në të njëjtën kohë, si në të kaluarën ashtu edhe sot, po këta pushtete jugosllave, maqedonase dhe malazeze nuk lejojnë asesi dhe kurrësesi afirmimin e vlerave kombëtare, sekulare, kulturore, shqiptare dhe europiane të popullit tonë. 

Rasti me shqiptarët në IRJM

Në këtë drejtim, kohëve të fundit vihet re një fushatë e mirëorkestruar nga një dorë e kudondodhur për fetarizimin e jetës politike, ekonomike, kulturore, sociale, shoqërore në përgjithësi të shqiptarëve në IRJM. Materialet me temë fetare janë gjithnjë e më prezente në faqet e gazetave apo në edicionet dhe programet e televizioneve e radiove shqiptare këtu. Një numër i opinionistëve, publicistëve, gazetarëve, shoqatave joqeveritare, grupeve të interesit, të shtyrë nga qendra e qarqe antishqiptare, janë gjithnjë e më të guximshëm për të paraqitur edhe publikisht bindjet e tyre radikale fetare si dhe qëndrime krejtësisht të papranueshme falsifikuese ndaj historisë tonë kombëtare. Vërehet një rikthim triumfal i mercenarizmit dhe antikombëtarizmit në letrat dhe median shqiptare këtu. Psuedo-historianë të ndryshëm pa pikën e turpit dhe pa fije ndërgjegje shkencore apo intelektuale përpiqen ta rishkruajnë historinë kombëtare duke u përpjekur të amnistojnë okupatorët e ndryshëm gjatë historisë, në veçanti atë otoman. Një frymë e çuditshme revizioniste antishqiptare është duke marë hov në letrat shqipe të cilat edhe ashtu janë në gjendje dhe nivele të mjerueshme intelektuale. Vërehet një përzierje e qëllimshme gjoja e rastësishme e identiteteve kombëtare me ato fetare. Ky keqpërdorim i pamoralshëm i fesë islame për qëllime antikombëtare nuk është dhe nuk mund të jetë i rastësishëm. Kjo është një strategji e parë tashmë e cila në shikim të parë dukej si vjetëruar dhe e parealizueshme në stadin e sotëm emancipues ku duket sa janë shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët në IRJM në veçanti. Por është shumë i çuditshëm dhe i pakuptueshëm avancimi i saj kohëve të fundit edhe në mediat në gjuhën shqipe si dhe në jetën publike të shqiptarëve të këtushëm. Kjo frymë mbizotëruese ka rrezik real të kalojë në karakteristikë apo tipar identifikues nacional e cila do të ishte tragjike për shqiptarët në Fyrom. 

Fetarizimi i agjendës politike të shqiptarëve të këtushëm do të nënkuptonte me automatizëm, fundin e përkrahjes euroatlantike për përpjekjet tona çlirimtare, shtetformuese, integruese dhe emancipuese si komb. Fetarizimi i agjendës politike të shqiptarëve nënkupton me automatizëm që shqiptarët nuk janë më shqiptarë. Humbja e përkrahjes së aleatëve tanë historikë gjermanikë e anglosaksonë do të thotë as më pak e as më shumë, rrezikim i vetë ekzistencës biologjike të shqiptarëve në Ballkan. 
Pikërisht për këtë janë të interesuara qarqet më të zeza shoviniste si dhe elitat politike sërbe, greke, maqedonase e malazeze: që Amerika të largohet përfundimisht dhe mos interesohet më për gjeopolitikat ballkanike, që shqiptarët të paraqiten sa më shumë dhe sa më shpesh në sytë e opinionit europian dhe zyrtarëve të Bashkimit Europian si myslimanë, radikalë, fundamentalistë, lindorë, orientalë, primitivë, etj. 
Nga ana tjetër, nuk është aspak e rastësishme që gati në çdo analizë apo dokument të përpiluar për shqiptarët nga autorë apo Think Tanks perëndimore, theksi i vihet gjithmonë tolerancës fetare dhe sekularizmit të kombit shqiptar. Kjo ka qenë një fitore e madhe për nacionalizmin shqiptar, pasi ky qëndrim ka amortizuar në mënyrën më të mirë të mundshme pretendimet e propagandave sërbo-greke e maqedonase për myslimanët shqiptarë që nuk i duhen Europës së krishterë. Kjo ka amortizuar disi qëndrimet mjaft të përhapura antishkencore dhe shoviniste sërbe, greke e maqedonase për myslimanët shqiptarë si trup i huaj në kulturën europiane të cilin duhet larguar dhe zhdukur nga hapësira europiane. 
Ekziston një literaturë e tërë sërbe, greke e maqedonase e botuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë e Fyrom në lidhje me fundamentalizmin islamik të shqiptarëve dhe lidhjet e imagjinuara të UÇK me terroristë islamikë apo me shtete si Turqia, Irani apo lindja e mesme. Vepra “Islamic Extremism and the European Quest”, e autorit Milan Petkoviq është një master – piece e këtyre manipulimeve sërbe me forca të këtilla fundamentaliste dhe turkofile shqiptare të cilët nuk janë të vetëdijshëm sesa dëm i bëjnë çështjes shqiptare në përgjithësi. Madje edhe në “Clash of Civilizations” të Huntington përmendet Kosova dhe çështja shqiptare në kapitullin për kufijtë e përgjakshëm të islamit në një konotacion shumë negativ. Sesa i përhapur ka qenë dhe akoma sot është ky qëndrim në përmasa europiane edhe pse nuk thuhet publikisht, duket qartë nga shembulli i ish-presidentit të ndjerë francez François Mitterand, i cili pat shkruar edhe një libër në lidhje me mundësinë e zhdukjes totale të myslimanëve ballkanikë nga Europa. 

Shqiptarët kanë qenë të krishterë në të kalurën e tyre historike, janë sot në shumicë myslimanë, por shpirti i tyre thellë në gjene është europian. Ata shpirtshitur, mercenarë dhe antikombëtarë që përpiqen të fetarizojnë jetën politike dhe shoqërore të shqiptarëve këtu, duhet ta dijnë se shqiptarët nuk mund të bien pre e universalizmave ndërkombëtare qofshin këto edhe të natyrave gjoja fetare. Shqiptarët nuk mund të bëhen lojë në duart e imperializmit turk për ndërtimin e xhamisë Burmali në Shkup, pasi atë xhami shteti turk e quan trashëgimi kombëtare turke. Shqiptarët nuk mund të luftojnë për ndërtimin e përmendoreve apo objekteve të ndryshme kulturore të cilat shteti turk i shpall për trashëgimi kombëtare turke. Shqiptarët do të përpiqen të ndërtojnë përmendore dhe objekte për figura shqiptare qofshin ato edhe islamike. Po ato do jenë monumente islamike shqiptare jo turke apo arabe.

Kush janë autorët (Mastermind) të këtij plani antishqiptar?

Fetarizimi apo islamizimi i programit politik të shqiptarëve në Fyrom nuk mund të jetë dhe nuk është ide, plan apo strategji shqiptare. Ky është një plan satanik antishqiptar i qarqeve dhe segmenteve të interesuara për zhdukjen e shqiptarëve nga Ballkani dhe Europa. Tragjedia boshnjake e viteve 1992-95 mund të shërbejë si shembulli më i qartë i asaj se çka ndodh me elita dhe popuj të caktuar të cilat bëjnë gabime të këtilla kardinale në rrethana të caktuara politike, historike dhe gjeografike. Agjenda kombëtare boshnjake e cila ndoshta edhe detyrimisht ishte ajo fetare islamike, u pagua rëndë nga ky komb. Dhe pikërisht në këtë kartë luajti shovinizmi sërb me mjaft sukses atje: sërbët e krishterë mbrojnë Europën po të krishterë nga muxhahedinët e çmendur islamikë të Bosnjës, të cilët duan të themelojnë një teokraci islamike në mes të Europës. Ky shtet islamik ka rrezik të bëhet bazë e terrrorizmit islamik për depërtim dhe veprime të mëtutjeshme në Europën perëndimore. “Ne i bëjmë punët e pista të Europës” u shpreh me ironinë e kasapit Radovan Karaxhiqi në një rast. 
Shihet qartë se në këtë përpjeke gjigante për manipulim me aspiratën dhe botëkuptimin e një populli kanë gisht forca të ndryshme shumë të fuqishme të cilat duket se janë përtej kontrollit shqiptar për momentin. Këtu veprojnë dy rryma të fuqishme që bashkëpunojnë në mënyrë perfekte me njëra tjetrën kundër interesave nacionale të shqiptarëve në Fyrom dhe më gjerë: qeveria aktuale sllavo-maqedonase në aleancë me segmentet historikisht antishqiptare sllave dhe greke që mbizotërojnë në gjithë opinionin ballkanik si dhe rrymat turkofile e fundamentaliste muslimane që paguhen nga shtete të tilla nacionaliste si Turqia apo Irani. Këtu hyjnë edhe shtetet arabe të lindjes së mesme apo organizata të ndryshme gjoja joqeveritare që vijnë nga këto vende.Gjithë kjo strukturë e stërmadhe vepron sot në forma të ndryshme kundër interesit nacional të shqiptarëve duke imponuar madje në mënyrë artificiale edhe ndryshimin e agjendës nacionale të politikbërësve shqiptarë këtu.

Zgjidhja e vetme e çështjes

Elita politike dhe shkencore e shqiptarëve në IRJM është para një sfide historike kur i është imponuar ndryshimi i gjithë konceptit politik që e kanë pasur shqiptarët këtu së paku që nga viti 1912, e ai është: Çlirimi kombëtar i pjesës së mbetur nën sundimet sërbo-greke, bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm kombëtar dhe zhvillimi i papenguar kulturor, ekonomik e shoqëror i kombit duke respektuar dhe mbrojtur bindjet fetare pluraliste të kombit tonë, siç është tradita më e mirë shqiptare nga e kaluara. Përndryshe, nëse qarqet e zeza antishqiptare greke, sërbe, maqedonase, malazeze, turke, fundamentaliste islamike ia arijnë qëllimit për fetarizimin e politikës shqiptare në Fyrom, kjo do të ishte fillimi i fundit për shqiptarët aty dhe më gjerë edhe në Ballkan. Gjenocidi greko-sllav ndaj shqiptarëve do të jetë vetëm çështje kohe. Në momentin e parë të ndonjë çregullimi më serioz të marëdhënieve ndërkombëtare dhe largimi të vëmendjes së SHBA dhe Bashkimit Europian nga Ballkani, do të realizohet për një periudhe të shkurtër kohore zhdukja totale fizike dhe përzënia masive e shqiptarëve, në fillim në Shqipëri dhe pastaj edhe jashtë Europës. Kjo ka ndodhur disa herë në të kaluarën. Kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt nëse politikën, median dhe kulturën shqiptare do ta fetarizojnë ata që sot kontrollojnë mjetet mediale dhe financiaro/ekonomike për ta bërë këtë. Kjo do të jetë një “Brain Wash” masiv i cili ka filluar tashmë të japë rezultatet e veta. Fetarizimi gjithnjë e në ritje i politikës dhe jetës shoqërore shqiptare në IRJM është një rrezik serioz dhe shumë real për ekzistencën biologjike apo mbijetesën fizike të shqiptarëve këtu. Fetarizimi i jetës shoqërore të shqiptarëve krijon parakushte dhe nënkupton dënim të sigurtë me vdekje për popullin tone antik.
Ne si gjeneratë e re shqiptare të vetëdijshëm për provimin e rëndë historik para të cilit gjendemi sot, duhet ta ndalojmë këtë murtajë që rrezikon të na shfarosë të gjithëve. Ta shpëtojmë popullin tonë të stërvuajtur nga rruga e tmershme ku duan ta futin qarqet antikombëtare në bashkëpunim të hapur me agjenturat e huaja. Ti ndriçojmë rrugën popullit tonë drejt së ardhmes shqiptare e europiane. Të sigurojmë që shqiptarët të mbeten shqiptarë.


(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora