E premte, 19.04.2024, 12:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Dashurite e Kazanoves!

E shtune, 20.10.2007, 06:00 PM


Nga Neritana Kraja

Ngjan si një rrëfim i thjeshtë i jetës njerëzore. Historia ku rreth të njëjtin mashkull rrotullohet vëmendja e dy femrave të ndryshme, të gatshme të sakrifikojnë për dashurinë. Duket si rrëfimi më i zakonshëm i bërë nga goja e secilit prej nesh për atëherë..., kur ai..., me atë..., por ajo tjetra, nuk e donte..., kishte një tjetër..., ajo qau..., ai iku..., dikush mbeti shtatzënë..., dikush luan me ndjenjat e dikujt tjetër...,? Një fund i pështjelluar, pasojat e të cilit nuk do të kenë asnjëherë fund.

E megjithatë, e gjithë historia që luhet në skenën e Teatrit Kombëtar me titullin “Bebet e Kazanovës” nuk është identike me fjalët kyçe që renditëm pak më sipër, apo aq e thjeshtë sa e vërteta mbi “trekëndshin e pashmangshëm”, që shoqëron lidhjen e çdo çifti, me përshkrimin e të cilit filluam shkrimin tonë.

Përkundrazi, tejkalon çdo parashikim të spektatorit, ashtu siç ka kaluar edhe çdo parashikim të  rotagonistëve, të cilët kanë marrë përsipër të sjellin përpara publikut shqiptar një autor bashkëkohor francez, ndër më të dashurit në Francë gjatë viteve ‘80-të.

Në fakt pjesa që vjen si projekt i financuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, dhe që inspirohet nga inisiativa private e Qendrës “Art Blu”, interpretohet nga tre aktorë të rinj të jashtëzakonshëm dhe është ndër më provokueset, interesantet, realistet dhe të spikaturat, mes atyre që kanë fatin të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar. Kjo pjesë është fituese e konkursit për regjisorë të rinj, i cili do ta ketë finalen e tij në fund të muajit nëntor. “Bebet e Kazanovës”, është një pjesë me problematikë të fuqishme, e denjë për të grumbulluar publikun rreth vetes dhe për të transmetuar mesazhe dhe të vërteta lakuriqe të shoqërisë ku jetojmë.

Grupi i vogël i aktorëve, regjisorja Andia Xhunga dhe skenografi Genc Shkodrani, besojnë se kanë bërë një zgjedhje mjaft të mirë me “Kazanovën” dhe autorin Jean Clod Daneau që përmendin një varg arsyesh për ta shpjeguar këtë. Ata janë ngacmuar që nga përmbajtja e pjesës e deri tek mjeshtëria në shkrimin e tekstit, që i jep mjaft dorë aktorëve të shpalosin vlerat e tyre. Trajtimi i femrës, pozicioni i saj në shoqëri kudo ku është, femra që nuk kanë gjetur kurrë mundësinë për të punuar dhe kërkojnë një rrugëzgjidhje, burra që nuk e kanë njohur kurrë dashurinë dhe kur e takojnë nuk dinë ta vlerësojnë atë, pleq që duan të lënë trashëgimtar, maskarenj që duan fëmijë sa për t’u treguar fshqinjëve paratë dhe pasurinë e tyre...Një histori e kohës ku jetojmë, që në fund ndëshkon dhe jep mësime për të gjithë: Ta kapësh jetën thjesht! Të kesh një njeri që të jep mirënjohje, respekt, besim. Aktorët rreth të cilëve sillet intriga e shfaqjes, Indrit Çobani, Monika Lubonja dhe Rozana Radi, janë të bindur që pjesa në dukje e thjeshtë, realisht flet për një problematikë të mprehtë sociale, që e kemi të pranishme edhe ne në vend, madje tepër të fortë, prandaj kanë marrë përsipër të sjellin role të mrekullueshme për personazhe që i kemi takuar apo i takojmë në jetë.

Është një vepër që e merr njeriun, e vërtit shumë lehtë dhe ia ndryshon thelbin. Është një vepër që flet për dashurinë dhe martesën, ose në të kundërt, është një vepër që i rrëzon dhe i ringre, duke i përmbysur e ngritur sërish, vlerën dhe kundravlerën e ndjenjës dashuri dhe institucionit martesë. Ata të tre kanë marrë përsipër të parashtrojnë para publikut dhe të zbërthejnë pikëpyetje të mëdha, të  shkruara me shumë inteligjencë nga autori, që për t’i shkuar të vërtetës deri në fund, duhet theksuar që është tepër social, i kohës dhe i drejtpërdrejtë.

“Bebet e Kazanovës”

Në qendër është Jeff Burttner (I vetëquajturi Kazanova, interpretuar nga Indrit Çobani), personazhi i vetëm që i drejtohet publikut, një mashkull jo i lumtur, i paplotë, që dëshiron të bëhet baba, por jo të martohet. Ai është i shpërqëndruar, i ka marrë shumë jetës (dhe të tillë ka shumë në Shqipëri). Një Kazanova sa i pacipë, aq edhe i ëmbël, i cili arrin një moment e thotë se “ka shkuar edhe me vajzat, por edhe me nënat e tyre”, një dashnor i thekur, që s’e ka provuar kurrë dashurinë, por që i ka lindur dëshira për trashëgimtar dhe ka filluar të mendojë se si ta zgjidhë problemin e tij. Nga një lajmërim gazete njeh Rebekën (Monika Lubonja), e cila kurrë nuk ka patur mundësi për të punuar, por me një “mendje të turpshme” gjen mundësinë të ushtrojë profesionin e trashëguar nga nëna dhe gjyshja e saj: të fabrikojë fëmijë. Dhe meqë Kazanova dhe Rebeka janë menaxherë të trupit të tyre, kësaj gruaje Kazanova “i bën porosinë e tij”.

Pas aktit të tyre seksual, Rebeka që ngjiz në bark fëmijën, fillon e transformohet nga një grua e mbajtur keq dhe e paturpshme, në një zonjë të vërtetë, e gatshme të fitojë realisht zemrën e Kazanovës. Por ngjarja jonë pikërisht këtu fillon e ndizet, se me të ikur nga Rebeka ai takon rastësisht Kristinën (Rozana Radi) një vajzë e re, trendy, provokuese dhe inteligjente, që e di se çfarë kërkon nga jeta dhe ka një qëllim për të realizuar. Kjo është vajza me të cilën bie në dashuri Kazanova dhe është pikërisht kjo vajzë që pas pak kohe do të mbajë në bark fëmijën e tij. Kjo është historia e Kazanovës dhe fëmijëve të tij e rrëfyer me pak fjalë dhe ky është morali i tij dhe femrave që e rrethojnë. Kjo është historia e tre njerëzve që luftojnë secili për qëllimin e tij, ku më i largëti dhe mallkmi i tyre duket se është dashuria. 

Kazanova në “lëkurën” e Indrit Çobanit

Indrit Çobani është aktori që do të sjellë në skenë të gjithë aventurën e të vetëquajturit “Kazanova”, mashkullit që në të vërtetë ka profesionin e bankierit, por që jetesa e tij ngjason me atë të Kazanovës. Një njeri që nuk ka dualitet mes shpirtit dhe trupores, që jepet pas epshit dhe jeton jetën në çdo qelizë të saj.“Përderisa kam pranuar të luaj rolin, do të thotë që ndihem mirë me këtë personazh. Karakteristikat e tij janë të arritshme prej meje, është personazh i plotë, është një nga ato role që çdo aktor dëshiron ta luajë, që dramaturgjikisht të ndihmon të vësh të gjithë potencialin tënd në shërbim të personazhit”, thotë Indrit Çobani. Ndërkaq ai sqaron se ka një distancim të tij ndaj personazhit. “Nuk ka qenë qëllimi im në jetë t’i ngjaj Kazanovës. Unë jam Indriti. Edhe në rol, unë nuk po luftoj që të hyj në lëkurën e tij, pasi kjo është një formë që unë s’para e përdor në terminologjinë time të aktrimit. Përkundrazi, po përpiqem që Kazanovën ta fus në lëkurën time.

Natyrisht është e vështirë, por jo e pamundur”.Si protagonist i shfaqjes rreth të cilit sillet ky subjekt interesant, Indriti beson se mesazhet që transmetohen do të priten mirë nga publiku. “Aktiviteti ynë do të ishte shterp nëse ne do mendonim se me tekstin tonë do i flasim vetëm njëri tjetrit. Nëse nuk arrijmë të përçojmë ide përtej vetes, atëherë kot i hyjmë kësaj pune. Kjo është një shfaqje që do të përthithet lehtë nga publiku. Natyrisht, shton ai, duhet edhe një lloj finese që të arrish të kapësh finesën e autorit dhe personazheve, gjë që unë them se nuk I mungon publikut tonë.”Ndonëse është diplomuar për regji, Indrit Çobani njeh disa pjesëmarrje në skenë si aktor dhe është shpërblyer edhe me çmime si protagonist. Kështu ka fituar çmimin e tretë në Festivalin e Monodramës, si dhe Çmimin për Aktorin Deputant më të mirë në Festivalin e Fierit. “Unë jam njeri i teatrit, parapëlqej të jetoj me teatrin. Të punoj si regjisor, apo si aktor, kjo nuk ka ndonjë dallim për mua. I dua të dyja njësoj. E rëndësishme është të jem me Teatrin”. 

Rozana: Nuk jam Kristina e rolit!

“Kur më ofrohet një rol në skenë, e lë anash këngën”, thotë Rozana Radi, e cila ka pranuar me dëshirë të bëhet pjesë e projektit dhe të interpretojë personazhin e Kristinës. Madje nga dëshira që shfaqja të ecë sa më mirë u ka dhënë kolegëve një vend në shtëpinë e saj për provat, në mungesë të një salle të vërtetë. “Nuk është hera e parë që luaj teatër, unë kam mbrojtur diplomën me teatrin e Korçës e menjëherë më pas kam interpretuar në Festivalin e Fierit. E megjithatë, propozimin e kësaj radhe e prita me shumë kënaqësi. Më mori në telefon regjisorja Andia Xhunga, me të cilën njiheshim që nga shkolla e cila më ftoi të interpretoja Kristinën. Realisht emri im ishte përmenduar nga Monika Lubonja. Atë ditë ajo kishte parë me interes një intervistë timen dhe kishte menduar: pse të mos marrim Rozanën?

Më thirrën, lexova pjesën, u pëlqeu. Të nesërmen filluam provat”. Rozana e rrëfen me entuziazëm bashkimin e saj me grupin e vogël prej pak vetash dhe shton se kjo është një eksperiencë krejt tjetër nga kënga me të cilën e kemi parë më së shumti në skenë. “E kam thënë dhe vazhdoj ta them se pasioni im është teatri. Jam rastësisht në këngë. Nuk kisha punuar kurrë me Andian, ajo është një vajzë që punon shumë me aktorin, ndërkohë që po përshtatem shumë mirë me Indritin dhe Monikën. Jemi një treshe simpatike”.

Sa i takon rolit të saj në këtë shfaqje, Rozana Radi, tregon se “Kristina është një femër shumë e zgjuar siç janë femrat e sotme, një femër që jeton jetën me të gjitha mundësitë e veta. Çfarë do e merr në jetën e vet dhe të gjithë meshkujt gjunjëzohen para saj”. Ajo shton se i duhet shumë punë për të vajtur tek personazhi, pasi “e vetmja gjë që më bën të ngjasoj me Kristinën janë flokët e verdha, pasi ndryshe nga Kristina, kur vjen puna te meshkujt Rozi dorëzohet dhe nuk është ajo vajza që shihni nëpër skena dhe videoklipe. Jam tip shumë sentimentale, e marr jetën time shumë qetë, nuk më pëlqen euforia shumë e madhe”. Rozi shton se tani për tani nuk ka asgjë të re në jetën e saj sentimentale dhe se po kërkon një mashkull, ndoshta, jo si karakteri i saj impulsiv, por një mashkull që “ta mbledhë një çikë”. Sigurisht, jo një Kazanova. “Çdo njeri ka nevojë të rri me dikë, por Zoti të merr diçka të mirë nga prehri, kur do të të japë diçka më të mirë. Dhe derisa ta sjellë Zoti, unë do të pres”, përfundon Rozana Radi.

Kur ndëshkimi vjen nga Monika

Kur Monika Lubonja vendosi të merrte përsipër rolin e Rebekës, gruas që “gjithë jetës është shtatzënë”, e kishte menduar mirë se çfarë do të arrinte me atë rol. Impakti i parë që i dha personazhi ishte i mrekullueshëm. Ky ishte roli që nga njëra anë i jepte asaj mundësi të shprehte potencialin e vet skenik dhe nga ana tjetër të prezantonte një figurë interesante dhe të diskutueshme. “Pozicioni në shoqëri i personazhit që unë interpretoj është i vështirë, thotë Monika, por të mos harrojmë se gjithmonë pozicioni i femrës në Shqipëri ka qenë dhe është i tillë. Mbështes mënyrën të cilën ajo ka zgjedhur për të mbijetuar në këtë shoqëri të egër dhe të gjithë metamorfozën që e shoqëron.”Monika e do rolin e saj, sikurse pëlqen edhe mënyrën se si shfaqja përfundon. “Them se në përgjithësi burrat ndëshkohen, ashtu siç u ndëshkua Kazanova. Dy personazhet femra vërtet që jetuan jetët e tyre, por në fund ditën të tërhiqen, ndërsa Kazanova iu nënshtrua hakmarrjes së tyre. Dhe mos harroni se hakmarrja e femrës është më e fortë se asnjë tjetër. A nuk janë ndëshkuar meshkujt që kanë braktisur dashuritë e tyre dhe janë detyruar të rrinë të martuar me gra që nuk i duan? A nuk janë ndëshkuar burrat që nuk kanë fëmijë?!” Monika është optimiste për shfaqjen. Ajo mendon se duke e parë atë njerëzit do ta pyesin veten seriozisht për dashurinë: A ka dashuri sot? Gënjehemi apo besojmë në dashuri? Dhe do ta kuptojnë se në shumicën e rasteve, kur njerëzit ndihen të dashuruar, vënë një maskë për t’u mbrojtur nga skuqja e turpit. Por roli i Monikës në këtë shfaqje nuk është thjesht ai i aktores që duhet të nxjerrë një rol të mirë dhe kaq! Ajo ka marrë mbi shpatulla menaxhimin e shfaqjes dhe këto ditë ndihet e përfshirë nga një atmosferë e ethshme pune.

Gjithçka po bëhet nga grupi i tyre i vogël dhe ata “po përballojnë ca sakrifica, por që nuk ka rrugë tjetër për t’u ngjitur në skenë”. “Nëse nuk do kishim kurajon për t’i ndërtuar shfaqjet vetë, tepër rrallë do na ofrohej mundësia për të aktruar në skenën e Teatrit Kombëtar. Në Teatrin Kombëtar ka të rinj, ka ngjyra, ka larmi, herë pas here, kanë ardhur aktorë të rinj, por që pak përfshihemi në skenë. Ajo që dua të shoh për të nesërmen, është se dua të besoj më shumë, për të luajtur më shumë në pjesët që vë në skenë vetë teatri, me regjisorë shqiptarë ose të huaj”.“Me këtë pjesë nuk duam t’i mëshojmë banaliteteve, por të bëjmë teatër në kuptimin e plotë të fjalës.

Një teatër për elitën dhe shtresën e mesme. Duam që duartrokitjet e para t’i marrim nga gjimnazistët dhe të rinjtë, sepse teatri ka nevojë për gjakun e ri. Këta të rinj kanë nevojë të dinë se përballë Ministrisë së Brendshme, ndodhet shtylla e kombit, Teatri Kombëtar, ku pas disa kohësh këta të rinj të thonë: Ah, po, këtu kemi shijuar teatër të mirë! ”Megjithëse për Monikën, aktrimi është profesion dhe dëshirë e hershme, ajo e përmbledh duke thënë “aktrimi është jeta ime”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora