E premte, 29.03.2024, 12:52 PM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: Debate dhe udhëzime në funksion të manipulimit publik

E hene, 22.02.2010, 09:58 PM


Debate dhe udhëzime në funksion të manipulimit publik

Nga Valon Kurtishi

Debatet e hapura dhe deklaratat e figurave të njohura publike në lidhje me çështje të caktuara shoqërore janë në funksion të sensibilizimit, mobilizimit apo edhe sqarimit të opinionit në lidhje me qëllimet e veprimeve të ndërmara apo mendimeve të plasuara në opinion. Kohëve të fundit çështja në lidhje me futjen e obligueshme të maqedonishtes nga klasa e parë e fillores është duke marë përmasa të reja të aksionit shoqëror në formë të debateve dhe këshillave të ndryshme. Në këtë drejtim së fundmi është aktivizuar edhe ministri i arsimit të Fyrom-it Nikolla Todorov me bashkëmendimtarët e tij si dhe Komisari i lartë për pakica kombëtare, z.Knut Volebek.

Duke parë dështimin e qartë të nismës së tij për mësimin e detyruar të gjuhës së ashtuquajtur “shtetërore” maqedonase nga nxënësit e të gjitha komuniteteve këtu, si dhe duke parë kritikat e vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare për mënyrën se si i qaset këtij problemi, ministri në fjalë duket se ka ndryshuar qasjen e tij fillestare ndaj kësaj çështjeje. Deklaratat e fundit nëpër media se dëshiron ti bindë OJQ-të e ndryshme dhe prindërit për arsyeshmërinë e nismës së tij, apo edhe debatet e fundit të organizuara në universitetet shtetërore të Shkupit dhe Tetovës, japin në shikim të parë përshtypjen se ministri është i interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje koncensuale dhe në pajtim me të gjitha palët e interesuara. 
Megjithatë, edhe një analizë sado sipërfaqësore e mënyrës së dhënies së mendimit, qëndrimeve të vazhdueshme publike të vetë ministrit, kahjes që përpiqen tiu japin këtyre debateve këshilltarët apo ekspertët e ministrisë, tregon qartë se qëllimi parësor i tij është çarja e kohezionit të OJQ, këshillave të prindërve dhe nxënësve shqiptarë në lidhje me bojkotin e organizuar të maqedonishtes nga nxënësit e cikleve të ulta. Ministri Todorov është i vendosur në implementimin e këtij vendimi dhe ai nuk do të heqë dorë nga ky imponim absurd përderisa homologët e tij shqiptarë në qeveri nuk bëjnë presion real dhe serioz për tërheqjen e tij. 
Por kjo është çështje personale e ministrit dhe vendim i qarqeve vendimmarëse sllave. Komuniteti ynë duhet të vazhdojë me praktikën e filluar dhe të bëhet gati për skenarë të rinj të mundshëm të zgjerimit të bojkotit të orëve të maqedonishtes edhe në ciklet e larta të arsimit. Mundësisht të shqyrtohet seriozisht opcioni për një bojkot apo thënë më mirë injorim total të maqedonishtes nga shoqëria shqiptare në IRJM. 

Nga ana tjetër, në fjalimin e tij në konferncën e OSBE për “Implementimin e dimensionit njerëzor”, të mbajtur më 30 Shtator 2009 në Varshavë të Polonisë, Komisari i lartë për pakica kombëtare pranë kësaj organizate ndërqeveritare, z.Knut Volebek, ka paraqitur disa mendime shumë interesante në lidhje me idenë e integrimit social dhe respektit për diversitet të cilët siç është shprehur ai, “janë në zemër të mandatit dhe aktivitetit tim”. Në fjalimin pesëfaqësh komisari në fjalë e ka shpjeguar shumë mirë çështjen në lidhje me rëndësinë e ruajtjes së kulturës së minoriteteve nëpërmjet garantimit të të drejtave të tyre për arsimin në gjuhën amtare dhe nevojës për të njohur gjuhën shtetërore ose zyrtare nga pakica në mënyrë që të ketë gjasa më të mëdha integrimi shoqëror në të ardhmen. Integrimi në kuptim të një akcesi të garantuar në tregun e punës, në shkollat e larta, kyçja si i barabartë në të gjitha proceset në një shoqëri moderne. Qëndrimi në fjalë është për tu përshendetur dhe është plotësisht në pajtim me avancimin e përgjithshëm të të drejtave e lirive të njeriut në shkallë globale. 
Në këtë kuadër bën pjesë edhe mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të minoriteteve siç qëndron edhe në Rekomandimet e Hagës në lidhje me “Të drejtat për shkollim të Pakicave Kombëtare”, të lëshuara nga KLPK në vitin 1996, ku në rekomandimet 5 dhe 7 kërkohet shumë qartë nga Shtetet anëtare që të “krijojnë kushte që do tu mundësojnë pjesëtarëve të komuniteteve pakicë që të participojnë në një kuptim të plotë, në zhvillimin dhe implementimin e politikave dhe programeve që kanë të bëjnë me shkollimin e pakicës në nivelin fillor, të mesëm dhe të lartë”. Forma plotësuese e këtij qëndrimi është rekomandimi i 11 i konferencës ndërkombëtare për arsimin të mbajtur në Gjenevë në vitin e largët 1937 i cili theksonte se “njohja e më tepër gjuhëve çon drejt respektit më të madh për kulturat tjera”.
Duke u bazuar në këto qëndrime e ide demokratike, liberale dhe shumë humane, KLPK i OSBE, në kuadër të politikave integruese dhe paqësuese për zonat post-konfliktuoze dhe të brishta, propozoi pak kohë më parë një plan për “Sistem të integruar arsimor”, në të cilin në terma të përgjithshëm kërkoi që gjuha maqedonase të mësohet si e obligueshme nga klasa e parë e fillores në drejtim të siç u tha “integrimit më të madh mes komuniteteve”. Por qëndrimi i këtillë, edhepse në pamje të parë për atë që nuk e njeh problematikën e shoqërisë tonë duket si i drejtë dhe shumë normal ka disa mangësi thelbësore:

Së pari z.Volebek duke qenë Komisar i lartë i OSBE për pakicat kombëtare, nuk është as i autorizuar e as kompetent që të flasë për gjuhën shqipe dhe të meret me komunitetin shqiptar në IRJM, pasi ky grup etnik në këtë shtet si nga ana numerike ashtu edhe në aspekt politik e formalo-juridik nuk është minoritet. Komisari i lartë për pakica kombëtare duhet të mereme dhe të interesohet për pakicat e vërteta kombëtare dhe jo me komunitetin e dytë më të madh një këtë vend, i cili as ka qenë dhe as e ka ndërmend të jetë ndonjëherë pakicë kombëtare në këtë banana republikë ballkanike prej dy milionë banorësh.

Së dyti, qasja e shprehur në dokument që gjuha maqedonase të mësohet si gjuhë shtetërore është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen e Ohrit si dhe legjislacionin pozitiv në fuqi, sipas të cilit edhe gjuha që e flasin  së paku 20% e qytetarëve është poashtu gjuhë zyrtare, apo si e quan z. Volebek, gjuhë shtetërore (State language).

Së treti, mendimi i shprehur në planin e propozuar për “Sistem të integruar arsimor” në IRJM, bie në kundërshtim me idetë e shpalosura në takimin e Varshavës ku zoti Volebek e ka përmendur në një fjali të tij shprehjen, “gjuhën apo gjuhët shtetërore”. Pra komisari është i vetëdijshëm se në shtete të caktuara mund të ketë jo vetëm një, por dy e ndoshta edhe më tepër gjuhë zyrtare/shtetërore. Për këtë arsye, në dokumentin në fjalë, ai është dashur të rekomandojë që edhe gjuha shqipe njëjtë si dialekti maqedonas i bullgarishtes të mësohen njëkohësisht nga gjithë nxënësit e këtij vendi. 
Në të kundërtën, kërkesa drejtuar komunitetit shqiptar që ta mësojë maqedonishten në mënyrë të obligueshme kurse shqipja nga ana tjetër të mësohet nga maqedonasit vetëm në mënyrë të peferueshme joobligative, jo vetëm që është në kundërshtim me kushtetutën e këtij vendi, por është në kontradiktë të plotë edhe me fjalën e tij të mbajtur në Varshavë në lidhje me “gjuhën apo gjuhët shtetërore”. Komisari bën mirë ta kuptojë se në FYROM ka dy gjuhë zyrtare apo shtetërore, sllavomaqedonisht dhe shqip. 
Ne jemi të sigurtë se qasja e këtillë diferencuese nuk çon drejt interaksionit në ritje mes komuniteteve të ndryshme, por drejt asimilimit të fëmijëve shqiptarë të cilët që në moshë të njomë rezikojnë të shndërrohen në qenie bilinguale. Kjo në perspektivë do të çojë drejt asimilimit të paevitueshëm të tyre. Asimilimi dhe integrimi janë dy procese shoqërore kontradiktore që skanë lidhje me njëra tjetrën. Për më tepër dhe fatkeqësisht, qëllimi ndoshta dashamirës i OSBE dhe vetë zotit Volebek për ndërveprim të shtuar mes komuniteteve nëpërmjet njohjes së gjuhës së njëri-tjetrit, u shndërrua në instrument në duart e shovinistëve sllavo-maqedonas për asimilim afatgjatë të shqiptarëve këtu.

Edhe deklarata e përbashkët e Misioneve të BE, NATO, OSBE dhe SHBA,në Shkup e 28 janarit 2010 në lidhje me “shkollimin në gjuhën shtetërore që duhet të fillojë herët sipas rekomandimeve të KLPK të OSBE”, duhet parë si përpjekje transparente dhe shumë e drejtë për të kontribuar në integrimin e pakicave reale në kulturën mbizotëruese. Por “target group’ i kësaj deklarate nuk mund të jetë komuniteti shqiptar në IRJM pasi ai sipas kushtetutës në fuqi të këtij vendi nuk është minoritet, dhe për atë nuk mund të vlejë parimi i gjuhëve shtetërore dhe joshtetërore apo i zonave me komunitet shumicë apo pakicë siç qëndron në këtë deklaratë.

Deklaratat, takimet, “këshillat miqësore” dhe debatet e fundit të ministrit të arsimit nga ana tjetër, më shumë se përpjekje për të bindur apo arsyetuar, janë në funksion të manipulimit të opinionit publik me shpresë se me kalimin e kohës do të zvetënohet apo thyhet vendosmëria rezistuese e prindërve, nxënësve dhe shoqërisë shqiptare ndaj imponimit të sllavishtes.

Qytetaria shqiptare në IRJM duhet të përpiqet gjithë kohës si në drejtim të sensibilizimit të opinionit publik për këtë padrejtësi kardinale ashtu edhe në drejtim të gjetjes së një forme më efikase për zgjidhjen e kësaj mosmarëveshjeje që duket e sferës teknike por ka rrezik të degradojë në konflikt ndëretnik. Duam të themi që shansi i vetëm për triumf të shqiptarëve në këtë betejë kulturore është të jenë të bashkuar në mënyrë që të mbrojnë sa më mirë interesat nacionale në këtë moment vendimtar për kulturën tonë. Të kontribuojmë gjithë bashkë për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të mirë për gjithë ne.


(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora