E enjte, 25.04.2024, 05:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Eva Alikaj - nga “Pallati 176” ...te striptizmi

E shtune, 20.10.2007, 06:10 PM


Nga Ilda Lumani

Eva Alikaj
Personazhi i Eva Alikajt ka paralelizma me jetën e saj. Lola është një aktore që përballet me realitetin e ashpër të Zvicrës. Për aktoren skena e teatrit kombëtar ruan ende magjinë. Ëndrra që arriti para shumë viteve i tingëllon ende në mendje. Kjo është arsyeja që ajo u kthye nga Austria dhe njëherazi edhe për t’i bërë një sfidë vetes. Të ngjitë një shfaqje për publikun shqiptar. Një muzikal, ku te personazhi gjen mjaft pika takimi me veten. Pikërisht më 23 shtator Eva Alikaj interpretoi muzikalin “Lola Blau” në tiranë.

Një muzikal i shkruar nga George krajlser, një autor satirik që shkruan romane dhe është kabaretist. Vepra bën fjalë për një aktore çifute në vitin 1938 para Luftës së Dytë Botërore. Është koha kur Hitleri marshon në Austri. Çifutët në atë kohë në Austri e kishin më të lehtë, por sapo erdhi Hitleri situata u bë dramatike shumë shpejt. Ata që kishin para u larguan në Amerikë, pjesa tjetër u fut nëpër kampe përqëndrimi. Lola Blau është një kabaretiste. Sapo ka mbaruar shkollën dhe ka marrë emërimin e saj të parë në teatrin e Lincëz. Me naivitetin e një aktori dhe dashurinë për artin mendon që politika nuk ka lidhje me ta.

Por i ndjen shume shpejt pasojat. Përballet me një hotelexhi që e përze nga hoteli, detyrohet të shkojë në Zvicër ku mendon se do ta presë i dashuri, por nuk ndodh dhe Lola detyrohet të mbijetojë. Fillon të punojë në një klub nate në Zvicër, por policia zviceriane e përzë. Fati i jep një vizë për në Amerikë. Në fillimet e vështira punon në një klub striptizmi, ku bëhet një star dhe seks simbol. Por nuk është e lumtur. Nuk i pëlqen jeta, i mungon dashuria dhe atdheu i saj. Bie në depresion, të cilin e mbyt në gotën e alkolit. Një telefonatë që i bën i dashuri i saj që sapo ka dalë nga kampi i përqëndrimit e kthen Lolën më 1945 në Vjenë. Shpreson se gjërat kanë ndryshuar, por gjen një realitet të hidhur. Në fund ajo degradon, është pesimiste, nuk ka asnjë iluzion dhe përfundon duke punuar në një kabare të vogël. Ky është një muzikal i shkruar vetëm për këtë aktore. Shfaqja është e përbërë nga 16 këngë, ku në secilën prej tyre tregohet një stacion i jetës së Lolës. Gjatë një ore e një çerek Eva këndoji dhe interpretoji, ku njëkohësisht e shoqëroi edhe aktori austriak Peter Simonsberger, i cili interpretoi 5 role të vogla. Një rol të rëndësishëm kishte edhe shoqërimi në piano nga Andreas Rentsc dhe çdo pjesë u interpretua ‘live’.

Pjesa u këndua në gjermanisht. “U mundova ta përktheja, por nuk gjeja përshtatjen e dukur në rimë. Nuk bëhet fjalë vetëm për muzikë. Shfaqja ka mjaft mimikë dhe gjestikulacion që përpiqem t’i realizoj”, tregon në lidhje me shfaqjen aktorja, për rolin të cilin e kishte takuar para 2-3 vjetësh. “Ndoshta ka edhe paralelizma me jetën time. Ashtu si Lola unë jam një aktore që kam ëndërruar si të gjithë artistët se mund të bëj shumë. Por realiteti e jeta është aq e ashpër sa të bën të dorëzohesh diku. Ashtu si unë, ajo nuk ka atdhe. Pastaj më ka tërhequr shumë melodia dhe unë kam dëshiruar shumë të këndoj. Gjithmonë këndoja nëpër shtëpi dhe futesha nëpër cepat e saj, sepse bërtisnin komshinjtë. Vazhdoi deri në moshën 15-vjeçare kur më dëgjoi një kompozitor shqiptar në Pallatin e Kulturës dhe më tha që kisha më tepër frymë sesa zë”, vazhdon rrëfimin ajo.

Djali i Evës, Gino është epiqendra e jetës së saj. Ditët për të janë të zakonshme. Udhëton me urban, shkon shumë shpesh në teatër dhe në mendje përpiqet të krahasohet me ata që sheh. E vë veten në rolet e tyre duke menduar se nëse do të interpretonte ajo do t’ia kishte dalë mrekullisht mirë. Kjo ndoshta e ka mbajtur gjallë si aktore. “Kjo më provoi që pas shumë vitesh unë prapë isha në një formë shumë të mirë. Jam gjithmonë aktive, shikoj dhe e provoj veten në ç’gjendje jam”. Por të jesh një artiste në emigrim, nuk është aq e lehtë.

“Të aktrosh jashtë Shqipërisë nuk është aspak e lehtë, pasi gjithçka është shumë e vështirë dhe të çash në skenat evropiane pa u paragjykuar është dyfish e vështirë”. Megjithatë, edhe pse me vështirësi Eva ka luajtur në Volkstheater (Austri) në disa produksione televizive si: Kopfaktion, “Mir san net nur mir”, “11er Haus”, “Tatort”, dhe “4 frauen und ein Todesfall”. Edhe pse rolet që ka interpretuar në Austri nuk janë ato të heroinave, ashtu siç ndodhte në Shqipëri, Ema tashmë e ka kaluar këtë pengesë dhe përpiqet që në çdo interpretim të shfaqë karakterin e saj si të ishte personazhi kryesor. “Në filmin e parë që xhirova e ndieja veten shumë keq se ishte roli shumë i vogël. Isha mësuar me role pak a shumë kryesor dhe përjetova një dramë shumë të madhe që e kalova. Tani jam çliruar dhe kam gjetur një gjuhë të përbashkët. Kur diçka është mirë mund të përcillet emocioni”, tregon ajo për rolet që ka luajtur në Austri.

Djali dhe aktrimi

“Ndonjëherë e pyes veten nëse ia vlejti barra qeranë që prita 17 vjet për t’iu përkushtuar aktrimit gjatë jetës sime, për t’ia dhuruar këto vite djalit tim po megjithëse më ka kushtuar shumë, them që nuk jam pishman”. Me djalin ka një lidhje të ngushtë. “Madje për bestytni para çdo shfaqjeje, kur jam larg tij, e marr në telefon dhe ai më tha se “Gjithçka do të shkonte shkëlqyeshëm”. Është i njëjti bekim, që mori nga Gino edhe këtë herë Eva, ndërsa i duhej të interpretonte sërish Lolën përpara publikut dhe kolegëve të saj. “Është marrëzia ime ose meraku për këtë skenë. Dua ta falënderoj drejtorin Kristaq Skrami që më hapi dyert.

Unë mund të gjej shumë skena në Austri, por meraku im është skena e Teatrit Kombëtar. Në asnjë skenë tjetër nuk ndihem më mirë se këtu. Është ëndrra ime që u arrit para shumë viteve dhe më ka ngelur në kokë”. Herë pas here punon në një firmë gjermane, ku paketon dhurata. “Është e domosdoshme për të mbijetuar. Por gjatë gjithë një viti që jam kujdesur për rolin kam pasur Lolën në kokë. Fizikisht jam aty, por në mendimet e mia jam larg”, rrëfen ajo.

Pastaj ndjek provat e koncertet që ka djali i saj, i cili studion për violinë. Del shëtitje vetëm dhe siç tregon edhe vetë “pas kaq vitesh ka filluar të më pëlqejë Austria. Çuditem pasi deri tani e vuaja”. Ndërkohë që sapo mbërriti këtë herë në atdheun e saj i pëlqeu edhe Tirana. Gjithsesi ende nuk mund të flitet për një rikthim të Evës në Shqipëri. “Unë gjithmonë mendoj të kthehem. Edhe sikur të mos jem në Teatrin Kombëtar, e ndiej veten se jam pjesë e tij. Po të isha këtu, do të isha një nga aktoret e TK-së. Megjithatë mendoj që erdhi koha të pozicionohem në Austri. Djali është atje, ka shkollën dhe për disa vite i duhet ndihma ime. Por sapo vij këtu më tërheq edhe Tirana. Ndoshta do jetë mundësia t’i kombinoj të dyja një ditë”.

Nostalgjia

Do të ishte e gënjeshtërt nëse do të mendoje se nuk kishte nostalgji dhe mall për Shqipërinë. “Më mungon shumë. Më ngatërron pak sepse mendoj sikur të vij përgjithmonë. Unë nuk e kam ndjerë veten të shkëputur nga Shqipëria, sepse më lidh shumë teatri. Ëndrra dhe jeta ime ka qenë teatri. Nga ana tjetër ndihem paksa e varur dhe jo e çliruar”, tregon Alikaj. Mendon se nuk ka ndryshuar aspak nga ajo aktorja e dikurshme, që e mban mend publiku shqiptar. “Mbase jam rritur e jam pjekur si aktore. Por jam pjekur pa luajtur. Është logjike që një aktore e talentuar, dhe unë shpresoj që jam një mes tyre, rritet nga roli në rol. Unë nuk kam luajtur, por jam rritur dhe kjo më  befason”.

Roli i Lolës

Roli i Lolës e ka vënë në mendime. E njëkohësisht i ka kthyer optimizmin për të ardhmen e saj si aktore. “Tani dua t’i përkushtohem artit. Doja shumë ta bëja këtë vepër dhe ia arrita. Nga reagimet e publikut shoh se jam pëlqyer. Nuk ka qenë e lehtë, më është dashur të punoj shumë për këtë pjesë, madje të marr edhe mësime kantoje se ndryshe nuk do ia kisha arritur”. Të njëjtën shfaqje Eva e interpretoi edhe në Austri, ku padyshim pati mjaft pengesa dhe e kishte të vështirë të realizonte një projekt të tillë. Përveç zbërthimit të rolit, kishte edhe probleme financiare, aq sa nuk mundi të pagonte dot një regjisor dhe për këtë arsye u detyrua të bënte vetë regjinë, që doli vetvetiu nga puna. “U mora me çdo detaj të shfaqjes edhe pse do më vinte mirë të kisha një staf. Kjo shfaqje ishte ballafaqimi me publikun dhe nuk bëhej fjalë vetëm për një shfaqje, por për jetën time.

Prandaj nuk e shijova aq shumë. Këtu në Tiranë e shijova rolin e Lolës. Dhe përveçse për publikun tim këtë shfaqje e bëra edhe për Evën. Djali im nuk ishte këtu, por ishte mamaja, babai im, kushërinjtë e mi. Doja edhe njëherë që të isha në skenë, sepse nuk i dihet jetës, mbase nuk mund të jesh më kurrë. Përpara se të vija në Tiranë isha gati për gjithçka. Në qoftë se nuk do të merrja një rezonancë pozitive mendova që nuk ka arsye të luaj e të sakrifikoj kaq shumë. Por tashmë jam e lumtur që e bëra këtë sfidë”.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora