E enjte, 25.04.2024, 01:52 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Elis Guri - Duart qe munden boten

E shtune, 20.10.2007, 05:48 PM


Nga Elert Yzeiri

Elis Guri
Është realizuar falë paraqitjes së jashtëzakonshme të Sait Prizrenit dhe Elis Gurit. Dy mundësit kuqezinj bënë një paraqitje të shkëlqyer në kampionatin botëror të zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit. Ku të dy mundësit kanë siguruar kualifikimin për në Lojërat Olimpike. Më këto rezultate Shqipëria ka siguruar 3 sportistë të kualifikuar në aktivitetin më të rëndësishëm botëror, që do të zhvillohet në lindjen e katërt verën e ardhshme.

“E bukur ë?! Në Olimpiadë, çfarë mrekullie?! Isha i sigurt se do ta arrija këtë sukses. Të thashë, unë e kam ngritur gurin lart dhe kështu fitova edhe Olimpiadën”. Këto kanë qenë fjalët e para që më tha duke qeshur Elisi kur e takova, pak çaste pas mbërritjes nga Azerbajxhan. Ishte me Niken, trajnerin e tij, një mesoburrë shumë karizmatik dhe mjaft energjik, edhe pse fytyra e vogël duket se i humb pas syzeve miopike. Të dy dukeshin sikur fluturonin, edhe pse kishte kohë që lajmi për suksesin kishte marrë dhenë.

“Ky është një gjigant. Ka mundur kampionin e botës. I ka lënë pa mend të gjithë. E dija që do të fitonte. Jemi stërvitur shumë, shumë dhe fitorja nuk kishte ku të shkonte. Ky ka ngritur lart gurin, por ka hedhur tuç edhe kampionin e botës”, shprehet Besnik Shehu, trajneri i mundësit 24-vjeçar Elis Guri, një prej kampionëve më të rinj shqiptar, tashmë pjesëmarrës i Lojërave Olimpike. Fola gjatë me Elisin dhe trajnerin e tij, për Botërorin, rezultatet e arritura, por edhe për të ardhmen, e cila ofron të tjera sfida të rëndësishme. Të dy ishin shumë optimistë, edhe pse të përmbajtur në deklarime apo eufori. Dhe pasi kishim përsëritur pafundësisht me shumë ngazëllim lëvdatat dhe fjalët më të bukura për suksesin, i shtyrë edhe nga kureshtja kërkova të zbuoj suksesin e “gurit”. Elisi plot krenari më tha: “Po mor ta marsha, është guri i familjes teme – m’u përgjigj ai në aksentin e tij të theksuar verior - E kam ngrit veç unë e stërgjyshi im. As Iljazi (babai, kampioni i madh shqiptar) nuk ka mund ta ngrejë. Ai është një shkëmb shumë i madh. E dija se po ta ngrija atë do të fitoja”, deklaroi Elisi. I lashë dy miqtë e mi, shumë i kënaqur për suksesin e tyre dhe u nisa me nxitim drejt zyrës, t’ua thoja me krenari edhe kolegëve të mi këtë histori, një histori që nuk përfundon këtu...

Dy duar që ngjiten pas qafës, shikimi përmes syve të strukur thellë mes zgavrave kontrollon hapësirën përreth, fryma papritmas mbyllet brenda kraharorit dhe një lëvizje si e kobrës ngre në ajër “prenë” e tij, të cilën e përplas më pas me shpatulla në tapet. Ka përfunduar: ai është fitues… Kështu e ka imagjinuar nga shumë larg “krijesën” e tij Iljaz Guri, ish kampioni i madh i mundjes shqiptare, që 30 vjet pas suksesit të tij të madh botëror, derdh lotët e gëzimit, për suksesin e të birit, në Botërorin e mundjes në Baku të Azerbajxhanit. Traditës së familjes Guri i është shtuar edhe një hallkë tjetër, po me të njëjtin brum, por më e shndritshme dhe shumë më e fortë.

Çfarë përfaqëson ky rezultat për Elis Gurin?
Të them është një ëndërr, është shumë pak, por më duhet të mjaftohem duke thënë se kam realizuar një objektiv shumë të madh. Olimpiada është maksimumi për një sportist dhe unë e kam realizuar tashmë këtë gjë. Ende nuk jam larguar nga ky emocion, edhe për faktin se kjo është një ëndërr që jetohet prej vitesh në familjen time, por besoj se ky është një sukses shumë i madh për sportin shqiptar. Së bashku me mikun tim Prizreni kemi arritur individualisht kualifikimin në Olimpiadë.

Emocionet më të mëdha i keni patur ju apo babai juaj?
(Qesh) Babai. Ai e ka vuajtur sikur të ishte rikthyer sërish mbi tapet. Nuk e ka dhënë veten përballë meje, por jam i bindur se ka patur më shumë emocione se unë në tapet. Ky nuk është vetëm një sukses i Elisit, por edhe Iljaz Gurit, babait tim, që është prindi, shoku, miku dhe “kundërshtari” im i përjetshëm. Këtë sukses ja dedikoj padyshim atij. Jam krenar që jam biri i tij dhe shpresoj që ta kënaq edhe me të tjera suksese, pse jo edhe me një medalje në Lojërat Olimpike. Në Baku unë i kam shtuar vetëm një hallkë zinxhirit të traditës sime Guri, në sportin e mundjes, dhe jam i bindur se do të jetë me shumë hallka të tjera.

Pse thoni kundërshtari juaj?
Në vitin 1973, im atë, ka qenë vetëm një hap finales në kampionatin evropian të zhvilluar në Finlandë dhe vetëm për arsye të rëndomta të sistemit totalitar u rendit në vendin e gjashtë në Evropë. Unë zura vendin e shtatë në kampionatin botëror: nuk besoj se mund të gjeja një kundërshtar kaq të fortë se sa Iljaz Guri!...

Por ju e keni vërtetë shumë të vështirë të gjeni një kundërshtar?
Po, po ky është një shqetësim vërtetë shumë i madh, si për mua edhe për trajnerin tim Besnik Shehu. Unë garoj në peshën gjysmë të rëndë në stilin grekoromak dhe aktualisht jam i vetmi sportist në këtë peshë në Shqipëri. Dhe fakti që nuk kam një kundërshtar, për të matur forcat, një shok që të aplikoj kapjet (siç e themi në gjuhën sportive) më kushtëzon në përgatitjen time. Kjo mundësi m’u dha vetëm me stërvitjen time për dy muaj në Bullgari me ekipin kombëtar bullgar, që është bërë falë edhe mbështetjes të z.Seit Fishta. Atje pata mundësinë të stërviten me sportistë të peshës sime dhe ndoshta mundësit më të mirë në botë, gjë që më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për kampionatin botëror.

Sa e vështirë ka qenë për Elisin arritja e këtij rezultati?
Objektivat dhe sukseset e mëdha arrihen me shumë përkushtim dhe mund, por unë mund të them se kam dhënë zemrën për të arritur këtu. Me mbështetjen e padiskutueshme të trajnerit tim Besnik Shehu, por për më shumë edhe të familjes sime janë stërvitur shumë dhe me një përkushtim shumë të madh. Nuk është përkushtimi vetëm për këtë kampionat, por janë shumë vite punë me trajnerin tim. Unë kam dy trajnerë, një shtëpi dhe një palestër dhe besoj se kjo është një garanci shumë e madhe për sukseset e mia.

Duke u kthyer te kampionati botëror, cila është eksperienca e fituar nga Elisi?
E jashtëzakonshme dhe shumë e rëndësishme. Në këtë kampionat përfshiheshin 106 shtete dhe ishte një aktivitet shumë i rëndësishëm e i rivalizuar. E dija që nuk do të dilja duar bosh, nëse mund të them kështu, dhe me shumë kujdes jamë munduar të prezantohem në të gjitha takimet. Rezultati im ishte vërtetë i rëndësishëm, jo vetëm për faktin se arrita të renditem në zonën e të kualifikuarve, por edhe sepse arrita që të hedh tuç kampionin e botës. Pata përballje vërtetë shumë të vështira dhe jam shumë i gëzuar për rezultatin e arritur.

Cila është mbështetja që ka patur Elisi në arritjen e këtyre rezultateve?
Mbështetja më e madhe ka qenë morale, ndërsa ajo ekonomike është më shumë se modeste. Trajtimi që unë kam aktualisht është minimal dhe nuk mund të më garantojë kompensimin e djersës dhe mundit tim. Mundja është një nga sportet e lëna në harresë nga shteti, edhe pse jemi disiplina që kemi arritur rezultatet më të mira në vitet e fundit. Që nga muaji dhjetor trajtohem në klubin Dinamo dhe jam në pritje për të patur një mbështetje më të madhe.

Ju tashmë keni një biletë për në pekin 2008, cilat janë objektivat e ardhshme?
Olimpiada është objektivi më i madh i karrierës sime, por kjo nuk do të thotë që unë nuk do të impenjohem me në aktivitetet e tjera, si kombëtare dhe ndërkombëtare. Së shpejti janë dy aktivitete të rëndësishme në rang evropian, të cilat do të jenë garanci për përgatitjet e mia. E rëndësishme është që unë të zbres në tapet, të provoj forcat me kundërshtarët e mi dhe rezultatet është e sigurt që do të vijnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora