Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Hapja e Shkollës Shqipe në 2-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Staten Island...

| E diele, 21.02.2010, 10:58 PM |


Duke duartrokitur Himnin e Flamurit
Duke duartrokitur Himnin e Flamurit
Hapja e Shkollës Shqipe në 2-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Staten Island, është një dritëz Mëmëdheu për fëmijët e Diasporës

Nga Këze Kozeta Zylo

Çatitë e shtëpive të bukura në Staten Island, ishin mbuluar nga një bardhësi e mahnitshme, në këtë ishull të New Yorkut.
Këtë pamje të bukur që krijoi nëna natyrë në një ditë të diele, e magjepsnin dhe më shumë cicërimat e fëmijëve.  Flokëzat e bardha të borës binin butë butë mbi qepallat e fëmijëve, ndersa shkronjat shqipe dukeshin sikur i shkrinin ato me prushin e tyre të nxehtë, prush i pashuar në vatrat e ngrohta shqiptare.
Fëmijët në atë ditë nuk kishin kohë të loznin me topa bore, as t’i gëzoheshin ndonjë rreze dielli që braktisej herë pas here nga ndonjë re, ata kishin ardhur ngarkuar me shkronjat shqipe, si Rilindasit e vegjël të Diasporës…
Ata donin të mësonin gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve të tyre.
Ata dukej sikur donin të na kujtonin një mendimtar të lashtë se: “Ai që e zotëron gjuhën e vet vlen më tepër se ai që pushton një qytet”.
Sytë e tyre dukej sikur kishin çelur enkas për ne, për mësuesit, dhe prindërit, ata dukeshin sikur kishin çelur ABC-n si sythe në degët e pemës gjenealogjike të Rilindasve, që dhanë gjakun e tyre për Alfabetin shqip.
Shkronjat shqipe janë dritëza në çerdhen e Diasporës, që ngrejnë një folezë brenda shpirtit të shqiptarit, një folezëqë nuk duhet të prishet kurrë.
Edhe pse toka veshi tapetin e bardhë, një fllad i lehtë të guduliste dhe të hiqte pak ethet e ceremonisë që të kapin natyrshëm në kësi rastesh.
C’emocione të veçanta të japin gërmat shqipe, kur i sheh të shkruara nga doçkat e fëmijëve, në fletore, në dërrasë…, emocione që rrallë njeriu i ndjen…
Ato duken sikur nisin vallen e bukur shqiptare, e në këtë valle dehemi të gjithë ne, nga dashuria e zjarrtë dhe e përflakur që kemi për to.
Vogëlushët grupe –grupe të shoqëruar nga prindërit, merrnin shkumësin e bardhë, vizatonin çfarë të deshironin, ose bisedonin dhe takoheshin me njeri tjetrin sikur të kishin vite që ishin takuar.
Ç’botë të magjishme kanë fëmijët, sa i shlodhin të rriturit, sa i bashkojnë ata, bota e tyre të dhuron vetëm dashuri, është faltlum ai që iu fal kohë fëmijëve, qoftë dhe pak minuta çdo dite, sidomos ajo bëhet dhe më e bukur, kur jua kushton në të ëmblën gjuhë shqipe…

Abetarja shqipe është libri i shenjtë shqiptarëve

Ceremonia e hapjes së shkollës shqipe u zhvillua në kuadrin e dy-vjetorit të Pavarësisë së KOSOVES, në dhomën e mediave të qendrës së Komunitetit të Hebrenjve në Staten Island, New York, vend që është marrë me qera për të zhvilluar mësimin shqip.
Vetë mjedisi me të gjitha kushtet e krijuara nga komuniteti i hebrenjve, të befason me punën e tyre dhe me krijimin e kushteve që iu bëjnë bashkëkombasve të tyre, çka dhe duhet të nxjerrim mësime nga këto lobe të fuqishme, si Diasporë shqiptare, se sa më shumë të bashkuar të jemi, aq dhe më shpejt do t’i japim vendin e merituar Mëmëzonjës sonë Shqipëri.  Në rast se ne bashkohemi, me siguri së shpejti do të ngrihet një shkollë shqipe e institucionalizuar nga shteti amerikan, ku fëmijët të vinë përditë dhe të marrin kulturën në gjuhën shqipe dhe anglisht.  Mjerisht deri tani edhe pse kemi dy shekuj të emigruar në Amerikë nuk e ka parë dritën e hapjes asnje shkolle e rregullt shqipe, e përditshme, ku të mësohet në shqip dhe anglisht, ashtu si shumë komunitete të tjera nga gjithë bota…
Prindërit me femijët e tyre, përfaqësues të mediave dhe të organizatave ishin ulur dhe po prisnin me kuriozitetin dhe respektin më të madh ceremoninë e hapjes së shkollës shqipe.
Moderatorja e programit pasi iu uroi të gjithë pjesëmarrësve mirëseardhjen ajo i ftoi ata të këndonin himnin amerikan dhe shqiptar.
Z.Qemal Zylo si themelues dhe president i shkollës shqipe dhe TV Alba Life falënderoi të gjithë të pranishmit në këtë ditë të bukur për gjithë Komunitetin shqiptar, në ditën e hapjes së shkollës shqipe.  Z.Zylo tha se: “E kam krenari dhe nder që hapjen e shkollës shqipe këtu në New York, e bëjmë në kuadrin e 2 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Rroftë Pavarësia e Kosovës dhe e populli shqiptar, thirrje që u mirëprit me duartrokitje të stuhishme nga e gjithë salla që ishte çuar në këmbë për të nderuar shtetin më të ri në botë, Kosovën”.
Ai falënderoi grupin e punës që mbështetën themeluesit e Alba Life, të cilët do të vazhdojnë ta cojnë më përpara këtë aktivitet nga më të rëndësishmit, si: I.Hysa, D.Gashi, O.Greva, N.Bejleri, A.Lacaj, B.Bejleri, etj…
Z.Zylo foli për interesimin që ka bërë për programet e gjuhës shqipe dhe për takimet që kishte patur në Ministrinë e Arsimit në Tiranë me z.H.Shamata dhe në Institutin e Diasporës, por ata kanë premtuar se do të hartojnë së shpejti program special për fëmijët në Diasporë.  Eshtë e vërtetë se hapja e një shkolle shqipe në dhe të huaj nuk është e lehtë, por me durim dhe vullnet të hekurt arrihet gjithçka.  Ajo që më shtyu drejt këtij hapi ka qenë gjithmonë dashuria për gjuhën shqipe dhe fëmijët që lindin dhe rriten këtu duhet ta kujtojnë me krenari origjinën e të parëve të tyre, pasi siç ka thënë Sami Frashëri “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës” vazhdoi z.Zylo.  
Ai tha se shkolla po punon me programin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës për fëmijët e Diasporës, pasi në Shqipëri akoma nuk ekziston një program i tillë.  
Znj.A.Lacaj drejtoresha e shkollës shqipe pasi falënderoi themeluesit e shkollës ajo prezantoi objektivat dhe punën që do të bëjë këshilli pedagogjik për mësimin e gjuhës shqipe.  Ajo iu beri thirrje të gjithë shqiptarëve të sjellin fëmijët në këtë shkollë ku ekipi i punës do të punojë me një devocion dhe përkushtim të madh.
Mësuesja tashmë me përvojë znj.B.Bejleri paraqiti në projektor punën që do të bëjë në të ardhmen, historinë dhe kulturën shqiptare që do të mësohet në shkollë dhe ftoi disa nxënës të interpretonin poezi të ndryshme.
Znj.Bejleri ka kohë që po bashkëpunon me staftin pedagogjik, ajo edhe pse jeton dhe punon në Brooklyn, vjen me një kënaqësi të madhe për të dhënë kontributin e saj.
Mësueset e reja si znj.Sh.Zylaj ish mësuese në qytetin e Elbasanit, nuk mund t’i fshinte emocionet e saj.  Një ditë përpara ceremonisë ajo më shkruajti se: “Unë kam emocione si në ditën e parë të punës sime, ditë kur fillova të jepja mësim rreth 20 vjet më parë.”
Eshtë e vërtetë i kthej përgjigjen, mësueses Shkëndije se: mësuesit kanë emocione, ata janë aktorë të vërtetë në klasë, ata janë si artistët në skenë para publikut.
Znj. Zylaj premtoi se do t’i mesojë ata me dashuri për gjuhën shqipe.
Edhe mësuesja tjetër znj.B.Bollati e cila ka mbaruar për histori, falënderoi z.Zylo ish kolegun e saj, të cilët kanë punuar së bashkur si pedagogë në Manhattan,  për ofertën që i kishte bërë për bashkëpunim.  Znj.Bollati ka një seriozitet të dukshëm dhe një ngritje profesionale, gjë që do të rrezatohet në punën e saj me shkollën.
Z.Bajram Dede mësuesi i ri dhe administrator i shoqatës “Dibra” ka kohë që po bashkëpunon dhe po inspiron më tej vazhdimësinë e shkollës shqipe.  Ai me një patriotizëm të theksuar po punon për të sjellë sa më shumë fëmijë shqiptarë në shkollë.
Prof. Dr.Valbona Zylo Watkins, njëkohësisht zv/presidente e Alba Life, demonstroi planin, objektivat dhe programin që do të zhvillohet gjatë vitit shkollor. 
Ceremoninë e Hapjes së shkollës shqipe e kanë përshëndetur z.Ibrahim Kolari n/kreytar i shoqatës “Dibra” dhe biznesmen i suksesshëm, i cili në emër të shoqatës i dhuroi një kompjuter shkollës dhe nje cek modest personal.  Ai do ta mbeshtesë shkollën shqipe dhe TV Alba Life duke shprehur dëshirën e bashkëpunimit.  Z.Kolari regjistroi djalin e tij, në shkollën shqipe.  Ndërsa zëdhënësi i shoqatës “Ana e Malit” z.Xhafer Shabani i cili kishte ardhur së bashku me n/k e shoqates z.Amir Shaba përshëndeti dhe falënderoi për ftesën.  Ai tha se vetëm së bashku kjo shkollë do të mbijetojë dhe do ta ruajmë gjuhën shqipe në Diasporë.  Ai falënderoi z.Zylo që kishte marrë pjesë në tubimin e fundit të shoqatës së tyre dhe ishin njohur dhe më mire së bashku.  Ata e mbështetën me dashuri organizimin dhe premtuan se do të sillnin fëmijë sa më shumë.  Bashkëpunimi midis nesh vazhdoi zëdhënësi është patriotizëm dhe kulturë.  
Këto shoqata janë organizime me kulturë, janë organizime që mbajnë gjallë vlagën e Mëmëdheut tonë!
Kurse z.Zyhdi Daci ish mësues veteran në Dibër, solli me qetësinë e tij fjalë të mëncura, që të mos rreshtim asnjëherë për t’ju mësuar fëmijëve tanë gjuhën e ëmbël shqipe. 
Znj.Shqipe Biba aktiviste e shquar e Diasporës dhe themeluese e organizatës “Motrat Qiriazi” kujtoi dhe shkollën shqipe që ishte hapur në vitin 1989, por për arsye financiare pas disa kohësh ishte mbyllur.  Ajo dëshironte që kjo shkollë të kishte jetë të gjatë dhe të mos pësonte të njejtin fat.  Ajo iu beri thirrje të gjithë shqiptarëve të sillnin fëmijët dhe shprehu besimin e madh tek stafi i saj.  
Piktori i mirënjohur z. Astrit Tota, i cili ka punuar pranë Kinostudios në Shqipëri, kishte ardhur enkas nga Bronxi për të përshëndetur shkollën shqipe.  Fjalët e tij emocionante ngritën peshë sallën.  Ai tha se:  “Këtu po më duket vetja si në një akademi shkollore, ku po projektohen idetë për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën shqipe.  Nesër aspak nuk do të çuditem kur nga kjo shkollë do të dalin profesorë të gjuhës shqipe”.
Muzikanti dhe drejtori i orkestrës së mirënjohur shqiptare “Alba” z. Edmond Xhani i cili jep një kontribut të shkëlqyer në Diasporë së bashku me artistët e tjerë, shprehu dëshirën e bashkëpunimit dhe falënderoi mikun e tij Zylo, për këtë detyrë fisnike dhe të veshtirë që kishte ndërmarrë.
Z.Ilir Hysa profesor në universitet në Manhattan kishte ardhur si përfaqësues i shtetit amerikan.  Z.Hysa ka kohë që e ka mbështetur nismën e hapjes së shkollës shqipe.
Ai iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të merrnin pjesë në regjistrimin e popullsisë që po organizon shteti amerikan.  Regjistrimi i gjithë shqiptarëve në Amerikë bën qe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë dhe të shkëlqyer për fëmijët tanë.  Bashkëpunimi ynë vijoi z.Hysa do të jetë në të mirë të Diasporës, në të mire të Kombit Shqiptar.  
Kryetar i shoqatës “Camëria” z.Sali Bollati, intelektual i devotshëm i çështjes kombëtare, kishte ardhur së bashku me nipin e tij Lisin dhe Dean e vogël 4-vjeçare, e cila recitoi poezinë: “Ti Shqipëri më ep nder” interpretim që u mirëprit me duartrokitje për këtë vogëlushe.  Ai i regjistroi ata dhe iu uroi gjithë stafit punë të mbarë!  Ejona Gashi recitoi vjershën “Gjuha jonë sa e mirë”…Ato janë dy motërza si dy gonxhe që premtojnë shumë, si e ardhmja e Diasporës. Babai i tyre z.Dritan Gashi, n/kryetar i shoqatës “Dibra” i ndjek hap pas hapi dhe me një dashuri të pakufishme ngulmon që vajzat e tij të flasin dhe të shkruajnë shqip.  Po kështu dhe nxënësi Edon Greva, me një inteligjencë të theksuar që e shpreh në sytë e ndritur kenaqej duke shoqeruar shoket e tij. Ai kishte ardhur i shoqëruar nga prindërit.  I ati i tij z.O.Greva është një djalë aktivist i palodhur dhe i papërtuar për punët e mira në Komunitet.
Shumë emocionante ishte kur vogëlushi i sapo regjistruar në shkollë, me origjinë nga Devolli, Orest Salillari ngriti dorën dhe tha që mos më harroni dhe mua për recitim.  Ai është djali i Odise dhe Mimoza Salillarit, një çift i mrekullueshëm.  Programin e ka përshëndetur dhe vogëlushja 6-vjeçare Dea Bejleri, ajo dhe pse është e lindur dhe rritur këtu, ajo flet dhe lexon rrjedhshëm gjuhën shqipe. 
Vargjet e recituara nga vogëlushja me dy sy si dy copëza qielli  u pritën me dashuri dhe duartrokitje të nxehta nga pjesëmarrësit.  Ja disa prej tyre: Kur shkova në Korçë/,Gjyshërit u gëzuan/, Se unë shqip u thoshja/, Oh, sa shumë ju dua!  Ata nuk kuptojne/,T’ju them: I love You/ etj… !
Në këtë zhvillim intelektual të saj kanë ndikuar mjaft prindërit, por dhe mësimi në shkollën shqipe.
Nga shumë shqiptarë ajo parashikohet të jetë një senatore e ardhshme, pse jo dhe një presidente e Amerikës, pasi koha po punon për Shqipërinë, le të punojmë së bashku që koha e artë të mos na rrëshqasi prej duarsh…
Drilon Uruci me prindër me origjinë nga Dibra, recitoi mjaft bukur poezi në shqip.  Ai është djali i aktorit Roland Uruci, që ka intepretuar disa role në filma amerikanë.  Roland Uruci ka një kulturë të gjerë, por ajo që të befason është se dhe pse i lindur dhe rritur në Amerikë, ai vazhdon të flasë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe po kështu punon me të njejtin pasion dhe dashuri për fëmijët e tij. 
Kishte dhe nxënës nga lagje të tjera të New Yorkut të regjistruar që nuk kishin ardhur, por prindërit e tyre dërgonin fotot me celular dhe shprehnin keqardhjen se ishin penguar nga shkaku i dëborës.  Kështu intelektualja, nëna e re dhe tepër e kujdeshme e dy fëmijëve, Daranit dhe vajzës së saj që do t’i regjistrojë në shkollë, znj.Stela Aliaj, ka kohë që vjen me fëmijët e saj që nga New Jersey.  Ajo është shumë e kënaqur që fëmijët e saj do të mësojnë gjuhën shqipe. 
Kishte pjesëmarrës që kishin ardhur nga shumë lagje të tjera, si z.Eduard Dilo anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve, i kryesisë së Vartrës dhe nip i autorit të parë të gramatikës shqipe, Ilia Dilo Sheperi, që u persekutuan si patriotë dhe intelektualë nga regjimi diktatorial.  Z.Dilo tha se nuk mund të rrinte pa ardhur në këtë ditë të shënuar të ceremonisë së hapjes së shkollës shqipe, ceremoni që u zhvillua në dy vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Mësuesët veterane gjithmonë vlerësohen për punën e tyre dhe njëkohesisht për kontributin e dhënë.  Kështu z.Xheladin Pjeca, ish kryetar i shoqatës “Dibra” vazhdimisht ka marrë pjesë në këto aktivitete dhe jep kontribut me mendimet e tij aq të vyera si një ish mësues veteran në Dibër, dhe që ne brezat e mëvonshëm aq nevoje kemi për ta.
Kështu znj.V.Likollari që nuk lë aktivitet shkollor pa marrë pjesë së bashku me bashkëshortin e saj, z.P.Likollari, të cilët janë shumë arsimdashës iu ngazëllehet shpirti për shkollën shqipe.  Ata do të sjellin në shtator nipin dhe mbesën e tyre.
Edhe z.Daut Ame me origjinë nga Dibra kishte ardhur së bashku me z.Bujar Lake për të përshëndetur këtë ceremoni.  Bashkëshortja e z.Daut, e ndjera Liliana Ame ka qenë një mësuese e devotshme, ku ne e kujtojmë kolegen tonë me respektin më të madh.
Mësuesi veteran, ish punonjës i mediave, z.Ahmedan Jani kishte ardhur së bashku me dy nipërit e tij, nxënës të rinj të shkollës shqipe.  Sa fatlum janë nxënësit tanë kur shikojnë rreth tyre mësuesit veteranë, mësues që kanë dhënë aq shumë për arsimin shqip.
Ceremonia u filmua nga dy profesionistë të medias, z.Amir Sukalic, Broadcast media dhe drejtor i programeve të TV Alba Life, si dhe nga z.Skender Pali telekameramani i studios Ilyria, në New York.  Intervistat për TV u morën nga znj.Klodiana Halsted e cila ka dhënë kontribut të madh në përgatitjen e dokumentacionit të shkollës shqipe nga ana ligjore me shtetin amerikan.
Pas ceremonisë të gjithë pjesëmarrësit u ftuan në një kokteil dhe më vonë ata u larguan të lumtur se morën me vete librin e abetares, librin e shenjtë të shqiptarëve.


13 Shkurt, 2009
Staten Island, New York
Stafi i shkolles dhe mesuese veterane
Stafi i shkolles dhe mesuese veterane
Themeluesi i Shkolles Shqipe z Qemal Zylo
Themeluesi i Shkolles Shqipe z Qemal Zylo
Z Amir Suka duke filmuar intervisten e znj Shqipe Biba dhene znj Klodiana Halsted
Z Amir Suka duke filmuar intervisten e znj Shqipe Biba dhene znj Klodiana Halsted
Z Edmond Xhani duke uruar z Zylo per hapjen e shkolles shqipe
Z Edmond Xhani duke uruar z Zylo per hapjen e shkolles shqipe
Z Skender Pali gjate xhirimit
Z Skender Pali gjate xhirimit
Zedhenesi i shoqates Ana e Malit Xh Shabani dhe Q Zylo
Zedhenesi i shoqates Ana e Malit Xh Shabani dhe Q Zylo
Z Skender Pali gjate xhirimit
Z Skender Pali gjate xhirimit
Z.Ilir Hysa perfaqesues i shteti Amerikan sensibilizoi pjesemarresit per regjistrmin e popullsise shqiptare ne Amerike
Z.Ilir Hysa perfaqesues i shteti Amerikan sensibilizoi pjesemarresit per regjistrmin e popullsise shqiptare ne Amerike