E premte, 19.04.2024, 12:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Gjirmë shpirti - Ec e njihe veten

E diele, 21.02.2010, 10:08 PM


Çerkin Ismaili u lind në vitin 1948 në fshatin Banjskë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e mbaroi në Smrekonicë, një fshat afër fshatit të tij të lindjes. Gjimnazin klasik e mbaroi në Vushtrri, kur edhe filloi të botojë në shtypin letrar të kohës krijimet e para letrare. Studimet në degën e albanologjisë i  mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Akoma si student filloi të punojë në gjimnazin e Vushtrrisë si profesor i  gjuhës e letërsisë  shqipe dhe gjuhës latine. Pas mbarimit të studimeve, një kohë, redaktoi gazetën “Trepça” në Mitrovicë, ndërsa pranvera e vitit 1981 e gjeti duke punuar në Shkollën e Mesme Ekonomike në Mitrovicë, kur për shkak të qëndrimit që e konsideron parimor, organizimit dhe pjesëarrjes në demostratat e 3 prillit, u diferencua politikisht, u largua nga puna , u dënua dhe u burgos.
Për shkak të aktivitetit të mëtejmë ilegal dhe  politik, ndonëse në vëzhgim të përhershëm, pas shpërndarjes së trakteve politike në Mitrovicë dhe në minierën “Trepça” në vitin 1986 , u detyrua  që dy vjet të qëndrojë larg syve të pushtetit të kohës, në  Dalmaci, ku punoi si punëtor krahu. Përndjekjet, arrestimet e shantazhet politike ndaj tij kurrë nuk kanë pushuar. U burgos përsëri në vitin 1992.Shërbimi sekret jugosllav në vitin 1999 e kishte klasifikuar  në listën e intelektualëve të Mitrovicës, që i  kishte paraparë t’i likuidonte. 
Me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh si gjimnazist, kur edhe ka filluar t’i botojë shkrimet e para.

Deri tash ka botuar:
“Lindjet e shpërndara”, poezi,Prishtinë, 1993,
“Tela të këputur,” poezi, Mitrovicë,1997,
“Drama e qëndresës së Vocëve të Shalës së Bajgorës”,monografi, Prishtinë,1998,
“Shtrëngata”, roman,Prishtinë, 2006
“Ethe të trishta’, roman, Prishtinë, 2009.

Përveç këtyre  veprave , autori ka botuar edhe një mori recensionesh, vëzhgimesh letrare dhe esesh.Gjithashtu, për veprimtarinë e tij letrare janë shkruar një mor kritikash dhe  studimesh letrare. 

Në dorëshkrim ka disa vepra letrar akoma  të pabotuara.

Disa here ka marrë çmime letrare për poezi

Ishte bashkëthemelues dhe kryetar i parë i  Klubit Letrar “Lumi i bardhë”në Mitrovicë dhe anëtar i  redaksisë së revistës letrare  “Fjalë e valë” që botohet në Mitrovicë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë dhe kryesisht merret me krijimtari letrare.

Titulli:Gjirmë shpirti 
Autori: Çerkin Ismaili                             
Redaktor: Adem Zejnullahu
Recensues: Sabit Idrizi
Redaktimi gjuhësor: Autori
Ballina dhe përkujdesja kompjuterike: Shkumbin Ismaili
Shtypi: Shtypshkronja 

PRELUD

Autobiografia ime e pashkruar
Dashuri  e pa  rrëfyer-
Me eshtra të bluar e zemër të thyer.

Edhe po ta dija si do vdisja
Dhe kur do vdisja -      
Jetën nuk do ta jetoja ndryshe! 

E kam dashur vdekjen shqiponjë në fluturim
Jo si të qyqes-
Që qyqarisht shkon motet  
Prej varrit në varr me mallëngjim.

Për llafet bajate të gojëzive 
Tebdilëve fshehur nën pelerina- 
Si në përralla 
Me sy e veshë qiqëruar 
Nëpër bira të gardhit
Nuk më ka hëngër palla!
        

ABSURD

Me sy kah qielli
E me duar të ngrira kah hyu
Andej nga bie napalmi para vdekjes
Kuajt qorra-
Në kutinë e zezë hingëllijnë
Për dashurinë e pelave të ngordhura
Nëpër Kashtën e Kumtrit kërkojnë
Gjilpërën magnetike;
Tjetër kurgja s’kanë humbur
Përpos vetes që s’e gjejnë dot!

Zemrat prej guri u kanë përpirë hijenat
Pllumbi i Jemenit e korbi i Po-esë
Trurin pikë për pikë u kanë pi;
Në kremten e madhe-
 Të vdekjes së idhujve në Babiloni!

Janë lindur fëmijë sakat
Në shpirt gungaç-
Me samar breshke në shpinë
Bijë mëkatarë të Evës e Adamit
Plakur galuc gjunjtë  i brejnë
Në Kopështin e Goliatit
A janë a s’janë ata që janë
Kaini e Abeli
Në këtë llakërdi
 Kush s’e di!


PRAPË NGA E PARA 

Lakuriqët e natës e magjistarët e kërrusur
Me një sy në qiell e një sy në tokë-
Në dasmën e djajve ia behën tebdil
Diçka ishte ; 
Maskaradë apo lojë
Monstrumiadë
Larje hesapesh, zjarr, gjak e plojë!

Në gjuhën e mëkatit diç namatisën
Gurë e dru i dogji zjarri!

O Zot? 
Prapë duhet nisur nga e para ?!

Trandofileve në gota u morën erë
Dhe ikën-
Lulet u çuan në kryengritje-
Kopshtijet u zgjuan me aromë gjaku!

Kur i ngulën sytë 
Në gjinjtë e stisur të evgjitkave zeshkane 
U dehën në dasmën pagane -
Në bukuritë e mallkuara-
Vdiqën idhujt ,u dogjën  magjitë.


SHPINA IME E RRJEPUR 

Për skllavërinë e të gjallëve 
Nëntë dredhë-
Në shpinë m’i kanë nxjerrë!

Për mizoritë e të vdekurve 
Nëntëdhjetë e nëntë dredhë
I kam paguar me fajde!

Për të palindurit;
Lëkura e shpinës time 
Me gjak pagoi këstin e parë!

Në shpinë s’më ka mbetur 
Asnjë dredhë me vlerë
Për kokën time!
 
Në kohën e krizës globale
Kur nxirren e stërshiten
Dredhë shpine 
Moralistët e gjorë
Mëkat e quajnë fajdenë!

Vaj halli për shpinën time të rrjepur!


MBI RRASHTËN TIME

Midis kudhrës e çekanit
Në mengel
Nën qemerët e kështjellës
Vezullon rrashta ime 
Ëndërron dashurinë e humbur.

Skllavët pa fat në arenë me bisha 
Zgjyrin e shekujve me gjak e  lajnë 
Në lumenjtë e bebëzave të shituara  
E ngrohen me buzëqeshjet idhnake 
Të dashurisë fatale.

Mbi rrashtën time 
Orfeu vajton Euridikën,
Drenushat bëjnë vetëvrasje
E nimfat shtatngrira në ujëvarë
Flenë mbi vetull. 


KUR NDËRGJEGJJA GJUAN ME GURË

Për t’u ndier të lumtur
Kur ndërgjegja gjuan me gurë 
Çmendemi çmendurisht
E vërbohemi vërbërisht
Rrëmujën e terrin për t’i pa mirë!

Për t’u ndier të lumtur
Në shtretërit e faraonëve  
Këndshëm- 
Në piramidat e çmendisë 
Horizontalisht jemi shtrirë
Kur ndërgjegja gjuan me gurë!

Kur ndërgjegja gjuan me gurë
Rrapin e gërryen krimbi deri në çmendi
Në zemër i hapë zgur!

Për t’u ndier të lumtur
Jemi  çmendur-
E po vdesim si Hamleti!

Kur ndërgjetja gjuan me gurë
Për t’u ndier të lumtur
Në kalldrëmin e urrejtjes fatale
Symbyllur-
Idiotë të çmendur
Zhvatemi në labirinte urithi!

Kriza e ndërgjegjes shtrigë
Na ndjek prapa-
Mallkon- 
Gjuan me gurë  
Nga qielli në tokë
Se edhe  peshku
Ka nisur të krimbet në  kokë!


METAMORFOZË

Lëkura shkretirë e përcëlluar Sahare  
Lëvore qarri
Rrah i djegur mali
Koka mendje e të marrit
Pak idiotë-
Më shumë robotë!.

Hardhuca me dy këmbët
Verikalisht ka shkelë në hënë,
Kameleoni burrërisht
Me tigrin  ndërroi lëkurë,
Buburreci luan di pët t’u mburrë
Lepuri kryeneq, hero në gjumë,
Gjarpëri pa bisht,elefanti kërriq!

Pranvera dimër, dimri me vapë
Vjeshta me lule, vera me acar
Antartiku i shkrirë , Sahara e ngrirë!


KOHA ZEZONË

Në udhëkryq 
E kam harruar veten
Me hijen time 
Çakalli syçartur rrugën kur ma preu!

More, nuk jam fajtor
Që u linda në kohë pa kohë 
Heret apo vonë,
Errësirë ishte 
Nuk jam fajtor 
Që ishte koha zezonë.

Në rrashtën time hapa gropë
E në zverkun tim kanë hapur varrë
Ah, ç’mi ra kokës, koha zezonë
Koha marroçe, kurvë e përdalë.


GJIRMË  SHPIRTI 

Rrebeshi pas stuhisë 
Rrebeshëm ma  vrau ylberin
E mjegull  është në bebëza,  në horizont mjegull;
Maje bjeshkës diku flamuri udhën ka  humb
Shqiponjën e molisur tek e mbajnë në thumb.

Mbi vetull dridhet diell i zymtë
Në baladë cijatet  lirika  e valë;
Horizontet gri koten në gjumin pa cak
Në Kepin e shpresës së vdekur vlon  farmak!

Orëligën e   përkundin të ligjët marrëzisht
Tek dredhë e dridhë globin në gisht!

Derisa  mjegulla mjegullon horizontet
Kushtrimi im shuhet, meteor në greminë
Namatisur hiri i përhitur përhitet-
Në ëndrrën e gjirmës dhe shpirtin n’ mallkim!


BLASFEMI  E TAKIMIT HIPOTETIK

 Eja kur të duash
Ironi e lodrës hyjnore 
Zgjuar të pres -
Deri në Ditën e Gjykimit
-Vërr- s’ më bën syri!

Në sernishten time të djegur
Merr hisen tënde 
Dhe shporru 
Me  zhurmën e fantazmave 
E të lehurat e çakajve
Tek zhgrryejnë- 
Ngjyrat e ylberit të  dremitur!

Zgjuar të pres 
Zgjuar-
Mister i llahtarshëm
Ndërsa  nga vetja ik -
Dhe  vetja tinëz ikën nga unë 
Blasfemi  e takimit  në askund!

Ç’ rëndësi ka në hirësinë e mekur
Një gjeth i verdhë vjeshte 
Që erërat e humbin  në kozmos
Me ëndrrën e blertë në udhën e harrimit!

Në rrëmujë qivuret me eshtra të thyer
Kërkëllojnë nëpër varre ,
Përplasen në shtatë palë qiej
Varrosen nën nëntë palë tokë;
Dridhen  me vajin e kthimit- kërthi
Ndërsa mbi flatra të Feniksit
Dashuria prej hiri kridhet në blasfemi!


ME ËNDRRA TË GURTA

Grigjën e ëndrrave të blerta 
Mbrëmë-
Në logun e dhembjeve 
Zanat ma kanë shituar 
E dashuritë  m’i kanë gurëzuar!

Ajme,
Tufën e kujtimeve 
Tymmjegulla e shekullit
Ma ka vërbuar!

Sa keq qenka të flesh 
Me ëndrra të gurta 
E zhgjëndërr të dergjesh pa dashuri
Dhe të zgjohesh me dhembjet akull 
Ndërsa kujtimet në betejë
Si meteorët-
Vdesin   një nga një!


GROPË NË TRU

Diku thellë nga  horiozontet e  zemrës
Vrushkuj zjarri shpërthejnë;
Krateri vjell, lava  gjithçka vjel...

Of, medet
Sa gropë të thellë
Më paskan  gërryer në tru
E zverkun  ma shpojnë me turjelë!?

Nuk ia kisha njohur të gjitha dashuritë
As  të gjitha ëndrrat e Tokës time
Në hile e mëkate të kësaj  bote
Nuk kisha marrë erë-
Me ëndrrat e zbërdhylta të pagjumësisë fatale
Lodra  të brishta  idhujsh përpëlitemi  në skëterrë!

Trumcakut nuk i duhet shumë për jetë
Pak strehë nën çati –
E pak gjumë në sy;
Ose një qoshe e errët
Ku merimanga thurë rrjetë...


DHEMBJE E GRUAS SË PËRDALË
          
Shitem në ankand  si plaçkë e vjetër
Herë mirë e herë lirë-
Varësisht nga klientët mbretër.

Pse , more rrejnë 
Kohë e skllavërisë  ka mbaruar?

Të frikësuar si lepujt  trokasin pizevengët
Në portën time- 
Veshur si për gjerdek
Pas djersës së molepsur;
Medet, si po cenohet  nderi qytetar!?

Hipur mbi kërthizën time 
Si në samar pele- 
Zar linçimi hedhin në bixhoz 
E tallen pijanecët-
Kur më thërrasin nur ezmere 
Tallen klounët,
Bijt e epruvetave moderne 
Kur të papjekur më hanë në bordele !?

Vinë pizevengët 
Vinë me zemër të mërdhirë
Me kurmin e kurvës hijerëndë
Me naze u ngroh shtratin;
Kanë fytyra të pista, ndërgjegjen  rrëshirë,
Trupin im mumje kur ma ngrijnë shtatin!

Në gjinj  përditë më  godasin furtunat,
Zjarri i skëterrës i djeg sytë e mi-
Gjeni i trishtë kur lodron në damarë
Ndërsa lind kopilë të dashurive të mallkuara 
Jam dhembje e mallkuar e gruas së përdalë...!


KREJT  MBRAPSHT

Akrepat e orës po më sillen mbrapa
E sytë s’ma shohin shtegun përpara,
O dreç, n’agim më shfaqet nata,
Çdo e ligë m’ka nisë nga e marta! 

Në muzg më lind dielli
E  hëna në mëngjes;
Përditë më godet në kokë
E premtja e zezë!

E , mbrapsht më sillet rrota e vjetër-
Mbrapsht kthehet lumi në burim,
A është kështu e mbrapshtë ajo bota tjetër
Pa ledhatime e me ndëshkim?!


EC E NJIHE VETEN

Loti e ka humbur moti 
Udhën  në shtresat e kujtimit
Zezonë-
Tashmë nuk njohim trajtën tonë!

Gurët e mallkimit me imazh morti
Në valët e lumit shkreptijnë
Nëpër udhët pa shteg e shtigjet pa udhë
Ndërsa tehu i thikës antike 
Lëpihet në  lëkurë
E ngulet në zgavrën e ashtit njomak
Ku këlthitin e vdesin dashuritë
E dhembjet dhembshurisht
Kremtojnë dhembjet e trazuara...!

Tash, ec e njihe veten 
Në këtë kaos
E mati pulsin zemrës pa zemër,
E mati largësitë udhës pa udhë,
E gërryeja mykun kohës pa kohë,
E të pabesit mbaja besën, 
E ndizja yjet natës pa hënë...!

Ec e njihe veten 
Në akuariumin e ngrirë
Kur po shkrihet Antartiku
Kur besa thyhet si buka -
Në ndërgjegjen e molisur të mikut!

Ec e njihe veten 
Hamlet në dilemën moderne 
Në lojërat pa krye  të lakuriqëve të stisur!?


SHPËRLARJE TRURI

Më në fund e mundën të gjorin guri
E mbështetën në muranë;
Me gjilpërë ia shpojnë sytë, 
Me gozhda ia mbyllin gojën,
Me helm ia pshurrin shpirtin
Me flakë ia lajnë e shpërlajnë trurin.

Në vend të bukës
Rrena i servirin për drekë,
Gumzhimën e marrëzive në darkë
Imët ia bluan koka,
Kur ecën esëll, gjumi e zë
Morri  e sëmbon në rrashtë-
Me prirjen fatale të mendojë asgjë!                          

Guri trushpërlarë-
Ëndërron  në gjumin pafund:
-Flij i gjorë! Flij! Për ty mendoj unë!-


VJEN PROMETHEU

Në këtë natë acari, sonte kur mërdhij
Përpëlitem me  klithmat që dalin prej dheu
A shuhet  zjarri me zjarr, hej
E di vetëm Prometheu...

A vritet heshtja me heshtje,
Dallga dallgën pse e përplasë në kep
Në luftë stërkalash, i shurdhër je, o det
Si nuk ndjen dhembje , kur rrufeja  vret?

Në këtë natë acari, vjen Prometheu
Me shkëmbin  e përflakur mbërthyer në shpinë 
Me gaca të ndezura ngroh Atdheun-
Dhe ashklën e zemrës që shkabat i grijnë!

Sonte vjen Prometheu, vjen Prometheu
Sonte do ngrohemi e do ndezim zjarre;
Cep më cep sonte  do sodis Atdheun-
Dhe do t’i ngushëlloj sonte eshtrat në varre...!


KRYQËZIM I DHEMBJEVE ME MOTET

Tashmë motet u dogjën në mua
Stinët  m’i  ka përhitur hiri
E fundit shpresa  dha shpirt
E s’rilindet më kurrë-
Fjala e fundit më ngriu në grykë.

Ani, s’ka gjë të keqe 
Të gjitha fjalët kush s’i ka thënë
As të gjitha fijet e jetës kush s’i ka zënë
Përderisa stinët e vitet –
Me hapat e vet ngatërrohen  në lak
Vdekja tinzake vjen e  merr hak...

Hija ime këndej e andej përjetësisë
Në lapidar matet me emrin tim 
Në mote flakësh, me syrin  e largësisë 
Se kryqëzohen dhembjet me  motet
Medet, si s’e paskam ditë...


HESHTAKU

Para  vdekjes së  shkëmbit
Gurit kam  për t’ia nxjerrë zërin,
E pas djegies së bjeshkës,
Lisit  kam  për t’ia nxjerrë kushtrimin
Heshtakun do ta ndrydh e shtrydh
Si ullirin-
Derisa t’ia nxjerr fjalën...

Para vdekjes le të kalërojë heshtjen 
Në krahë mize, heshtaku harbut;
Le të kënaqet me lartësinë e heshtjes
Dhe nektarin e heshtjes të quajtur mut...!


KLOUNI

Gjumi dinak më nuk më mashtron 
Tebdil surratin ta pashë,
Dhe trupin zvarranik 
Krejt lakuriq!

Pështyje surratin tënd qelbanik
Klouni-
Mos u dro
S’e lajnë detërat, liqenet
S’e lan lumi...

S’më rren më, dot
Huqet e veset t’i njoh
Kupto-
Tashmë me gishtrinj-
Klouni,
Sytë i ka hapur majmuni!


BUZËQESHJE IRONIKE

I kam pasur vitet veç me dy stinë
Pranverë e verë
S’ka pritur ashti im!


Pranverat i kam pasur dimër
E verën vjeshtë
Lulet e vyshkura 
Ironikisht m’kanë buzëqeshë!


MISTERIOZE 

Çuditërisht për çdo ditë
Nëpër çudira  rrëshqasim
Me turinj të thyer...

Sa më shumë që duhemi 
Gërrithemi më shumë... 

Sa më larg që jemi
Më shumë mallëngjehemi.

Kur jemi  afër 
Largohemi më shumë.

Sa më shumë njihemi
Më shumë injorohemi.

Kur flemë themi jemi zgjuar!

A e kemi surratin tonë
Ore,hej
Apo e kemi ndërruar?!

Nuk shihemi n’pasqyrë
Me sytë lëbyrë!


ANKRONIKE

Akoma kush s’u kthye nga parajsa, 
As ferrin kush se ka pa-
Logjikë e absurdit pa trajta 
E mëkatit të pistë që kurrë s’u la .

Krishtin e mbërthyer në qiell e përplasën,
Profetët në beteja mbetën të ngrirë,
Evën e Adamin kush e di ku i tretën, 
Në Shkretirën e Adenit  kërkojnë mëshirë...!


ZGJËNDRRA U BËFTË  ËNDËRR

Kështu si po ecim
Tre hapa prapa e një para 
Në këtë shekull nuk do ngecim!

Në strofullën e majmunit krenarë
Gomarë me samarë
Që s’ngopen dot bar
Apo krishtër të djersitur
Që gjykohen në Kalvar.

Zhgjëndrra u bëftë ëndërr
E deti  u bëftë kos-
Sa rënd shkelim baltën 
Kur tjerët shkojnë në kosmos...


PAFATËSI

Dhëmbin ia kam ngulur lisit
Prej marazit ka plasë guri
Dhe e kam  kthjellë syrin
Nëpër  re e kam shkrepur motin
Zemrës i kam  hapur dryrin.

Ia kam vënë syrin vashës
Të kurthuar diku në zemër,
Ia kam ngulë heshtën të gjorës
Si Akilit në thembër.

Me mehlem varrët ia kam lyer plisit
E ijet e thyera ia kam lidh në lak;
Me kurorën e përgjakur në krye të fisit
Sa keq qenka të jesh mbret i pa fat!


(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora