E enjte, 25.04.2024, 06:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Lirikë e shqetësimit dhe dhembjes

E diele, 21.02.2010, 09:16 PM


LIRIKË E SHQETËSIMIT DHE DHEMBJES

 

Çerkin Ismaili, Tela të këputur, poezi, Mitrovicë,1997, fq. 82

 

Nga Ejup Ceraja

 

Hyrje

 

Është bërë shprehi të thuhet e të shkruhet për akëcilin autor se me krijimtari letrare filloi të merret që nga mosha e hershme rinore ose, më shpesh, që nga bankat shkollore. Kësaj maksime i takon edhe poeti Çerkin Ismaili, i cili qysh herët, në moshën rinore, i publikoi vjershat e para në shtypin e atëhershëm qoftë ditor, qoftë periodik. Po, të themi kushtimisht, guximin intelektual për të dalë përpara publikut artdashës e mori tek në vitin 1993, kur e botoi përmbledhjen e parë poetike “Lindjet e shpërndara”. Nga botimi i kësaj përmbledhjeje e deri në botimin e përmbledhjes së dytë “Tela të këputur” (1997), poeti Çerkin Ismaili shkon duke e përsosur artin e bukur  të poezisë me shprehje e figura artistike, ku spikatë metafora. Ndërkohe Çerkini botoi edhe romanin “Shtrëngata” (2006), që do të thotë se Çerkini përpos që është një poet cilësor, është edhe një prozator i vyer...

 

Metafora në shërbim të rrëfimit artistik

 

Përmes imagjinatës krijuese të mbështjellë me velin e rrëfimit metaforik, Çerkini i bie kryq e tërthor si shtrirjes kohore, ashtu edhe morfologjisë së gjeografisë së trojeve etnike shqiptare, duke shkruar për të gjitha ecejaket që na përcollën nëpër kohë njerkë deri në fund të shekullit të njëzet, që sapo e lamë pas. Çerkini poet i pjekur dhe mjeshtër i fjalës së bukur poetike nuk çirret e nuk këlthet, po këndon me lyrën e Orfeut herë me ngashërim, e herën tjetër me dhembje, ashtu si ia kërkon zemra në momente të caktuara. Pra, këndon me zë tenori për të gjitha ato që na ranë hise si popull e si komb nëpër historinë tonë me kukëza, duke na i vënë edhe ndërskamca e pengesa skutë më skutë e qosh me qosh. Kështu, Çerkini poet përmes poezive të kësaj përmbledhjeje shpreh shqetësimet e veta shpirtërore ndaj pozitës shoqërore qoftë kolektive, qoftë individuale të etnitetit që i takon. “...duke mos qëndruar indiferent ndaj tragjedisë historike, që ka sjellë jeta në këto troje”.1) Sepse: “Te ky poet nuk ka pozim as fluturim teksti, veç rrëfimi del si një rrjedh e natyrshme, si një këngë së cilës sikur vetëm i komponohet melodia”.2)

Përmbledhjen poetike “Tela të këputur” Çerkin Ismaili e ka ndarë në tri cikle: Kosovë bukë e pjekur, Urna e fatit tim dhe Spartakiadë, që kanë një lidhshmëri tematike-motivuese. Të tre ciklet e kësaj përmbledhjeje korrespondojnë midis veti sipas një shkalle ngritjeje, e cila në ciklin e tretë kurorëzohet me poezi meditative të ndjenjave më sublime. (Jakup Ceraja)

Cikli i parë Kosovë bukë e pjekur ngërthen në vete poezi me tematikë të larmishme, që shprehin anët motivuese të poetit. Fillon me poezinë Prolog, ku spikatë përbuzja, që bëhej përballë nesh kur të huajt (vrasësit – siç shprehet poeti) na e shkruanin historinë, kur na konsideronin “kopil pa plëng” në Ballkanin Plak, kur

                                  Arixhinjtë e Karpateve

                                 Zgërdhiheshinm me bishtin tim

                                Që zgjatej  deri në Berlin”. – thotë poeti, për të përfunduar se kur të huajt na e shkruanin historinë, atdheu tkurrej e humbte në hartën e Evropës...

Evropa, duke filluar nga Kongresi i Berlinit (1878) e ndoshta edhe më herët, po veçan gjatë shekullit të njëzet na shikonte me një sy përbuzës e nënçmues. Sillej përballë nesh si njerka ndaj thjeshtërve te burri i dytë. Na konsideronte si “mish i egër” në trupin e vet... Këtë përbuzje skajshmërisht të padrejtë poeti Çerkin Ismaili me forcën e një shprehje metaforike te poezia Evropa, e thekson që në dy rreshtat e parë: “Ma ke prerë zemrën/ Në pesë copa/ Me thikën e mashtrimit...” Kjo “prerje e zemrës” në pesë copa simbolizon fuqishëm copëtimin e trojeve tona etnike në pesë shtete ballkanase, për t’i kënaqur orekset e fqinjëve tanë, të cilët u sollën, e ca fatkeqësisht po sillen edhe sot me hile përballë nesh. Për të gjitha këto poeti përfundon: “Nuk të vjen keq/ Nga gjaku im/ Që derdha/ Për tokën time...”

Kur Çerkini trajton tema historike nga kënde e aspekte të ndryshme, vargun poetik sikur e zhvesh pak nga petku metaforik, duke dalë më drejtpërdrejt. Këtë poeti e bën për hir të mesazhit poetik që atë ta bëjë sa më të kapshëm dhe sa më të afërt për një masë më të gjerë lexuesish. Të tilla janë vjershat: “Kulla e Adem Vocës”, “Portret për Isa Boletinin”, “Gërshetat e shprishur” dhe “Balada dardane”. Përmes të parës jepet qëndresa heroike e kullës së Adem Vocës (kupto e vetë Ademit) si rezistim heroik gjatë Luftës së Dytë Botërore... Përmes së dytës jepet portreti i Isës në Stamboll, Londër e Paris me kobure në brez... Përmes të tretës jepet figura madhore e luaneshës Ylfete Humolli, që u bë krushke e parë në flijimin madhor në altarin e lirisë, për t’u thadruar në kujtesën kolektive të popullit... Ndërsa përmes së katërtës, edhe pse poezia prek në mitologji, është  më e mbrujtur, me një gjuhë më të mprehtë poetike, ku poeti përmes një rrëfimi në formën e një balade mitologjike e jep të kaluarën dardane, që identifikohet me Kosovën e sotme, se: “M’i kanë shkelur lulëkuqet/ Në rrafshin e Kosovës”. – thotë poeti ndër të tjera...

Vetë titulli i ciklit Urna e fatit tim ka një simbolikë paksa të veçantë. Duke pasur parasysh peripecitë që i ka përjetuar poeti nga 1981-ta e këndej, fati i tij ishte një urnë në rrjedhën e përditshmërisë, që e përcillte poetin hap pas hapi. “Me urnën e fatit tim – thotë poeti - / Bukë gatuan/ Për kremtet satanike”, ai qëndroi “nuk vdiq”, se: “Nga zgavra e ashtit plak/ Buloi lulebora”. Poeti Çerkin Ismaili gjen e tubon forcë për ta tejkaluar e për ta përballuar dhembjen qoftë kolektive, qoftë individuale. Sepse aty ku zë fill dhimbja është “Rektima e trimit/ (është) Zëri i kushtrimit”.

Ndërsa te cikli i fundit Spartakiadë spikatë maksima “Ma kalove/ Ta kalova” te vjersha Epilogu, që është një epilog imagjinar i poetit, që zhvillohet përmes vetës së parë dhe të dytë, e cila ka për temë epërsinë reciproke të  njërit ndaj tjetrit, se: “Guri i rëndë/ Rri pezull/ Mbi kokën tënde/ Timen moti e ka thyer”. Por boshtin kryesor, në këtë cikël, sipas meje, e mban strofa e fundit e vjershës Mizantropi, se: “Foshnja lidhur në djep/ U plak pa emër/ Kurrë pa e dëgjuar/ Formulën e pagëzimit”. Simbolika këtu fshihet në nëntekst. Sa e sa breza e kanë kaluar jetën si lidhur në lulak, të themi kushtimisht, pa pasur mundësi as ta shprehin identitetin e vet përmes emrave vetjak, pa pasur mundësi ta shijojnë atë që është gjëja më e shenjtë, më e shtrenjtë dhe më e ligjshme për të gjithë popujt e të gjitha racave dhe ngjyrave – Lirinë.

 

Përfundim

 

Ka çka të thuhet e të shkruhet edhe më për këtë përmbledhje të bukur me poezi lirike. Se poezia lirike është një “deti i pafund”, ku sa herë t’i kthehesh gjen diçka, madje edhe të rëndësishme, që radarit të syrit i ka shpëtuar herën e parë pa u hetuar. E për pasojë edhe kamerës së trurit pa e incizuar. Në këtë recension kam synuar t’i shprehu ato gjëra, që për momentin m’u dukën më interesant sa për ta ngacmuar kërshërinë e lexuesve të pasionuar pas poezisë...

________________

1) Nga recensioni i Din Mehmetit në ballinën e fundit të librit.

2) Nga recensioni i Jakup Cerajës në ballinën e fundit të librit.

         



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora