E premte, 19.04.2024, 06:27 PM (GMT+1)

Kulturë

But Jaku: Observime biblike të një ligjërimi poetik

E shtune, 20.02.2010, 10:45 PM


OBSERVIME BIBLIKE TË NJË LIGJËRIMI POETIK

 

Çerkin Ismaili, “Gjirmë shpirti “, poezi, Shtëpia Botuese ”URA”, Prishtinë, 2010, fq. 104.

 

Nga Mr. But Jaku

 

Libri me poezi “Gjirmë shpirti” i autorit Çerkin Ismaili u vjen  lexuesve pas botimit të dy romaneve nga po ky autor, në kohën kur mendonim se ky autor përfundimisht kishte hequr dorë nga poezia .Në të kundërtën, ky libër me poezi dëshmon se poezia , kjo mbretëreshë e të bukurës artistike, është zhanri letrar që pëfundimisht e ka përvetësuar poetin Çerkin Ismaili. 

Ngjashëm me romanin “Ethe të trishta”, edhe në librin poetik “Gjirmë shpirti”, autori mëton  të zbërthejë formulën filozofike mbi tragjikën e njeriut në relacionet e refleksionit poetik shkak- pasojë. Pasojat e traumës së lëngatës fizike,e sakrificës, e molepsjes shpirtërore, e degjenerimit etik , e metamorfozës së tjetërsimit mendor e tj. në  këtë përmbledhje poetike  janë strukturuar poetikisht si fragmente të tragjikës individuale dhe kolektive të njeriut në rrethana të ndryshme socio-historike. Përsiatjet filozofike për mëkatin  dhe fatin janë bërthama  e strukturimit letrar që përshkojnë të katër ciklet  e kësaj përmbledhje poetike. Observimet biblike të ligjërimit poetik në ciklin e parë dhe të tretë, drejtëprdrejt apo tërthorazi, ndërlidhen me tragjikën e  qenies njerëzore dhe prirjet e tij  fataliste të homo sapiens-it, për krim mbi njeriun, të cilat në poezinë e Ismailit shëmtojnë portretin fizik, moral dhe mendor të qenies më të përsosur që ka krijuar nëna natyrë.  Këto observime  poetike, poeti i ka strukturuar të skematizuara  në ralacionin mëkati- krimi- fati.  Sikurse shumë poetë e filozofë , që nga antika e deri sot, që janë preokupuar me zanafillën e të keqes, dhunës e hipokrizisë, edhe poeti Çerkin Ismaili,  gjurmët  e  krimit dhe tragjikës së njeriut i gjen që në nismën e jetës së njeriut, që kur ka nisur të ngjizet fara njerëzore në mitrën e nënë Evës, si rezultat, siç thotë poeti, i asaj “dashurisë mëkatare”që ka lindur Kainin vrasës dhe Abelin  viktimë. Vështruar nga ky kënd  i qasjes biblike mbi vjetërsinë e të keqes observimet filozofike të Ismailit rezultojnë se e keqja e identifikuar me mëkatin dhe mëkati me krimin janë të vjetra sa vetë njeriu. Si e tillë e keqja ironizohet  e stigmatizohet si  mëkat i devalvuar në krim i ngatërruar herë  me virtytin e trimërisë,herë si ves ogurzi i himnizuar si mit biblik, pavetëdijshëm ,nga  subkoshienca fataliste e dalur nga errësira e supersticioneve, e luftës për idhullin apo unin e njeriut të parë si idhull. Sidoqoftë, në observimet poetiko- meditative në këtë përmbledhje poetike të Ismailit, mëkati identifikohet si krim, si e keqe universale që godet njeriun  pa  mëshirë, në të gjitha epokat njerëzore.

Po nga ky këndvështrim , poeti e kundron  dhe trajton tragjikën kolektive në konteste historike, gjithnjë të nyjëtuar me tragjikën individuale duke gjurmuar mëkatin si fat apo fatkeqësi që deshi apo nuk deshi e përcjell njeriun.Në  përsiatjet poetike  të Ismailit karshi mëkatit të vijëzuar si faj individual apo kolektiv është paraqitur tragjizmi i  pafajësisë së njeriut që mëton të jetë i denjë moralisht dhe fizikikisht, por megjithatë:

                                               Lëngata pas lëngatash

                                               Dy mijë vjet bëjnë kërdi

                                               Edhe pse nuk kafshuan Mollën e Nemun

                                               Të kërrusurit gjyshërit e mi!...

 

 

Me mëkatin e  vijëzuar si krim dhe fatin si fatalizëm mbase i stisur  me ndjenjën e pafajsisë nga kujtesa historike, njeriu i realitetit tonë e  vuan me  lëkurë dhe shpirt totalitetin e traumës shpirtërore dhe fizike,i cili në poezinë e Ismailit paraqitet si një lloj absurdi i vuajtjes nga mëkati i pa bërë:                                      

                                                   Mollën e ngrirë të Adamit

                                                   Guri në fyt-

                                                   Dhe mëkatin e Kainit

                                                   Heshtë në zemër!.

 

Njeriu i pëditshmërisë sonë në poezinë e Çerkin Ismailit shfaqet i thyer, i mundur, i namun,skajshmërisht i anatemuar dhe, së fundit, i dënuar të gjallojë si një lloj absurdi, si një lloj klouni , si  fëmijë i epruvetës moderne ”  i metamorfizuar në qenie hibride dhe i gjendur në labirintet e mizantropisë moderne  me ”gijotinën e përgjakur jastëk ”duke ëndërruar shpëtimtarin. Në poezinë”Vjen Prometheu” shfaqet  figura tragjike e Prometheut  të personifikuar në shpëtimtar që vjen : ” Me gaca të ndezura ta ngrohë Atdheun”.Njeriu i përditshmërisë sonë”Me eshtra të bluar e zemër të thyer”, në poezinë ” Absurd” i portretizuar si fëmijë i sakatosur fizikisht dhe shpirtërisht që ”...jetën zezon” e plaket në ”këtë llakërdi” me  shpresa të thyera e ëndrra të zbërdhylta:

                                                       Me sy kah qielli

                                                       E me duar të ngrira kah hyu...

 

skajshmërisht i dëshpruar kur”...veten se gjen dot!” i ndodhur para dilemës hamletiane  këlthit:”Ec e njihe veten!”, gjithnjë i pazoti të ndërrojë diç nga kjo katrahurë e molepsjes sociale, fizike dhe etike ku është katandisur. Ky surrogat njeriu ”Me zemër prej guri” të cilit / Pllumbi i Jemenit e korbi i Po-esë/

Trurin pikë për pikë i kanë pi!/ nuk është në gjendje as ta kuptojë e as ta ndërrojë realitetin që gradualisht ” i shpërlan trurin”,” Në kohën zezonë/të  krizës globale”,i zhveshur nga çdo sens etik i qenies prej njeriu. Këtë njeri, skllav dhe peng i të vdekurve,i të gjallëve dhe i të palindurve , absurdi  jetësor e ka  dënuar të paguajë me lëkurën e shpinës  për mizoritë e të gjitha kohërave:

 

                                                  Në kohën e krizës globale

                                                  Kur nxirren e stërshiten

                                                  Dredhë shpine

                                                  Moralistët e gjorë

                                                  Mëkat e quajnë fajdenë!

                          

 

 

                           Katarza si shpëtim nga vicioziteti i vuajtjeve

 

Daljen e njeriut  nga ky rrethak vicioz Çerkin Ismaili e koncepton , konstrukton  dhe strukturon artistikisht si një lloj spastrimi shpirtëror, si një lloj katarsisi të çlirimit sensual dhe social edhe pse   hija e mortit akoma i çukat rrashtën. duke i krratë kobin historik. I vuajtur, i lodhur nga katrahura e luftës, viktimë fizike e së cilës është ky njeri, në vështrimin e parë duket sikur ka humbur çdo gjë, por një ndjenjë delikate e optimizmit shkrptinë, kur ky njeri,ndonëse i mundur, kthehet në atdhe  me krenarinë e ngadhnjimtarit. Po ky njeri i lektisjes ndaj atdheut që mban gur në zemër eshtrahumburit e luftës në epikolirikën ”Balada e zhvarrimit”,/ ”...kthehet i kërrusur /Me flamur të leckosur”/ Në oazën e djegur!/”, i lidhur ngusht me trollin atnor,pas golgotës kosovare ,përçudshëm  kthehet në atdhe duke kënduar:

                                                     

                                                      Syri  i keq mos e paftë!

                                                      Nëpër mina hedh valle

                                                      Dafina mbëlton në prush

                                                      Me lakun-

                                                      Shlirshëm në gushë...

 

I ekzaltuar kur sheh se ”Po ikin barbarët,” optimist, krenar dhe i gatshëm për sakrificë individuale dhe kolektive për Atdheun dhe Lirinë duke jetuar i druajtur se mos prapë:

                             

                                                      Hijena  mpreh dhëmbët e vjetër

                                                      Ta kafshojë në këtë dimër

                                                      Edhe një copë 

                                                      Atdheu të ngrirë...

 

Kjo drojë shfaqet si një lloj shqetësimi poetik, vjen si sekëlldisje e trazuar poetike gjithnjë duke marrë përmasa të revoltës brendapërbrenda egos si rebelim letrar me sensin dhe instiktin e zgjuar për  hakmarrje:

                                   

                                                     

                                                      Pushkë Hasimje

                                                     Po s’u bëra/

                                                     Motra t’u bëftë gur...!

    

 Poeti e ndien veten të tradhëtuar, të injoruar,të shantazhuar, të lodhur  duke  jetuar,  edhe pas sakrificës së tij sublime,në kushte e rrethana të një lirie të brisht,i kërcënuar nga dilema: ” Ngordhi apo nuk ngordhi/Kali i Drurit në Trojë?”,apriori  poetit i vjen një pyetje sugjestive kur  i sheh të parealizuara aspiratat e tij të mbujtura me sensin e sakrificës, Përsëri i shfaqet një ndjenjë dëshprimi, një thyerje emocionale kur sheh se ndërgjegjja e vonuar e Evropës:              

                                                   

                                                    Orëligën e përkund

                                                    Tek dredh e dridh globin në gisht!

 

Përpos trajtimit të temave, ideve, mendimeve e motiveve të nduarduarta të pleksura dhe të strukturuara me  delikatesë prej mjeshtri të vargut modern, duke përdorur laryshi llojesh të  vargjeve , strofave e rimave si mjete të formës së jashtme, poeti e ka begatuar  këtë vëllim poetik edhe me një prozodi të stërholluar, duke përdorur shpesh metaforën, krahasimin, epitetin , simbolin e tj.në funksion të nëntekstit letrar, gjithnjë duke u kujdesur që me  semantikën  e gjuhës poetike ta stërhollojë mprehtësinë stilistike të mendimit letrar.Vargu kryesisht i lirë, përsëritjet epike, aliteracionet e shpeshta , ritmi, rima e brendashme, fuqia e ekspozicionit të shrehjes lakonike, kursimi i fjalëve e tj. janë elemente artistike  që e shquajnë modernitetin e poezisë së Çerkin Ismailit. 



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora