E merkure, 24.04.2024, 12:29 PM (GMT+1)

Editorial

Idriz Zeqiraj: Kur mungon institucioni i përgjegjësisë

E shtune, 20.02.2010, 10:57 PM


KUR MUNGON INSTITUCIONI I PERGJEGJESISE

Shkruan:  IDRIZ  ZEQIRAJ

Pa institucionin e përgjegjësisë edhe një familje nuk mund të qendrojë në këmbë. Ajo do të ecën çaluar dhe një ditë do të përtokët.

     Pa institucionin e përgjegjësisë një ushtri do të degëzohej e copëzohej, deri në anarshi, duke anashkaluar misionin për çka është krijuar dhe duke u kthyer në bashibukizëm dhe në krime, meqë disponon edhe armët, ashtu siç ndodhi me disa reparte, gjatë luftës në Kosovë.

     Pa institucionin e pëgjegjësisë, një qeveri, në vend të punës do të merej me llafe e premtime boshe; varfërinë do ta lansonte si begati; pasigurinë e anarshinë si rregullë e demokraci; dështimet si suksese; humbjen si fitore, - njësoj si Millosheviçi, i cili, ikjen me bisht ndër shalë, para apashëve të NATO-s, e quajti fitore! Për një qeveri si kjo e jona, aktualisht, vlerësimin më të saktë, deri me tani, e ka bërë ish-zëvendësministri Naser Osmani, në replikën jo aq fisnike, të bërë me ministrin Fatmir Limaj, në njërën nga seancat e Parlamentit të Kosovës.

     Emërimi i disa nënkryetarëve, brenda kryesive qendrore të partive tona, na kujton zgjedhjene disa sekretarëve në Byrotë Politike të ish-vendeve komuniste, që mundëson krijimin e rrethit vicioz - vendimmarrës, më sakt - intrigues, duke e anashkaluar tërësisht kryesinë. Në LDK-së ky rreth u ngushtua edhe mëtej, duke injoruar deri në mosthirrje të ndonjërit syrësh, as kur merrej ndonjë vendim, për arsyen e njohur se ata, duke qenë dikur bashk6punëtorë të suksesshëm të dr. Rugovës, tani i shihnin me dyshim veprimet destruktive dhe shkatërruese për LDK-së të këtij rrethi supërvicioz.

     Rrethi vicioz, pasi shkarkoi  e shkatërroi kuadrin e dëshmuar në bazë-komuna, si bastion avangardë të Partisë të Presidentit Rugova, në Kuvendin e VI-të, duke i lënë jashtë Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, emëroi ca të bindur e të përzgjedhur, të cilët, për bazën ishin gadi të dhunëshëm. Pikërisht këtu fillon degradimi partiak, i cili do të thellohej gjithnjë e më shumë, duke e gremisë LDK-në në opozitë, madje me hapat aktual breshkian, nuk jep shpresë për të arritur ndonjë cak, sepse mungon vullneti politik për një nismë të reformave njëmend avancuese e prosperuese të partisë.

     Edhe pas gjithë kësaj ploje partiake, askush nuk i thirr në përgjegjësi, askush nga kërdibërësit nuk pësoi asgjë! Përkundrazi, ata vazhdojnë të gëzojnë privilegjet e pushtetit mafioz, të sunduar fort nga komunistë - stalinistët e PDK-së; ata vazhdojnë të mashtrojnë anëtarësinë se LDK-ja ka ngritje në elektorat; se jemi në procesin e reformave të thella; se LDK-ja po përgatitet të marrë pushtetin; se pa LDK-në nuk ka demokraci; se koalicionin me komunistët e PDK-së na e kanë imponuar ndërkombëtarët; se jemi të zënë me konsolidimin e shtetit dhe broçkulla të tjera të kësaj kuzhine kundërmuese, duke rrënuar, me gjasë, pakthyeshëm, LDK-në, partinë dikur krenare të Presidentit Rugova.

     Asnjë analizë për humbjet seriale të LDK-së! Humbjet, tashmë, konsiderohen si normalitet dhe, rrjedhimisht, nuk ka nevojë as për ndonjë analizë të veçantë. Sepse mungon institucioni i përgjegjësisë, i cili, humbësve të parë në zgjedhje, nuk do t`ua mundësonte të ishin faktorë drejtuesë për zgjedhje të dyta. Kjo është praktikë e përbotëshme, për ta motivuar kuadrin partiak të punojë me mençuri e përkushtim, nëse pretendon për të mos qenë epizodik, kalimtar rasti në politikë.

     Llustrës prosperuese të LDK-së dhe të LDD-së, që i bënin klanët në rrethet vicioze të këtyre dy subjekteve të ndara fatalisht për të dyja palët, i janë kundërvënë zëra të herpashershëm. Reagimin e parë të hapur dhe bindshëm të argumentuar, e ka bërë Nëndega e LDK-së për Landin e Rheinland Pfalz-it, në Gjermani. Më shumë profesionalizëm, për shkaqet e ndarjes dhe rrjedhojat e kësaj ndarjeje, janë shprehur bashkëpunëtorët shumëvjeçarë të Presidentit Rugova, profesorët Zejnullah Rrahmani dhe Rexhep Gjergji, prej të cilëve anëtarësia, dikur numerike, e LDK-së, kanë pritur dhe presin më shumë se sa denoncimin dhe përcaktimin e "diagnozës". I drejtpërdrejt në kritika ka qenë edhe ish ministri Rexhep Osmani, por kandidimi për të parë të Prishtinës, nga një hiç partizë, aleate-tellall i të majtës ekstreme, siç është PDK-ja, zvetnoi reputacionin e tij.

     Rënia kokëthyerëse e të dyja subjekteve, LDK-së dhe LDD-së, paralelisht, këndelli mjaftueshëm edhe anëtarët e kryesisë qendrore të partive të cituara. Zonjusha dinjitoze, Melihate Tërmkolli dhe zoti Naser Rugova, jo vetëm janë kritikë për kryesitë dhe liderët e tyre partiak, të cilët po i mbajnë peng dhe u kanë zënë frymën partive të tyre, por japin edhe "reçetën" për të dalur nga ngerçi politik dhe për ta bashkuar, sërishmi, elektoratin masiv të Presidentit Rugova. Përndryshe, e majta komuniste, përfshi këtu edhe AAK-në, me slloganin mashtrues si të djathtë, janë në sulm frontal, si hiena, për të shkoqur viktima nga radhët e të djathtës, pra, LDK-ja dhe LDD-ja.

     Ofërta e vonuar, por ngushëlluese, "më mirë vonë se kurrë", e akademik Dacit, meriton vëmendjen adekuate. Edhepse akademiku ynë humbi shansin ideal, me kundërvënien megallomane, ndaj nismes të zotit Berim Ramosaj, për afrim të subjekteve të ndara, humbjet e radhës për të dyja palët, më në fund, e këndellën, e bindën, për një kthesë të domosdoshme.

     Çuditërisht, kjo ofërtë e sinqertë, që jep shpresë për rimëkëmbje, u lexua së prapëthi nga mjeranët narcizoidë të LDK-së. Ata kënaqen me ndoca deputetë, të ardhur gratis,, që, në fakt, nuk janë matës të suksesit elektoral të LDK-së, sepse pasqyrë reale janë zgjedhjet humbëse lokale të nëntorit. Dhe,me këtë ritëm, LDK-së nuk u mjaftojnë vitet, por as dekadat, për t`u bërë faktor prijës.

     "Dyertë e LDK-së janë të hapura për të gjithë", - një sllogan sa bajat, aq edhe i turpshëm, që ka rezultuar me thellimin e humbjes në vijimësi. Kësaj teneqeje të shpuar i bien tërpijanët e pushtetit, të cilët lëpijnë kockat që u ka hedhur e gjithëpushtetshmja PDK-ja, duke paralizuar tërësisht LDK-në. Nuk ka shumë lakmi për t`u futur në një shtëpi, të cilës i pikon çatia në vijimësi, duke rrezikuar shëmbjen e çdokohëshme. Një qasje kaq fodulle, ndaj një shansi premtues, për një zhbllokim dhe lëvizje para, lënë me kuptuar se krerët e LDK-së janë mëkatosur në atë masë, sa kanë humbur besimin tek kuadri dhe anëtarësia e gjërë, gjykimi i së cilës i tmerron.

     Klani vicioz, brenda kryesisë të LDK-së, është dashur të mësojë diçka nga dr. Berisha, se si veproi ai për rastin analog të ndarjes dhe të ribashkimit me Pollon. Pa zhurmë e potere u futën në koalicion parazgjedhor, koalicion ky që përgaditi bashkimin, shkrirjen, duke e bërë Pollon zëvendëskryeministër dhe kuadrin tjetër të lartë ministra dhe deputetë. Përveç pajtimit fisnikërues, bashkimi solli edhe suksesin.

     Krejt pacipshëm, i dyti i LDK-së thotë se nën pushtetin e dr.Rugovës nuk kishte demokraci brenda partisë. Eshtë e vërtetë se dr. Rugova forcën e ka pasur ke baza, me bazën ka punuar dhe fituar. Tani shpjegohet pse qendrës, kryesisë, nuk i kushtonte aq vëmendje, por as nuk lejonte të livadhisnin shefat e sotëm, që, pas shuarjes të tij fizike, e drejtuan partinë drejt rrënimit, drejtë greminës.

     Pak retrospektivë:
     
     Në vitin 1989, kur po i merrej autonomia Kosovës, që e kishte fituar me amandamentet e Kushtetutës të vitit 1974, Melihate Tërmkolli, atëbotë, ishte një vajzë e re. Megjithatë, fjalimi i saj kundërvënës, në Kuvendin e Kosovës, ishte i ashpër dhe krejt pa dorëza, e cila thoshte se "Kosova, me ndryshimet që këmbëngulë t`i bëjë Serbia, humbë gjithëçka, madje edhe identitetin", duke apeluar të mos aprovohen nga delegatët shqiptarë këto ndryshime. Në mesin e dhjetë deputetëve mosaprovues të suprimimit të autonomisë, ishte edhe trimi Ukë Bytyçi, të cilin, PDK-ja, duke mos e duruar humbjen, e vrau ditën e fitores rekordmene për Kosovën, LDK-ja e Suharekës e Ukë Bytyçit me 72%!

    Përballë vajzës njomëzake, Melihate Tërmkolli, ishte veterani i politikës kosovare, profesori i Universitretit të Prishtinës, akademik Syrja Popovci, i cili deklaronte nga foltorja e Kuvendit: "Me ndryshimet kushtetuese, Kosova jo vetën që nuk humbet asgjë, por, përkundrazi, fiton shumë. Prandaj, ju ftoj të aprovoni projektin e Serbisë pë ndryshimet, tashmë të njohura nga ju."

     Natyrëshëm, lind pyetja: kush dinte më mirë se çka humb dhe çka fiton Kosova? Vajza e re Tërmkolli, apo ujku i vjetër i politikës, akademik Syrja Popovci? Përgjigja është e tepërt. Ishin vitet `70-a, kur në Korpusin Qendror të Universiteit të Tiranës, i ndiqnim ligjeratat shkencore të profesor Syrja Popovcit. Salla e madhe nuk i zinte dot intelektualët e lëmive të ndryshme shkencore të kryeqytetit. Me interpretimin profesional e shkencor, që i bënte ai Kanunit të Lekë Dukagjinit, la gojëhapur personalitetet shkencore e akademike të Tiranës. Ish gjimnazisti i shkëlqyer i Pejës, studenti i pakonkurencë i shkencave juridike e filozofike, profesori i përgaditur shkencërisht, metodist dhe elokuent, sa ishte privilegj të ishe në auditorin e tij, erdhi koha të vihej në provë se "SA I VLEN LEKURA!" Tërpia për pushtet e privilegje karieriste politike, e bënë leckë akademikun Syrja Popovcin, në sytë e bashkëkombasëve, për të mbetur i turpëruar përjetësisht.

     E solla këtë shembull, për t`ua kujtuar shefave aktual të LDK-së se po e bëjnë atë të shëmtuarën, që bëri 20 vjet më parë akademik Popovci. Nëse ai e bëri në raport me pushtuesin, ju po e bëni në raport me shkatërruesin e të gjitha vlerave që duhet t`i këtë një shoqëri bashkëkohore. Dhe, kjo nuk është hiç më pak e dëmshme se sa ajo e Popovcit të marruar. Të vetmen të vërtetë, që përsërisni është se pa LDK-në, pa të djathtën në pushtet, nuk ka demokraci, nuk ka shtet të mirëfilltë të Kosovës. Dhe, kjo nuk është meritë e juaj, kjo është e trashëguar nga gjeniu Rugovë, të cilin, herë në surdinë, e herë zëshëm, e akuzoni për mungesë demokracie.

     Vdekja e nënkryetarit të LDK-së dhe kryetar i komunës të Istogut - Fadil Ferati, sheshoi dy gjëra:
      1.- Konsiderata hiçe që ka PDK-ja për LDK-në, si "partner koalicioni" dhe
      2.- Televizioni kinse "publik" dhe "i pavarur", është i kontrolluar fort nga partia në pushtet.
Them partia dhe jo koalicioni, pasi LDK-ja ka pushtet fiktiv, të papërfillshëm për një koalicion të mirëfilltë, e anashkaluar skajshmërisht. Andaj, edhe baza, anëtarësia e gjërë e kësaj partie, ka kërkuar, madje përëritshëm, shkurorëzimin imperativ, sepse LDK-ja nuk është duke qeverisur asgjë, por, mbulon e rehabiliton, mjerueshëm, dështimet totale të PDK-së. 

     Bëjmë një krahasim:
     Fadil Ferati, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar komune, i rivotuar i pakonkurueshëm dhe fitues i pakontestueshëm.
     Fatmir Limaj, nënkryetar i Partisë Demokratikje të Kosovës dhe ministër i transportit. 
     Funksione të ekuilibruara. E pamë pasqyrimin që i bëri televizioni "publik" kuadrit të lartë të LDK-së, Fadil Feratit, me rastin e vdekjes. Risillni në mendje ditën e homazheve, në lajmet e asaj mbremjeje. Sekuenca ishte sa hap e mbyll sytë!

     Dhe, mendojeni për një çast, si në një ëndërr të keqe, po të kishte vdekur Fatmir Limaj?! (Sinqerisht, këtë kurrë nuk do ta dëshiroja. Dhe, në mos për asgjë tjetër, për hir të familjes, të asaj nuseje hyjnore, që rrezatonte bukuri e fisnikëri - njëherësh dhe, të fëmijëve të mrekullueshëm, të cilët, opinioni shqiptar i kontaktoi vizivisht me rastin e deportimit të zotit Limaj në Hagë. Por, përndjekja brutale, shantazhimi, rrahja dhe vrasja e dëshmitarëve të Limajt, nga SHIK-u, flet mjaftueshëm se krimet ndaj shqiptarëve të pafajshëm, përgjatë luftës, kanë qenë të rënda e faktike. Ndërkaq, pafajësia e të akuzuarëve të Hagës relativizohet dukshëm, me lirimin nga akuza edhe të kryeministrit serb, kur dihet se qeveria e tij vrau dhe zhduku pa gjurmë 12 mijë shqiptarë dhe shkretoi Kosovën!) Pa më të voglin dyshim, televizioni në fjalë do ta dhjetëfishonte tansmetimin në kohë, do ta bënte namin, do t`i bënte të shkreheshin në vaj, madje edhe ata që i mbijetuan dajakimit kriminal të SHIK-ut, për të zhvleftësuar dëshmitë e tyre kundër të pandehurit Limaj!

     "Paanësia" dhe "pavarësia" partiake e televizionit "publik", u dëshmua bindshëm me rastin e kësaj gjëme të madhe të LDK-së, pra, vdekja e nenkryetarit të saj,zotit Fadil Feratit. Shefi i Këshillit Drejtues të Televizionit "Publik" të Kosovës, zoti Rrahman Paçarrizi, përmbushi detyrën partiake mrekullisht mirë. PDK-së, në përzgjedhjen e kuadrit është tejet e kujdesshme, madje kurrë e gabueshme. Zoti Paçarrizi vjen nga një background i "lavdishëm", siç është fletushka kundrakombëtare, "Zëri i Kosovës", e cila, për një dhjetëvjeçar të plotë, me politikën redaktuese të bërë nga SHIK-u, përçau shqiptarët, duke bërë objekt dhe qëllim primar shpifjet, denigrimet dhe anatemimet për Presidentin Rugova dhe partinë e tij të parë pluraliste, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Stafi ultrakomunistë, stalinistë e enveristë, bashkoi në këtë fletushkë paçavure, të gjithë gardën e zezë të SHIK-ut dhe të SHISH-it (sigurimsat e regjimit hoxhist), për të përçarë shqiptarët në shkallë kombëtare dhe për ta sabotuar edhe atë përpjekje modeste për rezistencë e luftë, kundër pushtuesit të egër e vrastar serbo-sllav.

     Dhe, të gjitha këto ndodhin, sepse mungon institucioni i përgjegjësisë, për veprimet e qeveritarëve e shtetarëve. Andaj, anarkia e papërgjegjësia është e pranishme në të gjitha poret e shoqërisë tonë. Shqiptarët, ndonëse të vonuar në mëvehtësinë e tyre; të mëshiruar nga bota me zgjidhjet gjysmake të çështjeve të tyre kombëtare; me një patriotizëm folklorik; pa traditë lirie dhe , aq më pak demokracie; heshtin, si peshku, para prapësive e batakçillëqeve të qeveritarëve e shtetarëve hileqarë, të inkriminuar dhe të korruptuar, të cilët, bërrylueshëm, kanë pushtuar majat e pushtetit!




(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora