E premte, 29.03.2024, 06:19 AM (GMT)

Kulturë

Thellësisht Nënë Tereza

E shtune, 20.02.2010, 09:20 PM


Anton Nikë Berisha, shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, vjen në një rrëfim për këtë shqiptare të madhe, së cilës i ka kushtuar një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij

Thotë se ka synuar që ta përjetësojë artistikisht veprën dhe botën shpirtërore të Nënë Terezës, sepse përmes artit, ato shqiptohen në mënyrë më thellësore, bëhen më jetëgjatë, për të mos thënë të përjetshme. Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Anton Nikë Berisha, shumë shpejt do të vijë për lexuesin shqiptar e italian me botimin e dytë të veprës “Ujëvarë drite në zemër”, nga shtëpia botuese “Argeta LMG”. Ndërkaq, libri është botuar edhe në gjuhën italian, nën titullin “Cascata di luce nel cuore” nga “Luigi Pellegrini Editore” e Kozencës.

Një pjesë të mirë të krijimtarisë suaj ia keni kushtuar figurës së madhe të Nënë Terezës, që e dëshmojnë shtatë libra. Si ju lindi interesimi për të?

Midis të tjerash, është një fakt që heq peshë: nëna e Nënës Terezë, Dranja, ka lindur në katundin e Gramaçelit në Kosovë, që është rreth 50 kilometra larg katundit tim të lindjes, Dobërdolit (Lugmirit). Madje të parët e familjes sime, shpërngulur rreth 300 vjet më parë nga Prelepi i Deçanit, Gramaçelin e kanë pasur krejt afër... Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, për disa muaj bëra shumë punë paraprake për fillimin e hartimit të një romani kushtuar figurës së Nënës Terezë. Romani duhet të kapte një kohë shumë të shkurtër: nga çasti kur Nëna ngrihet nga karrigia e rendit të parë, në sallën e mbushur me mysafirë të lartë, dhe drejtohet te foltorja për të thënë disa fjalë me rastin e pranimit të çmimit “Nobel” për paqe (17 tetor 1979). Në ato pak çaste duhet të përfshihej gjithë ajo që kishte bërë në jetën e saj deri atë ditë, si dhe shumëçka nga bota shqiptare që i përkiste. E kisha menduar si kohë biblike-hyjnore: disa çaste mund të nënkuptojnë me dhjetëra e qindra vite, siç dhjetëra e qindra vite mund bëjnë vetëm disa çaste. Puna s’dha frytin e menduar, por mbeti ideja. Mbas shumë vjetësh, pasi lexova mbi tridhjetë libra kushtuar Nënës, i hyra hartimit dhe për tri vjet pune të dendur shkrova romanin “Nëna e dritës”.

Çfarë ju shtyu t’i kushtoni kaq shumë vëmendje kësaj figure dhe çfarë zbuluat për jetën, veprimtarinë dhe shpirtin e saj?

Disa nga penat dhe autorët e shquar botërorë, siç ka ndodhur dhe me vlerësimet e larta të personaliteteve më të njohur të shekullit kur jetoi Nëna, i kushtuan vëmendjen e tyre figurës dhe veprimit të saj, para së gjithash për dashurinë që dëshmoi për njerëzit dhe flijimin që bëri për ta, sidomos për të varfrit e më të varfërve, për të mjerët dhe të braktisurit, pa pyetur asnjëherë se çfarë emri kishin, nga vinin dhe cila ishte feja e tyre. Kur të tjerët bënë gjithë këtë punë (sipas të dhënave deri më tash janë botuar rreth 600 vepra për Nënën Terezë), atëherë ne shqiptarët, që jemi të gjakut e të gjuhës së saj, kemi shumë më tepër arsye të merremi me të e ta njohim mirëfilli. Jam i bindur se duke e njohur më thellësisht Nënën Terezë dhe punën e saj madhore, do ta njohim më mirë vetveten, botën tonë dhe do të pasurohemi shpirtërisht; do të jemi më të dobishëm për veten tonë, për të afërmit dhe për botën që i përkasim.

Cila ishte arsyeja e hartimit të romanit “Nëna e dritës”, i cili (më 2004) u shpërblye me çmimin “Hivzi Sulejmani” dhe për të cilin së shpejti botohet një vëllim me punime që autorë të ndryshëm shkruan për të?

Thashë se ideja për të shkruar një roman për Nënën Terezë qe e hershme. Mirëpo, jam fatlum që atëherë nuk e shkrova atë. Do të ishte diçka tjetër. Atëherë nuk e njihja punën e saj mirëfilli. Romanin “Nëna e dritës” nisa ta shkruaj kur mësova shumëçka për të, për punën e për flijimin e saj dhe për dashurinë hyjnore me të cilën i deshi njerëzit. Qëllimi im qe: nëpërmjet një vepre artistike, në rastin konkret nëpërmjet rrëfimit poetik romanesk, të shpalos qenësinë e shpirtit dhe të punës së saj, dashurinë dhe flijimin e pazakonshëm për njerëzit e braktisur dhe ata që vdisnin rrugëve, për të gërbulurit etj. Me një fjalë, kam synuar që ta përjetësoj artistikisht veprën dhe botën shpirtërore të saj. Përmes artit ato shqiptohen në mënyrë më thellësore, bëhen më jetëgjata, për të mos thënë të përjetshme.

“Jeta është vetë jeta e Zotit në ne” është një vepër tjetër e juaja, që për herë të parë solli në botën tonë disa tekste të Nënës Terezë në shqip. Si del Nëna në këto tekste?

Vepra që përmendni, që në titull vë në dukje një qenësi, që Nëna Terezë e thoshte gjithmonë: Zoti e bën jetën në ne, përkatësisht jeta jonë është vetë jeta e Zotit në ne. (Nëna thoshte: “Zoti është brenda meje, një prani më intime sesa e marr me mend vetë”). Kjo del nga shumë tekste të saj, edhe nga testamenti shpirtëror. Në botën tonë janë botuar disa vepra për Nënën Terezë, është bërë edhe ndonjë përkthim nga gjuhë të tjera të ndonjë vepre të bashkëpunëtorëve të saj. Mirëpo, kanë munguar tekstet e saj, letrat, testamenti shpirtëror dhe mendimet që Nëna i ka thënë në raste të ndryshme. Qëllimi kryesor i hartimit dhe i botimit të librit të përmendur më lart ka qenë: të njihet Nëna Terezë nëpërmjet teksteve të saj. Në tekste ajo del e tëra, pra ashtu çfarë ishte e çfarë bëri, çfarë besimi dhe dashurie të paskajshme pati për Hyjin; në tekste dalin dhe arsyet pse u flijua për të tjerët, sidomos për jetimët dhe për ata për të cilët nuk kujdesej askush.

“Ujëvarë drite në zemër” është vepër poetike në vargje, kushtuar Nënës, e përbërë prej 14 pamjeve, siç thuhet në nëntitullin e hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut. Cila ishte arsyeja e hartimit të saj?

Atë që nuk ia dola ta them në romanin “Nëna e dritës”, po që mendoj se është e qenësishme të thuhet në një formë tjetër, por gjithnjë në mënyrë artistike, synova ta shpreh nëpërmjet 14 pamjeve të hirit hyjnor, të dritës hyjnore që e cilësoi Nënën, besimin dhe jetën e saj, siç pati ndodhur në 14 vendndalimet e Krishtit deri në kryqëzim. Përkushtimi dhe flijimi i Nënës, sidomos për të varfrit e më të varfërve, njëmend ishte një vetëflijim, një vetëkryqëzim. Gjatë rrëfimit përdora vetën e parë, siç veprova dhe në roman, për të mos lejuar të thuhen fjalë të mëdha, po gjithçka t’i lihet rrëfimit, përkatësisht mesazhit poetik, që mundëson shpalosjen e shtresave më thellësore të shpirtit të Nënës Terezë e të thellësisë së besimit të saj në Krijuesin e gjithëpushtetshëm. Kjo mënyrë shkrimi është tepër e vështirë, po me përparësi të mëdha për t’iu shmangur fjalëve retorike. Nëna flet vetë dhe ajo nuk mund të fliste mirë e me lavdërime për veten, siç ngjau dhe në jetën e saj: asnjëherë nuk i përdori lavdërimet dhe fjalët e mëdha. Vendin e kësaj e zë rrëfimi poetik, që thotë shumë më tepër se fjalët lavdëruese e vetëlavdëruese, që ne mendojmë se na kryejnë më shumë punë.

Ku janë arsyet që Nëna Terezë dhe motrat e saj u lutën për Shqipërinë mbi 30 vjet?

Mjeti kryesor i jetës së Nënës Terezë, i veprimit dhe i arritjeve të saj, ka qenë lutja. Këtë virtyt të saj – lutjen – e kanë thënë të gjithë ata që kanë bashkëpunuar ose janë takuar ndonjëherë me të. Pasardhësja e saj në drejtimin e “Misionareve të Dashurisë”, të themeluar nga Nëna Terezë më 7 tetor 1950 në Kalkutë të Indisë, motra Nìrmala, ka vërejtur me të drejtë: “Lutja i ka shërbyer Nënës Terezë ta përballojë varfërinë, zhgënjimin, t’i përballojë dhimbjet, vuajtjet e veta dhe të të tjerëve. Varri i saj në shtëpinë amë në Kalkutë, ndodhet pikërisht në vendin ku ajo, e gjunjëzuar, lutej me orë të tëra, që ishte mjeti më i qenësishëm i jetës dhe i veprimit të saj. Ajo, siç dëshmojnë motrat e rendit të themeluar nga ajo, “Misionaret e Dashurisë”, po dhe persona të tjerë, vazhdon të jetë e pranishme në veprimet e motrave në çdo kënd të botës, ku vuajtja e kafshon mishin e njeriut”. Nëna Terezë thoshte: “Nëse dashuria ime për motrat e mia është e mirë, atëherë dashuria ime për Krishtin do të jetë e mirë. Nuk janë dy dashuri. Sa më e thellë është dashuria ime për Krishtin, aq më e thellë është dashuria për motrat e mia, aq më i madh është zelli për të shkuar drejt të varfërve”. Mirëpo, përkundër kësaj, Nëna asnjëherë nuk e harroi atdheun e vet, Shqipërinë, ku jetuan për shumë vjet dhe ku u varrosën nëna e saj, Dranja, dhe motra, Agja, pastaj vendlindjen e vet, Shkupin, vendlindjen e nënës së saj, Gramaçelin dhe kishën e Letnicës në Kosovë. Për to u lut pandërprerë. Mbas shpalljes së Shqipërisë shtet i vetëm ateist, Nëna me motrat e rendit “Misionaret e Dashurisë”, iu lutën Zotit që t’i ketë në hirin e tij njerëzit që vuanin etje, shpirtërisht dhe materialisht. Pra, arma kryesore e saj ishte lutja e jo ndihma materiale ose ushtarake, siç e pandehu ose e tha ndonjë person i verbuar në mendje.

I keni ndjekur polemikat mbarëkombëtare në SHBA, ku njoftohej se figura e Nënës Terezë do të pasqyrohej në emetimet e pullave shtetërore postare amerikane për vitin 2010? Lajmi ka hasur në mjaft kundërshtime.

Polemika të tilla nuk i kam përcjellë. Reagimet i çmoj me vend; sigurisht se kanë reaguar ata që e kanë njohur mirëfilli jetën dhe veprën e Nënës Terezë, e cila qe kundër zhurmës, kundër vetëlavdërimit, kundër keqpërdorimit të emrit e të punës së saj për të mbërritur ndonjë interes, ndonjë të mirë materiale e të ngjashme. Po të kishte qenë gjallë, jam i bindur se do të reagonte ashpër, siç pati reaguar kur në Kosovë, me emër të saj, u themelua shoqata për ndihmë sociale. Gjëja që e shqetësonte më së shumti Nënën ka qenë kur njerëzit, duke mos e njohur qenësinë e punës që bënte, i quanin atë dhe motrat e “Misionareve të Dashurisë” punëtore sociale. Nëna nuk u ka dhënë kurrë ndihma sociale njerëzve; ka vepruar krejtësisht ndryshe: i ka dashur dhe është kujdesur për njerëzit me dashurinë e Hyjit dhe pikërisht për këtë dashuri është flijuar për ta. Me një fjalë, dashuria ndaj Zotit ka nënkuptuar për Nënën dashurinë për njeriun, ka nënkuptuar lirinë, dhembjen, flijimin, gjithçka. Këto dy dashuri për Nënën kanë qenë një: të pandara. Këtë gjë Nëna e përligji me veprimin e me flijimin e saj konkret, gjë që kushtëzoi që bota e quajti NËNË.


(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora