E enjte, 28.03.2024, 09:03 AM (GMT)

Kulturë

Bilall Maliqi: Intervistë poetike me Hydajet Hysenin

E shtune, 20.02.2010, 09:47 PM


INTERVISTË POETIKE ME HYDAJET HYSENIN

PRESHEVA ËNDËRR IMJA E PËRJETSHME MADJE E TEJ ETSHME

Nga Bilall MALIQI

Hydajet Hyseni, poet veprimtarë për çështjen madhore të kombit, lindi më 1954 në fshatin Përlepnicë afër Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Gjilan.Ishte student zhurnalistikës, punoi gazetar në të përditshmen “Rilindja”.
Me shkrime filloi të merret herët dhe shkrimet e para i ka botuar në shtypin ilegal që nga viti 1980.Veprat letrare: “Këngët e lirisë” (bashkautor), “Pushka amanet” (Poemë), “Përrallat flasin në gjuhën shqipe”, “Pranverë në katër pamje” (Album), LSHK Prishtinë, 2006.Ideja ime për ta zhvilluar një intervistë kësaj rradhe intervistë poetike ishte e kahmotshme.Kohë më parë pas një takimi të rastësishëm që pata me poetin dhe veprimtarin e njohur Hydajet Hysenin në Gjilan e luta që për lexuesit e revistës kulturore letrare “Perspektiva” që del në Kosovën Lindore ta zhvillojmë këtë intervistë paksa specifike nga intervistat tjera “Intervistë poetike”, e që Hydajet Hyseni me kënaqësi pranoi kërkesën tonë duke iu  përgjigjur pyetjeve në vazhdim.

Ju keni filluar të merreni me krijime poetike herët. Si filloi? Nga kush u ndikuat?

- Mbase përgjigjja mund të gjendet edhe në vargje. Ta zëmë kjo letër :

NËNËS

Natë e madhe feste,
Një mesnatë pa hënë;
Unë, ilegal, i vetëm,
Mendoj për ty ,o nënë.
.....

Unë e di, o nënë,
Tani as ti nuk fle,
Se malli për mua,
Të qetë nuk të lë.
........

Pse, o nënë për mua
Mërzitesh aq shumë?
Pse nga balli të del tym,
E çdo natë rri pa gjumë?

A s' më mësove, ti, o nënë,
Gjersa më rrite e më bëre burrë,
Që në jetë të jem i drejtë
E të mos përkulem kurrë?

E në djep kur më vije,
A s' më flisje ti për dushmanin?
Me zë të ulët a s'  më këndoje,
Këngë të bukura për vatanin?

Po, kur verës, arave,
Uleshim nën ndonjë hije,
Të kujtohet si më rrëfeje,
Gjithfarë ngjarjesh trimërie?

Sa rrëfime për dragonjtë,
Për Shën Gjergjin  me yll në ballë,
Që kuçedrës që shterte ujët,
Të shtatë kokët ia preu me pallë!

Po këngët e gjata për Baca Mujën,
Për Ajkunën e Halil Garinë;
Për Idriz Seferin e Oso Kukën,
E për Gjergj Elez Alinë?

A s'më mësove një këngë për Isën,
Që si trim ra për vatanin?
Po këngët e zjarrta partizane,
Për Perlatin e Jordanin?

Dhe sa herë për trimat tanë,
Ti më flisje e më këndoje;
Që të bëhem si ata,
Pa më thuaj, s' më këshilloje?
.........
Kështu si unë moj nënë,
Ka edhe shumë e shumë të tjerë,
Se kuçedrës kokat, ne,
Ende nuk ia kemi prerë...

Ngrije, pra, o nënë kokën,
Të ta shoh në fytyrë krenarinë,
Unë do të vij një ditë të bukur,
Bashkë me shokët dhe me lirinë!

1979

Shkrimet i botonit në shtypin ilegal, sa ishte vështirë për një krijues të veprojë nën cenzurën e kohës, me pseudonime?

- Përvojën time fillestare jam munduar ta shpreh në poezinë:

POETIT TË RI

Nëse vërtet ke vendosur,
Të hysh në botën poezi,
Mos u step kur të shikojnë nga lart,
Shkarravitësit kalemxhinj.

Mos u ndal nëse portën nuk ta hapin,
Sogjetarët, cerberë të zinj...
Dhe
Mos u bëj poetuc lypsar,
T'u bësh lajka e lutje,
T'u kërkosh mëshirë,
E, si varfanjak të presësh te pragu!
Poet i rebeluar bëhu,
E nëse hyrja është e zënë,
Penën skuqe mirë,
Dhe sikur komit,
Futu për oxhaku.

1985, “CZ”

Në vitin 1981 u burgosët për veprimtari patriotike.Në rrethanat çfarë ishit mund të themi se poezia juaj është e lidhur ngusht me burgun. Çka e veçon poezinë e burgut?

- Burgu. Grilat.... Ja kështu disi:
 
PRAPA
GRILAVE

Në “CZ”, në Beograd,
Ethet seç më zënë;
Sa afër e sa larg,
Nga Kosova nënë!
........
Kryet kah Juga e kthej;
Dallgët e saj i njoh.
Sytë sapo i mshel,
Kosovën e shoh.

Kosova - këtu në shpirt,
Në zinxhirë e lila;
Atje e këtu - qeli,
Me dry e me grila.

Kosova - këtu në zemër,
Unë në gërxhe të saj;
Kosovën e shoh ëndërr,
E veten s'e përmbaj.

Kosovën e dëgjoj
Dhe brofi në këmbë;
Grilat i shtrëngoj
E dua t'i ha me dhëmbë.


Mund të na shkoqisni ndonjë kujtim mbase të hidhur të asaj kohe?

-Janë shumë. Do ta veçoja ritakimin me këngët e një poeti të ri të talentuar, më  fizik e me shendet të rrënuar , por me shpirt të pamposhtur, Bajram Kosumin:

Autokujtim gri (1983)

KONTRAST

E takoj pas sa vitesh,
Në burg të Nishit, në qeli,
Shokun tim të “CZ”- s
 Të dashuruar në poezi.

Ia dëgjoj atë zë që i del,
Si prej  grykës së vullkanit,
E fytyra e shterur - dyll e verdhë,
Si muri i zverdhur prej duhanit.

Më shikon dhe pakëz hesht,
Një vijë i shtohet midis ballit:
“Zverdh burgu, vëllaçko, gjithçka zverdh,
Ta thith gjakun ky mur i djallit...!

Por, nejse, thotë, e ofshan thellë,
Unë e kam një tjetër brengë;
Punë e madhe në zbehem vetë,
Veç të mos më hyjë verdhëza në këngë!”

E shikoj atë, ia lexoj poezinë,
Ai i zverdhur, ajo aspak;
Them: “Prej nga kjo kuqëlinë,
Vallë, shkruan me ngjyrë, apo me gjak!?”

1986, Nish

Muza poetike pra nuk të la të qetë as prapa grilave, na thuani sa ishte vështirë të  shkruhet në burg?

- Burgu , pos tjerash është boshllëku i tmerreshëm. Kënga e mbush disi këtë boshllëk: 

OAZË KËNGË

Këto grila, tela, dryna,
Që e kanë ndryrë trupin tim,
Duan të më hyjnë edhe në këngë,
E të ndryjnë çdo gëzim!

Këto mure të ftohta,
Hekurbeton,
Që e bëjnë beton dhe trupin tim,
Duan të hyjnë edhe në këngë,
Të hyjnë në lule,
Në blerim!

Të ma bëjnë këngën gur,
Po a mund të lejoj unë vallë?
Jo gurëzim s'lejoj unë kurrë,
Nuk lejoj sa të jem gjallë!

Le të bëjnë gjithçka në mua,
Le të xhindosen mbi trupin tim,
Por së paku, në këngë dua,
Të ketë lule, të ketë blerim!

Le të më bëjë burgu mua,
Gri si gurët e kafazit tim,
Por një oazë, në këngë, e dua,
Me Diell e lule, me gjelbërim!

Nëse lule s'mund të kultivoj,
Në beton e terr, në qeli,
Do t'i mbyll sytë e do të shkoj,
Në Kosovën time, në ardhmëri!

Paçka pse këmbët më janë sëmurë,
Për to nuk dua as të dëgjoj,
Kur është puna për gaz e lule,
Unë nuk ec, por fluturoj...!

Jo. S’lejoj që kënga ime,
Të bëhet gur me dry e grila;
Dua të rrit aty dhe gëzime,
Diell e jetë e karafila...!

E për  t’i ruajtur.  Si i ruanit dorëshkrimet nga kthetrat e censurës?

-   Ne forma nga më të ndryshmet. Ja, për shembull: 

TI MË ERDHE
KËNGA IME

1.
Ti më erdhe papandehur,
Kënga ime e pranguar;
Njëzet vjet nuk jemi pjekur,
Njëzet shekuj të kam kërkuar.

Mezi të njoha kënga ime,
Zhubrosur, zverdhur, pak demode;
E hutuar kur m’i sheh thinjat
Dhe kollaren time të re.

Letër burgu, erë qelie.
Shekulli i vjetër i shkruan të riut;
Letër duhani, fitil i fshehur,
Në karrocën e Xhavit Nuhiut .

Një ulok, në karrocë, në Nish,
I burgosur politik;
Një invalid që ngre grushtin:
Rroftë Kosova - Republikë!

Policë, britma, sharje, goditje,
Në qeli - heshtje; heshtje në bllok…
Cimeri vllah më thotë me bindje:
“E keni fituar, luftën shok…!”

2.
Sa ke bredhur këngë e sfilitur,
Me ciklopë, sirena e shtriga plaka?
Sa herë je rrëzuar, sa herë je ngritur,
Në rrugëtimin kah Itaka.

Do të më tregosh si ra Troja,
Brezore e ledhe si u kallën zjarr…
Si e hapte kali gojën,
Si e hoqën Hektorin zvarrë…

Si ra Kruja e Skënderbeut,
Ç’u bë në Manastir, në Çanakala?
Më fol për plojën e Bartolomeut,
Në Paris e në Qerbela… 

Ç’u bë epoka famëmadhe,
Ç’u bënë yllkat me kordele…?
Më fol për zanat shtojzovalle,
Që kafshojnë ëndrrat në bordele!

Më thuaj Janinës ç’i panë sytë,
Në Prekaz, Bosnje, në Sllupçan;
Më fol për zemrën e Davidit
Që Goliatit i lyp mejdan…

Po Lubia që përpinte këngët,
Që villte flakë ngjyrë mavi?
Si digjeshin tok fëmijë e libra,
Flaka e kuqe e tymi i zi?

Ç’u bënë pikturat e Gurselit ,
- Liria në pranga, në galerë …?
Ç’tablo krijoi, majë Jezerci,
Piktori i ri, mitraljer?

Ku janë figurat me bukë qelie,
Shtëpia e Lidhjes, Nëna, Thoti…
Ku treten letrat me brumë lirie,
Nga Rexhep Mala e Ukshin Hoti? 

Ç'amanet la Xhavit Nuhiu,
Që prehet diku në Karadak?
Ç’mesazh sjell karroca e tij
Brenda vjersha, sipër gjak?

3.
Ti më erdhe papandehur,
Kënga ime e përmalluar,
Njëzet vjet nuk jemi pjekur,
Njëzet shekuj të shkrumbuar.

Ta lexoj habinë në sy.
S’ndjehesh mirë në Kuvend,
Ke mbetur ti pak prapa kohe,
Apo unë të ngjaj si dend?

Këngë qelie, erë e burgut,
Brejtje kohe, brejtje e miut…
Jehonë kënge, trokitje në mur,
Nga qelia e Zija Shemsiut…
Sot, Parlamenti sesi më duket
Si karroca e Xhavit Nuhiut,
Në karrocë i gozhduar ,
Hamleti i ri i Lekë Moisiut.

Na tërhiqni një diagonale poezia e viteve të ’80-ta dhe poezia sot?

- Poezia duhet të ketë vulën e kohës së vet.  Mua me dhembsej kënga ime e dikurshme, por koha ishte e tillë... 

VARG
QË HA GRILA

Unë e shoh, kënga ime,
Ti shpeshherë je e ndrydhur,
Por ç'të bëjmë,
Jeta, këtu, është e tillë,
Jetë e ngushtë, jetë e lidhur.

Jetë që rrudhat ç'do ditë t'i shton,
E mendimin ta ndrydh, ta rrudh,
Jetë që këngën ta ngujon,
E nuk e lë të marrë udhë...

Në jetë të ngurosur,
Kënga është e ndrydhur;
Është zog i plagosur,
Në kafaz i mbyllur.

Unë e shoh, o kënga ime,
Ti herë-herë je e zymtë,
Dhe e di mirë:
Zymtësia nuk të shkon,
Por, ç'të bëjmë, jeta është e tillë,
Jetë në hekur në beton!

Unë e di, o kënga ime
Grilat ty të bëjnë rëndë;
E di, grilat janë të ftohta,
Dhe e ftohin shpirtin tënd!

Dry e grila nëpër vargje,
Janë si pranga në duar vajze!

Sa do të doja, o kënga ime,
Të mos kishe ti fare grila,
Të kishe gaz, dritë, Diell,
Zogj, blerim, karafila...!
Por ç 'ti bësh?!
Jeta është e tillë,
Jetë në pranga,
Në tela, lila!

Shikon për dritare,
- Grila të kryqëzuar;
Del në shëtitore,
- Qiell i copëzuar...
Jo, s'mund të t'i heq grilat ty,
Pa ia hequr ato vetes;
E as vetes s'ia heq dot,
Pa ia hequr prangat jetës.

E dihet grilat,
S'këputen dot,
Me belbëzime, me zë të mekur,
S'këputen prangat me vaj e lot;
Hekuri pritet veç me hekur.

Do të doja o kënga ime,
Në vargje zogjtë të cicërojnë,
Në rrokje të çelin karafilat...!
Oh, sa do të doja...!
Por sot të duhen vargje të metalta,
Se e metaltë është kjo kohë me brymë,
Të duhet varg që i ha grilat,
Pak nga pak sikur limë!

1985, ”CZ”

Poezia dhe politika; çfarë mendoni Ju,  cili duhet të jetë raporti midis?

-  Do të thosha shkurt: i natyrshëm dhe përplotësues. Kështu disi:

POETI  DHE  FJALA

E ndryrë në zemër fjala,
I dukej dikur,
Si mëze motake,
E mbyllur në haur.

Fjala e zënë rob?
Bubu ç'krim e ç’kob!
Çaje zemrën pallë,
Fluturo, o fjalë!

Dhe hapi krahët fjala,
Shkelte nëpër erë,
Si atkinë që di të ndalet
Vetëm në humnerë.

Ai çan nëpër hapësirë,
Si në krah të përrallës,
Dhe prapë nuk është i lirë;
Tash është rob i fjalës.

Fjala e ngujuar,
Trupi - burg, galerë;
Fjala e harbuar,
Fundi në humnerë.

Si të bëhet fjala,
As dele, as dre,
Por atkinë përrallash,
Me flatra e me fre

E presheva . Keni pasur shokë  në ilegale dhe burgje nga Kosova Lindore?

- Po. Nga krijuesit, ta zëmë, në ilegale Reshat Avdiu,  kurse ne burg Gani Misini. Nga veprimtarët  do shquar Xhavit Nuhiu . Ishte i jashtëzakonshëm... Presheva dhe viset tjera shqiptare mebetën plagë e hapur që do shërim...Është edhe ëndërr imja e përjetshme , madje edhe e tejetshme.

POROSI

Amanet biri im,
Amanet ime bijë,
T’i thuash nipit tënd
T’i thotë nipit të nipit të tij,
Që ta mbajë mend
E ta ftojë në gosti,
Gjyshin e gjyshit të gjyshit të tij,
Stërgjyshin ëndërrbardhë,
Fatkeq e fatzi...
Në Ditën e Dasmës se Madhe,
Ditë e Ëndrrës së Bardhë,
Ditë e Shekullit të Ri…!
Tok në këngë e  valle
Tok  të ngremë dolli
Jare e Iso labe,
Kaba e rapsodi,
Lahutë e zamare
Gërnetë e çifteli,
Tunde , tunde lodër,
Llap e Labëri,
Shkunde Shkup e Shkodër
Shkunde  Shqipëri!
Tunde Llap e Shkodër
Shkup e Labëri,
Shkup e Labëri
Shkunde shkabëri,
Skyp e Labëri
Shuknde Skyp...;ëri
O, Festë e madhe…
Gjysh e mbesëri,
O, dasmë globale
Alaskë e Siberi...
Al...sk..iberi
O, dasmë shqiptare,
Gjysh e nipëri…
...ysh ... ipëri...
...y - sh...ipëri...
Shkunde Sh...ipëri...!

Aman, biri im,
Aman, ime bijë!
Amanet, biri im..!
Amanet, ime bijë...!


(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora