Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pse shoqëria po obsedohet materialisht?

| E shtune, 20.10.2007, 12:51 PM |


Nga Gëzim Tushi
 
Shoqëria shqiptare tashmë është plotësisht nën “ethet” e sëmundjes universale të shoqërisë moderne. Edhe ne si gjithë të tjerët jemi dhënë tërësisht pas pjesës materialiste të kënaqësive të jetës. Natyrisht në një farë shkalle jemi të detyruar t’i “bindemi” ligjit të jetës, mënyrës se si është e organizuar ajo dhe domosdoshmërisë për të plotësuar nevojat, shumica e të cilave padyshim janë të karakterit material. Në këtë kontekst qytetarët shqiptarë nuk kanë më rrugë tjetër, veç t’i nënshtrohen pa kushte presionit të “obsedimit materialist”. Sigurimi i të mirave materiale për jetën nuk është i lehtë, madje është bërë një “lojë” e vështirë, e rrezikshme dhe shpesh e dëshpëruar. Mënyra se si po ndërtojmë shoqërinë, po udhëhiqet nga parimi individualist i zgjidhjes së problemeve materiale, sipas të cilit kush e “humbet lojën” në fushën materialiste të fitimit, të mirëqenies, fajin e ka vetë.

Në ditët tona janë kthyer në epidemi sociale lufta e të gjithëve për para, fitim, luks. Ato i janë injektuar njeriut si “narkozë” sociale. Gjithnjë e më shumë njerëzit po i largohen kënaqësive të “tjera”, që nuk kanë “natyrë materiale”, që nuk lidhen me kënaqësitë biologjike të njeriut. Një miku im i talentuar, kur po bisedoja me të për këtë temë delikate të kohës, e cila nuk është e lehtë për t’u interpretuar, më tha jo pa shaka, se “koha moderne nuk ka më kohë të merret me dërdëllisje filozofike, kulturore, etike e fetare”. Koha moderne, thotë shoku im, e ka bërë me të vërtetë njeriun “kafshë shoqërore”. Dhe ka të drejtë, derisa në shoqërinë jonë tashmë ka tregues të qartë të këtij deformimi social, që manifestohet bujshëm, kaotikisht, me shumë nervozizëm në shoqërinë tonë, e cila është nën kthetrat e “trekëndëshit material”: Para, seks dhe konsumizëm. Madje nën këtë moto, njerëzit janë të dhënë pas konsumizmit aq shumë sa që ajo i shtyn shpesh herë të bëjnë kompromise morale me veten. Ndërkaq kësaj “marrie materialiste”, gare për fitim të çmendur, disa të tjerë përpiqen t’i gjejnë argumente më pozitive, më “bashkëkohore”. Lufta materialiste e individit, sipas tyre është shprehje e ideve dhe realiteteve të reja, që determinon përpjekjet materialiste “pa kufi”. Rezultatet materialiste po bëhen gradualisht dhe padrejtësisht “ekuivalent”, shfaqje kryesore e përpjekjes së tij për “vetërealizim” apo “zhvillim personal”.

Problemi i raportit të njeriut me pasurinë materiale nuk është problem që po i del para shoqërisë shqiptare. Ai është problem i vjetër. Por sot problemi ka marrë përmasa obsesionuese, të papërmbajtshme, pasi ka një deformim të raportit të “kënaqësive materiale” me “kënaqësitë e tjera” me natyrë humane. Kënaqësia materiale duket se edhe në shoqërinë tonë të re, i ka kapërcyer kufijtë e racionalitetit. Ajo po kthehet në “masë të vetme” për vlerësimin e “jetës e lumtur”. Padyshim në çdo kohë njeriu ka një raport, një marrëdhënie konkrete të caktuar me realitetin material, me të cilin është i detyruar të ketë lidhje reciproke për të jetuar. Ky korrelacion është një problem i përjetshëm ekonomik e socio-filozofik, me të cilin është marrë vazhdimisht shoqëria. Në përpjekje për të gjetur argumente shtesë, për format e shfaqjes së obsedimit social, të “budallallëkut material”, që ka kapur shoqërinë, tonë m’u kujtua Sartri, i cili këtë ndjenjë e ka sintetizuar në termin e tij proverbial të “neverisë”, të neverisë që të sjell njeriu, në se atë e shikon vetëm si “qenie fiziologjike”. Njeriu duhet të dalë nga “caqet materiale” thotë ai, qoftë edhe duke e tërhequr veten prej flokësh, sepse ai nuk është kafshë, që vetëm thjesht do të jetojë. Ky “reduksionizëm” materialist, është një nga pamjet e shëmtuara të deformimit që po merr jeta jonë me “aks të forte” materialist. Pavarësisht ambalazheve gjithnjë e më estetike, ka një shqetësim social të vërtetë në jetën tonë, e cila nuk duhet të kalojë heshtur, pa rënë në sy. Në se do ta shohim atë përtej “dukjes”, lakuriq, të zhveshur nga ato që ajo ka veshur në trup si “maskë sociale”, atëherë duhet të pranojmë se gjithnjë e më shumë njerëzit tanë të dhënë pas gjërave materiale, po zhvishen nga humanizmi, nga ndjenjat e mira, të cilat në se do të ecim vetëm kështu, ai do të dobësohet në raport të drejtë me “hollimin” e qytetërimit tonë. Nuk mjafton kënaqësia që ndjen një kategori njerëzish, duke qenë të vetëkënaqur me jetën e tyre materialisht të bollshme, duke lëvizur “të lumtur” rrugëve të kryeqytetit apo të qyteteve metropolitane, ndërkohë që kanë braktisur prindërit e vet, duke i lënë në varfëri, mjerim dhe mëshirën e fatit. Nuk mund të jetë e qetë nëna, që pasi bën fëmijë të jashtëligjshëm e braktis atë në emër të një realiteti iluziv materialisht më të mirë, për të personalisht. Nuk mund të jetë i lumtur ai që rastësisht apo me meritë u pasurua dhe ndërkaq nuk e kthen më kokën nga njerëzit e tij të afërt, që vuajnë dhe që kanë nevojë jo vetëm për kujdesin e pamjaftueshëm të shtetit. Nuk mund të jetë i lumtur ai që ka harruar të lexojë, të shikojë një spektakël, nga që “nuk i del koha” të numërojë paratë që fiton përditë.

Nga “sëmundja e budallallëkut material” nuk është i prekur vetëm njeriu i thjeshtë. Siç po duket, ajo ka kapur akoma më keq klasën politike. Në se do të ishin të vërteta akuzat, që ata i kanë bërë njëri-tjetrit, do të thosha se kjo sëmundje për këtë shtresë shoqërore është bërë organike dhe e pashërueshme. Kujtoni pak se për sa dhe për çfarë e kanë akuzuar ata njëri-tjetrin. Kujtoni shifrat e akuzave gjigante për abuzime, që i kanë bërë njëri-tjetrit. Në se është kështu, atëherë është e sigurt, që një pjesë e klasës politike shqiptare jo vetëm që është e sëmurë nga “budallallëku material”, por dhe ka devijuar pothuaj krejt nga natyra e misionit të politikës, nga thelbi human dhe social i saj. Obsedimet e dukshme materialiste të politikanëve, abuzimet e vërteta apo të zmadhuara, janë sipas mendimit tim, njëri nga shkaqet e shumta, por më madhori në përhapjen e kësaj sëmundjeje sociale në përmasa alarmante në shoqërinë shqiptare. Për të fshehur këtë sëmundje nuk mjaftojnë fjalimet, sloganet, të cilat nuk mund të maskojnë se qëllimi i jetës për disa politikanë, tashmë është i deformuar nga hipokrizia personale dhe pesha e obsesionit materialist. As ata nuk mund të jenë të imunizuar nga sëmundja e “budallallëku material”, por e keqja është se ajo nuk mbetet thjesht sëmundje personale.

Kur ajo prek politikanët do të thotë se ndodhemi përballë shenjave të sigurta të një epidemie që ka kapur tërë shoqërinë masivisht. Është e njohur teza se në shumë raste shoqëria ecën duke u bazuar në parimin e imitimit. Shembulli i politikanit nuk mund të maskohet, as me imunitet as me demagogji, as me idenë se pasi kalon një kohë ai mund të purifikohet dhe të rehabilitohet. Këto iluzione po prishin politikën, shoqërinë, veçanërisht militantët e partive politike, më saktë një pjesë prej tyre, që kanë dy dekada që e mendojnë se situata materiale e tyre, është e lidhur vetëm me partinë e parapëlqyer, vetëm me mundësinë e postit që mund të ketë ky ai politikan, i kësaj apo i asaj partie. Partitë në këtë vend janë shkaktarë që ndikojnë në krijimin e iluzioneve dhe deziluzioneve materialiste, që ushqejnë “budallallëkun material”. Ndaj dhe duket se kjo mënyrë e shfaqjes së kësaj sëmundjeje tek militantët e të gjithë partive ka krijuar një shtresë që vajti kohë të gjatë që paraziton, kohë të gjatë që nuk ka shijuar punën me djersë, punën e vështirë, punën në garë me të tjerët si të barabartë. Kjo i ka atrofizuar një pjesë prej tyre, i ka bërë të paaftë për të bërë punë tjetër, veç të qëndrojnë para dyerve të selive të partive, pas liderëve të radhës, “në pritje të Godosë”, të fitores, e cila pastaj duhet të shpërblehet materialisht bollshëm.

Shoqëria jonë nuk mund të jetë e kënaqur që nga përhapja e sëmundjes së “budallallëkut material”, të deformohet esenca humane, të dalë jashtë “kontrollit” “kuintesenca sociale”, e domosdoshme për të ruajtur kohezionin tonë, të së tërës si shoqëri.