E marte, 23.04.2024, 06:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Shkëlqimi i yjeve të lirisë

E shtune, 20.02.2010, 09:05 PM


SHKËLQIMI I YJEVE TË LIRISË

Halim Hasani ”Yjet e Lirisë ”( Biografi e dëshmorëve të UÇPMB-së )
Botoi ”Eugjenika”, Prishtinë, 2010,fq.76.

Nga Nexhat Rexha
Autori i disa librave Halim Hasani, vjen para lexuesit shqiptar me veprën më të re “Yjet e lirisë, e cila  në brendinë e saj aktualizon shtegtimet dhe të bëmat e 28 luftëtarëve të lirisë.
Për të ndriçuar rrugën jetësore të kësaj plejade të dëshmorëve, të cilët ranë heroikisht në fushën e nderit e të kombit. Ata me vullnetin  e dashurinë e tyre u bënë pjesë e pandashme e historisë kombëtare. Kështu vepra dhe gjaku i tyre u bënë pjesë kapitale e atdhetarizmës për sot e për nesër.
Ata u bënë pjesë e pandashme  e kesaj qëndrese historike.
Ata u bënë pjesë e pavdekshme e atdheut tonë të coptuar.
Ata hynë ne memorien e historisë sonë, që në fillim të këtij shekulli.
Pra, ata që në fillim të këtij shekulli hynë në rreshtin e parë të altarit të lirisë.
Halim Hasani në librin”Yjet e lirisë” ka shkrirë emrat e 28 dëshmorëve të lirisë, të cilët sakrifikuan, unifikuan jetën e tyre, duke i lënë anash shumë ëndrra të papërfunduara.
Mirëpo, ata realizuan ëndrrën më madhore për këtë tokë, për këta njerëz të kësaj kohe dhe për të ardhmen e brezave që vijnë. Duke hyrë nëpër faqet e kësaj vepre, lexuesi ka mundësi të arrijë deri tek infomacionet e shumta për këta atdhetarë, të cilët në asnjë  çast nuk u hamendën për të dhënë jetën e tyre, në këto momente sa të rëndësishme po aq delikate, kur po krijohej historia e re e Kosovës dhe në trevat autoktone shqiptare. Pra, atdhetarizmi i kësaj gjenerate të lindur nën hijen e territ Ballkanik, ndriçuan e shkëlqyen tokat shqiptare nën emblemën e UÇK-së e pastaj atë shkëlqim e madhështuan edhe me emblemën e UÇPMB-së, e cila reflektoi dhe gjithnjë tregoi para botës së civilizuar se  kjo pjesë të trungut tonë është prerë dhunshëm. Ata i thanë jo kësaj dhune, ata i thanë jo këtij gjymtimi të trungut tonë. Ata  me veprën e tyre jetojnë në ne. Ata patën guximin dhe me kohë i thanë të ardhmes  bashkim kombëtar.
Halim Hasani me veprën “Yjet e lirisë” ka arritur të plotësojë një pjesë të amanetit të këtyre dëshmorëve të kombit. Rëndësia dhe vlera e kësaj vepre është shumë e madhe, sepse “Biografia e dëshmorëve të UÇPMB-se”, është pasqyruar drejt dhe hapë shkëlqimin e tyre për brezat që vijnë. Njëherit, nëpër biografinë e secilit dëshmor, lexuesi mëson diçka të rëndësishme, diçka që vetëm ata  kanë ditur me zërin e tyre të artikulojnë për këtë kohë dhe kohët që do të vijnë. Duke i vështruar fotografitë dhe bigrafitë e dëshmorëve krijojmë përshtypjen se të gjithë këta ishin të rinj në moshë, por kur krahasojmë moshën, sakrificën dhe heroizmin e tyre ndrrojmë mendje se këta ishin  bijtë më të mirë dhe krenaria jonë, këta ishin më të pjekur në moshë e në ideale dhe dashuria e tyre  e mundi kohën përmes ndenjave të thella kombëtare, këta mbrojtën të kaluarën,të sotmen dhe i dhan kuptim të ardhmes..
Biografia  dhe karakteri i këtyre dëshmorëve është i rëndësishëm, sepse ata treguan; se  njeriu ynë ka  një atdhe, një gjuhë, ka një histori, sepse në librin “Yjet e lirisë”, këta 28 dëshmorë i përkasin tërërsisë gjeografike të atdheut tonë.
Halim Hasani, që në fillim të librit ka saktësuar fillimin  e kësaj drame të madhe, e cila  i ka protagonistët  e saj, të cilët me kohë kanë vënë në shërbim të atdheuat idealin e tyre për liri. Pra ,Ushtria Çlirimtare e Preshevës Medvegjës dhe Bujanocit, ka një fillim të saktë dhe një përmbyllje  jo të kënaqshme, por pa fajin e kryeprotagonistëve të saj. Sidoqoftë, vepra i shërben me shumë besnikëri historisë sonë dhe ajo plotëson analet e luftërave për liri dhe është begati për faqet dhe plotësimin e historisë më të re.
Koncepti i luftës për fitore nëpër biografitë e këtyre patriotëve del me cilësi të larta, sepse frika nuk ekziztonte në personalitetin e tyre, ata me dinjitet qëndruan në të gjitha  frontet e zhvillimit të kësaj lufte. Ideali i tyre ishte brumosur në mënyra të ndryshme, por që gjithsesi ka një pikëtakim, e ai pikëtakim ka për qëllim lirinë e kësaj treve shqiptare.
Halim Hasani në libër ka paraqitur përmes shënimeve biografike të dhëna me interes për luftën e UÇPMB-së si dhe  pjesë  tjera që ndriçojnë edhe pikëpamje mbi konceptin e luftës si dhe  afirmimin e saj për liri.Fillimi i luftës së UÇPMB-së në Dobrosin  dhe protagonisti që identifikohet me Shefket Hasanin, ka  për qëllim arsyen e mirëfilltë dhe kjo arsye përqafohet nga shtresat e gjëra popullore dhe si rezultat  i pranueshëm ajo shumë shpejt mobilizotet nën emrin Ushtria Çlirimtare  për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e cila ka  dhënë jehonën e vet dhe asaj i ka dhënë atributin real për të dëshmuar edhe mesazhin  e qartë të kësaj lufte për liri  brenda  familjes  autoktone.
Roli dhe misioni politik i komandatëve të kësaj ushtrie çlirimtare ishte në korelacion me strukturat e organizimit të nivelit kombëtar. Mirëpo, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të UÇPMB-së dhe Qeverisë së Beogradit, u nënshkrua edhe marrëveshja politike e Konçulit, më 21 maj 2001. Mirëpo, si gjithmonë politika serbe edhe këtë herë nuk e zbatoi këtë marrëveshje politike, sepse vetëm tri ditë më vonë në mënyrë tinëzare e vranë pabesisht Ridvan Qazimin-Komandant Lleshin, njërin ndër protagonistët  më të rëndësishëm  të nënshkrimit të  këtij dokumenti.
Politika famëkeqe e Beogradit vazhdoi dhe vazhdon të inskenojë skenare të pandërprera kundër figurarave të rëndësishme shqiptare, kështu KFOR-i rus keqtrajtoi fizikisht Januz Musliun, udhëheqësin politik të UÇPMB-së .Pas përfundimit të luftës së UÇPM-së,  në Gjilan u vra në rrethana enigmatike Muhamet Xhemaili-Komandant Rebeli. Pastaj u  arrestuan dhe u burgosën edhe shumë luftëtarë të UÇPMB-se si dhe përmes presionit politik dhe proceseve të montuara, arrestoi dhe dënoi edhe Komandantin Shefket Musliun. Pra, Gjykata e Vranjes  montoi procese të shumta dhe përsëri monton procese  si në kohën e monizmit dhe të asaj Millosheviqiane, ajo mbushi burgjet e Vranjës dhe të Nishit me shqiptarë.
Duke përkujtuar këta dëshmorë të kombit, njeriu ynë sikur përkujton historinë e gjarpërimin e rrugëve të saj, e këto rrugë ruajnë në kujtesën tonë të përbashkët, ndarjen e lumenjve, ndarjen e rrugëve kombëtare e ndërkombëtare që kalojnë nëpër tokën tonë dhe ndjenja rilind këtë troll me një muze, që ngritën këta djelmosha nëpër grykat e maleve e të armëve për të krijuar histori, e për të mbetur heronj, e për të hyrë në legjendat tona. E këta dëshmuan me shembullin e tyre, se ditën të mbajtnë mbi supet e tyre hijen dhe peshën e maleve  tona. Krisma e tyre nuk e ndali jehonën e shpateve dhe frëngjive në kalanë e ngritur për t`i qëndruar besnikërisht atdheut tonë
Të nderuar të pranishëm, autori Halim Hasani me këtë vepër ka saktësuar gjurmët e kësaj lufte, sa te pa drejt po aq edhe të pa barabatë dhe ngjarjeve të kësaj dekade i ka dhënë emër dhe kuptim, për të dhënë konstatimin burimor e shkencor për këtë brezë luftëtarësh të lirisë.
Pra,vepra në tërësinë e saj ruan objektivitetin shkencor dhe pasqyron  pamjet e një drame  të rëndësishme, e cila në vete reflekton imazhe nga kjo periudhë kohore  si dhe ruan në kujtesë këta personalitete kombëtare. E që gjithsesi  vepra e tyre shërben  si shembulli më i mirë për ruajtjen  e territorit dhe të identitetit kombëtar.




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora