E marte, 27.10.2020, 05:09 PM (GMT)

Editorial

Kastriot Frasheri: 24 orë nga jeta në Crazy Republic of Albania

E premte, 19.10.2007, 06:44 PM


Nga Kastriot Frasheri*

Kastriot Frasheri
E martë, ora shënon plot 7:15. Një mëngjes i veshur me grinë e një përditshmërie të sëmurë, troket pas xhamave dhe unë sapo jam zgjuar nga pseudogjumi i një nate të ankthshme, deri në kufijtë e marrëzisë dhe të absurdit. Diku, afër pallatit ku banoj, mjete të rënda, pa iu dridhur qerpiku, nën indiferencën e plotë të të gjitha llojeve të policisë, kanë gërmuar zhurmshëm, deri në agim, themelet e një pallati që ka nisur të ndërtohet. Psikolgjia e betonit dhe arti i pasurimit të shpejtë nga ky biznes sundon me “magji” mbi çdo ndjenjë a pasion njerëzor, mbi çdo plan rregullues a projekt normal urbanistik me moton e fitimit, pa folur për të krijuar hapësirat e nevojshme urbane në kryeqytetin tone. Më tutje, dikush marton vajzën dhe dasmorëve iu duket argëtim zhurmënaja shurdhuese që shpërndajnë tutje-tëhu. Tingujt e muzikës dhe britmat e këngëtarëve shkojnë në kupë të qiellit. Asgjë nuk kuptoj nga kjo ngjarje. Dasmorët, në vend që të këndojnë për dhëndrin apo lumturinë e vajzës, i këndojnë jaranit?! Ahengun, i zoti i shtëpisë, pa iu dridhur qerpiku, e vazhdoi pothuajse gjatë gjithë natës. E, në atë pauzë të shkurtër, bash kur menduam se shpëtuam nga kjo lemeri, nuk vonoi të shfaqej makina e pastrimit të plehrave që na “shërben” Bashkia. Ora është plot tre e gjysëm…! Në vend të kulmit të qetësisë, që i ofron nata e lume, qoftë dhe një qyteti si Tirana, prodhohet “institucioni” i zhurmës, duke shpuar dhunshëm timpanin e veshit të shumicës së kryeqytetasve, që nuk kanë kohë të mbledhin kockat nga dërmimi i ditës…

Nga ta filloj më pare…?! Më parë, duhet të vrapoj të shoh nëse ka ujë në rubinetat e tij, që të mos ngelem pa u larë! E kjo ndodh pothuajse në qendër të Tiranës, në një pallat të sapo ndërtuar në rrugën “4 Dëshmorët”, e që ndërtuesi i tij, një goxha tip kishte premtuar me të madhe kur niste fillimin e punimeve se siguronte nëpërmjet depozitave të vendosura lartë e poshtë njëzet e katër orë ujë. Por ky njeri me artin e prefeksionuar të mashtrimit dhe abuzimit për fatkeqësinë tonë kolektive ka marrë ndoshta si shpërblim një tjetër lejë ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, për të ndërtuar në krah, një tjetër palo pallat si ky që banojmë, që është larg të gjitha normave dhe standardeve të urbanistikës, e që nëse do funksiononte shteti, vetëm me sigurinë dhe ruajtjen e parametrave të mbrojtjes akustike, atij kurrë nuk do t’i bëhej koaludimi dhe ky pallat menjëherë do të shembej?! E si për ironi të fatit, ndoshta prej procesit të legalizimeve, tani pas dy vjetësh, banorëve po u shpërndan vërtetimin (arkivolin) e pronësisë. Republika jonë e një mijë e një marifeteve, punon me rendiment të lartë për t’ua vështirësuar sa më shumë jetën qytetarëve, falë shtetarëve (matrapazëve) me kollare, që gëlojnë në çdo cep të këtij shteti e të kësaj shoqërie.

Ora po i afrohet 8:00. Më duhet të nisem për në punë. Rruga nga më duhet të kalojë, megjithëse e shkurtër, më duket një ferr i vërtetë. Në mes këtij zhegu përvëlues, më duhet të kalojë mes tymit dhe pluhurave që e kanë pushtuar sa natën, aq edhe gjatë ditës nga makinat e rënda të shoqërive të ndërtimit që largojnë dheun dhe dalin në rrugë pa lavazhin e gomave dhe izolimin e karrocerisë, duke mos respektuar rregullat më elementare për mbrojtjen e mjedisit, nën vështrimin dhe indiferencën e policisë. Intenerari që përshkoi çdo ditë me këmbë është një rrugë e re, por që siç do rruge tjetër në Shqipëri, i mungojnë koshat e vegjël të plehrave dhe çdo aksesor tjetër i domosdoshëm. Ajo nuk ka më shumë se një vit që është inaguruar, por tregon se po shkon me shpejtësi drejt shkatërimit për shkak të mungesës së vëmëndjes dhe kontrollit të autoriteteve që kanë detyrim ligjor të kontrollojnë territorin, mbikqyrin aktivitetin dhe veprimtarinë e individëve apo subjekteve ndërtuese, si dhe qetësinë publike.

Ndërkohë, pas këtij mundimi kam mbërritur në zyrë, ku sapo marr veten pas atyre teshtimave të forta dhe të njëpasnjëshme të shkaktuara nga pluhuri e të bëra dhuratë padrejtësisht nga veprimtaria e gjatë e një ministëri rakitik Mjedisi, heshtja e pakuptueshme e Ministrisë së Shëndetësisë, ironia e kryetarit të Bashkisë që besimin e tiranasve e ka zvëndësuar me mandatin e liderit të partisë ku vegjeton, dhe nga indiferenca të gjitha llojeve të policive që paguhen prej taksapaguesve për sigurinë e jetës dhe mirëqenies së tyre.

Fillimisht më duhet të njihem shkurtimisht me përmbajtjen e shtypit të ditës. Në fakt një pjesë të mirë të këtyre titujve i kam dëgjuar rëmujshëm në mëngjez nga ekranet e disa televizioneve, kështu që e kam më të lehtë të orientohem në këtë treg të stërmadh mediatik që ka pushtuar vendin. Edhe pse është mëngjez herët, ku sapo kam filluar shfletimin e tyre më duhet ta ndërpres atë për shkak të dhimbjes së kokës të iniciuar nga stresi që të dhurojnë këto gazeta, sepse nuk ka si të mos sëmuresh kur sheh përditë në këtë gazetë shqiptare në faqe të parë e në vëndin më të dukshëm aty ku normal në çdo shoqëri europiane do të gjeje mesazhe të tjera, këtu përditë gjen tituj sa provokativ aq edhe absurd që mund të mendosh: “Dashuria 13 vjeçare eValbona Hoxhës me avokatin e njohur” (mbesa e ish-diktatorit komunist), “Ingridi ndahet nga i fejuari”, “Femrat që do të kalojë pushimet Sinani” etj.  Eh, si nuk mund të mos të dhëmbë koka kur dëgjon tituj me marrëzira të tilla?! Çfarë janë këta pyet dikush që duhet doemos t’i paraqiten publikut? A kanë dhimbje këta gazetarë? Ku vendi është në prag katastrofe jetësore! Pse ky qënkërka problemi i shqiptarëve sot? Femrat( të dashurat) e Sinanëve, prapanicat e Çilit apo të dashurit e I, X, Y, Z & korrit të pseudoautoreve/këngëtare që  këndojnë këngë idiote, përballë etjes, errësirës, varfërisë, korrupsionit, mungesës së perspektivës, shtetit ligjor dhe zjareve pafund që prej kohësh kanë pushtuar Shqipërinë…

Nga kjo përhumbje dhe nga kjo përlotje, më duhet të shkundem. Në axhendën time të punës kam planifikuar të adresoj disa probleme tek disa institucione përgjegjëse. Po me kë të komunikosh vallë? Ata, të gjithë nuk kanë gojë! Heshtja! Kjo është zgjidhja më e mirë e kësaj administrate. Paaftësia? Të gjithë heshtin nuk të kthen njeri përgjigje, edhe pse Kodi i Procedurave Administrative i detyron për një të tillë, madje kryeministri Berisha në fillim të mandatit të tij, urdhëroj me bujë ministrat të hapin telefonët?! Institucionet e pavarura, promotorët e një shoqërie që konkurojnë me ide dhe alternativa programet e qeverisë, siç është dhe instituti ynë, janë në mëshirë të fatit për shkak të mungesës së theksuar të fondeve dhe indiferencës së të gjitha qeverive. Është e dhimbshme teksa konstaton se nga administrate publike apo pseudo“donatorët” e huaj nuk të krijohet asnjë mundësi për të punuar. Më thoni si do të ndiheshit nga indiferenca që tregohet në një vend që gjeneron çdo ditë ditë e më shumë probleme, të cilat i përkasin epokës së mesjetës.

Shkaku kryesor i zhvillimeve politike të paqëndrueshme në vend konsiston në konfliktualitetin e thellë midis dy forcave kryesore politike, në mungesën e tolerancës, kulturës politike dhe luftës për pushtet ndërmjet tyre. Është e padurueshme, madje e neveritshme të permëndësh zhargonet apo demagogjitë që dëgjon çdo ditë nga goja e këtyre pseudopolitikanëve apo zëdhënësit e tyre mbi problemet e ditës. Në të dy anët e llogoreve gjëmojnë trumpetat e luftës, rrëmbimit të institucioneve, kurse në prapavijat e fshehta kryhen biznese të përbashkëta, në kurriz të “shtresave të paprivilegjuara” për të cilët politikanëve tanë iu digjet xhani! Kjo pseudoshoqëri demokratike e imponuar dhe komanduar nga këta edepsëzë politikë, njësoj si socializmi dogmatik krijues, prodhon luks deri në perversitet për këtë elitë boshe dhe mjerim social për elitën e vërtetë intelektuale që ka marrë rrugët e botës në kërkim të një eldorade tjetër...
Tani më duhet të kthehem në shtëpinë, ku prej rreth 4 muajsh në vend të një dushi normal më pret një bidon uji i ftohtë, të cilin do ta ble poshtë pallatit tek Mini-Marketi i Tanit. Prej vitesh jam mësuar që drekën ta shijoj nën shoqërinë e edicionit informativ të një prej televizioneve të shumta që ekzistojnë në kryeqytet. Edhe dita e sotme për nga “storet” që dëgjojmë nuk ka ndonjë ndryshim nga dita e djeshme, kjo dallohet lehtësisht nga toni i spikereve. Dita e sotme karakterizohet për dy probleme: së pari lufta dhe beteja e ashpër e mazhorancës për “drejtësinë”, duhet medoemos sipas tyre të shkarkohet kryeprokurori dhe problemi tjetër që spikat është ai që Spiunët bërtasin me të madhe të hapen dosjet e spiunëve(tyre)?! Një kanal i njohur TV-je, e paraqet situatën në ekstazë, a thua se po i drejtohet një komuniteti të çmendurish, ndërsa stacioni tjetër rival ka vendosur që këtë herë të jetë përkrah qeverisë (në fakt duket se po pasuron ndjeshëm financën e tij) e paraqet gjendjen dhe realitetin shqiptar tepër të lumtur, ku mesa kuptohet komuniteti i gazetarëve të tij, jetokërka jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë dhe vetëm emetimin e valëve e kryen prej këtu. Por çuditë apo papërgjegjshmëritë e medias në këtë vend nuk mbarojnë këtu. Lajmi që sapo dëgjuam mbi pretendimet e “oborrit mbretëror” për rishikimin e historisë, rehabilitimin politik të mbretit, veprimtarinë e “princit Leka”, … edhe pse jo i panjohur për mua, ky lajm më bëri të dridhem. Edhe pse për shkak të profesionit të juristit apo studiuesit e kam shfletuar dhjetra herë Kushtetutën, madje kam shkruar që në fazën e hershme të procesit të hartimit dhe përgatitjes, mëtej kam qenë anëtar i opozitës në komisionin zgjedhor ditën e miratimit me referendum të saj, më hoqi çdo dyshim për ekzistecën e saj, në momentin kur sapo anonçohet lajmi tjetër se Presidenti i Republikës, Bamir Topi ja behu papritur për vizitë në “familjen mbretërore” dhe i përmallur e përshëndeti mbretin me: “si jeni naltmadhni”?!!! Kreu i republikës reale i përulet bindshëm kreut të monarkisë të delegjitimuar prej mëse gjashtë dekada në ekzil, pra një vizion virtual që mund të ushqejnë vetëm mendjet e fantaksura nga fiksacionet e së kaluarës! Psikoanalisti Karl Gustav Jungu këtë dukuri mund ta quante jehonë premordiale që uzurpon shpirtërat neurotikë dhe inferiorë…!  

Afrimi i mbrëmjes, detyrimisht shoqërohet me largimin tim dhe të shumicës së qytetarëve për disa orë nga shtëpia. Është një ritual i detyruar, nga halli e jo nga qejfi. Pra, kjo “arratisje” ndodh për faktin se KESH-i, prej muajsh, vitesh ndërpret si dhe kur ti teket në intervale të ndryshme kohore furnizimin me energji elektrike. Ai dhe disa televizione që sponsorizohen prej tij, thonë se kjo mungesë ndodh nga thatësira e tejzgjatur, madje është prezente në gjithë rajonin, sajojnë paturpësisht alibi, një varg alibish këtu e në Honolulu, por e vërteta nuk punon për KESH-in. Në fakt, këto gënjeshtra nuk i besojnë as vetë ata që i deklarojnë. Falimentimin apo keqmenaxhimin e kësaj korporate e kupton edhe një adoleshent, se nuk mund të ketë humbje në rrjetin e transmetimit 40%, por ajo vidhet hapur nga punonjësit e saj, duke favorizuar biznese, individë dhe miq përkundrejt kundërshpërblimeve me para në dorë për fatura konsumi që nuk i përgjigjen realitetit, madje është skandaloze kur dëgjon komshiun apo dikë tjetër të thotë se një repart prodhimi duralumini apo restourant i mirënjohur ka të faturuar një shumë që i pëgjigjet konsumit të një familjeje nën mesatare…?! Ky realitet i vrazhdë nuk mund të zbutet as me rekuizitën kryeministrore të kabllove nënujorë që do të na sigurojnë mrekullinë energjitike, ndoshta “kur të çlirohet Shqipëria”, siç thuhej dikur në filmat me partizanë, e që vazhdojnë të mbushin oraret e ekraneve të zbrazura të televizioneve të shumta në Shqipëri! Por kjo klasë politike e këtij vendi të stërvuajtur vazhdon tani e 17-të vjet kompleksin e “kapërcimit të ylberit”, një nga sfidat më fantastike të etnopsikikës kolektive shqiptare, sepse Kryeministri ynë gjëmon e bubullon çdo ditë si dikur, kur ishte në opozitë, ndërsa për çudinë e të gjithëve opozita sillet apo vepron ashtu si dikur kur ishte në pushtet…?!

Rrugës për të shkuar në një prej bareve, syri më zuri teksa kapardisej rëndë në një automjet superluksoz, pa i hyrë gjemb në këmbë, një ish zyrtar të qeverisjes së shkuar socialiste, të njohur për bëmat dhe aferat e tij mafioze, tani ai punon në një ministri tjetër, sepse partia e tij, edhe pse e vogël duket zhurmëmadhe, tashmë ka ndërruar tutorë. Ajo tani i përket mazhorancës blu! Tipa si ky, tani gëlojnë në çdo qoshe zyre, duke mbajtur në sirtarë dhjetëra tesera e flamuj partish! Kafeja ku do të shkoj është e njohur në qëndër të kryeqytetit. Aty jam i lumtur se do të shoh, takoj dhe shkëmbej mendime mbi problemet e ditës me miq dhe njerëz të mirënjohur për veprat e tyre në jetën publike. Një lumturi që do të zgjasë fare pak, sapo nga artopolantet e xhamive do të derdhen zhurmshëm tingujt e çjerrë të lutjes së radhës. Të gjithë të pranishmit apo kalimtarët shtërngojnë dhëmbët...! Një metodë e tillë e aplikuar nga drejtuesit e këtij komuniteti është tërësisht e papërshtashme, e papranushme, dhe stresuese, jo vetëm për komunitetet e tjera fetare, por dhe për shumicën që nuk i përket ndonjë besimi fetar, të cilat cënojnë rëndë jo vetëm normat dhe marrëdhëniet shoqërore të vendosura, por dhe laicitetin e shtetit të sanksionuar në Kushtetutë dhe në legjislacionin në fuqi. Vlen të permënd se për një rast të tillë një prift para dy muajsh në një krahinë të Hollandës, vetëm se u ra kambanave të kishës me intesitet më të lartë se zakonisht, u denoncua nga banorët dhe u dënua me 6000 Euro gjobë me akuzën për prishje të qetësisë publike. Këtu, në këtë Republikën tonë - Pazar pa orar, qetësinë ta prishë kush të dojë e kur të dojë, që nga qeveritari që ulërin në podiumet e radhës në emër të qetësisë, mirëqenies, integrimit europian, stabilitetit, e deri tek të çmendurit normalë që iu binen borive të makinave me ngulm, pijanecëve, prostitutave, lypsat, dallkaukëve, kopukëve që e shprehin si të duan talentin apo marrëzinë e tyre për të të shkatëruar nervat e të tjerëve, për të ta vështirësuar këtë jetë gri, që na ofron ky tranzicion dhe ky kryeqytet me këtë jetë kaq primitive!...   

Edhe pse ora po shkon vonë, dëshira për t’u kthyer në shtëpi mbetet e vogël, kjo për shkak se nuk të jep asnjë kënaqësi dëshira për të hapur televizorin, sepse përmes tij do të ndjekësh “Opinion”-et e Fevziut, “Shqip” i Rudinës, “Top Story”, “Portokalli”,“Logos” i Sonilës apo “Zona e Lirë” e Çanit, a Çim Pekës, e lloj e lloj emra të tjerë emisionesh të përditshme pa pikë etike deri në mërzi, që nuk përçojnë asnjë vlerë shoqërore, e të ndërtuara mbi bazën e klientelizmit, klaneve politike, papërgjegjësisë, dhe mungesës profesionale. Dhe kjo sagë vuajtjesh përsëritet çdo ditë, çdo muaj, çdo vit. Me një përpikmëri logoritmike, si akrepat e orës. Ajo tashmë është bërë pjesë e vuajtjeve tona të përdidshme të këtij tranzicioni pa fund... Aq e rëndomtë është e gjitha kjo, sa askush nuk kujtohet se po jetojmë një anormalitet. Deformimin e demokracisë dhe injorimin e parimeve të saj, mungesën e kulturës dhe shtetit ligjor, korrupsionin, dhunën, shkatërimin e moralit të shoqërisë dhe çdo aspekt tjetër shoqëror kjo elite qeverisëse po na e paraqet si “shkollë të demokracisë krijuese”, si probleme të shoqërisë së hapur në zhvillim etj. Më thoni ku ndodh dhe ku jetohet kështu? Vetëm në Crazy Republic! (Republikën e të Çmendurve).

*Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora