Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dorian Koçi: Patriotizmi i vakët shqiptar

| E premte, 19.10.2007, 07:34 PM |


Dorian Koçi
Nga Dorian Koçi

Kur diplomati finlandez Ahtisari shpalli planin e vet për Kosovën, qeveria shqiptare nxitoi ta njihte si të vetmen alternativë pa bërë kritikën më të vogël për të, edhe pse plani në vetvete përmbante një radhë paqartësish përsa i përket statusit të komunave "extra territories" apo Mitrovicës ku de jure shënonte faktin se ajo mbetej brenda Kosovës por de facto sanksiononte gjendjen e tanishme të saj,pra të administrimit nga serbët. Në qarqet e analistëve ndërkombëtarë që merren me çështjet ballkanike u krijua përshtypja se në qoftë se do kishte pasur një plan Ahtisari, ku nuk do të flitej për pavarësi të kushtëzuar, sërish qeveria shqiptare e Tiranës do ta quante si zgjidhjen më të mirë të mundshme. Madje pati nga ata që janë më afër qëndrimeve serbe që e kritikuan Ahtisarin se përse nuk ndërmori një "modus vivendi më të pranueshëm nga serbët, pasi kështu plani do të miratohej më lehtë nga të dyja palët".

Ajo që bie në sy në gjithë këtë histori nuk është qëndrimi i këtyre analistëve pasi fundi-fundit ata vetëm sa mund të shprehin ide dhe opinione, por intrigant mbetet këtu besimi që ata kishin se qeveria e Tiranës do të pranonte çfarëdo lloj zgjidhje "apriori" vetëm e vetëm se vinte nga perëndimi. Në fakt në krijimin e këtij besimi që zotëron në këto qarqe nuk është përgjegjëse vetëm qeveria e sotme, por të gjitha qeveritë e kaluara të cilat nuk kanë ndërtuar kurrë një strategji të vërtetë për çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Më tepër se profesionalisht qeveritë shqiptare e kanë trajtuar atë si një çështje folklorike,duke shprehur dëshirën me gjysmë zëri për pavarësinë e plotë të Kosovës, ku të trembur nga fantazma e paqenë e "Shqipërisë se Madhe", ku të kompleksuar nga paaftësia dhe shkëlqimi i rremë i mbretërive sllave të së kaluarës apo gjysmë të kërcënuar nga aleatët e serbëve në Perëndim, që shpesh herë qeveritarët tanë nxitojnë t'iu japin pa doganë titullin e partnerit strategjik drejt integrimit tonë në institucionet Euro-Atlantike.

Në opinionin e gjerë publik shqiptar të Republikës së Shqipërisë, ka kohë që nuk ekziston një mendim pozitiv për Kosovën, madje për turp të qeveritarëve të Tiranës, nëse do zhvillohej një referendum për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, do ishte shumë e dyshimtë nëse shqiptarët do votonin pozitivisht. Diplomatët shqiptarë nuk e kanë aspak luksin e diplomatëve fqinjë, që sa here nuk duan të ndërmarrin ndonjë hap, shprehen se "nuk i lejon opinioni publik i vendit të tyre". Kështu p.sh., serbët në tavolinat e bisedimeve shpesh herë deklarojnë se janë për zgjidhje demokratike por nuk i lejon opinioni brendshëm, duke përfituar në emër të tij, kohë dhe integrime në organizatat Euro-Atlantike sipas politikës së njohur të "shkopit dhe karotës". Opinioni ynë i vakët publik shpeshherë shpërfillet duke marrë si të mirëqenë "patriotizmin" e trashëguar të shqiptarëve që në fakt ka kohë që është lëkundur. Një nga përgjegjësitë më të mëdha të Komunizmit ndaj kombit shqiptar është pikërisht bjerrja e këtij patriotizmi rilindës dhe zëvendësimi i tij me patriotizmin socialist internacional, i cili u shkërmoq shumë shpejt në ndërgjegjet e njerëzve që kacavirreshin për të hipur në vaporët që shkonin drejt Italisë apo që drobiteshin për të kapërcyer malet e Greqisë.

Në vitet 90' që pasuan e deri tashmë, në vitet e teorive të "Fundit Historisë" të Fujimur-ës apo "Përplasjes së Qytetërimeve" të Huntigton-it nuk ka pasur ndonjë përpjekje fisnike e serioze të elitës, për t'iu treguar shqiptarëve se ç' vlera duhet të mbartin vetë dhe ç'duhet t'iu përcjellin fëmijëve të tyre,arsyet e të qenit shqiptar dhe kush është roli i tyre në Ballkan. Nuk është fjala këtu për të krijuar ideologjira nacionaliste madje as platforma të tilla, pasi gjithmonë ato shndërrohen në instrumente të rrezikshme që më vonë rëndojnë ndërgjegjet e kombeve, por të paktën për përgjigje thelbësore që do të shërbejnë si piketa drejt forcimit të identitetit shqiptar të kërcënuar në këtë fillim shekulli. Shqiptarëve të sotëm u është reduktuar interesimi që duhet të tregojë Shqipëria ndaj Kosovës në formën e një parabole si një përfitim ekonomik, "treg më i madh, investime më shumë" duke i ngjarë dashje pa dashje personazhit të partizanit Sherif tek "Nëntori i një Kryeqyteti" të Kadaresë që nuk e kupton rëndësinë e marrjes së radiostacionit, dhe kur dikush i ngacmon duke i thënë se "po të kishte sipër godinës një lopë e mullar ti Sherif do hidheshe i pari në luftë" atëherë ai vihet në sedër dhe lufton më shumë. Nëpërmjet groteskut të Kadaresë, zbulohet një nga pjesët thelbësore të patriotizmit, atij të "atdheut të vogël" që i ka kënduar dhe poeti rebel Lame Kodra tek vjersha e tij "Unë e dua Shqipërinë". "Atdheu i vogël" është prona nga fillon konceptimi për një atdhe më të madh me bashkësi njerëzish që flasin një gjuhë,kanë një kulturë të përbashkët dhe natyrisht të mirat materiale i shkëmbejnë me njeri-tjetrin duke krijuar atë që quhet treg kombëtar. Fatkeqësisht, socializmi real e shkatërroi këtë atdhe, duke u dhënë njerëzve një atdhe që pretendohej se ishte i "të gjithëve" por në fakt s'ishte i asnjërit. Kjo gjendje si për paradoks vazhdon dhe në ditët tona me mishmashin që ekziston me pronën si rezultat i Ligjit 7501, që u votua me aq nxitim në vigjilje të demokracisë, i cili i ka lënë shqiptarët pa atdhe, duke kërkuar shpesh herë një atdhe të ri, ku dhe investojnë duke u ndjerë më të mbrojtur dhe përkrahur në vendin pritës se në vendin e vet.

Globalizmi i gjeti të papërgatitur shqiptarët, të cilët duke emigruar u munduan të adoptohen në vendet e kulturat e reja pa i kushtuar rëndësi identitetit të vet, por qoftë dhe ata që nuk emigruan duke dashur të shpëtojnë nga izolimi i tmerrshëm i viteve të diktaturës u "evropianizuan" shumë shpejt, pa i kushtuar rëndësi identitetit të tyre kombëtar. Rastet jo të pakta të një ndërgjegjeje kombëtare të vakët janë për t'u shqetësuar, duke ditur se spiralja e ndërgjegjes kombëtare, qysh nga themelimi i shtetit kombëtar, vjen duke u ngritur dhe asnjëherë duke zbritur. Kjo gjendje pasqyrohet dhe në patriotizmin e vakët të mërgatave shqiptare, të cilat krahasuar me ato të fillimit të shekullit XX ngjajnë si nata me ditën. Për këtë gjendje të trishtë mban një përgjegjësi themelore dhe shteti shqiptar, i cili është themeluar për t'i dhënë identitet bashkësisë etnike shqiptare dhe jo për ta shkombëtarizuar. Në asnjë nga buxhetet e qeverive shqiptare,s' është parashikuar as dhe një qindarkë për arsimimin apo aktivitetet kulturore të mërgatave shqiptare në botë. Kultura dhe arsimi kombëtar si dy nga elementët e tjerë thelbësorë të patriotizmit janë lënë kështu në dorë të fatit,një fati shumë të trishtë që prodhon një opinion kaq të vakët kombëtar në Shqipëri, i cili krahasuar me atë të vendeve fqinjë i përngjet një liliputi përballë gjigantëve. Theksimi i patriotizmit shpesh herë vështrohet si burim i nacionalizmit, i cili është i vështirë për t'u përkufizuar në shkencat politike dhe në erërat e integrimit vështrohet si "delja e zezë" që sjell veçse shkatërrim, por asnjë nga shtetet të cilat dhe e kanë lindur nuk e kanë zverdhur, por moderuar atë në një patriotizëm evropian. Edhe shqiptarët s'kanë pse bëjnë përjashtim në këtë drejtim, por patriotizmin e tyre rilindës, duhet t'ia përshtatin vlerave të patriotizmit evropian, vlera në të cilat shqiptarët si një nga popujt më të vjetër të kontinentit kanë kontribuar dhe kanë qenë pjesëmarrës aktivë. Në këtë mënyrë ata do integrohen vërtetë në rrymat e mendimit evropian dhe do të kontribuojnë në diversitetin e Evropës, një tipar, të cilin shumë studiues përfshirë dhe hartuesin e Kushtetutës Evropiane ish-presidentin francez, Valéry Marie René Giscard d'Estaing e konsiderojnë si një nga "vlerat universale të Evropës".