Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Pjesë nga Monografia Luftar Paja

| E merkure, 17.02.2010, 08:50 PM |


Jeta konviktore

Të jetuarit në konvikt ishte një mrekulli më vete. Ishim të lirë, të pavarur nga familja, pavarësisht se në atë kohë disiplina ishte ligji numër një. Unë isha mësuar që në fshat të ngrihesha pa gdhirë, sepse kur punoja më duhej të isha në orën 6 në punë. Në shkollë ngrihesha çdo ditë në orën 7, kryeja tualetin e mëngjesit, vishesha dhe nxitimthi shkoja në mensë. Çdo mëngjes në tavolinat e gjata servirej një çanak me çaj të nxehtë, një copë bukë e madhe, e zezë, një copë djathë dhe marmelatë molle ose fiku. Më pas të gjithë vëllazërisht nxitonim drejt shkollës teknike, duke i vënë ndonjë stërkëmbësh humbamenove të shkollës ose duke komentuar atë çka na servirte e papritura. Mësuesit e shkollës teknike ishin të rreptë dhe fytyrëngrysur. Ishte metoda autoritare ajo që sundonte në të gjitha shkollat shqiptare të kohës. Vendi ishte në kulmin e miqësisë me rusët dhe metodat
 moskovite ishin eksportuar edhe në sistemin shkollor shqiptar. Kërkohej me çdo kusht disiplinë, rregull, bindje dhe nënshtrim. Mësuesi im i preferuar ishte ai i fizkulturës. Quhej Pipi Vallja. Ishte një sportist shumë i mirë dhe kishte edhe aftësi të tjera përveç komunikimit vëllazëror. Më mësoi xhezin në ato mbrëmjet e veçanta të pallatit të kulturës “18 Tetori”, një vend të cilin unë kisha nisur ta frekuentoja me shumë dëshirë. Aty ishte një kor të përbërë prej 150 vetash, që kishin mbaruar jashtë shtetit. Ishin inxhinierë të diplomuar në vende të ndryshme të demokracisë popullore në vendet e lindjes, kryesisht: Bashkim Sovjetik, Çeki, Rumani sepse Kuçova ishte qendra më e rëndësishme e naftës dhe aktiviteti artistik ishte shumë i zhvilluar. Profesori i fizkulturës drejtonte grupet artistike të shkollës dhe ishte një dirigjent dhe xhezbandist i shkëlqyer. Unë luajta rolin tim midis të
 tjerëve dhe, dua të them se jam shumë modest kur them që spikata, por jo sa të bija në sy në Kuçovë. Isha një nxënës që merrja pjesë me dëshirë në të gjitha aktivitetet e zhvilluara nga shkolla, por aktivitetet ishin të nivelit diletant. Menjëherë pas mbarimit të shkollës u emërova në Patos si teknik elektrik në ndërmarrjen e telefonave që kishte nafta. Më kujtohet se me rrogën e parë që mora bleva ca rrush e ca kumbulla, do me thënë i bëra lekët rrush e kumbulla dhe për në shtëpi s’më mbeti kokërr leku. Për t’u justifikuar sajova dhurata për fejesa, martesa, ditëlindje deri dhe 500 lekë për luftën në Vietnam. Përveç se rriteshe dhe ishe më i pavarur edhe ekonomikisht, kënaqësia më e madhe ishte fakti se në atë vend pune ritakova Ndrekë Beltojën, kripën e gjellës së Patosit. Profesionistit të cilit i rridhte humori vetvetiu dhe gjithnjë kishte punëtorë që i lypnin të bënte ndonjë
 numër dhe ai nuk përtonte kurrë. Na shkrinte së qeshuri. Por nuk harroj edhe këshillat të cilat nuk m’i kursente asnjëherë dhe që kishin gjithnjë lidhje me talentin që ai mendonte se unë zotëroja. Në vitet për të cilët flasim, Estrada e Peshkopisë fitoi shumë emër dhe midis të tjerëve në trupën e saj kishte një talent i cili quhej Azis Ndreu, një krijues shumë i mirë i rapsodive. Debutimin tim serioz në atë, që unë do e bëja profesionin tim të jetës, e realizova me rapsoditë e Azis Ndreut. Për moshën që kisha, pata shumë sukses. Isha thjesht imitues i tij, sepse me atë artist nuk më lidhte asgjë. Pata sukses dhe spektatori më priti shumë mirë. Me disa partnerë të talentuar si Adem Ruka dhe Sokrat Robo ndërtuam një spektakël dhe shëtitëm gjithë Jugun e Shqipërisë. Ishte hera e parë që ngjitesha në një skenë të rriturish. Iu hap nami kësaj shfaqjeje sa drejtori i industrisë së naftës, që
 ishte nga Dibra, kur pikasi një dibran mbi skenë më thërriti në zyrë. Unë isha natyrë e krisur dhe nuk e kisha problem të bëja shaka me drejtuesit dhe të futesha në rol. Mendoj se ky ishte origjinaliteti im.
- A dibran je?
- Po.
- Nga ç’vend i Dibrës je?
- Jam nga Zalldardha. 
Ai arriti deri aty sa nuk e kuptoi fare që unë isha një imitues i dibrançes sepse origjina ime ishte mallakastriote. Dhe më foli për Azis Ndreun. Më pyeti nëse kisha ndonjë lidhje me të dhe unë e gënjeva se e kisha dajë. Klubi i kulturës “Mustafa Matohiti”, që më vonë u bë pallat i kulturës, kishte një aktivitet shumë të dendur artistik në atë kohë sepse qyteti i naftës ishte më i rëndësishëm se Fieri. Specialistët ishin rusë dhe mbizotëronin brigadat e famshme ruso-shqiptare. Aty pashë për herë të parë ansamblin rus “Beriozka”. Por ndërsa kisha nisur hapat e parë në karrierën time artistike nisën dhe pengesat.Në vitin 1962 më nisën kontradiktat me kryeinxhinierin e ndërmarrjes ku punoja, në elektrik-telefona të naftës. Ai më thirri një ditë në zyrë e më tha: “Ti djalë i mbarë ose mbaj profesionin e elektricistit e përkushtoju atij ose mbaj pallatin e kulturës!” Vendosa prej hallit
 të punoja turni i tretë, që të isha i lirë gjatë ditës sidomos pas dite në pallat, por edhe kjo nuk ishte zgjidhje. Ia shtrova problemin drejtorit të pallatit në atë kohë, Ylvi Ganiut (Agalliut) për të cilin ruaj respektin më të madh. Ai me këshillat dhe sugjerimet e tij më ndihmoi si një prind i mirë. Pas shumë rrahje mendimesh dhe debatesh u gjet një zgjidhje: si artist amator i dalluar m’u dha mundësia të shkoja në studion 1 vjeçare që u hap në Tiranë, pranë Teatrit Popullor, ku kam pasur profesorë Andrea Malon, mjeshtër i skenës, Selman Vaqarrin dhe për të folurën skenike Pjetër Gjokën. Në kurs njoha nga afër ikonat e artit skenik, të mëdhenjtë si: Naim Frashëri, Kadri Roshi, Mihal Popi, Sulejman Pitarka, Kujtim Spahivogli, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Prokop Mima, Margarita Xhepa etj. Nga gjithë frekuentuesit, u dallova pak më shumë se 27 të tjerët dhe vetëm unë e vazhdova fushën e artit
 ndërsa një pjesë e tyre u larguan ose debutuan në klube amatore. Kursi 1 vjeçar më ndihmoi në pikësynimet e mia. Tashmë ëndrra ime ishte të bëhesha një artist profesionist. Një mënyrë për të ushtruar talentin në nivelet më të larta.