Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Maliqi: Intervistë me poetin Arsim Halili

| E merkure, 17.02.2010, 10:55 PM |


INTERVISTË ME POETIN ARSIM HALILI

POEZIA ËSHTË PJESË E SHPIRTIT TIM

Nga BILALL MALIQI

Arsim Halili krijues i cili vjen nga fshati i qëndresës heroike Dobrosini, i cili vitin që e lam pas theu heshtjen e tij dhe botoi librin e parë poetik me titull “Heshtje e shprishur” dhe kështu për t’ia hapur vetes një biografi krijuese e për ta dekoruar me epitetin krijues i parë i këtij fshati.Ne përmes kësaj interviste ia shpalosëm lexuesve disa mendime të Arsimit rreth kulturës dhe gazetarisë enkas për revisten tonë...

Ju keni filluar herët t’i paraqitni belbëzimet e para në letër, na thuani ku dhe prej kujt u inspiruat të shkruani vargje poetike?

-Po bëhen rreth dy dekada, që kam filluar të shijoj botën e artit poetik. Ndonëse para se të shkruaj poezi, që  shpeshherë thuhet nga disa poetë të tjerë se kanë filluar që në bankat e shkollës fillore, unë asnjëherë nuk kam shkruar, sa kam qenë në shkollë fillore, por thjesht kam qenë i pasionuar pas recitimit të poezisë së bukur. Megjithëse ndjeja se nga brendësia e shpirtit më ngacmonte diç, këtë fat e përjetova, kur më është botuar poezia e parë e titulluar “Rreze lirie”,atëbotë në revistën “Jehona” kënaqësinë për atë publikim edhe sot e kësaj dite e ruaj me nostalgji më të madhe. Përveç kësaj kur isha maturantë në kuadër të shkollës  së mesme ekonomike “ Marin Barleti” në Gjilan, zura vendin e parë në poezi.  Gjëra të tilla ishin inkurajim për mua.  Kujtoj se i tërë inspirimi im ka dy rrugë që të shpije  për të krijuar vargun:
E para lexoja shumë dhe kjo ishte një shtyllë e fortë
E dyta odisejada e popullit tonë  të robëruar, për ne ishte solidarizim  nëse nuk bënim gjë më tepër së paku e shprehnim pakënaqësinë tonë përmes fuqisë së fjalës.

Bota poetike si duket të gllabëroi të tërin, ju motivoi shumë çka, por në vjershat tuaja lexuesi hasë më tepër motiv patriotik, pse bash këtë motiv e keni rrahur më tepër njëherë nëpër revista e mandej edhe në libër?

-Kjo gjë është më se vërtet, unë sot jetoj me poezinë dhe nuk mundem dot pa të. Poezia është pjesë e shpirtit tim, mundohem  jo vetëm ta shkruaj atë, por edhe të jem një urë lidhëse mes komunikimit me lexuesit e mi. Pyetjes tuaj do t’i përgjigjesha së pari duke e cituar një thënie të poetit danez. Nis Petersen “ Mëso   kur të mungon fantazia , sundon vrazhdësia, egoizmi dhe vdekja, mëso se pa poezinë njeriu nuk do të ishte i aftë për ndjenja të thella si dashuri, bamirësi, patriotizëm ose për një botë të përkryer”
 A nuk ishte e gjithë  ajo urrejtje, ajo vrazhdësi, që po bëhej në emër të shfarosjes së një populli të pafajshëm  dhe si tillë  kjo plagë ishte e dhembshme dhe kjo dhembje  nuk do të durohej përjetësisht. Në  këtë segment  ata që bënë emër në histori ishin bijtë e popullit.  Si krijues i ri  çdo rënie  tyre e forconte rrënjën e autoktonisë sonë shekullore. Prandaj në mos më tepër e kam shprehur ata ndjenjë të krenarisë përmes vargut tim.

U shprish heshtja

Ju shprishët heshtjen tuaj pikërisht  vitin që e lamë pas duke i tubuar disa poezi që i keni pasur në dorëshkrim dhe mandej keni botuar përmbledhjen poetike me një titull metaforik “Heshtje e shprishur”, na tregoni pak më tepër për emocionet tuaja kur për herë të parë u prezantuat para lexuesve si krijues?

-Mora guximin për aq vite sa  poezitë që i kam shkruar ndër vite  dhe i ruaja nëpër sirtarë qoftë të publikuar nëpër revista apo edhe vetëm në dorëshkrim.  Të dilja para lexuesve nuk është edhe gjë e lehtë, sepse ata kërkojnë art  me vlerë, por gjithë një duke më inkurajuar miqtë e mi më të mirë të fjalës, si duket e theva këtë tabu.  I vetëdijshëm se libri ka edhe efektet dhe defektet e saj, konsideroj  fillimi i një rrugëtimi krijues për mua ka emocione të cilat janë respektive, pse e them këtë  në radhë të parë gëzimi im i ishte i pa përshkruar, ngase  e dija sa e sa lexues do të lexojnë dhe komentojnë mendimin tim poetik dhe çështja tjetër është  se si do të pritet libri në opinion. Heshtjen e shprisha duke ardhur  në jetë me këtë libër që është një pikë fillim në drejtëzën time krijuese.

Si është pritur libri juaj i parë nga lexuesit dhe nga kritika letrare?

 - Libri im “Heshtje e shprishur” mendoj se është pritur mirë, vet fakti se është shkruar nëpër revista dhe gazeta ditore duke cituar ”Perspektiva” Bujanoc, nga Bilall Maliqi “Epoka e re” Prishtinë më 28. nëntor. 2010nga Nexhat Rexha  dhe “Obilesku” nr. 38 të dt 24. tetor .2009, në Tiranë nga Bilall Maliqi, nga këndvështrime të kritikëve tanë, do të thotë se libri është në binarë  të arsyes. Kjo gjë më inkurajon, por edhe më bënë më përgjegjës për atë që trajtoj përmes vargut.  

Kultura 

Kultura. Na thoni sa përkrahet kultura te ne në Kosovën Lindore, e nëse jo atëherë ku i sheh pengesat e mospërfilljes dhe mospërkrahjes së kulturës?
   
-Duke qenë të vetëdijshëm se kultura kap një hapësirë veprimi dhe ndër komunikim, kam frikë se nuk do të jepja një përgjigje ekuivalente në krahasim me çështjen çka më shtrohet në pyetjen tuaj. Megjithatë do të përpiqem të ofroj një përgjigje.  Kultura duhet të avancohet nga njerëzit që e udhëheqin instucionet kulturore, gjithnjë në koordinim  me personalitet   që i përkasin këtij sektori të rëndësishëm, kjo gjë mungon.  Të udhëheqësh një institucion kulturor nuk mjafton vetëm të jesh dekor i politikës ditore, por ta ndjesh me shpirt atë.   Mos përkrahja e krijueseve të kulturës, jo vetëm do ta zbeh aktivitetet kulturore, por edhe shumë të tjerë do të tretën pa pas mundësi veprim dhe komunikimi me shoqërinë për mes botës së tyre artistike, këtë rast do të aludoja te të gjitha ata krijues që  nuk kanë as kushte e ekonomike dhe janë neutral ndaj politikës ditore.

Jeni gazetar i disa revistave dhe në disa websajde elektronike, na thuani sa çmohet puna  e gazetarit te ne dhe sa i përmbahen gazetarët etikës gazetareske?

-Kjo gjë lë për të dëshiruar edhe nga njëra palë  edhe te tjetra. Për ta çmuar punën e gazetarit ai duhet të jetë njohës i mirë burimeve të informimit, fatkeqësisht  ndonjëherë shkruhet sa për të thënë  diçka në fakt nuk thuhet gjë e nganjëherë thuhet shumëçka por që pas tyre, artikulli dhe autori  janë  viktima të grupeve të interesit.
Gazetari për të qenë në nivel të detyrës, duhet padyshim që ta ketë edhe stimulimin material, që në një farë forme nuk e kanë trajtimin  merituar në këtë aspekt.
Çështja tjetër është  se duhet një politikë redaktoriale  me kritere shumë më të ashpra dhe jo gjithçka të pranohet për botim, si e tillë ja humb prestigjin atij mediumi qoftë të shkruar, por edhe të shkruar. Kanalizimi i këtyre faktorëve do ta bënte më të qëndrueshme sistemin e informimit medial, përndryshe nuk guxojmë të presim gjëra spektakulare.

Keni në dorëshkrim një përmbledhje tjetër poetike, por me motiv dashurie dhe disa novela , na thuani kur do ta shohin dorëshkrimet tuaja dritën e botimit?

-Përmbledhjen e dytë  poetike, sapo e kam përfunduar dorëshkrimin. Këtë rast para lexuesve të mi do të vij  këtë vit me një motiv që është rrahur edhe nga poetet tjerë, motivi i dashurisë.  Tani më i kam  të shkruara tri  novela të cilat edhe kanë pa dritën e botimit, përmes revistave, ndërsa për këtë çështje, do isha  jo i sinqertë, nëse do të precizoja  kur  do ta botoj  një  libër të këtij  zhanri. Për këtë gjë mbetem me shpresë se do t’i vij radha  edhe kësaj vepre.

Planet tuaja në të ardhmen në dy fushat krijuese? 

-Gazetaria dhe krijimtaria letrare për mua janë sfida të cilat do ecë në rrugëtimin  jetësor. Si rezultat edhe njërës edhe tjetrës fushë sot kam krijuar miq gjithandej trojeve shqiptare, kam një komunikim në vazhdimësi.  Këtë viti jam i ftuar nga Lidhja e shkrimtarëve shqiptar  në Gjermani nga miku im Hasan Qyqalla, ku në muajin maj do të organizohet një orë letrare, atje përveç që do të paraqitem me krijimtarinë time do të paraqitem dhe me një referencë “ Krijimtaria  dhe mediat në Luginë”,  shpresoj ta realizoj këtë vizitë. Gjykoj se fundi viti do të më pasuroj edhe me librin e dytë poetik. 
Këtë intervistë do ta përmbyllja me një mendim të Klavenssit: 
“ Ai që dashuron  diçka, ka gjithashtu ashtu arsye pse të luftoj”, prandaj do të luftoj për  të bukurën , do të vë vetën në sprovë, për aq fuqi fizike dhe mendore që kam për t’i ofruar lexuesve të mi edhe objektivitet gazetaresk edhe vlerë brenda artit tim krijues.