E enjte, 09.02.2023, 05:42 AM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Zëri i Atdheut dhe shpirti i Dardanisë

E merkure, 17.02.2010, 09:57 PM


Zëri i Atdheut dhe shpirti i Dardanisë

Gjaku i Dardanisë është gjaku i gjuhës shqipe. Kushdo që ka fatin të lexojë vargje si ”Kur lindëm ne dardanët/ Me cipë flamuri mbështjellë”, do të konstatojë se kemi të bëjmë me një shpirt të frymëzuar, sipas të cilit ”Zëri i Kosovës vjen si një këngë që ngjitet në Mbretërinë e Qiellit.”

Nga Baki Ymeri 

E strukturuar në ciklet “Shpirti i Dardanisë” dhe “Më mungon Çamëria”, dhe e dinamizuar me një kapitull me mendime mbi autorin dhe krijimtarinë e tij, këto ditë, në prag të Ditës së Pavarësisë, e pa dritën e botimit në Bukuresht vepra më e re e poetit kosovar Remzi Basha, Zëri i Atdheut. Fatmir Terziu, Namik Selmani, Luigj Shkodrani, Rajmonda Mojsiu dhe Riza Lahi, defilojnë në kapitullin e dytë me vlerësimet e tyre estetike vlerat letrare të këtij krijuesi kosovar, i cili din të shkruajë me admirim, për heronjtë e Dardanisë, për Korçën, Beratin, Shkodrën etj. Në kuadrin e parathënies “Mall për Atdheun”, Drita Braho thekson se amaneti i poetit kosovar është Mbishkrim mbi mua: Gjak Dardanie. Sipas saj, “Poeti e ka mbajtur të pashuar mallin  e tij për Kosovën, edhepse jeton, krijon dhe vepron larg saj. Mëndja e tij poetike gjallon në çdo varg, duke zgjuar në zemrat tona ndjenjën e mallit për atdhenë. Tek po lexoja  poezitë e tij papritur ndjeva të zgjohem duke shkuar të Çamëria ime. Pasioni i tij për krijimtarinë e kanë nxitur poetin të mbajë ndezur zjarrin e dashurisë për vendlindjen dhe njerëzit e tij. Krijimtaria e tij është e mbrujtur me ndjeshmërinë shpirtërore të krojeve të dashurisë që gurgullojnë natyrshëm te çdonjëri prej nesh. 
        Poezia e Remziut është melodi e mallit ndaj dheut të atdheut të një shpirti energjik, mëndja e të cilit rri te Kosova. Kur lexon poezinë e këtij intelektuali shqiptar, ndjen se si vijnë pranë teje legjendat e moçme  të një kombi heronjsh që ka ditur të përballet me dinjitet gjatë historisë. Frymëzimi i tij lind  si lulet e natyrës. Është vetë jeta  njerëzore, lindja rritja, dasmat  meloditë e bukura të tupaneve, lotët e nënave, amanetet e të rënëve. Poeti zgjedh fjalët dhe krijon poezinë duke krijuar kështu një lidhje të brëndshme, shpirtërore me të. Remzi Basha krijon vlera që të bindin se autori din të depërtojë në zemrën e tokës shqiptare. I gëzuar në vendlindje dhe i trishtuar në mëgrim, shpirti i tij nuk gjen qetësinë  e duhur. Kush ia prish qetësinë poetit? Kujtimet e tij shkojnë në Sllapuzhanin e dashur të tij, atje ku poeti u lind e u rrit me këngët e dashurisë dhe magjinë e  natyrës. Çdo shpirt i frymëzuar e ka tepër vështirë ta gjejë qetësinë. Ai mediton me zogjtë, me lisat dhe me lulet e livadheve të Kosovës. Pse jo, ai bisedon në poezinë e tij edhe me ata që dhanë jetën për liri. 
        Prej vitesh poeti jeton e punon në Suedi. E admiron këtë vend mikpritës dhe tolerant për të gjithë, madje edhe për kosovarët. E adhuron këtë vend për bukurinë dhe kulturën e pasur që ka, por kujtesa e tij tretet larg në vendlindjen  e tij. Tematikat e poezive të tij janë të ndryshme, interesante dhe impresionuese. Si gjithmonë,  poeti di të ndërtojë  vargun  e tij duke shkuar tek plaga e pambyllur tek “Çamëria”. Vargi i tij herë zbut, e herër godet me forcë. Tringëllimat e vargut të tij t’i përkujtojnë këngët e trimërisë shqiptare duke vajtur gjurmëve të një ideali të lartë, për çlirim dhe çrobërim. Poezia e tij shpreh forcë magjike dhe besim se zjarri i atdhedashurisë për Çamërinë  shkon duke depërtuar në çdo shtëpi dhe në çdo zemër shqiptari: “Unë dhe ti Çamëri / Lot dhimbje sy mbi sy/ Ti prej vitesh në lëngim / Un’ i tretur në mërgim.”
         Vargu i Remzi Bashës fsheh në gjirin e tij bukurinë dhe thjeshtësinë. Një thjeshtësi që të josh dhe befason duke lëçitur  poezinë e tij me titull “Që të dy na lodhi fati”. Lidhja e vargut të poezisë shëmbëllen me lidhjen shpirëtore, sentimentale dhe familjare, ndërmjet nënës shqiptare dhe birit të saj: Krijimtaria e autorit të kësaj vepre është burim atdhedashurie, flakadan lirie dhe udhërrëfyese e mallit. Duke i deshifruar vargjet e tij, lexuesi ka fatin ta gjejë vetveten në gjirin e kësaj lënde poetike që e pasuron bibliografinë e autorit një vepër të re. Malli ndaj atdheut është ndjenjë, ndërsa aftësia për ta shndërruar ndjenjën në art është çdo gjë që ndëlidhet me artin dhe letërsinë, me atdheun dhe dashurinë, është njerëzore. (Drita Braho)

KOSOVA, ZOTI DHE POEZIA 

  Pas vëllimit “Zëri i Kosovës” (Bukuresht, 2009), Remzi Basha vjen para lexuesit me një përmbledhje të re sentimentesh letrare, artistike dhe atdhetare.  Malli ndaj atdheut është tema qëndrore e kësaj vepre ku defilon dashuria ndaj kombit dhe identiteti kombëtar. Remzi Basha shkruan për engjëj dhe heronj. Në lirikën e tij ndrit drita e Dardanisë dhe zëri i atdhedashurisë. Kosova, Zoti dhe poezia. Gjaku i Dardanisë, zëri i Zotit dhe kënga. Kënga e trimërisë, zëri i zemrës, dashuria ndaj femrës dhe kënga e vargjeve të mbrujtura me një mision të bukur poetik. Gjuha e vargut të tij është e mbrujtur me shkronja të arta ku shkrepin ide fisnike mbi trimërinë shqiptare dhe qëndresën e bijve të shqipes që hidhnin valle burrash dhe “përzjeheshin me plumba” duke u futur në betejë. Derisa Ibrahim Rugova është Truri i Dardanisë, Kryetrimi i Kosovës për Remzi Bashën është Adem Jashari që derdhi lumenj gjaku së bashku me familjen e tij të ngushtë dhe me familjen e tij të gjerë që quhet Trimëri, Dardani, Histori. 
        Frymëzimet e Remziut ta përkujtojnë kohën e trimërive të Gjergj Kastriotit dhe vargjet e Naimit, vitet që vijnë “së largu” të mpleksur me thinja, zjarrin e armëve të Trimit dhe “zërin e bilbilit”. Në kujtesën krijuese të poetit shkrepin rrezet e dritës të shkronjave shqipe që depërtojnë “herë nëpër libra/ herë nëpër torba/ duke i zgjatur shinat, tutje përmbi kodra”. Memorja e mërgimtarit i përkujton bjeshkët e Dardanisë “bashkë me komitët” që hedhin valle trimash, bijtë e lirisë, gjakun e ditëve tona, historinë e jetës dhe karvanet që vijnë “varg e varg/ njëra përkrah tjetrës”. Ja një varg që shkrep si vetëtimë! “Si mbishkrim mbi mua,  shkruani: Gjak Dardanie!” 
         Gjaku i Dardanisë është gjaku i gjuhës shqipe. “Unë jam një pike gjaku që flet”, theksonte poeti i famshëm Nikita Stënesku, gjatë jetës së tij të frymëzuar. Kushdo që ka fatin të lexojë vargje si ”O bij se ç’na mori malli/ Ai mall që s’shuhet kurrë/ I gdhendur me gërma zjarri/ Në mermer e në flamur”, do të konstatojë se kemi të bëjmë me një poet të frymëzuar, zëri i të cilit vjen si një këngë që ngjitet lart ”Nëpër kohra zë gjëmon/ Rrjedh në dej e rrjedh në gjak/ Ligjëron e ligjëron”. Gjaku juaj  janë ditët tona ”Kohë e brezave që vijnë/ Për ju malli rri ndezur/ Rritet bashkë me lirinë.” Ja pra se ku shihen vlerat reale të një lënde të pjekur letrare ku defilon Sheshi i Pavarësisë, Sheshi madh i Labërisë, ”Sheshi i Ismail Qemalit/ Vulë e  gjallë e historisë. ”Autori të shpie në historinë e lavdishme të vlerave shqiptare me vargje si: ”Festja, xhokja, fustanella,/ Djegur e shuar me plumba,/ U bënë mbi shesh bedena,/ Besë u bënë  nëpër furtuna”.  

Një gjerdan vargjesh që ndezin zjarr në çdo zemër 

      Krahas Riza Sheqirit, Ndue Ukajt, Sokol Demakut e disa emrave tjerë, Remzi Basha është njëri ndër poetët më të mirë të Dardanisë në trojet e Skandinavisë. Ai është njëri ndër ata që din të respektojë “statutin” e poezisë duke e dashur muzën e tij, që është Kosova me vlerat e saj, Çamëria dhe Shqipëria historike në totalitetin e saj, të cilën e konsideron si një “Tribunë e Pavarësisë”  me ”fishekë  gjerdani” që mbajnë “peshën e Lirisë” me “peshën e vatanit”. Dhe kjo peshë e këtij gjaku, sipas autorit: “Na lëviz në deje e rremba/ Lulëzon lule zambaku/ Dhe ndez zjarre në çdo zemër.” Remzi Basha din ta dëbojë trishtimin nga trojet e frymëzimit të tij. Ai din ta hymnizojë vendin të ndodhur deri dje “përballë stuhive”: Ngritur mal e det me dallgë/ Mbushur me  këngë  trimërie“, që ”Vjen si nuse në legjendë / Ballëlarë e  faqendritur/ Dhe në shekullin e ri/ Karakoll i bardhë ngritur”. Kosova e këtij shpirti të frymëzuar është një Shkëmb Graniti që ”Vështron tej në horizonte/ Që nga kohrat ilirjote.” 
         Në bazë të kësaj konstatojmë se poeti dhe prozatori kosovar  Remzi Basha vjen me mallin e Atdheut në gjirin e një vëllimi të ri poetik. Lirizmi i  i autorit e përshkruhet në çdo poezi. I njohur tashmë, jo vetëm bë Kosovë, por edhe në Shqipëri, si dhe në Suedi, Remzi Basha transmeton  tek lexuesi  dhe bashkatdhetarët  e tij, dashurinë ndaj Kosovës dhe mallin për Atdheun. Dëshira  e tij sublime ka qenë dhe ka mbetur Kosova  e lirë. Nga njëra krijimtari te tjetra,  autori i kësaj vepre dëshmon për një ngritje dhe formim të një poeti me vlera, ndaj s’na mbetet tjetër t’i themi, veçse: Gëzuar! (Baki Ymeri) 

FRAGMENTIZMI GJEOGRAFIK NË POEZINË E REMZI BASHËS 
        
Poeti dhe shkrimtari shqiptar, Remzi Basha është një nyje që bashkon aspektin letrar që ‘këmbëngul’ në të shprehurit e nuancave më të sakta kuptimore, jo vetëm me anë të vargut, por edhe me anë  të prozës së tij, madje ka raste kur ai arrin nivele të mbara në këtë drejtim. Ai është i komunikueshëm që në leximin e parë dhe krijimtaria e tij kuptohet lehtë, për arsyen e saj, se është e trajtuar qartë dhe pa komplikime të sforcuara. Kjo bie më shumë në sy në poezinë e tij që afrohet tek lexuesi që në paraqitjen dhe prezantimin e parë. Jo më kot T.S. Elliot shprehet: “Poezia e vërtetë mund të komunikojë para se të kuptohet.” Kjo thënie, në aspektin krijues dhe analizues, duke parë aspektin krijues të Bashës e bën të rëndësishëm trajtimin e poezisë dhe prozës poetike të këtij autori. 
Drita Braho duke vëzhguar krijimtarinë e Bashës shprehet: “Proza poetike e veçantë nga ndërtimi, përcjell mesazhe dashurie e pavdekësie”. Dhe pikërisht duke parë krijimtarinë e Bashës, nën dritën e thënies së Elliot dhe pikasjen e Brahos, shihen në këtë këndvështrim katër pika që referohen së pari tek gjeografia e trajtimit të mesazheve dhe ideve, së dyti tek karakteret dhe karakterizimi i figurave historike në dobi të mesazhit dhe idesë së tij në shërbim të lexuesit, së treti tek aspekti i lidhjes me anën historike dhe selektive të kohërave në shërbim të lexuesit dhe brezave dhe së fundi tek dashuria dhe patriotizmi i tij që lëvrohet nëpërmjet vargut dhe tekstit të shkruar. 
Poezia “Vendlindjes sime” është shembull ku mund të shihen qartë katër këto fragmetime analitike që përqafojnë idenë se Poezia e Bashës njësohet me fushën e poezisë tradicionale, e cila kryesisht është e tipit lirik. Poezia e lartcituar është një normë e gërshetuar mes stilit tradicional të vjershërimit ku bie në sy elementi i rimës: “Kodra të mbushura me pemë/Të rënduara janë nga malli/Ku gazi del nga gjiri i tokës/Dhe plaku bëhet si djali.”. Fragmentimi i parë i lidhjes së aspektit të trajtimit gjeografik i përket vendlindjes në këtë poezi ku vargjet “Të dua shumë Sllupzhan/ Toka ime ku u rrita”, japin një mesazh të qartë se autori këtë aspekt të rëndësishëm të poezisë e ka një arsye të rrëndësishme për të plotësuar tre formatimet e tjera që shihen në vargjet e mëposhtme: “Mbushur me vreshta e stoli/ Të ka betuar Perëndia/ Ku bleron dimër e verë/ Si bletë të rrinë njerëzia.” Autori nuk i zbulon vlerat duke krijuar thjesht dhe shprehur mall, por duke dhënë një arsye më shumë në aspektin kompleks të diskursit poetik, me tërë infrastrukturën që i krijon atij elementi i komunikimit. 
Mënyra se si poezia e Bashës i referohet aspektit të fragmentizmit gjeografik dhe stili i të kënduarit me mall ndaj vendlindjes në një mënyrë të larmishme e të prekshme e bën poetin Riza Lahi të shprehet për krijimtarinë e Bashës: “Lexoj librin e Remziut dhe tund kokën i menduar. Unë kam shokë e miq emigrantë të Shqipërisë që shkruajnë poezi, letersi. Ende nuk e kujtoj të kem lexuar dikë prej tyre, përfshirë edhe veten time, që të ketë kësi proporcioni në poezite e tija. T’i shkruajë vendlindjes së tij si një adoleshent që ka rënë në dashuri.” Ky aspekt diskursiv që lidhet me arsyen e shprehjes së emocioneve të shtjelluara ndaj dashurisë së Atdheut lidhet në vargjet e tij si një mesazh i qartë me një stil tërheqës. Poezia “Tjetër” e paraqet këtë me vargjet e saj: “Epo ç’të them/ Tashmë më ka zënë mërzia/ Dhe vetmia e madhe/ U bë shumë që s’jemi parë/ Të lumtë je në Atdhe/ Mjerë unë kaq larg!”.
Duke larguar disa bariera gjuhësore dhe duke punuar më shumë në gjetjen e duhur të disa fjalëve e vargjeve, pra me një vëmendje më të dedikuar, Poezia dhe proza poetike e Bashës, mund të konsiderohen si një pasuri me një prurje signifikative, ku elementet e diskursit natyror formojnë arsye për të stacionuar rënëdësinë e kësaj krijimtarie. Kjo në planin që vjen nga këndi i mesazheve të përcjella nga kjo krijimtari është një konsideratë që duhet marr në vëmendjen e autorit së pari dhe së dyti nga kritika dhe studiuesit shqiptar. Mjafton të vëzhgosh në brendësi të një poezie të tillë që ka vlera dhe mesazh prekës e të gjesh atë që Anton Berisha e ka konsideruar në gjuhën e Gurakuqit se Poezia shqiptare e këtij lloji “ka versifikacion silabik dhe kuantitativ”, kupton qartë rëndësinë që vjen nga përkujdesja gjuhësore ndaj vargut dhe fjalës së poezisë (Berisha, 1983:21). 
Në këtë drejtim autori ka shtuar vëmendjen e tij dhe natyrshëm të qenit anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë për rrethinën e tij dhe duke qenë tashmë një autor i disa veprave letrare të lexuara e të vlerësuara, krijon një dialektikë mes arritjes që ka vepra e tij dhe vlerave që ajo ka gatuar për kohërat. Autori ka prurë vlera historike, letrare dhe mesazhiere. Kjo ndoshta vjen më e përforcuar nga ajo që kritiku shqiptar Agim Pepa e konsideron me ‘rininë e autorit jashtë Atdheut”, gjë që vjen si një preambulë në faktin e përqëndrimit logjik dhe filozofisë që vjen nga trajtim logjik mes fjalës dhe emocionales së saj. (Fatmir Terziu)

ZANA SHQIPTARE ME FLAMURIN E DARDANISË

Librat e miqve tanë kosovarë përherë kanë qenë si dallandyshe  që stinojnë stinët e kombit tonë me të gjitha ngjyrat e dhimbjes e të mbijetesës. Remzi Basha është në profesion mësues i historisë dhe i gjeografisë. Kjo e ka bërë atë që frymëzimet e tij të marrin ushqim edhe nga ngjarje të mëdha, të shkuara dhe të sotme  të kombit shqiptar. Në këto poezi, Remziu e njeh bukur mirë këtë lidhje shpirtërore që krijon shqiptari i Kosovës kudo ku jeton e frymon. Është një gjetje e bukur poetike poezia “Dasma  në Bjeshkët e Kosovës” ia ka kushtuar vajzës së tij emërbukur Shqipe. Nusja, zana, Shqipe e bën dasmën në Kosovë duke sjellë këtu një shami nga Suedia e duke mos harruar  që ta valëvisë në të flamurin e Dardanisë që i kujton  asaj vendlindjen e babait të saj: “Flamuri me ngjyrën e gjakut të  derdhur në mote/balli si dielli /faqet si hëna /o më të bukur/s’ka lindë nëna/sot dasmën në Kosovë/me shëndet e me dolli/vellua e bardhë /marrë në Suedi.” 
Duke bërë fjalë për flamurin në prozë, autori do të shprehet: “Fëmijët e tu janë miq të besës, toka ime. Ti e di mirë se ç’do të thotë të flijohesh për ty. Fëmijët janë larg, o tokë. Po të them një amanet: aty ku unë do të kem fatin të pushoj, më mbulo me një flamur. Është flamuri ynë kuq e zi…” Një nga dashamirët e panumërt të Remziut (Sotiraq Mishaxhiu) flet për një tufë fjalësh që të ndihmojnë për të nxjerrë atë mesazh të spikatur të atdhetarizmit, por edhe të atyre vlerave letrare që përshfaqen në faqet e librit. Duket se metafora e lirisë dhe e fjalës së munguar tani ka mbetur pas në histori, por jo në poezi, jo në tregime, jo në komunikimin e madh shqipfolës që ka nisur të flatrojë ndryshe në këtë dhjetëvjeçar të parë të këtij fillimshekulli. Uroj që sa më shpejt e sa më shumë të shkëmbejmë mes vedi si shkrimtarë, si poetë, si patriotë, si mesazhierë të së nesërmes me më shumë fjalë, me më shumë  poezi, me më shumë mençuri. Remzi Basha na e thotë kaq mirë këtë mësim në librin e tij. (Namik Selmani) 

PORTRETI I NJË POETI

Ka disa vite që më ka lindur një dëshirë e bukur shpirtërisht,  të lexoj e vëzhgoj shpirtin poetik, deri në brëndësi të tij, nëpërmjet vargjeve që  njerëzit  e  letrave, na sjellin; vecanërisht të  poetëve. Në vitet tridhjetë në Myzeqenë kënetore banonte një burrë i cili e nxirrte bukën e fëmijëve duke mbajtur në kurriz njerëz, të cilët i kalonte pa u lagur nga njëra anë e kënetës në anën tjetër. Ai nuk u kushtonte fare vëmëndje as fytyrave të atyre që mbartëte, as se kush e si ishin ata, që të gjithë paguanin sa qe pazari, dhe kaq. Ama, ai kishte të  zhvilluar një shqisë tjetër – të dallonte njerëzit vetëm përmes kurrizit të tij. Një herë të bartëte dikënd- ai nuk e harronte më; nuk e harronte dot shpina e tij. Edhe sikur personi në fjalë të vinte kushedi sekur, të vinte me një maskë dhe pa folur, të hipte në kurrizin e tij, ai e dallonte menjëherë. 
Ja, kështu kam nisur të dalloj edhe unë poetët, shpirtërat e tyre, nga ndriçimi i veçantë  i shpërthimit të vargjeve. Intensiteti i këtij ndricimi, për mua, është fuqia poetike që ka në shpirtin e tij ky poet apo ajo poeteshë. Poeti që na ka dhuruar tre libra me poezi dhe një me Tregime, Refleksione, Poezi, e ka  atë ndriçim të mrekullueshëm poetik, siç duhet ta ketë patur në rininë e tij. Atëherë kur shkruante poezi në fletoret e shkollës, për vete, shokët, luftëtarët, Kosovën, Shqipërinë etnike. Apo edhe kur recitonte vargje të tij, në mbrëmjet letrare në shkollë. Atëherë kur u shpjegonte nxënësve të tij, historinë e popullit, plot vrull poetik. Poetët edhe mund të mëkatojnë, por është e pamundur të gënjejnë. Kjo është një aforizëm e njohur ballkanike, që i përshtatet qetësisht dhe natyrëshëm autorit të vargjeve që, ja, pas pak, do të nisni t’i lexoni, t’i lexoni pa u mërzitur për t’i kuptuar, pa u djersitur duke pyetur veten se,  ku do të dalë ky, por thjesht duke u kënaqur dhe duke rënë në mendime. Poetët dinë të  dashurojnë jetën!  

Remziu me Flamurin Shqiptar
Remziu me Flamurin Shqiptar
Kush është Remzi Basha!

Mbiemri i tij të shtije ca në mendime. Në të vërtetë poeti ka lindur në, Sllapuzhan,Suarekë, të Prizrenit, nga fisi i dëgjuar i Bashave, si intelektualë, patriotë, atdhetarë. Në zemrën e tyre defilon atdhedashuria për Kosovën, Shqipërinë etnike, apo si i pëlqen poetit Basha ta thërrasë: DARDANI. Një familje e përkushtuar për çështjen kombëtare. Kjo dashuri mbarëkombëtare ndeshet në të gjithë krijimtarinë e  autorit,  në vëllimet me poezi, vëllime  që , për nga rrjedhshmëria  e vargut, fuqia e figuracionit, kadenca, rimat e përzgjedhura, fjala e pasur shqipe etj, paraqet një arritje spektakolare në krahasim nga njëri libër te tjetri. Më duket se nuk kam gabuar në përcaktimin e fuqisë së ndjenjave poetike mbi bazën e shkëlqimit të vecantë të shpërthimit të tyre. 
Një poet duhet ta këtë se s’bën këtë shpërthim të jashtëzakonëshëm; një poet duhet të dashurojë jetën, njerëzit, atdheun, të bëjë të vetat vuajtjet e të tjerëve që të shkruajë poezi të vërtetë; që ajo të të mbërthejë dhe të të pushtojë. Njeriu mund të ketë dobësi në vargëzime, por shpirti njerëzor që gurgullon poetikisht duke rrezatuar ngado,  bën që, me punë,  dobësirat kapërcehen. Halli është kur ngjet e kundërta. Poeti Remzi Basha me punë të madhe dhe të kujdesshme, ka arritur të kapërcejë me sukses vështirësitë teknike, duke na paraqitur vëllime,  të lakmueshëm për t'i lexuar një/dy/tre herë dhe për të buzëqeshur me vete apo për t’u përlotur. Le të citojmë diçka! Një mërgimtar, ka mall të çmëndur për atdheun, vëndlindje, në katundin e tij dhe konakun e tij... 
Poeti shpreh me një mjeshtëri poetike e ndjenjë dashurie, mendimi filozofik, momentin e takimit me Atdheun, ku me një vargëzim të jashtëzakonshëm jep një figuracion të fortë letraro- artistik, pa i harruar luftëtarët e rënë për lirinë e Kosovës, ku poeti, na i portretizon me heroin martir e kombëtar Adem Jasharin, Mitin e Luftës së Kosovës. Poetit  i dhëmb shpirti, jo vetëm për këtë bir të tokës amë, por edhe për të tërë dëshmorët e lirisë. Vëllimet  përmbajnë poezi të mirëfillta filozofike dhe lirikat e ëmbla dhe të drejtpërdrejta të dashurisë. Poeti me një ndjenjë  dashamirësie, figura artistike  të goditura, i thurr vargje çdo gjë që e rrethon, vëndlindjen e tij, por edhe aty në Suedinë  skandinave, gjetja e tij është shumë e saktë. Por,  autori Remzi Basha, përveç vëllimeve me poezi, na ka sjellë edhe vëllimin me prozë e refleksione nën titullin "Toka Amë". Te tregimi Dita e Pavarësisë, autori, përshkruan artistikisht, ditën që Kosova e tij, Kosova jonë shpalli Pavarësinë.  Me mjeshtëri e stil të mrekullueshëm, autori, e simbolizon Shqipërinë etnike, “sofër bujare” ku janë bashkuar Çamëria, Labëria, e gjithë Shqipëria e Kosova. Ja aty në zemër të Prishtinës, veshur me kostume popullore. Për ta portretizuar këtë, më ndjeshëm e bukur, autori na dhuron në tregim vargjet: Erdha sot nga Camëria, Kosovë të erdhi Pavarësia, Se këtë ditë shumë kemi pritur, Moj Kosovë Ballëndritur.
Në refleksionin "Faleminderit ty Shqipëri dhe ty Berat, qyteti i mikpritjes", autori i bën  analogjinë vetes me   Prizrenin e tij dhe me Beratin historik e mijëravjecar Lidh të tashmen me të kaluarën historike të dy qyteteve, me brengën e tij se një ditë do të kthehet në Kosovë, e do të shpallim Pavarësinë. Shikoni sa dhimbshëm e ndjeshëm, me c'mjeshtëri filozofike shpërthen  autori Basha: "Zemra e Kosovës ishte vendosur në Berat. Në njoftimet e gjalla të viteve, kisha shumë nevojë për të mësuar për këtë qytet, i cili me dashuri hapi portat e mirësisë shekullore. Ato porta në shekuj kanë qënë portat e lidhjes me perëndimin. Ku na duket balta, më e ëmbël se mjalta, Në Shqipëri! Ky refleksion i takon vitit '99 kur makina vrasëse millosheviçiane po masakronte popullin e Kosovës. Autori shpreh mirënjohjen, dashurinë,  për mikpritjen e qytetarëve të Beratit: Mjaltë buroftë toka jote Berat, qyteti i mrekullive, dhe i bukurive...
Ai thotë se, kur ta lënë forcat, do të shkojë e vijë, nga   Sllapuzhani në Suedi. Herë të shkojë në Prizren, e herë – herë të vijë këtu, “te fëmijët”, në “Eldoradon skandinave",  atje ku respektohen dhe kanë të drejta të barabarta si qytetarë të lirë në një demokraci të mirëfilltë e botë të lirë.  Vështirë fëmijët e tij, fëmijët tanë, ta duan Shqipërinë, sic e do Remzi Basha, ky intelektual, aktivist i shquar i çështjes kombëtare, siç e dua unë, siç e duam ne të gjithë që kemi qarë e kemi hedhur shtat në atë tokë që quhet Shqipëri, Dardani, atje ku shqiptarët lindin të mbëlshtjellë me flamurin kombëtar: 

Kur lindëm ne Dardanët,
me cipë flamuri mbështjellë,
E toka një nënë që na priti,
për ty jetojmë dhe vdesim,
Tokë me emrin Kosovë!

Le të shërbejnë librat e botuar, të poetit, prozatorit dhe intelektualit të shquar të çështjes kombëtare, Remzi Bashës,  edhe për fëmijët tanë! Sidomos  për fëmiëjt tanë, për ardhmërinë tonë. Ta duan fëmijët tanë atdheun e babait dhe nënës, të gjyshërve e të parëve shekullorë, fëmijët tanë përtej oqeanit, ta duan  sa më shumë. Do të vijë një ditë dhe stërnipërit tanë do të thonë – si  do të thonë, fjala vjen, edhe për Remziun: “Kam patur një stërgjysh që ishte gati të bënte çfardo sacrifice për një vënd të vogël që është në Europë, në një gadishull të saj që quhet Ballkan, por gjysh Remzi e thërriste Dardani! - Në çfarë gjuhe fliste stërgjyshi yt? - Ja se në çfarë gjuhe fliste! Lexoni këto thesare! Është pasuria që na la trashëgim, janë librat e tij që na i lë trashëgim, janë vlerat kombëtare dhe identiteti kombëtar. Por edhe zërin e tij e kam të incizuar këtu! Është testamenti më i bukur që na la për të gjithë brezat. Unë kam të incizuar, madje, edhe fjalën e fundit që tha  ai para se t’i pushonte rrahja e zemrës: Kosovë! (Raimonda Moisiu)

GJITHMONË PRANË FLAMURIT DHE KOMBIT 

         Në vitrinat e librarive shqiptare, por dhe ato botërore, nuk është i panjohur shkrimi dhe botimi i një libri nga dy autorë, ndonëse është një fenomen i rrallë letrar dhe nuk mund të gjendet lehtë. Breza kryesore të një familjeje, miq të ngushtë, shokë të një shkolle, njërëz të një profesioni, etj mund të krijojnë këtë dualitet miqësor letrar që në një tryezë shkronjash të vënë pjesën e tyre para lexuesve pa e kuptuar kurrë se si mund të ndahet copa e lavdisë për secilin. Të bashkojnë emocionet e rrëfimet, të bashkojnë urimet e jetët njerëzore.  Libri i autorëve Drita Braho dhe Remzi Basha  duket se është vërtet një risi në letërsinë tonë. Jo thjesht nga përmbajtja, ndërtimi i librit, por së pari nga ai mesazh emocional kombëtar që jepet në këtë libër. Është një risi se si mund të shkëmbehen aq miqësisht dhe zyrtarisht vlerat shpirtërore të një kombi që, për shumë kohë ka jetuar i ndarë dhe së bashku  kanë patur të ndara, lëndinat, dasmat, trojet, kullat, djepet, mullinjtë, lëmenjtë, këngët, dhe padyshim….edhe shkronjat.
      Të vendosur larg njëra-tjetrës, Kosova e Çamëria kanë patur një Kod të veçantë Mbijetese duke bashkuar brenda qënies së tyre ëndrrën e madhe e të përgjakur të lirisë, ninullat e djepeve, tupanet e betajve dhe të dasmave, vikamat e morteve, dashuritë fytyrëskuqura, bakllavatë e bajrameve dhe të festave të shumta… Duket se ky libër që mban dy emra që i përkasin dy pjesëve të kombit tonë, është bukurisht zëdhënësi shpirtëror më jetëgjatë këtij bashkimi të ëndërruar të paktën tash 100 vjet, i historive jetëtragjike të dy pjesëve të kombit shqiptar. Është një risi e re në këtë fillimshekulli XXI kur ëndrra e bashkimit tani po shihet në dritë të ditëve që po jetojmë, të rrugëve që po ndërtojmë, po preket, po ndjehet, po bëhet pjesë e së ardhmes… 
         Me një përvojë jo të pakët sidomos në poezi, autorja Drita Braho nga Markati i Konispolit  dhe Remzi Basha nga Kosova sjellin  dy rrëfime tronditëse. I pari të çon në Çamëri. Në Pargën magjike dhe tragjike njëkohosisht ku shkruhen tragjeditë më të thekshme të shekullit XX.  Tjetra të dërgon në Luftën e Kosovës të para 10 viteve që solli pastaj lirinë në këto troje i sajuar për lahutarë të zot, duket se bashkimi kërkon doemos një libër të ri si është edhe ky që po marrin në duar lexuesit e të dy krahinave. Brenda këtij rrëfimi futet edhe kujtesa për poetin zëtragjik, Bilal Xhaferri nga Ninati që ka kënduar për lirine e Çamerisë e te Kosovës, madje edhe është ndëshkuar për këtë atdhetarizëm të pashoq. Tablotë epike dhe ato lirike që i lënë bujarisht vendin njëra-tjetrës duket se  sjellin më pranë lexuesit ehon shpirtërore të shqiptarit. Me një leksik të zgjedhur nga të dy krahinat,  me një subjekt interesant, me një odise luftrash që të dërgon herë në Pargë, Filat, Paramithi e herë në Drenicë, herë në Jon e herë në malet e Kosovës që po presin pranverën, me një folklor të zgjedhur nga ai hambar i pafund këngësh të të dy krahinave. 
         Libri të rrëmben me romantizmin e epizmin e vet në secilin rresht të tij. Mesazhi i një historie të njëjtë, i betejave dhe fitoreve që përqafen në subjekt aq qartë me  dramave  e përbashkëta  me dhimbje, me amanete të thëna e të pathëna, romani është një fletë e hapur që duhet lexuar. Personazhet e romanit i përkasin të dy brezave. Në qendër të tyre është bukuria fizike, shpirtërore, motivi i fortë i ditëve që ata jetojnë. Dilua, Bujari, Sadetja, Aisheja, gjyshja të mbeten në kujtesë. Në roman zënë vend shumë figurat femërore të të dy krahinave gjë që nuk  e kemi parë dhe aq shumë në romane të tilla me temën historike Në to ka shumë shumë dritë. Dritë peisazhesh që të trondisin me bukuritë e tyre. Një dritë e re  që buron edhe nga Forca e Jetës , nga dashuria për të. Kullat e Kosovës dhe shtëpitë çame në Jug janë shumë afër me njëra-tjerën e nuk harohen lehtë. Një histori tragjike dhe heroike për lirinë lamë pas.  Një historie re na pret. E mesazhierë të kësaj ardhjeje fisnike  janë sot modestisht këta dy autorë Drita Braho dhe Remzi Basha me romanin e tyre të parë të përbashkët “Nusja nga Çamëria”. (Namik Selmani)
            
NJË LIBËR I SHKRUAR ME SHPIRT

Edhepse lexuesi mbetet vlerësuesi më i mirë dhe mbështetesi kryesor i poetit, Zëri i Kosovës është një libër i shkruar me shpirt. Janë poezitë më të bukura të këtij kosovari të frymëzuar, të përmbledhura në një vëllim antologjik që e sheh dritën e botimit në Bukuresht, aty ku u hodhën bazat e para të shtypit shqiptar dhe të librit shqip. Imagjinata, atdhedashuria dhe shpirti i autorit shkëlqen në tri vëllimet poetike (Ringjallja e Atdheut, Merrmë me vete, (Di)Ademat) që paraprakisht e kanë parë dritën e botimit brenda një viti në Prishtinë (2005). Sali Bashota qëndis portret për babain e vet, sipas të cilit “Vdiq duke këlthitur/ Kemi me fitue/ Ai kishte plis të bardhë/ Mustaqe të kuqërreme/ Trup mesatar por të lidhur/ Nuk kishte frikë/ Ai kishte shpresë/ Dhe besë”. Po kështu vepron edhe Remzi Basha te portreti i gjyshit të tij: “Në ballë një hartë e çarë/ Dhe lumenj që ikin gjithandej/ Në gjoks një shkëmb/ Dhe lima në mes/ Trupit plagët shëtisin/ Nga koka deri te këmbët/ Nga lindja në vdekje/ E përcollën plagët/ Dhe këngët”.
        Në këtë përmbledhje simpatike autori vjen para Jush edhe me një tufë poezishë të pabotuara deri mës sot. Nëna  e poetit sipas tij është qetësi e shpirtit dhe shërim i plagës, balli i saj është mallëngjim i shenjtërisë, fjala e saj burim i urtësisë dhe ilaç i vetmisë. Nëna shqiptare për poetin është Engjëll i Perëndisë. Autori defilon me shpirtin e tij poetik, që nga Shqipëria e deri në diasporë. Profesori i apasionuar i Historisë dhe Gjeografisë, e shpalos dukshëm pasionin e tij për krijimtari artistike ku spikat patriotizmi që reflekton dashurinë ndaj kombit dhe Atdheut. Remzi Basha jep kontribut të çmuar për çështjen shqiptare në botë. Vlerat e tij krijuese kanë ndikuar që të vlerësohet edhe tejmatanë kufinjve të Atdheut, duke u bërë anëtar i Akademisë së Shkrimtarëve të Suedisë, si dhe një mësimdhënës i shkëlqyer për fëmijët tanë në diasporë. Sipas studiuesve, analistëve dhe historianëve për çështjen kombëtare, Remziu në veprat e tij shquhet si qëmtues i zakoneve dhe traditës shqiptare. 
         Burri i Kosovës, edhe pse larg nga vendlindja, shkruan për tokën amë. Portat e krijimtarisë janë të hapura. Kosova e Çamëria zgjojnë tek ai pasionin për të shkuar më tej. Jo drejt një të panjohure, por drejt një të  njohure që kërkon zgjidhje, ndaj ai gërmon data, fakte për fatet e kombit të tij. Pena e Remziut shkruan për dhimbjen, dashurinë dhe shpresën e popullit të tij. Tani Kosova përjeton rilindjen e saj dhe kjo e bën poetin të rilindë në vargjet e tij, duke e ndjerë zërin dhe duke prekur me elegancë dhembjet e vendit që ka përjetuar traumat e historisë. Zëri i Kosovës sjell pranë nesh zërat e trimave të patrembur, vajin e nënave që lindin heronj, afshin e vashave të etshme për dashuri, klithjen e fëmijëvë të lindur nën tingujt e një kënge. Krijimtaria  e poetit vjen gjithmonë duke u përsosur. 
          Remzi Basha është shqiptari që ua mëson gjeografinë e atdheut dhe alfabetin e atdhedashurisë nxënësve të tij në një shtet që ka mbështetur fuqishëm Kosovën, siç është Suedia. Fjala e poetit lind nga një ëndërr ku shfaqet shpata e Skënderbeut që bie në duart e heronjve të Dardanisë ku mallet prekin qiellin, zogjtë hedhin valle, ndërsa bimët mbijnë si një përrallë me vasha shamizeza që tokës ia shërojnë plagët. (Drita Braho, parathënie librit Zëri i Kosovës, botuar në kuadrin e vëllimit Zëri i Kosovës, Bukuresht, 2009)
                                         
DASMA E THERANDËS

Luftëtari i UÇK-së, Idriz Selimaj, edhe tani pas më se10 viteve nuk kishte ndjerë një gaz kaq të madh sa ai i dasmës së djalit të shkrimtarit kosovar Remzi Basha, Kushtrimit që martohej me vajzëN nga Savrova. Një dasëm që bëhej në lokalin e tij në Therandë të Kosovës që ai ia ka vënë emrin “Estrada” Ai i gëzohej jo vetëm tingullit të këngës, goditjes së tupanit që grishte aq shumë  këngë  dhe valle burrërore që nga më të vjetrat gjer te më të rejat. I gëzohej çiftit Basha si të ishin njerezit e tij të afërt se këtej e tutje Kosova do të ishte më shumë fëmijë të lirisë që do të lidhen me më shumë dashuri me tokën.me të ardhmen.  Edhe kurbeti që është ende i pranishëm në Kosovë do ta bënin më të zbutur se do të kenë të lirë vatrën e  tyre të lindjes, vatrën e baballarëve e gjyshërve që ranë duke e kërkuar atë me pushkë, me penë, me vargje, si ka bërë edhe poeti dhe i zoti i kësaj dasme  Remzi Basha me vargjet e tij të bukura. 
          Kushtrim Basha dhe Vjollca ishin më të lumturit e dasmës. Për lumturinë e tyre kishin ardhur që nga larg shumë  njerëz.  Që në ditët e para të hapjes së dasmës  dolën në garë instrumentet popullorë karakterisitikë të Kosovës. Urimet në shtëpinë e Remziut ishin të panumërta Dhe do të arrinte kulmin kjo dasëm kur në fillim të saj do të uronte i zoti i shtëpisë. Kishte ardhur nga Suedia dhe për shumë kohë kishte punuar që dasma të ishte sa më e bukur, e paharruar për të gjithë.  Më tej, një këngëtar  i shquar popullor si Afrim Muçishti fton në podiumin e nderit të dasmës  poeten me origjinë nga Çamëria  Drita Braho që vinte nga Berati. Drita e kishte të vështirë që të mbante emocionet e  saj. Kishte ngjitur shumë presidiume e podiume të tjerë. Por ai i asaj dasme i ishte dukur më i veçanti që kishte ngjitur në jetën e  saj. Ishte një Skenë e madhe ku shkriheshin aq natyrshëm vallet e këngët e Kosovës me ato të Çamërisë, shkriheshin urimet e brezave, jetohej lumturia që te jep jo vetëm një tubim dasmorësh, por edhe në tubim shqiptarësh që gëzojnë me aq pathos për këto ditë bashkimi. 
            Ajo vinte njëkohësisht edhe si një lloj përfaqësuese e Çamërisë në Kosovën që i gëzohej aq shumë lirisë së saj. Bashkë me djemtë e saj Isufin dhe Alketin në ato ditë të dasmës së madhe ata kishin sjellë edhe urime të ngrohta për të gjithë pjesëmarrësit. Dhe nuk ishin pak, por rreth 500 vetë. Të gjithë dasmorët me zë të lartë thonin se nuk mbanin mend për shumë vite një dasëm kaq të madhe  me njerëz  sa ajo e asaj dite. Në ato pak minuta që i dhanë asaj ajo i tregoi për poetin Bilal Xhaferri nga Ninati i Konispolit që luftoi dhe shkroi aq shumë për Kosovën e lirinë  e saj edhe në Çikago të SHBA. Brenda kësaj njohjeje ajo kujtoi se edhe i zoti i saj ishte një poet me zë të ngrohtë që di të këndojë aq bukur për historinë e Kosovës e të Çamërisë. Tingujt e valleve e të këngëve duket sikur shkonin deri larg në Budakovë prej nga ishte edhe nusja e asaj dasme. 
           Gjeografia e të ftuarve ishte shumë  e gjërë. Kishte në të të ftuar nga Sudia nga Italia, nga Danimarka, nga Maqedonia, pa folur këtu për krahina të ndryshme të Kosovës. E qeshura e djalit kosovar nga Suedia Bujar Fetahu i shoqëroi gjatë gjithë dasmës dasmorët e shumtë. ”E ku ka më bukur se dasmat tona!”- thoshte herë pas here Bujari. Sytë e të gjithëve ishin mbushur me lotë gëzimi. Po nga Suedia kishte ardhur edhe babai i poetit dhe i zotit të Dasmës. Një bacë i thinjur në mshën e 95 viteve. Aikishte parë sa e sa dasma në jetën e tij. Kishte ndjerë sa e sa krisma luftrash në jetën e  tij. Kjo dasëm po ia bënte dhe më të bukur jetën, këto vite pleqërie. Në gojën e tij ai kujtoi vargjet e një këngë të njohur edhe në Çamëri edhe në Kosovë:

Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri 

Në atë karvan të madh krushqish që shkojnë për të marrë nusen në krye ishte një djalë i bukur e i vëshur me kostum popullor të Kosovës që quhej Artan Me një flamur në duar ai drejtonte të gjithë dasmorët që nga momenti kur shkuan për të marrë nusen deri në fund të dasmës. Ai nuk u ul në asnjë minutë për nder të flamurit kombëtar që mbante në duar. Dukej se bashkë me këtë pamje kaq festive kishte një vend të nderuar edhe besa,  edhe mikpritja.
             Në ditën e dytë nusja u vesh me kostum popullor që ia dhuronte sipas zakonit dhëndërri. Në vilën e bukur të Isuf Budakovës, krushkut të nuses, ishte po ai gëzim që kishin lënë në shtëpinë  e Remziut.  Isufi ishte inxhiner gjeolog i diplomuar në  Zagreb të Kroacisë me rezulatate të shkëlqyera. E sot ai është një biznesmem i shquar në Therandë. Edhe këtu mikrpitja ishte në shkallën më të lartë. Vetë Drita dhe fëmijët e saj ishin ndër të ftuarit  e nderit dhe dëshmitarë të kësaj ngrohtësie njerëzore të Kosovës që vazhdonte të ishte e gjallë edhe sot e kësaj dite. 
            Dasma e Kushtrim Bashës me Vjollca Budakovën po përvijonte një portret të ri të Kosovës. Dasma të tilla prej vitesh  nuk bëhen më në tymin e barutit të luftës edhe pse këngët për trimërinë e për dëshmorët e luftës çlirimtare të UÇK-së janë gjithmonë të pranishme në këto dasma. Dasmat e reja që do të sjellin edhe më shumë djem e çika të bukura në tokën e saj të lire, padyshim në këto ditë kur ajo i gëzohet Pavarësisë së saj janë faqja më e lumtur e kësaj historie të re. Faqja më e lumtur e saj. Në këtë vjeshtë të mbushur me aromë frutash e me dasma të panumërta në Therandë, në Prekaz, në Prishtinë e Prizren, është vetë rinimi i saj. Një rinim që të jep më shumë forcë  më shumë dashuri e bashkim kombëtar. 
            Kur po vinin në Berat në Rrugën e Bashkimit, si kishin dëshira që ta quanin me mijëra e mijëra kosovarë që kalonin në të, poetes Drita Braho i vinin në mend vargje të reja. I vinin  në mend rreshtat e romanit të bukur që e kanë shkruar me Remzi Bashën që ka një emër të bukur e domethënës “Nusja e lirisë”. Edhe nusja që po zbukuronte shtëpinë e tij  në Therandë e në Suedinë e largët, në Danimarkë e në trojet shqiptare të Maqedonisë  ku e kishin ftuan çiftin e lumtur,  ishte në nuse e vërtetë lirie. Një nuse Shqipëri. (Namik Selmani) 

METAFORA E LIRISË PËR TOKËN E TË PARËVE

         Librat e miqve tanë kosovarë përherë kanë qenë si dallandyshe  që stinojnë stinët e kombit tonë me të gjitha ngjyrat e dhimbjes e të mbijetesës. Një nga dhimbjet më të mëdha të asaj shkëputjeje dhjetravjeçare ka qenë pikërisht kjo ndasi fjalësh, ky gardhim tragjik, kjo heshtje fjalësh, ky telaklon mungese i njohjes së vlerave që krijonim në të dy anët e kufirit apo edhe në skaje të ndryshme kontinentesh të largët . Kur më  ra në duar libri i poetit dhe prozatorit  Remzi Basha me origjinë nga Kosova e me banim në Suedi, e ndjeva këtë mesazh të dhimbshëm, por edhe u lumturova kaq shumë se prej do kohësh ne po ndjekim me dashuri e me kënaqësi librat e tyre. M’u bë më e madhe lumnia kur në faqet  librit të tij “Në tokën amë” pashë si në një sofër të madhe edhe ato fjalë mentare që nuk lidhen vetëm me Kosovën, por që kanë një frymëmarrje gjithëkombëtare. Libri ka një ndërtim shumë të veçantë. Që në ballinën e tij shohim se pas saj do të lexojë poezi, tregime, refleksione dhe, më tej, edhe disa gjykime mbresëlënëse të kolegë vet si krijues në të gjithë trojet tona amtare për krijimtarinë e tij. Lirizmi i poezisë “Vendlindjes sime” është shumë emociones. Unë vij ngaherë pranë teje/si qengji pas nënës së vet/ malli që më ndjen në gji/ për ty vendlindje më tret.
          Ndonëse ajo i përkushtohet Sllapuzhanit të tij në Kosovë, duket se me këtë poezi e me shumë të tjera, ai vendos një Urë të Munguar të shqiptarit në breza. Na jep ashtu, të dhimbshme e të bukur atë lidhje që ka shqiptari me vendlindjen. Një dashuri shpesh e munguar si ndodh edhe me trojet çame, të cilave ai iu kushton shumë vargje, shumë tregime të librit të tij. Në këto poezi e në ato që ka botuar deri më tani, poeti Remzi e njeh bukur mirë këtë lidhje shpirtërore që krijon shqiptari i Kosovës kudo ku jeton e frymon. Është një gjetje e bukur poetike poezia “Dasma  në Bjeshkët e Kosovës” ia ka kushtuar këtë poezi vajzës së tij emërbukur Shqipe. Nusja, zana, Shqipe e bën dasmën në Kosovë duke sjellë këtu një shami nga Suedia e duke mos harruar  që ta valëvisë në të flamurin e Dardanisë që i kujton  asaj vendlindjen e babait të saj poet. Flamuri me ngjyrën e gjakut të  derdhur në mote/Balli si dielli /faqet si hëna /o më të bukur/s’ka lindë nëna/sot dasmën në Kosovë/me shëndet e me dolli/vellua e bardhë /marrë në Suedi. Pjesa e tregimeve është padyshim pjesa më e bukur e librit. 
          Është ajo pjesë e librit ku Remziu është me mentar se mentarët. Në të gjithë tregimet lexuesin  e shoqëron njëherësh  një mall, një gjetje interesante, një lirizëm i spikatur që buron nga natyra e tij poetike e nga ai pjalmim i kahershëm në shpirtin e kombit të tij. Këto tregime që nganjëherë mund t’i quajmë edhe proza të mirëfillta poetike, kanë shumë simbolikë. Duket se rrëfimi klasik në këto tregime ka marrë edhe nuanca moderne për të gjetur më tej një lexues sa më bashkëkohor. Në rrëfim sa tronditës për fëmijërinë që ai e shpreh në formën e një letre që ia dërgon nënës të bën përshtypje një mendim i tij: “Ndoshta njeriu ka nevojë që të hajë pak dhe nga toka e tij. 
         Ajo të rrit, të forcon, të shton dashurinë. Nënë ti hap jorganet, me të cilët na mbuloje. Ato mbajnë erën e trupit tone. Ajo erë  që ty të mban gjallë..” Detaje të tillë janë shumë të realizuar dhe të mbeten shumë gjatë në kujtesë. Ky dialog kthehet në simbolikë të përjetshme për shqiptarin, edhe pse ka nota personale në rreshtat e tij. Një portret i gjetur është dhe ai tek tregimi “Amaneti”. Axha Shabani, edhe pse ka 10 fëmijë, i duhet që t’i kalojë ditët e fundit te jetës në vetmi, duke shikuar foletë e një lisi të lartë. Kur ai ndjen hapat e fundit të jetës,  u ulet më gjunjë tokës së vendlindjes duke thënë mbi të amanetin “Fëmijët e tu janë miq të besës, toka ime. Ti e di mirë se ç’do të thotë të flijohesh për ty. Fëmijët janë larg, o tokë. Po të them një amanet: aty ku unë do të kem fatin të pushoj, më mbulo me një flamur. Është flamuri ynë kuq e zi.” 

Zëri i zemrës së zhurritur për atdhedashuri
          
        Remzi Basha është në të njëjtën kohë edhe Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë. Ai është në profesion mësues i historisë dhe i gjeografisë. Kjo e ka bërë atë që shumë tregime të tij të marrin ushqim edhe nga ngjarje të mëdha, të shkuara dhe të sotme  të kombit shqiptar. Rallë ndodh me libra të autorëve të Kosovës që ta ndjesh kaq të ravijëzuar kaq qartë historine dhe traditën çame. Folklorin dhe ëndrrën e saj sa në këtë libër. Duket se për këtë atë e ka ndihmuar jo vetëm njohja deri në detaj e historisë së kësaj pjese të kombit tonë por edhe kontakete me këtë krahinë , me njerëz të saj, me problemet që ka Çamëria e sidomos e njohjes me jetën e veprën  e martirit të Fjalës së Lirë të Çamërisë, poetit Bilal Xhaferi.      
         Kur kujton eksodin tragjik të 1999-s në Kosovë, ai kujton pikërisht vargjet e Bilal Xhaferit për të krijuar tek lexuesit më të rinj këtë tragjedi që ngjan si dy pika loti me njëra-tjetrën. Tregimi “Mikpritja çame” është padyshim një nga më të bukurit e librit “Në tokën amë”. Nuk është vetëm befasia që ai përjeton në çdo hap që hedh në fshatin e largët çam të Markatit në zonën e Konispolit. Jo. Është një qenie njerëzore që duket se sheh vetveten në njerëzit që takon, që njeh në çdo dru të lashtë që sheh dhe prek me duart e tij . Plaku Beqo Sadiku që i flet me një çamçe të kulluar padyshim ndryshe nga pleqtë e vuajtur të Kosovës diku në hijen e një bajameje të lulëzuar, i kujton se për vite të tëra ka dëgjuar fshehurazi Radio Prishtinën, edhe pse ajo ishte shumë larg me qindra e qindra kilometra. 
        Në Berat vajza mitrovicase Arbenita njeh një djalë nga Berati të quajtur Ilir e me të lind natyrshëm dashuria e tyre. Por zakoni nuk e done që ai t’ia shfaqte dashurinë në shtëpinë e tij,  ndaj i jep një letër kujtimi dhe bese, duke i kërkuar që ajo të mos e harronte. Kur ditët e lirisë erdhën në Kosovë, ajo e gëzuar nga dashuria, në dheun e bjeshkëve të Kosovës mbolli lulet që i kishte marrë në Berat. Vetëm pak kohë më vonë Iliri shkon që të kërkojë dorën e  Arbenitës. Një tregim lirik me një fabul në pamje të thjeshtë, por që ka një identitet të spikatur shqiptar. Ka besën, ka zakonin ka edhe një shpit të madh njerëzor. Ka edhe etjen e madhe për liri që më vonë i bashkon. Ka dashurinë e madhe që një ditë jo vetëm një djalë e  një vajzë, por mbarë viset shqiptare të bashkohen në një gaz të paparë.
       Në vlerat e librit do të veçonim edhe disa mendime që janë dhënë për të. Duket se vlerësimi i shkrimtarit Riza Lahi, i poetes Drita Braho (që është edhe redaktorja e librit), i poetit Sotiraq Mishaxhiut janë në tufë fjalësh që të ndihmojnë për të nxjerrë atë mesazh të spikatur atdhetarizmi, por edhe të atyre vlerave letrare që përshfaqen në faqet e librit.  Burri i Kosovës, edhe pse larg nga vendlindja, shkruan për tokën amë. Portat e krijimtarisë janë të hapura. Kosova e Çamëria zgjojnë tek ai pasionin për të shkuar më tej. Jo drejt një të panjohure, por drejt një të  njohure që kërkon zgjidhje, ndaj ai gërmon data, fakte për fatet e kombit të tij”, shkruan në libër Drita Braho. 
             Kritiku e shkrimtari Riza Lahi e ka trajtuar në formën e një eseje letrare shkrimin për të. Duke e vendosur atë mes autorëve të tjerë shkruan, Remzi Basha sipas Riza Lahit, “shkruan për vendlindjen  e tij si një adoleshent që ka rënë në dashuri. Remzi Basha bën pjesë në atë grup që synon që të bashkojë shqiptarët me njëri-tjetrin, nën palët e flamurit kombëtar. Ky njeri me pamjen prej lufëtari ka një zemër kaq të madhe sa të pranojë në zemrën  e tij të gjithë shqiptarët. Unë tund kokën i menduar kur lexoj poezinë  Remzi Bashës.” Duket se metafora e lirisë dhe e fjalës së munguar tani ka mbetur pas në histori, por jo në poezi, jo në tregime, jo në komunikimin e madh shqipfolës që ka nisur të flatrojë ndryshe në këtë dhjetëvjeçar të parë të këtij fillimshekulli.  Uroj që sa më shpejt e sa më shumë të shkëmbejmë mes vedi si shkrimtarë, si poetë, si patriotë, si mesazhierë të së nesërmes më shumë fjalë, më shumë  poezi, më shumë mençuri. Remzi Basha na e thotë kaq mirë këtë mësim në librin   e tij “Në tokën amë”. (Namik Selmani) 

NJË UDHËRRËFYES MALLI E DASHURIE

        Libri "Në tokën Amë" i autorit kosovar Remzi Basha është një suprize e re per gjithe shqiptaret kudo ne bote. Ky liber vjen pikerisht pas fitore se Pavarsise ne Kosove. Libri i 5-te i autorit me nje titull teper te spikatur mbledh shqiptaret reth zemres se tokes ame. Libri te befason me tematikat e tij mbreselenese per patriotizmin dhe atdhedashurine, per dhimbjen dhe shpresen e nje populli te martirizuar. Figurat historike qe ka gjetur autori plotesojne menyren e ndertimit teper te vecante te prozes. Personazhet jane interseante. Ata jane reale e popullore. Autori mbeshtet ne folklorin duke i paraqitur personazhet si nje model te krenarise dhe beses. 
          Remzi Basha shkruan per Kosoven, Çamerine duke i kundruar ato si monumente te historise shqiptare, mbushur me krenarine per kombin dhe dashurine per token amtare. Libri pershkohet nga figura te spikatura letrare, jo vetem per personazhet, por edhe per pershkrimin e bukurive te natyres shqiptare, nga jugu ne veri. I plotesuar si nje autor dhe i kompletuar ne fushen e krijimtarise Remzi Basha si shume autore te tjere kosovare hedh drite mbi krijimtarine e shkrimtarir te madh çam Bilal Xhaferi. Ne vitetet e diktatures ky zgalem u ngrit fuqishem per ti kujtuar regjimit komunist dhe atij serb se Kosova ishte Dardania shqiptare. E keshtu shkrimtari Remzi Basha nderton nje dialog me shkrimtarin Bilal Xhaferi qe fati tragjik i preu jeten ne moshe te re. Titujt e tregimeve jane te vecante, ata pershkohen nga figuracini artistik. Autori tek "Letra e nenes" jep portretin e nenes shqiptare, nje nene qe di te lind dhe te rrit bij si shqiponja. Shqoponja, ky simbol i Shqiperise fluturon ne bjeshket e Kosoves dhe ulet ne bregdetin e Çamerise. 
         Kane kaluar vite qe kure se autori punon dhe jeton ne Suedi. Kufijte nuk e pengojne penen e tij qe te ece ne kerkim te se drejtes per ceshtjen shqiptare. Shume ngjarje ndodhen ne Kosove gjate viteve te luftes 1999. Dhunime, vrasje djegje e debime. Keto padrejtesi i dhane autoritnje shtytje per te shprehur ne shkrimet e tij vuajtjet e popullit. Karakteri burreror i birit te dardanise smund te heshte. Ndaj autorit ligjeron dhe mediton gjer ne renkimin e shpirtit te nje populli martir. Proza poetike e veçante nga ndertimi percjell mesazhe dashurie e pavdekesie. "Ne token Amë" vijne gojedhena e legjenda, virtytet e shqiptarit, besa dashuria dhe mikpritja. Ndoshta ne te vertete ne keto momente kur Kosova fitoi pavaresine, autori ec me hapin e matur drejt Çamerise. Ky liber vjen si nje dokument historik per çka percjell per lexuesit. Historian nga profesioni me nje bote te pasur shpirterore, autori sjell figura historike te trevave shqiptare: Kosovë, Çamëri, Labëri. 

Gjak i ndezur për mbrojtjen e vatrës amtare

          Autori shpreh mirnjohjen per gjithe shqiptaret nga jugu ne veri qe hapen portat e miresie ne vitin 1999 per vellezerit kosovare. Ja si shprehet ai: “Pikërisht ne shqiptaret kemi gjak të çuditshëm. Në momentet kur vëllai është në rrezik, ne ngrihemi si zgalema mbi furtunë, pa pytur për frikën.” Ai ndalet ne Berat, qyteti model te mikpritjes dhe tolerances. Ne Berat kohërat kerkojne te ngrene nje permendore me figurn e nenes arberore duke pasur ne prehrin e saj bijat Kosove e Çameri. Pena e ketij shkrimtari te palodhur. Krijuesi, historiani dhe analisti si nje ylber pas shtrengate hedh drite mbi erresiren e politikes se vjeter te Ballkanit. Gjate kesaj vere autori se bashku me familjen e tij dhe librin e tij u ul prane sofres se tokes ame. E kjo sofer bujare ishte kudo: Prane brigjeve te Adriatikut e te jonit Kalase se Beratit Gjirokastres dhe Krujes. Aty ku trimat mblidheshin per te lidhur besen, shkrimtari shpendan mesazhe per paqe e dashurine per kombin. 
Ëndërues dhe kërkues në krijimtari, shkrimtari Remzi Basha sheh larg: “Çamëria mbetet ende një plagë e hapur.” Fjalët e tij janë fjalë zemre të birit për nënën. Faleminderit Shqipëri, toka amë! Faleminderit për emrin që na ke dhënë! Shpirti i krenarisë të qenurit shqiptar me nder dhe dinjitet qëndron te libri "Në tokën Amë". Respekti dhe mirënjohja për autorin. Mesazhet e tij shpirtërore janë të qarta, të kuptueshme dhe bindëse. Është momenti që sytë duhen hedhur me shikime nga Toka Amë. (Drita Braho)

FAKTE TË FLAKTA QË FLASIN PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE 

Remzi Basha eshte anetar i Lidhjes se Shkrimtarve te Suedise per rrethinen ku ai jeton. Ështe pjesemarres i greves se urise te vitit 2000 e organizuar ne Malmo te Suedise dhe anetar i kryesise se LSHB per shtetet Skandinave, njekosisht dhe inisiator i krijimit te LSHB per shtet Skandinave. Eshte sponsori gjeneral i librit te dale ne qarkullim nga LSHB, per kongresin e pare te kesaj lidhjeje. Po ashtu eshte dhe autor i disa librave te botuar deri tani, por ka dhe te tjere qe jane ne procesin e botimit. Me kete rast i uroj suksese te metejshme ne letrat shqipe ketij autori dhe bashketdhetari te flakte per çeshtjen kombetare.  (Luigj Shkodrani)

NUSET TONA DHE ZEMRAT SHQIPTARE 

Nuset tona janë përherë nuse. Ato nuk plaken kurrë dhe gjithmonë rrinë në pritje: me pajën flamur, me zjarrin në gji, të egra, të buta dhe ziliqare. Vetë Penelopa duket të ketë qenë shqiptare. Dasma shqiptare nuk i ngjiste pranverës së parë. Ajo solli shumë zogj, shumë këngë, shumë lumenj. Zogjtë ishin më të bardhë, këngët me daulle, lumenjtë me valë, e dielli me zjarr. Edhe dashuria shfaqet në formë zogu, bie në krahëror si një degë lisi, ikën prapë bashkë me gjethet pas vete, lë një rrugë të zbrazur, plot shi, dashuria ime për ty.                                (Remzi Basha)  


KORÇA, E DASHURA IME QË NUK E KAM PARË KURRË 

       Përse kaq shumë njerëz kanë rënë në dashuri me Korcën? Cila është kjo bukuroshe që i detyron burrat inatçorë të ulin armët e hakmarrjes ndaj njëritjetrit, si një malësore që ndalon përleshjen e dy trimave në vallen e shpatave? Ku e ka fshehur arkën e magjisë së saj ky ëngjëll që unë vetëm ia kam dëgjuar fëshfërimën  krahëve, por nuk e kam parë kurrë? Oh...sigurisht që kam parë plot nga pendët e saja, por atë, asnjëherë.
            Thonë që kjo arkë e magjishme ka brënda serenata dashurie. Këto klithma të ëmbla nga shpirti, u kujtojnë njerëzve të stresuar nga hallet, padrejtësitë, ambiciet, dëshirat e parealizuara që të mos harrojnë se janë njerëz. E ku ka qënie më të bukur bota e gjallë sesa qëniet njerëzore, sesa shpirti i tyre? Sikurse vajza e dashurisë së parë vjen e futet në ëndërrat tuaja ndërsa je duke fjetur, pa të pyetur ty; që vjen dhe të pushton ëmbël dhe pa turp, ashtu janë edhe serenatat e bukuroshes sonë me merin Korçë.
           Thonë se në Korçë banojnë çikat më të bukura që lind rraca e shqiptarëve. Mua më bëhet ta besoj, megjithse, nuk  e kam parë asnjëherë, as Korçën, as kalldrëmet e as blirët e saj, për të cilët përgjërohen papushim korçarët e korçaret që i kam miq vetëm nga interneti, sikurse Raimonda Moisiu, Agim Bacelli, Merita Bajraktari, Bardhyl Lubonja..., Korçën për të cilën përgjërohet tanimë, sikur të kish kaluar disa ditë në parajsë dhe është kthyer sërish që andej, poeti lirik dhe zemërmadh kosovar Mëhill Velaj. Përse e besoj? Sepse që të gjithë kanë rritur shtatin e  tyre me serenata, sikurse e rrit shtatin një dardhë e madhe nga dielli, sikurse lindin legjendat më të bukura të njerëzimit buzë ujrave të detiti apo të lumenjve, sikur i lindin pulëbardhat vetëm hapsirat blu të detit.
            Kam patur rast të lexoj nga historia e luftërave të popullit tonë. Që prej shekujve dhe deri në Luftën e Dytë Botërore. Kam parë se djemtë, burrat dhe çikat korçare kanë qënë trima të dorës së parë, që nuk u ka bërë syri tërr nga armiqtë e armatosur me armë të panjohura  dhe që kanë ditur të përgatiten për lavdi. Pra, të vdesin siç vdesin trimat. Të bukurit janë trima. Kështu janë njerëzit e bukur e me shpirt të bukur, siç janë korçarët. Por korçarët nuk mburren, as për bukruinë e tyre, as për trimërinë e tyre e as për pasurinë materiale të tyre. E ku të lënë serenatat që të mburresh? Kush i dashurorn me shpirt ato, a ka shpirt, vallë, t’u mburret të tjerëve apo të ketë cmirë?
          Këtu, në Suedinë e pastër , si akujt dhe dëbora, me njerëz të gjatë, të qetë dhe të nderëshëm, mua më vijnë e më gjejnë serenatat korçare. Serenatat e Mihallaq Andreas (për të cilin, si për asnjë shqiptar në të gjallë të tij, gjer tani janë bërë katër filma dhe tani na dhuron romanin e tij të vetëm dhe autobiografik “Historia e njeriut me kitarrë”), Nonda Kajnos, Tomi Kondakçiut, Spanjës... Dhe, mua, birit të Kosovës lufëtare dhe që ka qarë, ka qeshur, është egërsuar, është lutur, ka sakrifikuar edhe qindarkën e fundit për të, këto serenata më sjellin diçka tjetër. Më sjellin diell nga mëmëdheu, dashuri mesdhetare, pasione blirësh dhe krokëllima intime takash nëpër kalldrëme....Dhe më rrëmbejnë si një tyl i atlllasët  që ma ka dërguar Zoti nga kupola qiellore. Dhe më thonë. Mos ke vendosur të vdesësh pa e parë të dashurën tënde, Korçën, këtë bahçe që lind serenata? (Remzi Basha)

SHËNIME MBI AUTORIN

Remzi Basha u lind më 1 shtator 1960 në Sllapuzhan të Therandës. Shkollimin fillestar dhe gjimnazin i kreu në vndlidje, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Kosovës (Fakulteti i Historisë dhe Gjeografisë). Nga shënimet për autorin, botuar në librin (Di)Ademat, kuptojmë se që në rini të hershme merret me veprimtari atdhetare, duke qenë më vonë në ballë të demonstratave kosovare për liri dhe pavarësi, si pasojë e së cilës do të ndiqet, arrestohet dhe dënohet disa herë. Ishte kreator dhe udhëheqës i grevës së punëtorëve të “Ballkanit” në ish-Suharekë. Si pasojë e përndjekjes, pas shpërthimit të revolucionit antikomunsit do të shpërngulet së bashku me familjen në Suedi, për të vazhduar edhe atje veprimtarinë intenzive në favor të kauzës kulturore dhe kombëtare shqiptare, duke dhënë kontribut të pashoq në fushën e arsimit, si mësimdhënës i mësimit plotësues në shkollat shqiptare të Suedisë. Në ndërkohë (1991/1995) ka qenë kryetar i degës së LDK-së për Katrinaholm, duke dhënë kontribut për Qeverinë e Kosovës edhe në rrethin e Malmos. Që nga viti 1995 deri më 2000 punoi në kryesinë e Shoqatës Kosova, duke qenë në ndërkohë revizor i kësaj shoqate. 
        Së bashku me Vitore Stefa Lekën dhe njerëzit e saj ishte iniciator për themelimin e degës së Lidhjes Shqiptare në Skandinavi, ku është sekretar i kësaj dege, duke qenë njëherit organizator i grevës së urisë që u mbajt në Malmo për të sensibilizuar opinionin suedez lidhur me diskriminimin e shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serb. Merret me krijimtari letrare në mënyrë aktive, duke botuar disa vëllime poetike, si dhe një roman që është duke e pregaditur për botim. Vlen të ripërkujtojmë faktin se derisa botimet e deritanishme kanë dalë në gjuhën rumune apo në të dy gjuhët, “Zëri i Kosovës” është libri i parë i një autori kosovar që e sheh dritën e botimit në gjuhën shqipe, në Bukuresht. Vepra të autorit: Ringjallja e Atdheut, Prishtinë, 2005, Merrmë me vete, Prishtinë, 2005, (Di)Ademat,  Prishtinë, 2005, Kongresi i Lidhjes Shqiptare (LSHB), Prishtinë, 2004, Në Tokën Amë, Tiranë, 2007,  Nusja nga Çamëria, Tiranë, 2009, Zëri i Kosovës, Tiranë, 2009, Zëri i Atdheut, 2010. Remzi Basha është i përfshirë edhe në antologjitë poetike "Eagle´s Voices" (Zërat e Shqiponjës) dhe “Ekzili i ëndrrave” (Bukuresht, 2008).


(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora