Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eshref Ymeri: Çfarë kërkon më Moska në Kosovë?!

| E merkure, 17.02.2010, 12:20 AM |


Çfarë kërkon më Moska në Kosovë?!

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

U mbushën dy vjet që nga dita kur Kosova shpalli pavarësinë, të cilën tashmë e kanë njohur 65 shtete. Por kundërshtarja më e rreptë e pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe mbetet Rusia neocariste (pa përfillur këtu Serbinë). Për më tepër, politika ruse, që prej daljes në skenë të çështjes kombëtare shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe deri tani, ka qenë dhe vazhdon të mbetet armikja më e betuar e kombit shqiptar, pa llogaritur në këtë mes Serbinë që u bë shtet i pavarur në vitin 1878 me ndihmën e patericave të Rusisë. Që Rusia ka qenë dhe mbetet armike e betuar e kombit shqiptar, lexuesve të respektuar do t’u bëhet e qartë përmes një libri që jemi duke e përgatitur për në shtyp së bashku me dr. Islam Laukën, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, libër ky që përfaqëson në vetvete një “antologji” të pastër të qëndrimit të egër të politikës ruse që nga koha e Lidhjes së Prizrenit e deri tani. Megjithatë, këtu po mjaftohem vetëm me një fakt, të nxjerrë nga libri i lartpërmendur, duke cituar pjesë nga një telegram sekret i të dërguarit rus në Beograd N.G. Hartvig, përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë cariste në Shën-Peterburg dhe që mban datën 27 tetor (9 nëntor) 1912. Në atë telegram shkruhej:

[…] Serbia do t’i mbrojë me vendosmëri tokat e pushtuara: Sanxhakun dhe Serbinë e Vjetër, me një dalje të domosdoshme në Detin Adriatik, pa të cilën është e pakuptimtë ekzistenca e vendit. […]

       Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan: […] Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Vetëm me këto kushte do të sigurohet qetësia e përgjithshme, sepse nën sundimin e shteteve të lartpërmendura, të gjitha kombësitë do ta gëzojnë lirinë dhe barazinë. [Citohet sipas librit: “Allbanskij faktor v razvitii krizisa na territorii bëjvshej Jugosllavii. Dokumentëj. Tom pjervëj (1878-1997)”. Izdatjelstvo “INDRIK”. Moskva 2006, f. 57].

       Pra, që asokohe kur as në Serbi dhe as në Evropën Perëndimore ende nuk ishin hartuar plane për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, politika ruse po vendoste e para piketat për një copëtim të tillë.

       Fushata e politikës ruse kundër bombardimeve të NATO-s mbi Serbi dhe sidomos kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë nga më të egrat që ka njohur ndonjëherë historia e politikës zyrtare ruse, e pasqyruar me një zell shembullor në mbarë mjetet ruse të informimit masiv. Për atë fushatë dëshmon bukur fare libri i ambasadorit Shaqir Vukaj me titull “Rusia dhe Kosova. Shënime të një diplomati”, (Tiranë, 2007), një vepër kjo  me vlera të jashtëzakonshme për zbulimin e shumë të vërtetave të padiskutueshme rreth qëndrimit armiqësor të Rusisë ndaj çështjes kombëtare shqiptare. E njëjta fushatë, por me një intensitet shumë më të paimagjinueshëm, vazhdoi edhe gjatë periudhës përgatitore për shpalljen e  pavarësisë së Kosovës. Me gjithë egërsinë e asaj fushate, në të dyja rastet, Rusia, më në fund, u detyrua të mbetej me gisht në gojë: Serbia e hëngri dajakun e bombardimeve dhe Kosova e shpalli pavarësinë, duke u njohur e para nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mes, Rusia mori përsipër rolin e një shteti joserioz, duke manifestuar një dinjitet politik të diskutueshëm, që nuk i shkon aspak për shtat një vendi me shumë peshë në politikën ndërkombëtare.

       Por, pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe instalimit atje të administratës së UNMIK-ut, Rusia kërkoi hapjen e një zyrë në Prishtinë, të quajtur Russian Office. Deri aty nga fillimi i muajit tetor 2009, atë zyrë e pati drejtuar Andrea Dronovi, të cilit i mbaroi mandati dhe u largua për në Moskë dhe në vend të tij u emërua Andrea Shugurovi. Në organikën e kësaj zyre përfshihen edhe 4 punonjës rusë. Këta, deri në momentet e tanishme, qenkan: Vasil Çernonosovi - zëvendësshef i zyrës, Valentin Suhodolski - administrator, Ekaterina Nikolashina - asistente, Vladislav Kurbatski - atashe.

       Hapja dhe funksionimi i kësaj zyre ruse, deri në çastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mund të vlerësohet edhe e justifikuar deri në njëfarë mase, meqenëse Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për me tëpër që UNMIK-u pikërisht OKB-në përfaqësonte në Prishtinë. Por pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo zyra ruse ç’kërkon më në Prishtinë? Politika zyrtare ruse nuk e njeh dhe nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe gjasat janë se s’ka për ta pranuar. UNMIK-u dhe EULEX-i, i instaluar së fundi në Kosovë, janë dy administrata që e njohin pavarësinë e Kosovës dhe veprojnë atje në kuadrin e një shteti sovran. Ndokush mund të thotë se Zyra Ruse vazhdon të mbajë lidhje me këto dy administrata. Por objektivat e këtyre dy administratave janë krejtësisht të kundërta me objektivat e Zyrës Ruse. Ndërkohë që dyja të parat po punojnë për forcimin gradual të themeleve të një shteti të pavarur, me ligje dhe institucione të konsoliduara kombëtare, Zyra Ruse, si zëdhënëse e politikës ruse ndaj Kosovës, ka objektiva krejt të kundërta, të cilat nuk mund të mos mishërohen në minimin e pavarësisë së Kosovës, ç’ka përbën një vijë politike të pandryshueshme në armiqësinë që ajo ushqen ndaj popullit shqiptar të Kosovës në veçanti dhe ndaj mbarë kombit shqiptar në tërësi. Në këto kushte, vetvetiu lind pyetja: përse Zyra Ruse vazhdon të qëndrojë në Prishtinë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës? Në rastin e një shteti serioz, siç është shteti spanjoll, ne vumë re se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës për shkaqet e tij të brendshme, u shoqërua me largimin e menjëhershëm të trupave spanjolle që shërbenin atje në kuadrin KFOR-it. Po Rusia pse nuk veproi po kësisoj me zyrën e vet? Sepse, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin sekret serb, ajo kërkon të krijojë dhe të konsolidojë rrjetin e spiunazhit të vet në Kosovë, se të pesë punonjësit e Zyrës Ruse, paçka se fshihen pas mantelit të diplomatit, në të vërtetë janë agjentë të FSB-së (të Shërbimit Federativ të Sigurimit, të këtij pasardhësi të KGB-së famëkeqe). Për këtë arsye, autoritetet e Prishtinës duhet të kërkojnë largimin me domosdo nga territori i Kosovës të Zyrës Ruse, të cilën nuk e lidh absolutisht asgjë me të, aq më tepër që zyra në fjalë është duke luajtur rolin e dhelprës në “tregun” e politikës kosovare. Ekzistenca e organeve paralele në vendbanimet serbe, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës prej minoritetit serb, shkelja e përhershme e ligjeve të shtetit kosovar prej këtij minoriteti, trazirat e pandalshme mes minoritetit në fjalë në veriun e Mitrovicës, denigrimi që i bëhet “Lëvizjes Vetëvendosja” dhe udhëheqësit të saj të shquar, zotit Albin Kurti, tendencat e EULEX-it për izolimin e tij etj., janë dukuri që nuk mund të gjejnë dot hapësirë veprimi pa dorën e fshehtë të Zyrës Ruse në Prishtinë. Mbajtja e kontakteve të rregullta të kësaj zyre me Beogradin dhe vënia në jetë e direktivave të prera që asaj i vijnë nga Moska, kanë si pikësynim të vetëm moslejimin e funksionimit të institucioneve legjitime në Kosovë dhe sabotimin e çdo nisme për kristalizimin e parametrave që kërkohen për hedhjen e themeleve të shëndosha për ndërtimin paskëtaj të një shteti me të vërtetë ligjor. Kësisoj kam bindjen se Zyra Ruse në Prishtinë përfaqëson në vetvete një vatër infeksioni të rëndë për shëndetin e mbarë shoqërisë kosovare, prandaj ajo duhet bërë def një sahat e më parë nga territori i Kosovës. Mendoj se “Lëvizja për Vetëvendosje” që drejton zoti Albin Kurti, duhet të ngrejë më këmbë popullsinë e Prishtinës dhe të organizojë protesta të fuqishme para selisë së kësaj përfaqësie të paligjshme të neocarizmit rus, i cili armiqësinë e vet kundër UÇK-së,  kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar, e ka manifestuar në mënyrën më të egër në këto dhjetë vitet e fundit.

       Mbajtja e Zyrës Ruse në Prishtinë, autoritetet ruse i bën qesharakë jo vetëm në sytë e mbarë kombit shqiptar, por edhe në sytë e opinionit ndërkombëtar. Por, çuditërisht, Kremlinit një gjë e tillë nuk i bën kurrfarë përshtypjeje. Politika ruse madje ka gati 130 vjet që është bërë qesharake edhe në sytë e opinionit publik serb. Gjatë vizitës së tij në Begrad më 20 tetor 2009, presidenti rus Medvedjev deklaroi: “Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në çështjen e Kosovës, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo mbështetje bazohet në ligjin ndërkombëtar” (Gazeta “Albania”, 21 tetor 2009). Një deklaratë e tillë, e lëshuar në efir “pas pilafit”, tingëllon me të vërtetë qesharake kur bëhet nga presidenti i një supershteti, siç është Federata Ruse, president ky që, për etikë politike, nuk i ka hije të zbresë në kuota të tilla komizmi.

       Deklarata të tilla nuk mund të jenë të besueshme as për opinionin publik serb, meqenëse ato bëhen në vazhdën e atyre deklaratave të mëparshme të mjaft politikanëve kryesorë rusë, të cilët rrihnin gjoksin se nuk do të lejonin kurrësesi që Kosova të fitonte pavarësinë. Le të kujtojmë për një çast fjalët e kryetarit të komisionit të jashtëm të Dumës ruse K. Kosaçov, i cili, më 21 gusht 2007, deklaroi me një vetëbesim të mahnitshëm: “Rusia nuk do të lejojë kurrë që Kosova të bëhet shtet…” (Shaqir Vukaj, “Rusia dhe Kosova. Shënime të një diplomati”, Tiranë 2007, f. 661).

Këto ditët e fundit, “zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme  të Rusisë Nesterenko, ka paralajmëruar se strategjia e qeverisë së Kosovës dhe e Zyrës Civile Ndërkombëtare për veriun dhunon rezolutën 1244 dhe gjeneron tensione të reja në Kosovë” (Gazeta “Bota Sot”, 06 janar 2010). Nga ana tjetër, “… nga Beograd njoftohet se ambasadori rus është ende më shumë i shqetësuar se diplomati moskovit. Ai, mesa duket, ka marrë sinjale nga shërbimet e fshehta të tij se “Serbia ka në plan të kërkojë antarësimin e saj në NATO”. Ndaj ka lëshuar kërcënimin e radhës, tashmë jo kundër shqiptarëve, por kundër aleates së vet, Serbisë, por duke mos harruar përdorimin me keqdashje të Kosovës. Sipas tij, “Serbia duhet të zgjedhë midis NATO-s dhe Kosovës. Nëse ajo pranohet në NATO, atëherë ajo automatikisht e ka njohur pavarësinë e Kosovës”-, thotë Putini i vogël rus, i atashuar në kryeqytetin serb. Madje paralajmëron: “ose NATO-n, ose Kosovën”. Kjo alternativë kërcënuese e stilit stalinisto-bolshevik i vihet qeverisë aktuale serbe në tavolinë për qëllime presioni. Natyrisht që ambasadori rus përpiqet të imponojë në Serbi alternativat ruse. Ai duket i bindur në sentimentin prorus të shumicës së serbëve” (po aty).

       Se sa të qëndrueshme kanë qenë ato “sentimentet proruse” të serbëve, këtë historia e ka vërtetuar katërcipërisht, por politika ruse nuk dëshiron të nxjerrë mësime kurrsesi. Tani le të flasim me gjuhën e fakteve, sipas të cilave dashuria zjarrtë e Rusisë për Serbinë, është shpërblyer me një shpërfillje proverbiale nga ana e kësaj të fundit.

       Ambasadorët e fuqive të mëdha, në fundin e vitit 1876, u mblodhën në Konferencën e Stambollit për zgjidhjen e krizës lindore. Bisedimet nuk përfunduan me sukses. Atëherë Rusia filloi të përgatitej për luftë. Në janar të vitit 1877, Rusia dhe Austro-Hungaria nënshkruan një marrëveshje sekrete, sipas së cilës Austro-Hungaria do të ruante neutralitetin, në shkëmbim të okupimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës. Por edhe Serbia me Turqinë nënshkruan një marrëveshje për paqe. Më 12 prill të vitit 1877 Rusia i shpalli luftë Turqisë. Ndërkohë, Serbia u kujtua t’i shpallte luftë Turqisë vetëm në muajin dhjetor të po atij viti. Më 19 shkurt të vitit 1878 Rusia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Shën Stefanit. Në bazë të atij Traktati, principata serbe fitoi pavarësi të plotë. Por fill pas Kongresit të Berlinit, Serbia filloi ta orientonte politikën e saj drejt Austro-Hungarisë dhe nuk u kujtua më për Rusinë, deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Kësisoj, Serbia, pasi u bë e pavarur në saje të sakrificave njerëzore dhe diplomatike të Rusisë, kësaj i ktheu krahët aty për aty.

       Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur tashmë u krijua mbretëria e bashkuar e serbo-kroato-sllovenëve, “e majmur” sidomos me territore shqiptare, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të diplomacisë ruse, serbët, që ishin “violina e parë” në atë mbretëri, pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Rusi në tetorin e vitit 1917, “harruan” të lidhnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike. Tanimë mbretëria jugosllave marrëdhëniet e veta i kishte orientuar nga Franca, Gjermania dhe Italia. Rusia vërtet ishte bërë një vend komunist, por rusët kishin vazhduar të mbeteshin rusë. Serbojugosllavët u kujtuan të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike vetëm në vitin 1940, kur rreziku i pushtimit gjerman kishte filluar të bëhej tashmë kanosës. Trupat sovjetike çliruan Jugosllavinë nga pushtuesit gjermanë, por “dashuria e zjarrtë” e serbojugosllavëve për Rusinë Sovjetike nuk zgjati më shumë se tre vjet. Më 1948 serbojugosllavët i kthyen shpinën Moskës dhe u lidhën me Perëndimin.

       Por nuk do të ishte pa interes që Kremlini t’i kthehej edhe traditës së mendimit racional rus për marrëdhëniet e serbëve me rusët. Në vitin 1877, në Sankt-Peterburg u botua një libër interesant me titull “E vërteta për Serbinë”, libër ky, që, çuditërisht, nuk u ribotua më kurrë në Rusi. Autor i atij libri është princi Vladimir Meshçerski (1839-1914), një publicist i njohur ky, (nip i Karamzinit, historianit të shquar rus), të cilin autoritetet sovjetike e patën vlerësuar si një gazetar reaksionar. Princi Meshçerski ka qenë njëri nga organizatorët kryesorë të grumbullimit të trupave vullnetare ruse që u nisën për të luftuar përkrah trupave serbe, në mënyrë që Serbia të fitonte pavarësinë nga Perandoria Otomane. Në librin e vet, princi Meshçerski shkruan për zhgënjimet e thella që pësuan trupat vullnetare ruse dhe vetë ai personalisht, gjatë kohës që u gjendën mes serbëve. Ja disa nga përshtypjet e tij:

       “Patrioti serb nuk është patriot rus. Kjo është arsyeja se pse një rus, që vjen në Beograd, bie në mosmarrëveshje me një serb lidhur me çështjen e patriotizmit. Rusi na del shumë më tepër serb sesa një serb i Beogradit… Ata (rusët - E.Y.) u nisën (për në Serbi - E.Y.) me mendimin për të gjetur atje vëllezërit e vet… Atje ata gjetën një popull, pjesa e kulturuar e të cilit e konsideron veten më lart se rusët dhe i vjen turp para Evropës të vëllazërohet me rusët, kurse pjesa e ulët, populli i thjeshtë, në shfaqjet kryesore të botës së tij shpirtërore, është shpërfillës ndaj rusëve se nuk ka arritur t’i kuptojë dot. Mes këtyre dy shtresave të popullit serb…rusi e ndien veten keq…

       Rusët u bërtisnin rusëve “shpejt”, kur po i përcillnin drejt tokës serbe. Kurse toka serbe, kur ata arritën, ishte shurdhmemece kur po priste rusët. Rusët ishin gati të sakrifikonin gjithçka që kishin të shenjtë. Kurse serbët nuk u jepnin as gjërat më të domosdoshme që u duheshin për të luftuar. Rusët filluan të flisnin për serbët me emocionet e një dashurie vëllazërore. Kurse serbët flasin me një rus për rusët me tonin e një njeriu mëshirues. Të gjitha këto, të marra së bashku, nuk mund të mos u ngjallnin rusëve ndjenjat e një zhgënjimi të thellë dhe, si pasojë e këtij zhgënjimi të thellë, në shpirtin e rusëve nuk mund të mos lindte një ftohje armiqësore ndaj serbëve…Por, sado të këqija të jenë përshtypjet e rusëve, prapëseprapë ne nuk duhet të biem pré e tyre deri në atë masë, saqë të mos jemi në gjendje që prej tyre të nxjerrim një përfundim të hollësishëm dhe mandej t’ia bëjmë të qarta vetvetes arsyet e fakteve të mësipërme që për ne ishin befasuese, në mënyrë që prej këtyre fakteve dhe prej këtyre përshtypjeve, të nxjerrim për veten tonë një mësim historik, bindës dhe serioz.

       Gjatë tërë kohës së qëndrimit tim në Serbi, po më mundonin ca përshtypje të rënda dhe, që të flas me zemër të hapur, asnjëherë nuk m’u shqit nga koka mendimi se ato përshtypje ishin të rënda për faktin se në to reflektohej në një mënyrë të dukshme dhe të thellë një qortim që i takonte çdo rusi, një qortim që i takonte çdo çasti të së kaluarës që Rusia ka përjetuar…

       Disa thonë se e tillë është natyra e sllavit: as dy rusë, as dy sllavë nuk bashkëjetojnë dot. Shtoni këtu edhe diçka tjetër: që serbët urrejnë bullgarët, urrejnë rumunët, urrejnë malaziasit, urrejnë njëri-tjetrin (princi Meshçerski duhej të shtonte më kryesoren: urrejtjen e serbëve për shqiptarët - E.Y.). Por atëherë vetvetiu ngrihet çështja: nëse sllavët nuk mund të jetuakan dot në paqe me njëri-tjetrin, atëherë a ia vleka t’ia bëjmë vetes pyetjen se cili na qenka roli historik i Rusisë në fatin e çështjes lindore?.. Jo, mua më duket se…çdo provë duhet të na shërbejë si mësim… Para se të jemi sllavë, ne duhet të dimë të jemi rusë. Ndryshe, të tjerët mund të thonë: doktor, në fillim shëro veten tënde” (Revista “Ogonjok”, nr. 30, korrik 1995, f.69, 70, 71).

Por duhet theksuar se dashuria e Rusisë ka qenë edhe më “përvëluese” për Bullgarinë se sa për Serbinë. Për çlirimin e Bullgarisë nga Perandoria Otomane dhe shpalljen e pavarësisë së saj, Rusia sakrifikoi male me të vrarë në betejën e zhvilluar në Qafën e Shipkës të maleve Stara-Pllatina (9-14 gusht 1877), ashtu siç sakrifikoi për çlirimin e saj edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por sot Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian dhe si zor se mund të kujtohet se ku e ka “adresën” Moska. Ajo fjala e urtë ruse “ot dobra dobra nje ishçut” (nga e mira mos prit të mira), që ne shqiptarët e përdorim në një kuptim edhe më konkret (bëj mirë e gjej keq), mishërimin e vet e gjen spikatshëm në marrëdhëniet e rusëve me serbët.

       Një ditë të bukur Serbia do të bëhet anëtare edhe e NATO-s, edhe e Bashkimit Evropian dhe s’është për t’u çuditur që ajo përsëri do t’i kthejë krahët Rusisë me shpërfillje, si një herë e një kohë. Dhe Rusia, si shumë herë të tjera, përsëri ka për të mbetur me gisht në gojë. Sidoqoftë, në këto pozicione qesharake Moska le të vazhdojë të qëndrojë në raport me Serbinë, se është punë për të, por ndaj pavarësisë së Kosovës ajo vazhdon të sillet në një mënyrë tepër armiqësore dhe prandaj funksionimi i mëtejshme i Zyrës Ruse në Prishtinë tingëllon si një qëndrim i  pastër paradoksal.

Prandaj Presidenti Fatmir Sejdiu, qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë pse druhen në marrjen e një vendimi të prerë për dëbimin e menjëhershëm të Zyrës Ruse nga Prishtina.

15 shkurt 2010
Santa Barbara, Kaliforni