E diele, 26.05.2019, 07:01 AM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Jo falsifikimit të historisë kombëtare

E hene, 15.02.2010, 11:00 PM


Jo falsifikimit të historisë kombëtare

Nga Valon Kurtishi

Shqiptarët janë një ndër popujt më të vjetër në kontinentin europian. E kaluara e këtij kombi martir është e gjatë, e lavdishme dhe e bujshme. Historiani i famshëm gjerman fitues i çmimit nobel për letërsi më 1902, Theodor Mommsen, në veprën e tij “Historia e Romës”, i vendos paraardhësit tanë ilirë bashkë me katër pesë kultura tjera në qendër të civilizimit europian. Këtë e kanë shkruar dhe vërtetuar në një numër të pafundmë të shkrimeve shkencore shumica dërmuese e shkencëtarëve europianë e botërorë që kanë krijuar në gjuhë të ndryshme. 
Megjithatë, kohëve të fundit vërehet një tendencë e çuditshme, antishkencore, antihistorike dhe gati totalitare për të mohuar faktet e vërtetuara dhe të pranuara shkencore në lidhje me historinë tragjike të kombit tonë. Realiteti i dhimbshëm historik nuk mund të mohohet, apo edhe me keq falsifikohet për interesa të politikës ditore, apo për interesa tjera personale, karrieriste, materiale apo të çfarëdo natyre tjetër qofshin ato. Historia kombëtare e shqiptarëve nuk mund të ndryshohet sepse kështu na paska thënë apo ashtu na paska shkruar ky apo ai autor grek, turk, apo sllav. Biografia e këtij apo atij heroi shqiptar nga e kaluara nuk mund të rishkruhet nëse ky apo ai autor grek, serb, turk apo rus na paska gjetur një dokument të “pazbuluar dhe papublikuar” deri më sot në arkivat e Athinës, Beogradit, Stambollit apo Moskës.
Shkrimi dhe për pasojë ose si rjedhim edhe interpretimi i historisë tragjike të popullit shqiptar në asnjë mënyrë nuk mund të bazohet në arkivat e Athinës, Stambollit, Beogradit apo Moskës. Kjo vlen sidomos për 200 vitet e fundit të zhvillimeve politike në Ballkanin shovinist. Historia jonë kombëtare nuk mund të interpretohet sipas tekave halucinante e të sëmura të pseudo-autorëve të ndryshëm fundamentalistë myslimanë, ortodoksë apo katolikë, të paguar dhe dirigjuar nga banditizmat respektivë të Athinës, Beogradit, Stambollit, apo edhe Romës.
E kaluara ka ndodhur, është bërë, i takon së kaluarës, ka marrë fund dhe nuk mund të zhbëhet më. Ajo është një kategori statike dhe e pandryshueshme. Ndryshimi, zhbërja, kthimi prapa, apo ndalimi i proceseve fizike të ndodhura në të kaluarën (në kohën e kaluar) është jashtë fuqisë dhe kontrollit të njeriut, qenies njerëzore, forcave humane. Edhe mohimi, mbulimi, tjetërsimi i asaj që ka ndodhur në të kaluarën nuk mund të bëhet asesi e kurrsesi. Historia e shqiptarëve është kjo që është dhe nuk mund të ndryshohet më. Ajo ka ndodhur dhe po ndodh çdo ditë. Ajo bile sipas Winston Churchill-it ndodh më shumë se çduhej të ishte. Po ky është fati i egër, i tmerrshëm dhe tragjik i kombeve të vegjël që kanë pozita të lakmueshme  gjeografike si ky i yni shqiptar. Popullit shqiptar i imponohet që të prodhojë histori tragjike akoma sot në vitin 2009. 
Edhe në epokën globale kur bota e zhvilluar meret me kolonizimin e mundshëm të hënës e planetëve tjerë të sistemit diellor, në luftojmë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe meremi me idiotizma të tillë se çka ka qenë me kombësi nëna e Skënderbeut, dhe a u konvertuan shqiptarët me dhunë apo pa te nga katolikë në myslimanë!?
Ne detyrohemi të dëgjojmë në mediat tona pyetje të tilla idioteske si p.sh: pushtimi 1000 vjeçar Bizantin ishte sundim klasik apo bashkëjetesë mes shqiptarëve e sundimtarëve grekë nga Azia e vogël!? 500 vjet sundim otoman ishte pushtim apo bashkëjetesë me mongolët me origjinë nga Kina lindore!? Koha e Car Dushanit dhe carëve të tjerë bullgarë e serbë ishte okupim apo bashkëjetesë me sllavët barbarë karpatianë!? Sulmi i fashistëve italianë më 1939 ishte agresion dhe okupim klasik, apo jo!? Mos e përafroi pushtimi italian kohën e integrimit të Shqipërisë në NATO!?.
Dhe gjithë këto maskarada idioteske antikombëtare që vlojnë nga të katër anët në median “shqiptare” do të kamufloheshin me shprehje tipike soroiste të tipit: debat i hapur, mendim alternativ, mendimi ndryshe, interpretim ndryshe i historisë, ta rishkruajmë (lexo: shtrembërojmë/falsifikojmë) historinë, të gënjejmë e të shkatërrojmë sa më shumë që të jetë e mundur, ti rëzojmë “mitet” e historiografisë shqiptare, e absurditete tjera të pafundme të cilat në fakt e mbulojnë antikombëtarizmin dhe mercenarizmin e pamoralshëm të plasuesve të ideve të tilla abnormale.
Ata që hapin kësi tema janë njerëz të këqinj, shumë të këqinj, E keqja e tyre është e pamatshme. E keqja e tyre nuk ka kufi. Ata janë të sëmurë me patologji të rënda mendore. Ata janë antikombëtarë. Ata janë personalitete të pamoralshme, të dyzuara, të kompleksuar, të paparishikueshëm dhe të çoroditur. Ata nuk i duhen këtij kombi martir. Ata nuk duan një të ardhme të sigurt e shqiptare të shqiptarëve. Ata duan terr për shqiptarët. Ata mendojnë (nëse kanë tru për të menduar) zi për shqiptarët. Ata duan të vihen dhe ata punojnë nën direktivat e qarqeve më të zeza antishqiptare, antihumane e falsifikuese që ka njohur historia e njerëzimit. Ata veprojnë ditë e natë për zhdukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Ata duan ti lënë shqiptarët pa mbamendje historike, pa memorie kolektive, pa një të kaluar të qartë e shqiptare të historisë. Aleatët, mentorët dhe financuesit e tyre ia kanë aritur pjesërisht kësaj me shkatërime në shkallë të gjerë dhe me dhunë e me terror të pashembullt. Ne nuk kemi sot tekste origjinale të shkruara në gjuhën ilire dhe në shkrimin tonë ilir. Ne nuk kemi, ose kemi shumë pak të dhëna për popullin tonë martir dhe përpjekjet e tij për mbijetesë në shekujt VI-IX të mesjetës së hershme. Nga këtu vjen kalimi nga ilirë në arbër, apo këtu e ka burimin vetë etno-gjeneza e kombit tonë kreshnik. Ne e kemi të turbullt prezencën shqiptare në vitet 1000-1500, në zonat periferike sot të banuara me shqiptarë. Ne e kemi shumë të mangët dhe të turbullt dokumentacionin historik nga vitet e errëta e të gjata nën sundimin primitiv otoman. Përderisa Europa jonë nënë kaloi nga mesjeta feudaliste obskurantiste në reformacionin protestant e nga revolucioni industrial në shtetformimin modern në mbetëm nën terrin asfiksues aziatik. Ne i kemi të ngatërruara, të copëtuara në shumë fragmente, të mangëta e të falsifikuara edhe faktet nga e kaluara e afërt historike nën sundimin barbar sllavo-grek. 
Gjithë këtë zhdukje të papërsëritshme në historinë e njerëzimit të trashëgimisë apo kulturës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve e kanë bërë okupatorët e ndryshëm me një qëllim të vetëm: që ti lënë shqiptarët pa histori kombëtare, pa të kaluar, pa tradita kombëtare, pa shkrim shqip, pa alfabet origjinal, pa arkiva të sakta, pa libra në gjuhën amtare, pa kulturë shqiptare. Çeku disident Milan Kundera në “Librin e të qeshurave dhe haresës” thotë që duan tua zhdukin librat dhe pastaj të vënë të shkruajnë libra të ri, e pas dy-tre gjeneratave kombi nuk është me ai që ka qenë më parë. Ai tjetërsohet, asimilohet, përçudnohet deri në panjohësi, bëhet diçka krejt e ndryshme nga çka qenë më parë. George Orwell në romanin politik “1984”, flet për anulimin e individualizmit, mohimin e personit, veçantësisë së individit, çdo lloj forme të privatësisë, vetë personalitetit njerëzor. Hebraikja Hannah Arendt në “Origjinat e totalitarizmit” flet për shndërrimin e milionave të masës njerëzore në numra të thjeshtë që nuk vlejnë asgjë. “Vrasja e një njeriu është krim, vepër e rëndë penale, vrasja e milionave është statistikë”, pati thënë dikur një gjeorgjian i shkolluar në një kolegj teologjik ortodoks dhe i konvertuar më vonë në komunist, udhëheqës të internacionales proletare. Dhe ata që na e zhdukin të kaluarën duan të na thonë fare haptas se ne nuk kemi të ardhme. Ata duan zhdukjen tonë totale si komb duke na kërcënuar haptazi për këtë. Ata janë ulur këmbëkryq në vendet tona shqiptare në Ballkan. Ata personalisht, apo njerëzit e paguar e sponzoruar prej tyre, i kemi kudo në institucionet tona të fituara e formuara me gjakun e djemve tanë më të mirë. Ata janë në Universitete private e publike, në katedra shkencore, në shkolla të mesme e fillore, në institute e akademi të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare që meren me të kaluarën dhe me të ardhmen e shqiptarëve bashkë, në media private e publike, revista, gazeta, Tv, rjete të ndryshme elektronike. Ata janë pseudo-profesorë, kryeredaktorë e redaktorë përgjegjës, pseudo-gazetarë e pseudo analistë në televizione, gazeta, media të ndryshme. Ata janë investitorë/biznesmenë të jashtëm e të brendshëm bashkë. Si zakonisht këta investitorë të huaj që meren me këto satanizma duke financuar konspiracione antishqiptare ashtu si “rastësisht” të gjithë janë nga Greqia apo Turqia.

Ata përpiqen fillimisht ta influencojnë dhe me pastaj edhe ta ndryshojnë tërësisht mënyrën shqiptare të të menduarit, kulturën kombëtare, sistemin shqiptar të vlerave në përgjithësi. Ata duan që armiqtë të na duken si miq, kundërshtarët e të kaluarës dhe të sotmes si aleatë, terroristët e çmendur si diçka normale dhe e pranueshme në shoqëri, tradhëtia e poshtër si virtyt i moralshëm, e bardha si e zezë!?.
Kjo farë e poshtër duhet zhdukur sa më parë, përndryshe nëse mos o zot triumfon ajo, do të kemi zvetënim të identitetit kombëtar dhe zhdukje të ngadalshme të shqiptarëve si komb. Kjo është një luftë për jetë a vdekje mes nacionalizmave, mes kulturave, mes kombeve, mes gjuhëve, në fund edhe mes botëkuptimeve (Weltanschauung-en) të ndryshme e konfliktuese për jetën. Që nga përfundimet shumë racionale e logjike të Sami Frashërit tonë të madh e deri te arsyetimet racionale të Ernest Gelner, (“Nations and Nationalism”) e Samuel Hantington, (“The Clash of Civilizations”) poashtu të njohur, është vërtetuar katërcipërisht se “shtetet, kulturat, kombet, zonat e mëdha civilizuese janë si peshqit”. I madhi e ha të voglin.
Kombi shqiptar nuk është i vogël. Sipas Ukshin Hotit (“Filozofia politike e çështjes shqiptare”), ai është i madh aq sa i duhet që të mbijetojë në këtë botë me plot të papritura. Ne do të shtonim se kombi ynë është i madh në atë masë sa e parafytyron veten të tillë. Realisht, shqiptarët nuk janë pak. Kombi ynë duhet të këndellet dhe ta marrë veten përfundimisht. E ardhmja e kombit tonë iliriano-arian është në duart e vetë iliro-shqiptarëve. Të mësojmë nga e kaluara jonë e përgjakshme, gjenocidale, mohuese, asimiluese, tragjike. Pësimet e mëdha të së kaluarës të na bëhen mësime të shenjta sesi duhet të sillemi sot dhe çka të planifikojmë për një të nesërme të ndritur e të sigurt. Ta mbrojmë më shumë se çdo gjë gjuhën tonë të shenjtë shqipe. Të ndalojmë duart dhe psuedo-faktet e tyre të pista shkatërruese, mohuese e falsifikuese të futen në momentet heroike të së kaluarës sonë të lavdishme duke na u bërë pengesë për një të ardhme më të mirë. Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë. 


(Vota: 24 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT