E diele, 05.02.2023, 05:57 PM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Luftën e fitojmë - Po në takolinë na qepin struke

E merkure, 17.02.2010, 07:51 PM


KALOSH ÇELIKU

LUFTËN E FITOJMË - PO NË TAVOLINË
                 NA QEPIN STRUKE  
     
(Fragment nga romani: ME TRE VARRE)

         Dera u hap dhe hyri im At. Kësulën e bardhë ende e kishte në kokë. Sahatin me qystek, përqafe nё xhep. Tirqit me vragja… Xhemadanin me sumbulla… Struken si gjithëmonë e kishte hedhur krahëve. “Nagantin” me gjithë fishekë në brez…
Edhe kësaj radhe e keni nisur luftën… I keni rrokur armët…
Po, baba. Nuk patëm tjetër rrugë, na detyruan t’u ngjitemi maleve… Majave ta
kërkojmë shtegun… Lirinë…
Eh, o bir! Edhe më 1912, edhe më ’41 i rrokëm armët. Ia vumë zjarrin Ballkanit.
Po, në fund e pamë se kishim qenë të mashtruar, mbetëm nën zgjedhë. Frikë kam se, edhe kësaj radhe do t’ju mashtrojnë në tavolinë. Ne e fitojmë luftën, po në tavolinë na i fusin gërshërët, na qepin struke…
Nuk e besoj, se një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe në të 2001-ën. Mjaft kemi
mësuar nga gabimet e atyre viteve, nuk u zëmë më besë…
E di, o bir! E di. Frikë kam se edhe kësaj radhe do të na përsëriten gabimet…
Shqiptarëve po u përsëritet historia… Gjithmonë jemi vonuar. E sëmura e Ballkanit, kur e humbi luftën, ne e kërkonim Baba Dovletin… Gjermania kur e dorëzoi Berlinin, ne ende lyftonim maleve të Zajazit pёr Shqipёri Etnike… Komunizmi, kur ishte në rrezik edhe në Rusi, ne me fotografitë e shokut Tito në ballë u prinim demostratave të viteve ’81 tё studentëve në Prishtinë…  
Edhe një herë e përsëris, nuk e besoj se do tё na e hedhin edhe nё demokraci. I
kemi dhënë dhe po i japim mjaft gjak Lirisё…
      Kësaj radhe do ta zgjidhim me armë. Nuk e kemi ndërmend t’ua lëmë këtë barrë fëmijëve tanë, si ju që na e latë neve, në gjysëm të rrugës koçinё me nuse…
Dhashtë Zoti! E mbylli bisedën im Atë duke ma lёnë “nagantin” në duar, e pёrplasi derёn dhe doli nё Lёmё…

       E mora “nagantin“ dhe ia futa fishekun në gojë. Matanë Urës së Gurit, turma ishte tërbuar duke kërkuar armë dhe thyer dyert, xhamat e parlamentit. E grisi edhe flamurin e tyre me rreze, vendosi tjetër flamur. Muaj më parë kishin paralajmëruar “Natën e gjatë”, kur Çairit do t’ia vënin flakën. Shqiptarët do t’i përzenin matanё kufirit, në Shqipëri. E unë mes librave i prisja me”nagantë” në dorë qe pesëdhjetë vjet. E shi sonte po mi dërgonte Zoti dhuratë, t’i pres me të gjitha nderimet, ashtu siç e kemi pasur zakon nëpër shekuj ne shqiptarёt. I dëgjova edhe krismat e para… Shpërthimet… Po, nuk e pash turmën. Edhe pse, e prisja edhe në Shkup Manastirin: Shtëpitë dhe dyqanet e shqiptarëve në flakë…

     Telefoni cingërroi dhe më zgjoi nga mendimet dhe pusia nën dritare. E ngrita kufjen. Matanë telit e dëgjova zërin e Patriotit të Vonuar.
A ende nuk ke ikur, nuk e ke braktisur Shkupin?!…
 Jo. E kam shpallur Rrapin, Zonë të lirë…
Budallai. Kurrë, nuk u mbushe mend. Po, së paku ç’faj kanë fëmijët… Gruaja…
Edhe babain deshën ta përzënë në Turqi, po nuk e luajti këmbën nga pragu. Një 
xhandar që për çdo ditë e pyeste në çarshinë e Kërçovës: A ende nuk ke shkuar në Turqi? E di si e shpërbleu… Jo, nuk e di. E zbythi qotek… E la me gjysëm shpirti në mes të xhades…
Histori. Kohë të tjera ishin ato, e kohë të tjera janë tashti, kur mbi kokё e male na
fluturojnë helikopterë rus… Avionë…
Edhe e gjithë Rusia të fluturojë mbi malet tona, fusha e qytete, nuk do ta lëviz
këmbën nga pragu…
E kam ditur, ty të kanë shkalluar librat… Më dhimbesh, por nuk kam se si të të
ndihmoj, iku koha e hoxhallarëve… Hajmalive…
Nuk ka nevojë, unë nuk mund të ik nga Rrapi e sidomos tashti kur e kam shpallur
edhe si Zonë të lirë… Ti ecë kur të duash, mua do të më gjesh nën Rrap, nё Shkup…

Shkup, 2001


(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora