Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi- Basha: Ajo mbeti e vetme në binarë

| E hene, 15.02.2010, 09:26 PM |


PROF . DR. SABILE KEÇMEZI- BASHA
Sabile_basha@hotmail.com

AJO MBETI E VETME NË BINARË

Papandehur u takuam në stacionin e trenit të qytetit tonë, mu atëherë kur nuk mund të gjenim tjetër shteg në vorbullën e jetës. Duke shikuar turmën e njerëzve që prisnin trenat e autobusët, rastësisht hetova fytyrën e shoqes sime të fëmijërisë. Më duhet të pranoj se mezi e njoha nga larg, pasi  ndryshimet tek ajo, të paktën në fytyrë, ishin të mëdha. Megjithëkëtë, konturat karakteristike të fytyrës së saj ende ishin të ruajtura. E shikova për një kohë dhe u stepa. Ajo në mënyrë drastike e kishte humbur njomësinë dhe harenë e dikurshme. Sytë e zinj e të mëdhenj, që i mbaja në kujtesë, tash sikur ishin zvogëluar, kishin humbur shkëlqimin dhe nuk kishin gjallërinë e dikurshme... i ishin futur thellë në zgavra
E shikova një kohë të gjatë shoqen time të fëmijërisë dhe mendova për rrugët e jetës që kaherë na kishin ndarë dhe, ja, një ditë të padritë prilli, pas ca e ca kohësh, në stacionin e qytezës X të takoheshim papritur, sërish. Çuditërisht, tërë qenien time e kaploi një ndjenjë e përzier, sa me mall aq edhe me brengë, dhe nuk dija cila nga ndjenjat ishte më e fuqishme: dhembshuria, apo flaka e mallit që ndieja për të. Më duket se në atë çast ato kishin forcën e baraspeshës. Sidoqoftë, belbëzoja në vete, në shpirtin e saj do të ketë ngjarë diçka e madhe (dhe aspak nuk do ishte e çuditshme, se në kohën që jetonim, pritej gjithçka), do t’i ketë ndodhur, belbëzova me vete, diç që e trondit njeriun dhe e bën t’ia ndryshojë edhe pamjen e jashtme. Po, po për këtë nuk e kisha pikën e dyshimit. 
Këtë e vërtetonte edhe shikimi i saj, që të linte përshtypjen se ajo kërkonte dikë, apo priste pikërisht këtu diç të humbur, apo dikë që kurrë nuk kishte për t’u kthyer.
E mblodha veten për të dalë nga kllapia e llahtarshme, që më kishte bllokuar të tërën dhe me ndrojtje e bëra hapin e parë drejt saj. Pasi iu afrova, duke pasur kujdes vazhdimisht gjendjen e saj shpirtërore, e preka me lehtësi dhe shumë butë në cepin e krahut. Kjo e trembi pakëz, por, megjithatë, u kthye nga unë e më shikoi me indiferencë. Sa çudi, thashë me vete, ajo nuk më njehë fare! Megjithëkëtë, e shtriu dorën sa për t’u përshëndetur, vuri disi buzën me vështirësi në gaz, sa për të lënë përshtypjen së “nga diku po më kujtohesh”, dhe me këtë gjest të saj fitova përshtypjen se për shumëçka asaj nuk i bëhej vonë. Për habinë time edhe më të madhe, nuk vëreja ndonjë shenjë se në një kohë shumëçka na kishte lidhur dhe sikur asgjë nuk ndodhte përreth nesh...! Ç’është më keq, të bënte të përfundosh se kujtesa e saj ishte shlyer me një gomë magjike.
E prekur nga këto ndryshime të shoqes sime të fëmijërisë, apo një pjese të së kaluarës sime të largët, u detyrova që ta pyesja se a i kujtohesha apo jo? Kulmi i shqetësimit tim arriti në reagimin e pavend pas kësaj pyetjeje që i bëra! Vërejta se fytyra e saj po zbehej edhe më, e pleksur dhe e përshkruar nga disa sinjale të fuqishme shpirtërore. E shtriu dorën mbi supet e mia, më përqafoi dhe me tërë fuqinë që kishte më tërhoqi pranë vetes. Një ndjenjë llahtari, e shoqëruar me rrëqethje, më kaploi çdo pjesë të trupit. Ndoshta kjo ndodhi me mua pasi ky çast më kujtoi fëmijërinë tonë. Ç’është për t’u pranuar, ajo edhe atëherë kishte kujdes ndaj meje dhe shoqeve të tjera. Dhe ja edhe tash përjetova diç të tillë. M’u duk se mu tani te shoqja ime e fëmijërisë, gjeta diçka që kaherë më kishte humbur, diçka që më vite më kishte munguar.
E ftova që të gjenim një vend për t’u ulur, pasi për këtë më premtonte koha e tërë botës dhe nga ngjarjet që zhvilloheshin, ma mori mendja se edhe asaj nuk i ngutej. Në dheun e shembur pranë stacionit zumë vend, e njerëzve përreth, që na shikonin herë-herë me habi, nuk ua vumë veshin. Hapa gojën dhe desha t’i thosha diçka. Ajo më nxitoi duke shtuar:
- Ndezim nga një cigare, - pastaj nga një qese plastmase nxori një pako cigare “Dunhill” dhe, pasi më ofroi mua, e ndezi një dhe filloi ta thithte tërë tymin me mushkëritë e saj. U çudita për këtë sjellje e gjendje që kishte mikja ime. Thashë me vete, ajo që deri dje ishte kundër duhanit dhe shumëçka tjetër..., tash qëndronte para meje e rraskapitur nga jeta dhe një shenjë defetizmi i shprehej në çdo lëvizje, megjithëse ende vëreheshin shenja krenarie në shikimin e saj. Me të madhe thithte tymin e dendur të duhanit e herë-herë ofkëllinte nga thellësi e shpirtit. E gjithë kjo më bënte të ndihesha keq, duke më ardhur në kokë një mijë e një mendime të kobshme. A thua vallë, çka mund të ketë ndodhur me këtë... me një pjesë të fëmijërisë sime. Për disa çaste e vështrova fytyrën e saj të vyshkur, përplot vija të parregullta, e dhëmbët dikur si inxhi, i ishin rralluar dhe sikur tej mase i ishin zverdhur. Kjo po më habiste më tepër, pasi para vetes e kisha “të përkëdhelurën” e klasës, e cila dikur e mbante veten dhe aq shumë kishte kujdes për sjelljen dhe bukurinë e vet, ndërsa tani thuajse ishte rrëzbitur pak si tepër për moshën që kishte. Dukej e ngrysur dhe e kërrusur, por megjithatë kishte ruajtur fisnikërinë e shpirtit skofiar. Shikimi i saj melankolik kishte marrë tipare dhembshurie...
E kisha vështirë t’ia filloja bisedës. Doja të dija gjithçka lidhur me të, e nxitur jo aq nga kërshëria sa nga dëshira që ajo të paktën të zbrazte dufin e shpirtit që e kishte akumuluar me vite. Në të kërkoja shoqen time të dikurshme, fëmijërinë time të ikur. Ajo, kështu siç ishte bërë, nuk ishte mikja ime, që e mbaja në kujtesë nëpër të gjitha këto vite të mia. Derisa unë isha thelluar në këto mendime, ajo e kishte drejtuar shikimin atje në bregore, ku pushonin me mijëra veta dhe nga larg dukeshin si thneglat. Isha e bindur se nuk vërente asgjë në atë drejtim nga e kishte kthyer shikimin! As turmën e njerëzve, as policët e armatosur, as autobusët që ngarkoheshin me  njerëz, as hekurudhën, as qiellin e vrenjtur e rigat e shiut, as fërfëllizën që shponte trupin tejpërtej, që depërtonte në çdo skutë. Ajo ishte përqendruar në një pikë diku pa ndonjë qëllim të caktuar. Në të vërtetë duket se i silleshin nëpër kujtesë edhe një herë reprizat e jetës së mundimshme që ia rikujtoi prania e ime.  
Për çudi, çdoherë kam ditur t’ia filloj bisedës, madje edhe atëherë kur ndoshta s’kisha nga t’ia nisja... E tash, para shoqes sime të fëmijërisë, kisha ngelur e shtangur, e habitur dhe nuk dija as vetë nga më erdhi kjo pagjeturi. Kjo ndoshta ndodhi me mua pikërisht se kisha të bëja me një pjesë të fëmijërisë sime.  Por, të cilën, gjithsesi, kisha nevojë të pleksja në mua. Më në fund, më erdhi të çirresha për gjithë atë ç’kishte ndodhur me të, me ndryshimet aq të mëdha në shpirtin e saj, me bukurinë, sa për pak  të mos e njihja shoqen time të fëmijërisë, një pjesë të jetës sime.
- O Zot, thirra, duke e trandur nga krahu, - Më trego ç’të ka ndodhur...
- Unë... unë kam ngelur e vetme! - foli ajo! – Unë jam fillikat vetëm në këtë botë, - pëshpëriti këtë herë më tepër për vete sesa për mua. Pastaj, me dorën e majtë të hajthme përkëdheli dorën e vet të djathtë, si shenjë arsyetimi, apo ngushëllimi... kështu më ngjau.
- Kush të tha se ke ngelur e vetme... kush...? - pa më thuaj...
- Ç’ka ndodhur? – fillova me breshëri të bëja pyetjet e mia. – A sheh se nuk je e vetëm në këtë log! Që të gjithë jemi me ty... Ku i ke fëmijët? Pse hesht? Më thuaj se ç’e keqe të ka ndodhur?
Vetëm pas këtyre pyetjeve, m’u duk sikur u lirova nga ai ankth që më kishte ngërthyer. Më shikoi drejt në sy dhe qeshi ëmbël, siç dinte vetëm ajo të qeshej. Pastaj filluan lotët t’i rrëshqisnin faqeve si kokrra rrushi. Për një çast shtrëngoi krahët e vet. Buzët iu drodhën dhe me dhëmbët e zverdhur i kici sa mundi, kisha përshtypjen se do t’i pëlciste gjaku nga kicja e tepërt dhe një hije e zezë sikur ia mbuloi fytyrën.
- Po! Po... tanimë nuk di se çfarë kam dhe çfarë nuk kam, a nuk sheh se çfarë po ndodh me ne...Të gjitha i pata... por... u shkrehë në vaj dhe qante me dënesë. Njerëzit kalonin edhe më tej pranë nesh dhe askujt nuk i bënte më përshtypje as vaji as lotët dhe asgjë tjetër.
- Unë... unë do të isha e lumtur, sikur të kurorëzohej e tërë kjo sakrificë, i tërë ky flijim, por... e shikon këtë masë... e shikon këtë turmë, ke haber ti se ku do të shkojnë, ku do përfundojnë? Ndoshta më tepër se gjysma e botës e kanë mirëqenien, besa edhe ne hanim e pinim, dikush edhe me bollëk, besa. Por, ke harruar, vallë, se, megjithatë, neve na mungonte liria e shumëpritur. Duhet ditur se për të qenë i lumtur, duhet të biem ulët, shumë ulët, vazhdoi të më fliste mikja. E di se çfarë po ndodh me mua, e di se çfarë po ndodh edhe me këta të gjorë, që i zbardhin ditët në këtë fushë a bregore, siç i thonë. Por, megjithatë, frikohem se mos përsëri jemi vonuar në vendimet historike. 
Gjatë kësaj bisede, lëvizja kokën në shenjë pohimi. Këtë e bëja me qëllim për ta nxitur që të fliste, të fliste që të ndihej më mirë.
- Tani më kupton? Me siguri më kupton, pasi gjithherë më ke kuptuar. Edhe tash sigurisht e kupton ç’ka ngjarë me mua!... Ji e bindur se nuk dua të jem pesimiste dhe nuk jam. Nuk jam as frikacake e as e mjerë. Burrin ma vranë në prag të shtëpisë, e fëmijët me një grup shokësh të tyre i kanë deportuar për diku... nuk e di se ku... lotët i shkonin vadë, derisa fliste. U mundova të isha e fortë, u mundova që t’i thosha fjalë ngushëlluese, u mundova... por më kot, se vetëm guri mund të ishte indiferent ndaj ndeshtrashave që e kishin goditur miken time. Dhe, disi tinëzisht, prej gishtërinjve e deri në zemër... u rrëqetha e tëra.
- E ndezi, ku ta di të satën cigare, duke e thithur po me atë afsh tymin e saj, e cila më vonë u shoqërua me një kollë të thatë dhe me një ofkëllimë edhe më të thellë.
Lëviza nga vendi, bëra një hap... dy... dhe përsëri u ktheva nga ajo dhe e shtrëngova fort.
- Çfarë të bëjmë tani? - i thashë. Dua të të ndihmoj, por më trego... më trego si... Me vete qesha, unë t’i ndihmoja dikujt në atë gjendje që ndodheshim, krejt pak ishte e mundur...
Ajo përsëri ofkëlliu thellë dhe e thithi edhe një herë cigaren, sikur të donte që të tërën ta gëlltiste.
- Eh, jeta nuk na deshi... as historia... Ajo, si duket është një lloj brumi që të tjerët ta gatuajnë...! 
- Shiko – i thashë – Shikoje veten se si je zbehur, apo ndoshta nuk je mirë me shëndet, më trego kë do që ta thërras.    
Më shikoi dhembshëm dhe një lutje e pathënë i doli nga shikimi, më tepër mishërues se sa dëshpërues, pasi ajo kaherë ishte pajtuar me fatin e saj.
- T’i thashë që të gjitha dhe a nuk të mjafton fytyra ime e lodhur të t’i rrëfejë këto! Ja. kjo është jeta! – i hapi krahët si në shenjë arsyetimi, pastaj vazhdoi:
- Më kotë mundohem... më kot..., por tanimë jam tej mase e lodhur dhe nuk di nga t’ia mbaj... Uli kokën dhe filloi të luante me një fije floku, që nuk di se si iu gjend në dorë. Vazhdoi sërish të shikonte diku bregores ku gumëzhinte turma... sikur shpëtimin  mund ta gjente tek ata njerëz, madje edhe në fërfëllizën e pamëshirshme që nuk kishte të ndalur dhe të kosiste pa mëshirë.
E shikova me dhembshuri. Vetëm atëherë kur ofkëlliu edhe një herë, i pata të tëra të qarta, edhe zbehjen, edhe lëndimin e edhe dhembjen e saj të rëndë...  
Autobusët që prisnin për të na larguar për diku, filluan të mbusheshin me udhëtarë. Na urdhëruan edhe neve që të futeshim brenda, mu atëherë kur doja që shoqes sime t’i propozoja që të vinte me ne. Edhe më tej fërfëlliza e madhe të kosiste jashtë. Ashtu shpejtas, nuk di se si dhe pse u përqafuam me mall e brengë.
- Luftë është kjo, lum motra, - më tha duke e lakuar kokën që të mos i shihja lotët e saj. 
Edhe unë qava, qava në heshtje për miken time dhe për të gjithë ne. Ajo ngeli në binarët e hekurudhës për të pritur trenin tjetër... Autobusi i pistë, që u ngarkua me udhëtarët e padëshiruar, gëlltiti rrugën e asfaltuar në një drejtim që askush nuk e kishte të qartë se për nga shkonim.
Nga dritarja, derisa humbëm në kthesën e parë, shikoja siluetën e shoqes së fëmijërisë, që më shikonte përhumbur,  që më zvogëlohej gjithnjë e më shumë, thua se e përpinte toka e shteruar e Kosovës. Atë kurrë më nuk e kam takuar, por thonë se nga ajo ditë i kishte humbur çdo gjurmë. Dikush thotë se atë natë e kishin vrarë, se kishte shkuar te varrezat për ta qarë burrin, dikush thotë se e kishin grabitur disa fantazma, e dikush thotë se nga dëshpërimi e dhembja e kishte lënë shpirti. Edhe sot e kësaj dite enigma rreth zhdukjes së saj sa vjen e shtohet, ç’t’i bësh, kohë dhembjesh ishte koha që jetuam ne...