E enjte, 28.03.2024, 01:23 PM (GMT)

Kulturë

Memoriali i Nënë Terezës? Një sallë me muze brenda!

E diele, 14.02.2010, 07:04 PM


Nga Jorida Pasku 
 
Muzeu i Nënë Terezës do të ngrihet në hapësirën midis Rektoratit dhe Qendrës Albanologjike. Do të hiqet edhe shtatorja nga shkallët e Universitetit të Tiranës

Memoriali, emër me të cilin është thirrur deri tani objekti përkujtimor për Nënë Terezën do të jetë një muze. Dje u përcaktua vendi i këtij muzeu që do të zërë hapësirën ndërmjet Muzeut Arkeologjik dhe Rektoratit të Tiranës e që aktualisht është i zënë nga mjedise për shërbime fastfood.

Me këtë vendim doli dje Këshilli i Ministrave në bazë të propozimeve të Komisionit të Punës për realizimin e Memorialit, komision i ngritur më 12 janar. 

Po dje u vendos që shtatorja e Nënë Terezës të hiqet nga shkallët e Universitetit të Tiranës ku u vendos më 2004 dhe të zhvendoset diku në sheshin që mban emrin e saj. Këto i bën të ditura në intervistën e dhënë dje për "Shekullin", zv/ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikollë Lesi. Grupi i punës që udhëheq ai, me 6 anëtarë, do të vlerësojë dhe projektin për një shtatore tjetër që do të vendoset në hyrje të muzeut. 

Ata janë arkeologu Neritan Ceka, historiani Luan Malltezi, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Ardian Marashi, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës Valter Shtylla, përgjegjësja e sektorit të artit në Ministrinë e Kulturës Herida Duro dhe arkitekti Marin Biçoku. Siç shihet në grup nuk ka asnjë përfaqësues të arteve pamore, asnjë skulptor apo piktor. 

Në intervistën e Lesit nuk përmendet fjala "konkurs" të cilit duhet t'i nënshtrohet ideja për memorialin dhe shtatoren. Po kështu, edhe vetë koncepti për memorialin është i paqartë. 

Do të jetë një bust, një shtatore, apo një muze i vogël? I pyetur se çdo të kuptojmë me memorial, zv/ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve shpjegon: "Memorial nënkuptohet një sallë që ka muze brenda, sallë biblioteke, sallë filmi, bar kafe, në njëfarë mënyre edhe si qendër kulturore". 

E më tej jep edhe shpjegimin e bustit: "Me bust si ai që është tek shkallët e Universitetit që është për Nënë Terezën, porse këtë rradhë do të jetë më i madh dhe mu në shesh, ka mundësi tek shatërvani".

Z. Lesi, përse keni propozuar ndërtimi i një monumenti tjetër të Nënë Terezës, kur aty është një monument?

Ka patur mendime, sugjerime, bile edhe një vendim të grupit të punës për në të djathtë të Universitetit të Tiranës. U bë me qëllim që të nxiste debate, të vjelim sa më shumë ide nga njerëzit, kemi kërkuar edhe nga opozita mendime, dhe në fund është vendosur dje që t'i propozohet Kryeministrit që Memoriali të ngrihet përfundimisht tek ndërtesa ku ka selinë Rektorati i Universitetit i Tiranës dhe Muzeu Arkeologjik, ose në gjuhën më popullore tek Kolonat tek Sheshi "Nënë Tereza".

Gjithashtu kryeministri ka vendosur që busti i Nënë Terezës ku është sot në shkallaret e Universitetit (në një vend jo normal) të hiqet e të vendoset në një vend të dukshëm e prezentabël në Sheshin që mban emrin e Nënë Terezës.

Si do të bëhet zgjedhja e projektit? 

Me urdhër të kryeministrit, më 12 janar të këtij viti është ngritur një grup pune për realizimin e Memorialit të Nënë Terezës që përkon me 100-vjetorin e lindjes së saj, më 26 gusht. 

Siç edhe kemi bërë të ditur për mediat, grupi është mbledhur disa herë dhe vazhdon të mblidhet për të hartuar një projekt i cili më pas do t'i nënshtrohet një debati e oponence publike. 

Në këtë Grup pune ku unë jam emëruar kryetar bëjnë pjesë këshilltari i kryeministrit për kulturën Neritan Ceka, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Luan Malltezi, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Ardian Marashi, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës Valter Shtylla, Herida Duro është përgjegjëse e Sektorit të Artit në Ministrinë e Kulturës, Marin Biçoku arkitekt që punon për llogari të Fondacionit kulturor "Nënë Tereza", ku është presidente zonja Berisha, dhe duhet sqaruar se ky fondacion ka marrë përsipër të hartojë falas projektin arkitektonik; një përfaqësues nga Ministria e Financave dhe një nëngrup plot me profesorë e doktorë shkencash në këtë fushë. Më shumë e më mirë se këta që përmenda nuk besoj të ketë për momentin!

Keni arritur në një konkluzion se si mund të jetë ky memorial? 

Memorial nënkuptohet një sallë që ka muze brenda, sallë biblioteke, sallë filmi, bar kafe, në njëfarë mënyre edhe si qendër kulturore". 

E më tej jep edhe shpjegimin e bustit: "Me bust si ai që është tek shkallët e Universitetit që është për Nënë Terezën, porse këtë rradhë do të jetë më i madh dhe mu në shesh, ka mundësi tek shatërvani".

Jemi në fazën e fillimit ku po diskutohen disa variante me pjesëtarët që përmenda e që më pas të kalojë nën një filtër më publik. Është arkitekti Marin Biçoku, një arkitekt shumë i mirë në këtë fushë që do të hartojë projektin arkitektonik, që siç thashë e bën falas Fondacioni "Nënë Tereza". 

Fakti që po e bën falas dhe e falënderojmë nuk do të thotë që nuk do t'i nënshtrohet një debati nga specialistët e fushës dhe nga pjesa që është e specializuar në këtë fushë. Memoriali është një vepër që do të mbetet, ndaj një herë bëhet dhe kësisoj do të kërkoj mendime e oponencë. 

Në cilësinë e zv/ministrit dhe si kryetar i këtij komisioni nuk do të pranoj kalim të projektit pa kaluar disa filtra të të gjitha fushave. Ka patur një vlerësim pozitiv nga brenda e jashtë vendit ku jetojnë shqiptarë për vendimin e ngritjes së Memorialit, të kësaj gruaje me përmasa e jehonë botërore që ka gjak shqiptar.

Çfarë fondi është hapur për këtë konkurs?

Ende jemi në fazën e propozimeve, pasi në raport me idetë, mendimet e ndryshme sesi do të kompozohet Memoriali do të jetë edhe projekti që është akoma në embrion. Prandaj është dhe një përfaqësues i Ministrisë së Financave në këtë grup pune. Por, në momentin kur të jetë ngjizur projekti do të dalë edhe një faturë financiare.

Çfarë afatesh janë vendosur?

Më 26 gusht të këtij viti hidhet guri i parë në mënyrë simbolike. Prandaj na duhet të nxitojmë në të gjitha gjërat. Mos harroni se Memoriali do të ngrihet, pasi është urdhër i prerë i kryeministrit, por se grupi i punës ka për detyrë të projektojë e të kërkojë gjithandej nëpër botë, si në Indi, Vatikan, Maqedoni, Kosovë, Irlandë, etj., sende e gjëra që lidhen me jetën e veprën e Nënë Terezës. 

Specialistët janë shpërndarë në këtë sens, por mos harroni se është shumë e vështirë deri tani që nga Kalkuta (Indi) të marrim gjëra që për Memorialin do të ishin të veçanta. Të shohim, pasi po bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për t'i gjetur. Ua përsëris se jemi në fillim të punës për ngritur këtë Memorial. 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora