E enjte, 28.03.2024, 12:01 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Lindita Agolli

E diele, 14.02.2010, 06:38 PM


Lindita Agolli

With a man

Unë jam e bardhë,
Lakmitë
E çdo shqise t’i përmbush.
Unë jam mermer 
Që pres...

Skalitësi je ti,
Dhe unë,
Kthehem në vepër arti,
Krijesë.

UNAZA

Rreth metalik, 
Metalik  i çmuar,
Një gisht vlen më pak.
Njeriu,
I ligu i  vetvetes
Të paktën gishtin e fut në lak.

Rreth i pahapshëm,
Burg vezullues,
Gishtin sa bukur e tregon.
Njeriu,
Ky skllav i së keqes,
Të keqen me ar, pandeh se mbulon.

VETËM  NJË  GJË

E vetmja gjë
Që mund të bëj për ty,
Pritjen të zgjas,
Të zgjas durimin.

Pastaj,
Kur të vish, 
Pa zhurmë,
Pa fjalë,
Të shkrihem 
Bashkë me agimin.

MË PREK

Nëma pak dorën
Dhe më prek,
Në harresë të zakonshme 
Ta mbërthej.
Shumë pak nga prekja jote,
Të keqen kapërcej.

Në ajrin që flet
Më deh fryma jote
Dhe bëhem 
E etshme.
Me prekjen jetoj,
Ndihem si era...
E përjetshme.

DHE  VJEN

Ashtu siç vjen, ngadalë e buzëqeshur,
Me sy kërkon një vënd të liruar,
Unë shoh dhe ndjej sadopak zjarrin,
Dhe shpirtin tënd të trazuar...
Dhe merr  gazetën, e sheh por nuk lexon,
Unë di dhe ndjej shpirtin tënd,
Që sillet nëpër  ajër, bredh...

E  THJESHTË

Unë, s’them më duaj,
              Por një të puthur,
                      Mund të ma dhurosh.

Të jesh i sigurt,
            Nuk ta vjedh ndjenjën,
                             Pastaj... mund të shkosh.

BORXHI

Vëthi i artë veshin ma shtërngoi,
Dhe mishi m’u skuq e më dhëmbi,
E hoqa ngadalë, parë në pasqyrë,
Pickimi i vëthit më trëmbi.

Në arin e vëthit i gjeta kujtimet, 
Dhe lotët e mikut tim të vyer,
Dhe pse s’e desha  pranova dhuratën,
Vëthi në vesh – borxh i pa shlyer.

MË  PRIT

Më prit kur mendjes s’e kam,
Më prit kur nuk vij,
Më prit në lokalin tonë,
Me ty kafen ta pij.

Më prit pa zhurmë , pa merak,
Më prit qetësisht,
Edhe po s’erdha, aty jam,
Pafundësisht...

PASIONIT

Pasioni  yt i çmëndur po më çmënd,
E si të mos e duash zërin tënd.

Të zjen dëshira, gjaku të zjen,
Bashkë me dëshirën pasioni  vjen.

E kam dhe  unë një çmënduri,
Ku heshtas hyn dhe një si ti.

Pasioni yt dhe mua po më ndjell,
Ti nuk e di se ç’varg në mënd më sjell.

FRIKËS

Kafshoje heshtjen, frikën frikësoje,
Në hark të ndjenjës, gjerdanë radhit,
Syrin dhe buzën, mëkatit largoje,
Me fjalën zemrës, rrugën ia ndrit.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora