E enjte, 25.04.2024, 08:06 AM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Dilemat e regjistrimit të popullsisë

E shtune, 13.02.2010, 09:00 PM


Dilemat e regjistrimit të popullsisë

Nga Dorian Koçi

Cili problem mund të jetë më i vështirë për tu zgjidhur, një problem ekzistues apo një problem i sajuar pa qenë i tillë? Po ti referohemi fushës së logjikës, natyrisht që është një problem që ekziston pasi problemi i sajuar mund të pushojë së qeni si i tillë që në momentin që i rrëzohet argumenti. Por jo gjithmonë gjërat në Shqipëri kanë ecur duke ndjekur logjikën. Përvoja e këtyre viteve na ka treguar se shpesh herë shoqëria shqiptare i është dashur të merret më shumë me problemet e krijuara sesa me ata ekzistues. Në fakt gjatë kësaj kohe të maturimit tonë të vazhdueshëm politik kemi qenë të aftë të krijojmë “stuhira në gotë”, në të cilat edhe pse nuk mund të jemi mbytur na kanë harxhuar energji dhe kohë për ti përballuar.
 Debati më i fundit në shoqërinë shqiptare për regjistrimin e popullsisë në bazë të vetëdeklarimit të kombësisë dhe fesë i përngjet një problemi të krijuar sesa një problemi ekzistues. Përgjigjen dhe zgjidhjen e ka marrë që në vitin 1919 në bisedimet e Konferencës së Paqes në Paris, kur aleatët e Antantës i deklaruan Venizellosit kryeministrit grek të kohës i cili dëshironte pikërisht një numërim të tillë të popullsisë të të ashtuquajturit Vorio Epir, në fakt Shqipërisë së Jugut se besimi fetar nuk mund të merrej parasysh përpara gjuhës së folur si kriter për të përcaktuar  kombësinë e popullatës. Dhe ky vendim nuk u morr vetëm për të kënaqur Italinë , fuqinë e interesuar për Shqipërinë siç shprehet aty këtu historiografia greke, por u bazua në një vëzhgim të thellë që komisioni i caktimit të kufijve ndërmori në terren. Kështu që pas këtij kapitulli të mbyllur historie tingëllojnë absurde përpjekjet e sotme për të risjellë në skenë një praktikë të tillë. Aq më tepër kur vende përreth nesh jo vetëm që nuk e praktikojnë por në bazë të politikave të tyre asimiluese kanë bërë të mundur të asimilojnë grupe të tjera etnike për të çimentosur formulën e shtetit-komb.
A është ky regjistrim një kërkesë e Bashkimit Evropian apo kërkesë nga vendi fqinj Greqia e cila rezulton të jetë më e interesuara për tu zhvilluar një regjistrim të tillë të popullsisë. Duhet ta bëjmë këtë pyetje pasi shteti grek në mënyrë të një pas njëshme në të gjitha kohët dhe rrethanat historike ka vazhduar të pretendojë se qytetarët shqiptarë të besimit ortodoks i përkasin kombësisë greke. Sinqeriteti i administratës shqiptare për t’iu përgjigjur kësaj pyetje në fakt rrëzon dhe të gjitha alibitë dhe keqkuptimet e mundshme. S’ka dyshim që pas disa dekadave që nuk kemi pasur një regjistrim të mirëfilltë fetar, ai është i domosdoshëm jo vetëm për të përcaktuar qartë raportin e komuniteteve fetare në vend por dhe për të dëshmuar realitetin larg formulave të vjetra që i përkasin gjysmës së shekullit të kaluar. Ndërsa regjistrimi i popullsisë duke vetëdeklaruar kombësinë tingëllon absurd pasi kombësia e një individi nuk mund të përcaktohet nga çfarë ai deklaron por nga  origjina etnike e trashëguar nga prindërit. Arsyetimi i servirur nga disa përfaqësues të minoriteteve se regjistrimet e popullsisë të ndërmarra gjatë regjimit komunist nuk i përgjigjen realitetit mund të jenë pjesërisht të sakta. Nuk përjashtohet mundësia që të jetë ushtruar presion mbi individë të veçantë për të mos deklaruar kombësinë e vet, por në përgjithësi shteti shqiptar i pas luftës së dytë botërore i respektoi të gjitha marrëveshjet për minoritetet, veçanërisht marrëveshjen për të drejtat e minoritetit grek, të nënshkruar më 1921 me rastin e pranimit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve. 
Debatet dhe përpjekjet e fundit për ta zgjeruar këtë zonë minoritare duke përfshirë Himarën, Korçën e Përmetin rikthen në skenë problemin që Fuqitë e Mëdha në Paris i kanë dhënë përgjigje kështu që rrjedhimisht pala shqiptare as që duhet të merret më me të për ta shqyrtuar. Shteti shqiptar duhet të tregojë më shumë kulturë shtetformuese duke respektuar shtetarët e vet të mëparshëm si dhe punën administrative të tyre. Nëse Shqipërisë i është rezervuar fati i republikës së Kosovës për tu kthyer nga një vend me popullsinë më homogjene në Ballkan, në vendin e shumë kombësive dhe shumë kulturave atëherë shqiptarët s’duhet të lejojnë të kthehen në kaviet eksperimentale të rajonit. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend të rajonit, madje dhe në ato që pretendojnë se e kanë kryer këtë regjistrim prej shumë vitesh më parë. Ç’mund të themi  për regjistrimet e popullsisë në Greqi, ku sipas studiuesve të ndryshëm kur u kooptuan në shtetin grek territoret e Maqedonisë së sotme greke, një e treta e popullsisë ishte e kombësisë sllave, kurse në regjistrimet e sotme nuk gjen pothuajse asnjë individ të kësaj kombësie!
Ky amatorizëm qeverisës i demonstruar për gjithë këto vite me radhë në marrëdhëniet tona me fqinjët , ka dhënë goditje të fuqishme ndaj individit shqiptar i cili nën peshën e halleve të jetesës së përditshme është tkurrur moralisht sa të pranojë dhe të vetë deklarohet i njërës apo tjetrës kombësi për të përfituar  sadopak integrim dhe mirëqenie në hapësirat evropiane. Sepse të jemi të drejtë dhe të mos fshihemi pas gishtit, e gjithë frika jonë dhe avantazhi i atyre që i kërkojnë këtë regjistrim popullsie Shqipërisë qëndron në faktin se një pjesë e popullsisë do të deklarohet i njërës apo tjetrës kombësi duke ngritur në mënyrë fiktive numrin e minoriteteve në Shqipëri. Afro 90 vjet më parë oficerët e Komisionit Ndërkombëtar të caktimit të kufijve midis Shqipërisë dhe Greqisë, pas dëgjimit të korit banorëve, të instruktuar me anë të dhunës nga ushtritë greke të okupacionit, që të deklaronin se ishin grekë, hidhnin mes fëmijëve lekë dhe dëgjonin gjuhën që flisnin dhe pastaj vendosnin se kujt kombi i përkiste popullata duke marrë si kriter dallues gjuhën e folur. Në këtë mënyrë shumë fshatra shqiptarë me popullsi ortodokse qëndruan brenda kufijve të Shqipërisë. 90 vjet më pas a do të lejojnë shqiptarët që faktori “lek” kësaj radhe të veprojë në të kundërt të tyre? Dilemat personale të individëve “të kesh apo të mos kesh” nuk mund të marrin peng një territor, shtet të tërë prandaj më tepër se kurrë shqiptarët për tu përballur me këtë dilemë mund ti ndihmojë shteti i tyre duke rritur performancën për të administruar territorin e burimet jetësore për tu bërë më serioz në trajtimin e çështjeve të tilla e për tu dhënë atyre më shumë dinjitet.


(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora