Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vërejtje e vonuar dhe përgjegjësi e (pa)pranuar e UNMIK

| E hene, 15.10.2007, 07:46 PM |


Nga Esat Stavileci

Mosrespektimi i dy dokumenteve bazë me të cilët është vendosur prania ushtarake dhe civile në Kosovë: i Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet NATO-s dhe "RFJ-së" dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si nga ana e KFOR-it, ashtu dhe nga ana e UNMIK-ut, veçanërisht mosvendosja e përgjegjësive të tyre në veriun e Kosovës në përputhje me këto dy dokumente, ka ndikuar që sot, edhe vetë UNMIK-u të tërheqë vërejtjen për zhvillimet në këtë pjesë të Kosovës dhe veprimin e institucioneve paralele atje, duke theksuar dhe pasojat që mund të prodhohen për të ardhmen e Kosovës, me mundësi ndarjen e saj, pa vra mendjen se vetë janë bashkëpërgjegjës për ato zhvillime që karakterizohen jo vetëm me funksionimin e strukturave paralele ilegale serbe, por edhe me moszbatimin e ligjeve në fuqi, mosfunksionimin e mekanizmave të sigurisë dhe si rrjedhojë, me frikën e qytetarëve të asaj pjese të Kosovës për të ardhmen e tyre.

Origjina e problemit

Zhvillimet në veriun e Kosovës dhe veprimi i institucioneve paralele atje nuk ndodhin prej sot dhe për këtë janë të vetëdijshëm, si KFOR-i, ashtu edhe UNMIK-u. Origjina e problemit është se KFOR-i, qysh me vendosjen e pranisë së tij në Kosovë, nuk ka vepruar as në përputhje me Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të firmosur prej NATO-s dhe "RFJ-së", dhe as në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe për pasojë:

E para, grupe të armatosura të civilëve, grupe të bashkuara paramilitare dhe grupe ose individë të tillë, nuk u larguan jo vetëm jashtë së ashtuquajturës Zonë e Sigurisë Tokësore, por as nga territori i Kosovës;

E dyta, ato grupe dhe individë vepruan dhe ndërmorën operacione në territorin e Kosovës dhe, në këtë mënyrë, Mitrovica, përkatësisht Kosova, "u nda në dysh";

E treta, në Kosovë nuk u vendosen përgjegjësitë kryesore të pranisë ndërkombëtare civile.

(Pa)përgjegjësia

Me Marrëveshjen Ushtarako-Teknike, NATO-ja dhe "RFJ-ja" patën marrë përgjegjësinë që: "Për të vendosur një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive, me asnjë rast, asnjë forcë e RFJ-së dhe e Republikës së Serbisë nuk do të hyjë, kthehet ose mbetet brenda territorit të Kosovës ose Zonës së Sigurisë Tokësore ose Zonës së Sigurisë Ajrore".

Pa hyrë në detaje të tjera të kësaj marrëveshjeje, edhe nga kjo distancë kohore, mund të konstatohet mosrespektimi i saj dhe bartësi i përgjegjësisë për këtë: pala e autorizuar, qoftë "për përdorimin e forcës së domosdoshme, për të siguruar përmbushjen e kësaj marrëveshjeje", qoftë "për t‘i kontribuuar një ambienti të sigurtë për zbatimin e pranisë ndërkombëtare civile". Pra, përgjegjësia nuk është e kujt tjetër, veçse e KFOR-it.

Ishte pikërisht KFOR-i që, as nuk siguroi përmbushjen e plotë të marrëveshjes dhe as nuk krijoi ambient të sigurtë për zbatimin e pranisë ndërkombëtare civile dhe, në mënyrë indirekte, inkurajoi shtrirjen dhe instalimin e institucioneve paralele të pushtetit serb në Kosovë në shumë fusha të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore.

Me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, KFOR-i, ndër të tjera, mori përsipër, "... sigurimin e tërheqjes dhe të parandalimit të kthimit në Kosovë të ushtrisë federale dhe republikane, forcave policore dhe paramilitare...".

Ishte pikërisht KFOR-i që nuk parandaloi veprimin e forcave paramilitare serbe, as grumbullimin dhe ardhjen e forcave të reja paramilitare.

Ishte pikërisht KFOR-i që nuk e bëri ambientin e sigurtë në veriun e Kosovës dhe, si pasojë, shqiptarët, në masë të madhe, u detyruan t‘i lënë vatrat e veta, ndërsa serbët të vështirësojnë dhe pengojnë performimin e funksioneve themelore civile administrative; organizimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të institucioneve të përkohshme për vetëqeverisje demokratike dhe autonome; transformimin e përgjegjësive administrative; mbikëqyrjen dhe mbështetjen e konsolidimit të institucioneve lokale të përkohshme të Kosovës dhe aktivitetet e tjera për ndërtimin e paqes që përbënin disa nga fushat e vendosjes së përgjegjësive kryesore të pranisë ndërkombëtare civile. Në të vërtetë, këto aktivitete ose kanë munguar fare, ose kanë qenë të pamjaftueshme që, në mos asgjë tjetër, flasin për një neglizhencë të UNMIK-ut.

Ishte pikërisht UNMIK-u që nuk ndërmori aktivitetet që duhej të ndërmerrte për ta vënë në jetë atë pjesë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që i atribuohej vendosjes së përgjegjësive kryesore të pranisë ndërkombëtare civile dhe, në mënyrë të heshtur, lejoi involvimin e Beogradit zyrtar në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore brendapërbrenda territorit të Kosovës.

Paqartësitë dhe dilemat

Vendosja e Administrimit të Përkohshëm Civil Ndërkombëtar në Kosovë, që në fillim, u shoqërua me paqartësi dhe dilema që, për pasojë, prodhuan dhe pakënaqësitë e para. Pakënaqësitë u shfaqën kur Misioni i OKB-së në Kosovë kërkoi prej popullit që përjetoi genocidin, "të zbatojë të drejtën" e shtetit që e ushtroi atë ndaj tij, shtet që, në fakt, nuk ekzistonte më, as në kuptimin politik dhe as në atë gjeografik.

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së "iu kthye" një krijese të cilën po ai organ, me dy rezoluta të mëhershme, 757/1991 dhe 777/1992, kishte konfirmuar "vdekjen e saj" dhe mosnjohjen automatike të trashëgimisë juridike ndërkombëtare të "Jugosllavisë së Re" (Serbi dhe Mali i Zi). Qasja e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999) që të mbështetet "sovraniteti i RFJ-së" qe një gabim që prodhoi shumë pasoja të dëmshme për Kosovën ç‘prej se në të u instalua prania ndërkombëtare civile. Kjo qe arsyeja që Misioni i OKB-së pamundësoi vendosjen e caqeve të një rendi juridik burimor në Kosovë i cili, me kalimin e kohës, do të mënjanonte legjislacionin, mbi bazën e të cilit u zbatua represioni dhe dhuna në Kosovë. Vetë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së shkaktoi dilema me paqartësi në formulimet e saj. Në fakt, ajo lejoi "mundësi të gjera interpretimi", për shkak se nuk e përkufizoi qartë "llojin e pranisë ndërkombëtare civile", sikurse që nuk e bëri të qartë as qëllimin praktik dhe as mandatin e asaj pranie. Kjo ishte e mjaftueshme që të krijohen huti rreth ushtrimit të kompetencave të institucioneve të Kosovës, nga njëra anë dhe, hapi shtigje për veprimin e institucioneve paralele serbe në Kosovë, nga ana tjetër.

UNMIK-u, që nga fillimi i shtrirjes së misionit të tij në Kosovë, u angazhua për një "Kosovë multietnike", me gjithë faktin se realitetet demografike nuk e arsyetonin qenien e Kosovës një "rajon heterogjen nacional". Për "kurthet e shumetnitetit" kam shkruar disa herë, duke tërhequr vërejtjen se Kosova nuk paraqet fare "shoqëri shumetnike"; as nuk ishte në të kaluarën dhe as nuk është sot shoqëri e tillë. Posesivizmi serb ndaj Kosovës nuk ka bazën e vet etnike. Në fakt, kursi për "Kosmetin serb" përherë ka synuar ndërrimin e strukturës etnike të Kosovës, mirëpo argumentet flasin bindshëm për Kosovën me dominancë të theksuar shqiptare. Me një përqindje të pakonsiderueshme, serbët dhe grupet e tjera etnike që nuk përbëjnë, të gjitha bashkërisht, as 10 për qind të popullatës së Kosovës, nuk mund të ndryshojnë realitetin etnik në Kosovë dhe që atë ta paraqesin si "mozaik nacional". E vërteta flet për një koncentrim të lartë etniko-territorial të shqiptarëve që, vetvetiu territorin e Kosovës e profilizon si "territor të gjerë me individualitet të fuqishëm demografik, politik dhe kombëtar".

Vështrimi dhe trajtimi i Kosovës, nga ana e UNMIK-ut, si "mjedis shumetnik", nuk kanë marrë parasysh, më së paku, këta faktorë:

E para, se Kosova, si një rajon politiko-territorial i individualizuar në Ballkan, shprehet me realitetin nacional-demografik dhe territorial të popullit mbi dymilionësh shqiptarë.

E dyta, se Kosova, si një entitet historik, nacional dhe social- politik, me një identitet e individualitet të pamohueshëm, ka një strukturë etnike me shumicë dominante shqiptare.

Ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë

Shumë ndërhyrje të Serbisë kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në Kosovë. Shqiptarët janë treguar shumë indiferentë, ndërsa UNMIK-u shumë tolerant ndaj tyre. Pra, është shumë indikative që UNMIK-u, në mënyrë të tërthortë, ndihmoi "kthimin e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën", në pjesën e veriut të saj, duke lejuar që ato ndërhyrje të ndodhin, qoftë "para syve" të tij, qoftë me miratimin e tij. Do të përmendim disa nga ato ndërhyrje të Serbisë në Kosovë.

"Para syve" të UNMIK-ut dhe me "miratimin e tij" u lejua certifikimi i partive politike "me seli në Serbi, për pjesëmarrje në zgjedhjet në Kosovë".

"Para syve" të UNMIK-ut dhe me "miratimin e tij" u lejua që serbët e Kosovës "të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale në Serbi".

"Para syve" të bashkësisë ndërkombëtare u hartua, preambula, ose pjesa hyrëse e një dokumenti që mëtonte të bëhej një akt kushtetues i përbashkët i Serbisë dhe Malit të Zi, brendapërbrenda të cilit "përfshihej dhe Kosova e Metohia", edhe pse e ndërgjegjshme se, në të vërtetë, bëhej fjalë për Kosovën si entitet i veçantë, që "territorin e Kosovës e dallon dhe e ndan plotësisht nga territori i Serbisë".

Neglizhimet e UNMIK-ut inkurajuan dhe fuqizuan institucionet paralele serbe në veriun e Kosovës në fushat e ndryshme të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore, veprimin e të cilave institucione tash UNMIK-u "e sheh si të dëmshëm" dhe me mundësinë që të prodhojë pasoja për "ndarjen e Kosovës", ndërkohë që ndarja është një gjendje faktike dhe me këtë gjendje, institucionet e Kosovës nuk u morën pothuajse asnjëherë.

Tash së voni, është paralajmëruar se Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë një informatë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës në të cilën ky organ "vlerëson se tensionimet e mundshme në atë pjesë të Kosovës mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri të situatës së përgjithshme në Kosovë dhe në rajon".

Projekti serb i decentralizimit

Se çfarë, në fakt, synon Serbia në Kosovë, u bë e qartë në projektin serb të decentralizimit që, në pjesën më të madhe, "u shndërrua në projekt të Ahtisaarit", të cilin e miratoi pala shqiptare. Kërkesat e serbëve për decentralizim janë parë, që në fillim, si kërkesa që çështja e Kosovës të vështrohet dhe të shtrohet në rrafshin e rajonalizimit të saj, sado që kjo kërkesë e tyre prej ndërkombëtarëve është maskuar me gjoja "shpërqendrimin e pushtetit" që, në fakt, synonte përligjjen e enklavave dhe "etablimin e komunave serbe". Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për ta parë, por edhe për ta trajtuar çështjen e Kosovës si "nevojë e decentralizimit", fshehin tendencën për përligjjen e gjendjes së krijuar në terren.

Përfillja pa kriter e konceptit serb të decentralizimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare është parë si një "dritë e gjelbër" për afirmimin e idesë territoriale si "formë e zgjidhjes së konfliktit ndëretnik shqiptaro -serb", pa vra mendjen se ai, në të vërtetë, mund të përbëjë burimin e ri të konfliktit.

Veprimi i institucioneve paralele serbe dhe strukturimi i enklavave në baza etnike synon përligjjen e një realiteti të ri në veriun e Kosovës. Serbia kërkon "krijimin e dy entiteteve në Kosovë dhe këtë plan nuk e fsheh. Ai plan është një agjendë për ndarje etnike, e jo për integrim.

Prandaj, abstenimi serb në institucionet e Kosovës nuk është i rastësishëm. Ndodh me porosinë e Beogradit zyrtar dhe është "nën kujdestarinë e tij". Projekti serb nuk ka të bëjë me të ashtuquajturën "ruajtje të interesave serbe", sepse Serbia më shumë se me fatet e serbëve në Kosovë, është e preokupuar me "përligjjen e territoreve serbe" në të. Po qe se serbët, vërtetë, do të dëshironin integrimin e tyre në jetën politike, ekonomike e shoqërore në Kosovë, nuk do të abstenonin në krijimin dhe ndërtimin e institucioneve të saj, por do të pajtoheshin me realitetet që kanë ndodhur me luftën dhe do të miratonin statusin e saj në përputhje me vullnetin e popullit shumicë.

Vrojtimet mbyllëse

Në Serbi ende logjikohet mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pa vra mendjen se realitetet e krijuara në Kosovë pas luftës e kanë bërë atë një dokument të paqëndrueshëm, edhe nga pikëpamja logjike, edhe nga pikëpamja konstitucionale - juridike. "Mbështetja e serbëve" në këtë dokument u shërben atyre për "të mbajtur gjallë kërkesën e tyre për "ndikimin e Serbisë në zhvillimet në Kosovë".

Prej bashkësisë ndërkombëtare kërkohet që "të sqarojë mirë punët" me Beogradin para se të merret një vendim për statusin e Kosovës, për shkak të tendencave të vazhdueshme të tij për të kontrolluar veriun e Kosovës dhe, për të gllabëruar një pjesë të territorit të saj. Ndryshe, do të marrë përsipër përgjegjësinë të cilën pjesërisht e pranon në prononcimin e para disa ditshëm të UNMIK-ut se nuk ka ndërmarrë veprime për të ndaluar institucionet paralele serbe në emër "të ruajtjes së stabilitetit" në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Edhe sot flitet për "ruajtjen e gjendjes së tashme", pa vra mendjen se ruajtja e saj, në fakt, përligj një gjendje që kërcënon me rrezikun e shndërrimit të saj edhe në

gjendje juridike. Edhe pse diagnoza e "lëngimit të Kosovës" në pjesën veriore të saj është e qartë, është pikërisht UNMIK-u që nuk po e "përcakton terapinë adekuate" për ta ndryshuar atë. Ende ka hezitime. Droja e shqiptarëve në këtë pjesë të territorit të Kosovës është shumë e themeltë për shkak të mundësisë së "lëvizshmërisë së kufijve të Kosovës" pikërisht në pjesën veriore të saj në dëm të tyre.

Bërthama e progresit në Kosovë është ecja "në drejtimin e duhur". Në këtë ecje, bashkësia ndërkombëtare duhet të eliminojë fuqimisht dhe përfundimisht involvimin dhe ndikimin e Beogradit në proceset zhvillimore në Kosovë. Ajo duhet të ecë udhës së "zhbërjes së institucioneve paralele serbe", e jo udhës së përligjjes së tyre në emër të "procesit të decentralizimit", me projektet e ndërtuara mbi baza etnike që, vetvetiu, do të pamundësonin integrimin e komunitetit serb në strukturat legale të Kosovës. Ndryshe, çdo zgjidhje që do të dëmtonte tërësinë territoriale të Kosovës dhe që do të pamundësonte shtrirjen e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj, që do të pamundësonte zbatimin e ligjit unik të Kosovës në gjithë hapësirën e saj, nuk do të paraqiste zgjidhje "në funksion të stabilitetit", por do të prodhonte një destabilizim vështirë të riparueshëm për tërë rajonin.