E premte, 15.11.2019, 05:59 AM (GMT)

Komente

Refleksion mbi disa teza të rrezikshme

E hene, 15.10.2007, 07:31 PM


Nga Ilir Kalemaj

Këto ditë më rastisi të isha pjesëmarrës në referatin e një prej autorëve më të njohur në fushën e politikave dhe konflikteve etnike dhe ish-këshilltar i një numri të madh shtetesh që kanë pasur probleme me pakicat etnike brenda kufijve të tyre ekzistues. Profesor Donald Horoëitz është gjithashtu dhe një ekspert në fushën e sistemeve federale dhe këshillat e tij, që kanë pasur zakonisht një mbështjellje legale, kanë qenë kryesisht të destinuara për të arritur atë që në politologjinë moderne quhet "constitutional engineering", (që e shqipëruar do të thotë, amendime kushtetuese me synim akomodimin e interesave të grupeve të veçanta). E bëra këtë parantezë, për arsye se mbas përmendjesh të një numri të konsiderueshëm shtetesh, profesorit në fjalë iu drejtuan dy pyetje nga audienca në lidhje me Kosovën dhe mundësinë e zgjidhjes së situatës së atjeshme, referuar statusit të ardhshëm të saj dhe pyetja e dytë, iu drejtua nga ana ime dhe kishte të bënte me projekt-idenë e funksionimit të një sistemi ekuivalent federal (me atë që propozonte vetë ai) në rastin e Maqedonisë.
Në rastin e parë, pra në lidhje me Kosovën, profesori, tepër i logjikshëm deri në ato momente, filloi të lëshonte një "lumë" akuzash ndaj ish-presidentit Klinton për ndërhyrjen personale të tij në Kosovë (thua se bombardimet e NATO-s ishin lançuar nga një njeri i vetëm) dhe as nuk e përmendi fare spastrimin kolektiv dhe sistematik etnik që iu bë popullatës kosovare, në një hark prej vetëm disa muajsh. Akoma më tej, duke parashikuar dhe situatën më apokaliptike, që sipas tij, do ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës (këtë argument e mbronte me faktin se ishte avokat i federalizmit), zgjidhja e duhur në këtë rast, do ishte shkëputja e Mitrovicës veriore nga trungu kosovar dhe bashkëngjitja e saj Serbisë. Kjo zgjidhje bëhej për të garantuar "mbrojtjen" efektive të këtyre pakicave serbe, të cilat do gjendeshin në pozitë inferioriteti në shtetin e ri kosovar. Prandaj, konkludoi profesori, "zgjidhjet separatiste janë të rrezikshme, sepse tentojnë të prodhojnë irredentizëm."

Kjo qasje me dy standarde, në fakt, ka disa të meta thelbësore dhe ia vlen të ndalemi pak këtu, pasi është një konceptim që e kanë jo pak akademikë apo njerëz me ndikim në politikëbërje. Së pari, është thënë dhe stërthënë me dhjetëra herë dhe pak a shumë pranohet që Kosova është një rast sui generis, unik në llojin e vet dhe kjo vjen si rezultat i faktit që është rasti i fundit i pambyllur i ish-Jugosllavisë. Shumë autorë, përfshi dhe profesorin në fjalë, në fakt shpeshherë citojnë parimet e Badinterit, i cili ndër të tjera theksonte se vetëm republikat e Jugosllavisë kishin të drejtë të shkëputeshin prej saj, kur plotësonin disa kritere, duke përjashtuar ndërkohë unitet autonomë, si Kosovën dhe Vojvodinën. Por kjo nuk merr parasysh dinamikën e ngjarjeve, ashtu si dikur Komisioni i Badinterit nuk e mori në kohën e tij, kur lejoi Maqedoninë të shpallte pavarësinë, megjithëse nuk plotësonte thuajse asnjë nga standardet e kërkuara dhe i mohoi këtë të drejtë Kosovës, lëvizja për pavarësi e të cilës ishte "sakrifica" që duhej paguar (dhe që u shtyp egërsisht nga Beogradi), për të vënë në lëvizje mekanizmin zinxhir që çoi në pavarësinë e republikave të tjera. Së dyti, standardi i dyfishtë që Horovitzi aplikon kur vjen puna për "ilegjitimitetin" e pavarësisë së Kosovës, megjithëse kjo nuk çon asfare drejt irredentizmit apo bashkimit me një unit tjetër, ndërkohë që legjitimon të drejtën e serbëve të Kosovës për separatizëm, mendoj se është një mënyrë e mbrapshtë për t'i parë gjërat dhe deformon realitetin.

Përsa i përket pyetjes time për Maqedoninë, përgjigja e tij ishte se megjithëse ai e njihte pak si çështje, mund të thoshte me "siguri" se pakicat shqiptare atje ishin akomoduar më së miri nga mazhoranca sllave dhe se çdo lloj aplikimi i sistemit federal në këtë shtet (një parim që tjetërkund mbrohet me forcë nga ky autor), në rastin e Maqedonisë, do prodhonte veç regres dhe do çonte në mënyrë të pashmangshme drejt copëtimit të saj. Kjo përgjigje me thënë të drejtën më la me gojë hapur, pasi ka disa të meta themeltare dhe kontradikta thelbësore që do kërkonin shumë më tepër hapësirë sesa mund të parashtroj brenda këtyre radhëve. Gjithsesi, ia vlen të ndalemi në të paktën dy pika kryesore.

Së pari, ajo "mazhorancë sllave" që autori e merr si të mirëfilltë dhe e vendos përballë "minoritetit" shqiptar, është kaq e ndarë dhe e fragmentizuar mes vedi sa, për fat të keq, duket se është edhe faktori shqiptar. Mos të harrojmë se jo shumë kohë më parë ish-kryeministri (sllav) maqedonas, Gjeorgjevski (që në fakt e konsideron veten si bullgar etnik, jo vetëm që ndryshoi katërcipërisht "lëkurën" dhe tashmë është ambasadori i ri i Bullgarisë në vend (vini re çfarë paradoksi), por nga ana tjetër, hodhi dhe tezën se ndoshta ndarja do ishte opsioni më i mirë. Në të njëjtën logjikë, edhe një ish-ministër tjetër maqedonas deklaroi pak kohë më parë, se ishte mirë që krahina si Dibra e Madhe apo qytete si Gostivari t'i ktheheshin Shqipërisë, pasi janë me shumicë shqiptare, ndërsa Shkupi t'i mbetej Maqedonisë, pasi është me shumicë sllave. Për të mos llogaritur pastaj faktin që vetë sllavët e Maqedonisë nuk identifikohen kurrsesi si një trup i vetëm, por kanë kërkesa shpesh diametralisht të kundërta. Së dyti, Marrëveshja e Ohrit, për të cilën profesori ishte pothuajse në mosdijeni të plotë, ishte një hap drejt të ashtuquajturit "devolution" pra federalizimit de facto të shtetit maqedonas, duke i hapur rrugën shqiptarëve të cilësohen si popull shtet-formues dhe me të drejta si gjuha, flamuri shqiptar, shkolla etj., në bashki dhe komuna me mbi 20% të popullsisë shqiptare. Dhe mendoj se pikërisht për shkak të dështimit të implementimit të shumë prej reformave të premtuara në Marrëveshjen e Ohrit nga ana e qeverive të njëpasnjëshme maqedonase, edhe si rrjedhojë e përçarjes së faktorit shqiptar, Maqedonia po vuan sot nga një mungesë stabiliteti permanente që rrezikon në çdo moment ekzistencën politike të saj. Mos të harrojmë që Maqedonia si republikë e mëvetësuar është më tepër një "sajesë" e kohës së Titos dhe produkt i ideologjisë jo-nacionaliste që komunizmi prodhoi për ruajtjen e ekuilibrave të brishtë në një federatë artificiale (siç qe Jugosllavia), sesa një shtet i mirëfilltë në kuptimin e shtetit-komb që haset rëndom në literaturën bashkëkohore. Parë në këtë optikë, mund të themi që një sistem federal, qoftë ky i ngjashëm me atë të Zvicrës (me anë të kantonizimit) apo procesit të devoluimit (devolution), ku si rast më i afërm me rastin maqedonas mund të marrim atë të Belgjikës (me dy popujt kryesorë konstituivë të saj, flemishët dhe valonët apo frëngjisht-folësit), mund të ishte zgjidhja ideale për Maqedoninë dhe do garantonte ekuilibrat e brishta në një shtet të traumatizuar nga ndasitë etnike dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të fqinjëve të tij më të fuqishëm.

Pra, në kundërshtim me tezat e profesor Horovitzit, por që në vetvete përfaqëson një mënyrë të sintetizuar mendimi që influencon vendimmarrjen e disa aktorëve kryesorë të përfshirë në gjetjen e rrugëdaljeve për rajonin, pasi teza të tilla hasen sot rëndom në literaturë, mendoj se zgjidhja e shumë prej problemeve të rajonit mund të arrijë vetëm nëse përfillet plotësisht faktori shqiptar dhe jo të neglizhohet vazhdimisht, siç është bërë rëndom deri më sot. Kjo do të thotë që duhet të peshohet mirë secila nga rrugët që mund të ndiqet dhe nuk mund të luhet me dy standarde në kurriz të shqiptarëve të Ballkanit, të cilët pavarësisht përçarjeve dhe mospajtimeve mes vedit (alas, sindromi shqiptar që Konica aq bukur e ka përshkruar dikur), kanë luajtur gjithnjë një rol stabiliteti në rajon. Për më tepër, janë treguar mjaft akomodues dhe tolerantë dhe kanë treguar një shpirt bashkëpunimi civil dhe qytetar, në bashkëpunimin e tyre me elitat e mazhorancës vendase (si në rastin e Maqedonisë apo Malit të Zi) dhe janë "rebeluar" dhe kanë kërkuar një të drejtë të patjetërsueshme të tyre (si në rastin e Kosovës), vetëm kur janë nëpërkëmbur, dhunuar dhe kërcënuar me vetë ekzistencën e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT