Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valon Kurtishi: Shqiptarët jo mes perëndimit dhe lindjes por në zemër të perëndimit

| E marte, 09.02.2010, 11:00 PM |


Shqiptarët jo mes perëndimit dhe lindjes por në zemër të perëndimit

Nga Valon Kurtishi

Kohëve të fundit në mediat e shkruara janë shfaqur një shumësi shkrimesh që pikënisje e kanë identitetin kombëtar të popullit shqiptar. Shkrimet qoftë më të shkurtëra të natyrës gazetareske apo më të gjata edhe në formë librash e studimesh prej qindra faqesh, gjithmonë i referohen origjinave etnike dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve duke aplikuar teori të ndryshme për të përcaktuar këtë identitet. Edhe një numër i televizioneve kombëtare me shikueshmëri të lartë në Shqipërinë politike dhe jashtë saj janë marë me këtë çështje të rëndësishme për gjithë kombin. Një numër i autorëve të huaj janë përzier në këto përsiatje e debate brendashqiptare duke shkruar analiza të gjata e deri libra voluminozë për Shqipërinë, Kosovën, IRJM, shqiptarët tjerë të zonave periferike dhe popullin tonë në përgjithësi. Luftërat e përgjakshme dhe gjenocidet e viteve 90 në Ballkan u kanë dhënë arsye ose shtysë më shumë edhe një numri të madh të Think-Tanks europiane, amerikane e më gjerë të meren me analiza nga më të ndryshmet duke shtjelluar edhe aty aspekte të ndryshme të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Parë në tërësinë e tyre, por sidomos shkrimet e natyrave historike, politike e identitare në përgjithësi, karakterizohen nga një shkollë e re mendimi relativizimi, shkatërimi apo “dekonstruksioni” të mitit, e cila ka për qëllim sipas vetë autorëve, tokëzimin e figurave të lartësuara shumë gjatë historisë që sipas tyre kanë aritur shkallën e mitit. Miti përdoret këtu në kuptim të diçkaje jo të vërtetë, joracionale, jo të dokumentuar, jologjike, të pabesueshme, fiktive, joreale. Me një fjalë, miti meret dhe në fakt edhe është një tregim ose një përallë e gënjeshtër për zotëra të ndryshëm apo heronj të veçantë e cila nuk ka të bëjë me realitetin historik apo objektivitetin shkencor. Në këto “mite” shqiptare të cilët duhet rëzuar përdhe apo ç’mitizuar, këta autorë të huaj bashkë me një numër të vogël të shërbetorëve të tyre vendorë kanë futur fenomene, ngjarje, zhvillime e deri figura të caktuara nga e kaluara e kombit tonë. 
Projekti i pashpallur publik që ka marë rrugën e rrezikshme të realizimit në praktikë përfshin çështje në lidhje me origjinën etnike apo etnogjenzën e kombit tonë, prejardhjen ilire të shqiptarëve të sotëm, raportet etnike dhe territoriale ndërmjet shqiptarëve dhe tjerëve në mesjetë e deri në periudhën moderne, kohën e pushtimeve bizantine e otomane, raportet mes feve të ndryshme te shqiptarët, figurën e Skënderbeut, Balshës, Lekës së madh, Pirros së Epirit, vetë identitetit kombëtar te ne, botëkuptimi, civilizimi shqiptar, kultura, religjioni te shqiptarët sot, etj...etj. Absurdi arin kulmin kur qarqet që meren me “dekonstruimin e miteve shqiptare” e vënë në dyshim edhe përkatësinë etnike të dokumentuar me shkrim dhe me vetë zërin e saj origjinal të një figure të vonshme historike si ajo e nobelistes Nënë Tereza. Pra përkatësia e provuar me qindra dëshmi etnike shqiptare e Nënë Terezës shndërrohet nga këta studiues ç’mitizues”në mit që duhet rrëzuar, ç’mitizuar, shkatërruar doemos. Është interesante të shihet me çfarë guximi aventuresk që kufizon gati me patologji shizofrenie përpiqen të mohojnë gjëra të dokumentuara të figurave bashkëkohore në histori. Ne mund vetëm të paramendojmë gjithë bashkë spekulimet e tyre për figura apo ngjarje më të hershme në kohë e me këtë më pak të dokumentuara të historisë sonë kombëtare.
Është i pabesueshëm niveli i agresivitetit, kokëfortësia, kontinuiteti, persistenca dhe shumë dimensionaliteti me të cilën e ka marrë përsipër “demitizimin” apo shkatërimin e historisë së kombit shqiptar gjithë ky grup heterogjen dhe këto qarqe gjoja shkencore të jashtme e brendshme bashkë.
Dekonstruimi i realiteteve të pamohueshme historike shqiptare që ata i quajnë “mite”, nuk është “qëllim në vetvete” i këtyre manipulatorëve edhepse edhe kjo patologji mendore nuk mund të anashkalohet. Ai i shërben strategjisë së çuditshme të këtyre qarqeve për të relativizuar gjithçka që përbën identitetin kombëtar shqiptar në mënyrë që ti hapin rrugë identiteteve alternative, subidentiteteve si p.sh atyre regjionale, krahinore, linguistike-dialektore, fetare, klasore, etj. Kjo është një përpjekje mazokiste për të sulmuar dhe shkatëruar kulturën kombëtare shqiptare dhe për ta zëvendësuar pastaj atë kombëtaren dhe strukturoren me subkultura fragmentarizuese pa një lidhje organike me njëra tjetrën. Përpjekja për të nxjerrë në sipërfaqe dhe popullarizuar identitete të tejkaluara parapolitike regjionale, krahinore, fetare, dialektore, klasore etj, është kthim prapa në primitivizëm klanor dhe degradim i stadit emancipues ku ka aritur kombi ynë sot. Në instancë të fundit, duke i parë kushtet dhe rrethanat ku gjenden shqiptarët sot si dhe karakteristikat unikale të identitetit kombëtar shqiptar, këto veprime mund të çojnë në periudha afatgjata deri në shpërbërjen dhe zhdukjen totale të shqiptarëve si komb. 
Kjo paraqet njëkohësisht edhe një goditje direkte kundër vlerave të përbashkëta europiane të bashkëjetesës, tolerancës dhe diversitetit kulturor i cili i respekton dhe nuk i asimilon apo shkatëron vlerat kulturore e civilizuese të tjerëve. Një pjesë e këtyre plangprishësve shqiptarë që janë pjesë e kësaj kryqëzate ç’mitizuese antishqiptare, shiten përndryshe ditë e natë si humanistë-liberalë të mëdhenj e shumë tolerantë që i duan të mirën gjithë njerëzimit, e lëre më kombit të tyre!!!.

Në këtë drejtim, viteve të fundit ka zënë fill edhe një ligjëratë dhe disa polemika të turpshme në mediat tona në lidhje me përkatësinë europiane ose joeuropiane të kombit shqiptar. Tentohet që në mënyrë artificiale të krijohet përshtypja se shqiptarët nuk janë as europianë as orientalë por një diçka e ndërmjetme mes këtyre dy civilizimeve të mëdha. Me fjalën civilizim ata që përshkruajnë fenomenin në fjalë e kanë parasysh, ose e mendojnë dhe analizojnë vetëm një aspekt gati anësor të tij: fenë. Feja dhe përbërësit shoqërorë që burojnë prej saj janë kut gjykimi apo kriter i vetëm vlerësues për ta. Nga ajo se shqiptarët janë të krishterë katolikë ose ortodoksë apo myslimanë sunitë e shiitë, varet edhe përkatësia civilizuese e kombit tonë në oksident apo orient!!!. Ta quajmë kushtimisht “përkatësia” në njërin bllok civilizues nuk nënkupton me automatizën ndasitë fetare që në përgjithësi njihen nga viti 0, d.m.th sipas jetës së Jezu Krishtit. Europianizmi, autoktonia europiane, mentaliteti europian, psikologjia europiane ose jo e shqiptarëve nuk përcaktohet dhe varet vetëm nga përkatësia fetare në njërën apo tjetrën herezi judeo-orientale qoftë ajo e krishterë apo islamike. 
Në gjithë fjalorët botëror nocioni “civilizim” nuk vendoset askund si zëvendësim i fjalës “fe”, por meret si një “ proces i të civilizuarit apo proces i të bërit qytetar”. Një shoqëri e civilizuar karakterizohet nga një “bujqësi e zhvilluar, tregti në distanca të mëdha, qeverisje minimale, specializim profesionesh, dhe urbanizëm”. Shkrimi apo alfabeti është baza e civilizimit. Shkrimi dhe alfabeti i shqiptarëve gjithmonë ka qenë dhe akoma sot është shqiptar dhe europian. Shkrimi i parë edhe mund të ketë ardhur nga zonat lindore i zbuluar nga popujt e Sumerit, mirëpo ai është perfeksionuar nga europianët në Europë. Shkrimi shqip ndan karakteristika të përbashkëta me shkrimet tjera europiane. Gjuha shqipe është gjuhë indoeuropiane poashtu. Sipas fjalorëve të huaj, të ndihmuar nga ndarja e punës dhe autoriteti i centralizuar shtetëror, civilizimi ka zhvilluar edhe shumë shenja të ndryshme kulturore mes të cilave edhe religjionin e organizuar, si dhe zhvillime në arte, shkenca dhe teknologji të ndryshme.
Nuk mund të mohohet se religjioni si një grup i vlerave në të cilat beson një shoqëri e caktuar për një periudhë të caktuar kohore, ka ndikimin e vet të pamohueshëm në regullimin e përbërësve të shumtë të civilizimit dhe marrëdhënieve komplekse që krijohen mes tyre. Por nuk duhet thënë dhe nuk mundet asesi që feja të përfshijë civilizimin apo civilizimi të jetë ingredient i ndonjë religjioni të organizuar. Përkundrazi, feja është një përbërës minor do të thonim i civilizimit gjithëpërfshirës të shoqërive të caktuara. Sipas filozofit gjerman Albert Shvajcer, civilizimi është një koncept, një kategori shumë e gjerë dhe gjithëpërfshirëse në jetën njerëzore. Sipas tij civilizimi paraqet ose është, “shuma e përgjithshme e gjithë përparimit të aritur nga njeriu në gjithë fushat e veprimit dhe në çdo pikëpamje, përderisa ky përparim ndihmon në drejtim të aritjes të perfeksionimit shpirtëror të individëve si një përparim i të gjithë përparimeve”. D.m.th, perfeksionimi shpirtëror i individëve meret nga Shvajceri si “përparimi i gjithë përparimeve” apo si qëllimi përfundimtar, misioni historik i vetë civilizimit. Pra civilizimi është shumë më tepër sesa përkatësi në një religjion të caktuar në një kohë të caktuar, në një territor të caktuar. 
Këtu është edhe dobësia e madhe e përkrahësve të tezës se shqiptarët janë diku mes lindjes e perëndimit. Edhe nëse shqiptarët shkaku i kushteve e rrethanave historike dhe ndikimeve të ndryshme asimiluese sot janë në një krizë vlerash që duket se i klasifikon diku “në mes”, përsëri shpirti i tyre thellë në gjene, në vlera, në besime, në ide, në botëkuptim edhe në pamje fizike nëse doni është thelbësisht, substancialisht europian. Kjo nuk ndryshohet dot. Kjo është lidhja mijëvjeçare primitive tribale e njeriut me tokën. Karakteristikat trupore apo përbërësi racor shqiptar është i bardhë, tipik europian. Shqiptari është i lidhur në mijëvjeçarë që shkojnë thellë deri në errësirat e historisë me tokën ku lind, jeton dhe vdes. E kjo tokë duke iu referuar gjithë shkencëtarëve qofshin ata shqiptarë apo të huaj është kontinenti europian.
Ndikimet e huaja në gjakun e shqiptarëve dhe në kulturën shqiptare janë sipërfaqësore, të pakta, të pandjeshme, dhe nuk mundën ta ndryshojnë përgjatë shekujve as pamjen e jashtme fizike apo karakteristikat trupore dhe as botëkuptimin shqiptar mbi jetën. 

Autentikja, burimorja, origjinalja, tradicionalja shqiptare do tu mbijetojë gjithë furtunave historike duke i bërë të dalin qesharakë dhe mjeranë para historisë ata që sot pa fije turpi përpiqen të dekonstruojnë “mite “ të paqena shqiptare apo edhe ata që vënë në dyshim përkatësinë civilizuese perëndimore të kombit shqiptar. Shqiptarët kanë qenë të detyruar nga pushtues të ndryshëm lindorë që të jetojnë dhe të sillen në periudha të caktuara historike sikur janë mes lindjes e perëndimit. Por shqiptarët si në pamje fizike ashtu edhe në shpirt dhe në botëkuptimin e tyre jetësor kanë qenë europianë, janë sot europianë dhe do të mbeten përjetësisht europianë. Ky është misioni i tyre historik në zonën ballkanike e cila sipas shumë mendimtarëve të mëdhenj botëror është një kryqëzim civilizimesh e kulturash. Në këto zona kufitare të ndikimeve kulturore rivalizuese dhe civilizimeve të mëdha botërore edhe mundësia për konflikte është më e madhe. Kjo është edhe një arsye më shumë që shqiptarët të jenë shumë të kujdesshëm në lidhje me botëkuptimin e tyre europian. Ata e ndjejnë këtë dhe i dalin zot kësaj. Ata në periudha të lavdishme historike kanë qenë dhe siç duket edhe në të ardhmen do të jenë gardianë të civilizimit perëndimor në këtë pjesë të Europës dhe botës.