E marte, 27.10.2020, 08:06 PM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Trashëgimia Muzeore e Kosovës

E marte, 09.02.2010, 09:30 PM


Trashëgimia Muzeore e Kosovës
Nga Qazim Namani

Që nga kohët më të lashta në Kosovë ruhen materiale të vlefshme si: vegla të ndryshme personale, familjare armë dhe sende tjera të cilat mbaheshin nëpër shtëpi banimi, objekte të kultit dhe vende tjera të shenjta. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se ruajtësit më besnik të thesarit muzeor në Kosovë ishin objektet e kultit, kishat dhe manastiret e hershme paleokristiane, mesjetare, xhamitë, teqetë, tyrbet etj. Tradita dhe interesimi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve të kulturës treguan se shumë monumente sot hyjnë në radhën e realizimeve ma me vlerë të qytetërimit dhe kulturës Evropiane. Luftërat e shumta dhe konfliktet e zhvilluara në këto treva ndikuan që të dëmtohen dhe shkatërrohen një numër i madh i thesarit, dokumenteve dhe monumenteve të kulturës.

Thesaret më të çmuara në Kosovë sot konsiderohen të jenë disa nga monumentet e zbuluara arkeologjike që nga koha e neolitit, e sidomos vlen të veçohen thesaret e manastireve mesjetare të Deçanit, Graçanicës dhe Patriarkanës së Pejës. Manastiri i Deçanit ka thesarin më të pasur dhe më të ruajtur në përjashtim të manastirit të Hilandarit në “Malin e Shenjtë”. Në manastirin e Deçanit ka sende me vlera të mëdha kulturore-historike të punuara prej metaleve fisnike, dorëshkrime të rralla, ikona, ikonostasi i mermertë, sarkofagë, koleksioni i pasur kryqesh, koleksioni i gotave ku vlen të përmendet gota e mitropolit të Artanës që i është dhuruar Deçanit më 1593, kandilat nga shekujt XVII - XVIII e XIX. Ikonat që ruhen në manastirin e Deçanit janë të shekujve XVI, XVII, si më e bukura veçohet ikona e Shën Mërisë së Pelargonisë me Krishtin në prehër.[1]

Thesar të pasur të koleksionit muzeor kishte edhe Patriarkana e Pejës por lufta Austro-Turke e viteve 1683-1689 i shkaktoi dëm të mëdha, sepse turqit nën udhëheqjen e Jegen Pashës në vitin 1688 e zbuluan pasurinë e këtij thesari që ishte i fshehur në një kube të manastirit të Graçanicës të cilin e barten me vete. Në patriarkalen e Pejës shquheshin koleksioni i ikonave,  koleksioni i metaleve fisnike i përbërë prej disa kryqeve të punuara në shekujt XVIII-XIX, thesari i drugdhendjes i punuar më 1797 nga Haxhi Ruvin Neshkoviqi etj. Në manastirin e Graçanicës kishte thesare të çmuara që ishin dhurata të mbretërve mesjetar. Vlerën më të madhe të këtij thesari e kanë ikonat dhe librat në dorëshkrime, si ikona e Krishtit, evangjelistit Luk e shekullit XVI, Shën Mërisë, 17 dorëshkrime dhe më se 20 fragmente të librave të shkruara me dorë të shekujve XIV-XVI.[2]

Zhvillimi institucional i muzeologjisë për etnokulturën e Kosovës nuk fillon me themelimin e Muzeut të Kosovës, por shumë më herët. Koleksioni i parë muzeor në Kosovë ishte muzeu i familjes Gjinolli në Prishtinë. Përveç këtij muzeu ka ekzistuar dhe një koleksion i rëndësishëm i familjes Bashota në Prizren.[3] Përveç këtyre familjeve ka pasur edhe shumë koleksionar tjerë të familjeve feudale shqiptare si familja Begolli në Pejë, Dragalijt në Mitrovicë etj.

Muzeu i familjes feudale Gjinolli me origjinë shqiptare ishte institucion kulturor mjaftë interesant dhe i ngjashëm me ato të oborreve feudale nëpër shtetet e Evropës, i cili është shkatërruar në kohën e luftërave Ballkanike me 1912.[4]

Koleksioni muzeor i familjes Gjinolli ka pasur një numër të konsiderueshëm të eksponateve me rëndësi historike dhe etnografike ( në mesin e tyre ka qenë edhe gijotina e Jashar Pashës ). Me pushtimin e Kosovës nga forcat serbe në luftën e parë Ballkanike, muzeu plaçkitet dhe tërësisht shkatërrohet. Prej vitit në fjalë në Kosovë nuk kemi muze të themeluar deri në vitin 1949[5]. Muzeu  i Kosovës i themeluar në vitin 1949, zhvillon veprimtarin e vet që nga viti 1951, në mbledhjen, hulumtimin, konservimin dhe ekspozimin e thesarit muzeor, për qëllim të studimit, edukimit dhe shijimit të vlerave materiale të trashëgimisë lëvizëse.

Gjatë periudhës komuniste në Institucionet muzeore Kosovare eksponatet janë trajtuar në mënyrë sipërfaqësore dhe të pjesshme në këto periudha: Antika dhe periudha Osmane. Rëndësi të veçantë i kushtohej LNÇ[6], periudhës së ndërtimit socialist, lëvizjes punëtore për arsye se pushteti komunist i konsideronte si periudha të lindjes, zhvillimit dhe të ndërtimit të ideologjisë komuniste. Pushteti komunist e bëri të pamundur, hulumtimin, prezantimin dhe publikimin e temave që kishin të bëjnë me periudhat më të ndritshme të historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Shumë tema, ngjarje dhe personalitete kulturo-historike kombëtare shqiptare u vlerësuan si kontrarrevolucionare, indoktrinuese dhe të dëmshme për shoqërinë socialiste. I tërë dokumentacioni, fotografitë dhe eksponatet tjera muzeore të cilat pasqyronin dhe dëshmonin ringjalljen arsimore e ekonomike të Kosovës gjatë viteve 1941-1944 mbanin legjendën vepra të fashizmit.[7]

Eksponate nga territori i Kosovës ishin dërguar nëpër muzetë e Jugosllavisë edhe ndërmjet dy luftërave botërore. Figura e cjapit prej bronzi që u zbulua në Prizren gjendet në Muzeun e Vrajës.[8]

Koleksionet e muzeve në Kosovë janë me vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të vendit, dhe përfshijnë rreth 60.000 eksponate. Koleksioni i Muzeut të Kosovës  përfshinë rreth 40.000 eksponate muzeore. Nga koleksionet e muzeve të Kosovës para luftës së fundit në Janar-Mars të vitit 1999, pak para  bombardimeve të NATO-s janë marrë si huazim për një ekspozitë të përkohshme me titull “Thesari arkeologjik i Kosovës” ekspozuar në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë në Beograd. Koleksioni arkeologjik, i përbërë nga 677 eksponate. Nga thesari i etnologjisë në të njëjtën mënyrë janë marr 571 eksponate janë huazuar për ekspozita lëvizëse etnologjike në muzetë e Novi Sadit, Suboticës, Kikindës, Vërshacit dhe Beogradit. Tani koleksioni arkeologjik mbahet padrejtësisht në depot e Muzeut popullor të Beogradit dhe koleksioni etnologjik në depot e Muzeut Etnologjik në Beograd. Prej të gjitha këtyre eksponateve pas lufte me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve është kthyer vetëm “Hyjnesha në fron”.[9]

Me rastin e 160 vjetorit të themelimit të tij, Muzeu Popullor i Beogradit në bashkëpunim me Muzeun Kelt Hochdorf/ENZ dhe Landesdenkmalamt Baden-Wurttemberg Esslingen, organizuan ekspozitën e përbashkët me eksponate kelte dhe ilire nga Ballkani qendror prej datës 25.11.2004 e deri me 31.07.2005. Në këtë ekspozitë përveç eksponateve nga muzetë e Serbisë, kishte dhe eksponate të Muzeut të Prishtinës.[10]

Muzeu  i Kosovës e rifillon punën më 06 Shtator 1999. Në Muzeun e Kosovës, dhe Muzeun e qytetit të Prishtinës pas lufte krijohen vështirësi për punë normale si pasojë e vendosjes së ndërkombëtarëve në objektin e muzeut. Pas largimit të ndërkombëtarëve në Muzeun e Kosovës janë rinovuar hapësirat ekspozuese. Në muzeun e qytetit të Prishtinës vendoset Ministria e Planifikimit Hapësinor, andaj Prishtina edhe sot është pa muze të vetin si komunë dhe kryeqytet.  Tani ish muzeu historik i revolucionit vendoset në muzeun e Kosovës për ti lëshuar vendin Galerisë së Arteve  të Kosovës.

Në disa komuna kanë qenë të themeluara muze komunale. Në Prizren muzeu arkeologjik regjional, muzeu i elektroekonomisë së Kosovës dhe Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i cili u dogj gjatë luftës më 1999 ku u shkatërruan 288 relikte dhe u dëmtuan shtatoret të punuara në bronz të Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit.[11] Muzeu etnografik i qytetit të Pejës. Muzeu etnografik në Gjakovë, Muzeu i qytetit në Mitrovicë. Muzetë komunale në Skenderaj, Fushë Kosovë, Vushtrri dhe vërehet interesimi për themelimin e muzeve komunale dhe në komunat tjera.



[1] Mr. Tefik Morina, Separat, “Rruga e zhvillimit dhe perspektiva e muzeve në Kosovë”, Prishtinë

     1974 , fq. 220-225

[2] Po aty fq. 228

[3] Mumin Zeqiri, Udhëheqës i sektorit të Etnologjisë në Muzeun e Kosovës,  “Konferenca

    muzeologjike kombëtare në Tiranë 12-13 Nëntor 2002”, fq. 76,77

[4] Vasilije Kozarac, “Gllasnik Muzeja Kosova i Metohije”, Prishtinë 1956.

[5] Dr. Riza Sadiku, këshilltar i lartë profesional në Muzeun e Kosovës , “Projekt mbi themelimin e

    Muzeut Historik”, Prishtinë, Shkurt 2002.

[6] LNC- Lufta Nacional Clirimtare

[7] Mr. Mehmet Gjoshi, Pasojat e trajtimit të vlerave muzeore në baza ideologjike gjatë periudhës

    komuniste, “Studime Muzeologjike nr 2”, fq. 61,62, Tiranë 2002.

[8] T.P. Vukanovic, “Vranjski Glasnik”, “Bronze figurine represinting the He-Goat from Teranda

   (Prizren) of Helenistik-Illyrien epoch”, Knj.IX, Vranje, 1973, fq. 2- 34

[9] Muzeu i Kosovës “Koncept-Plani rreth punës hulumtuese shkencore në Muzeun e Kosovës. 2005”

[10] Keltenmuseum, Hochdorf/ENZ, “Silber der Illyrer und Kelten im Zentralbalkan”, Eberdingen,

    2004, fq. 7

[11] Parim Kosova, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sfidat e tij 1981-1999

    fq 20 Prizren 2006.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora