Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sulejman Abazi (Neshaj): Mbi separatizmin politik shqiptar

| E marte, 09.02.2010, 10:57 PM |


Mbi separatizmin politik shqiptar

Nga Dr. Sulejman ABAZI (NESHAJ)

Pak humor të hidhur në gjuhën ezopike. Një herë një grup iriqësh u shtrënguan tek njeri - tjetri në një ditë të ftohtë dimri për t’u mbrojtur nga acari përmes ngrohtësisë së trupave të tyre. Brrrrr....sa ftohtë! Por përnjëherë ata provuan në lëkurë gjembat e njeri - tjetrit dhe sërish u larguan. Kur nevoja për t’u ringrohur i afroi, u përsërit po kjo e keqe troturuese. Gjembat ishin të pamëshirshëm. U robtuan të shkretët në mes të dy mundimeve, derisa gjetën një largësi të përshtatëshme, ku “çdo gjë shkonte mirë”. Kjo hapësirë “iriqësh” ka gardhosur ndjeshmërinë morale dhe politike tek njerëzit, i ka traumatizuar pa mëshirë në kufijtë e rehabilitimit psiko social. Të gjithë ndjejnë me dhimbje e frikë “gjembat” e helmatisur të iriqëve, duke pranuar në pavetëdije baltosjen dhe ndotjen e jetës së tyre. Sa keq!
Kush foli......ti, ti, ti, ...apo ti?   
Pushteti sot në Shqipëri sundohet nga një pakicë e korruptuar, e cila është e organizuar dhe i imponohet në të gjitha rastet shumicës. Bosët e rinj të dollarit (më falni: të parasë) ndihen kërcënueshëm, duke kaluar nga një karrige tek tjetra, pa u hyrë gjemb në këmbë. Këta përfaqësues tipikë mafiozë nuk mund të jenë kurrësesi produkt i institucioneve shqiptare, por “rastësia” ramiziste i nxori në krye të turmave, atëhere kur është dashur të ndodhte ndryshe dhe sot janë kapur me thonj pas karrigeve të pushtetit deri në marrëzi. Kjo është natyra e “boshllëkut” shpirtëror që i karakterizon këto monstra të periudhës sonë dramatike, të djeshme e të sotme, duke u justifikuar brenda vetes dhe opinionit me paturpësi ndaj revanshit të pandalshëm përpara asgjëje, për të dhunuar e zhvatur gjithçka nga “ajo” që mendojnë se është pronë e tyre, për të bërë të pamundurën në çdo formë dhe me çdo mjet t’u mbushin mendjen njerëzve të traumatizuar se “ata dhe vetëm ata”, kanë të drejtë të jenë në krye si “baballarë të kombit”, dhe vetëm kaq. 
Kjo sipas tyre, por jo sipas të tjerëve që mendojnë ndryshe, u ka veshur sytë, duke besuar se gjithçka mund të jetë pronë e tyre. Një e vërtetë e hidhur:  përveç kulturës dhe emancipimit shoqëror të munguar, të cilat nuk ua lanë dot paraardhësit e tyre, pasi edhe ata nuk kishin ku ta gjenin, po dhunojnë me injorancën e tyre sistemin shoqëror të rilindur në Shqipëri. Ky, me sa duket nuk është caku i fundit i përversitetit social – psikologjik dhe politik, rrjedhojë e atij përversiteti bizantin të ngjizur në varfërinë e jetës vulgare që kanë bërë në të shkuarën e largët, të frikës së dikurëshme prej normave staliniste të saj. Ndokush mund të ketë provuar edhe “thesin në kokë” dhe më pas, një grusht parash. “Paratë janë Zot të kohës sonë”, thoshte me sarkazëm filozofi Hajne, “kurse Gërdeci i Gërdecëve dhe djali i tij...më falni, ....Rothshildi dhe djemtë e tij janë profetët e tij”. Sa therëse....?!
*   *   * 
Termat irredentizëm dhe separatizëm në kurriz të shqiptarëve janë keqpërdorur, çuditërisht edhe nga njerëz që pretendojnë se bëjnë shkencë. Në vitet 1981 në ish Jugosllavi flitej për “irredentizmin shqiptar”. Kjo ishte një marrëzi politike. Shqiptarët kërkonin shkëputje, ndërsa “irredenta” kërkonte në thelb bashkimin. Këtë bashkim ajo e kërkon me ato pjesë organike të ndara padrejtësisht. Ka funksionuar rryma irredentiste e Hoxhë Kadrisë, e cila në thelb kërkonte bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë. Ky atribut që u jepej shqiptarëve të Kosovës nga regjimi politik ishte një gjë qesharake. Në gjuhën titiste do të ishte e drejtë, sigurisht sipas interesave të tyre, të cilët pretendonin për Kosovën si pjesë e Jugosllavisë dhe krahinë autonome e Serbisë brenda federatës, do të ishte i pranuar fenomeni i separatizmit shqiptar, i cili në thelb të lëvizjeve kombëtare, paraqiste tendendat e shkëputjes, përçarjes, coptimit të ish federatës, duke pretenduar drejt Bashkimit Kombëtar. Kërkohej një veçim, shkëputje nga ish federata për t’u bashkuar me një hapësirë tjetër organike, drejt shtetit amë. Separatizmi shqiptar i shprehur në lëvizjet e karakterit mbarëkombëtar për popullsinë shqiptare nën Serbi, Maqedoni, Malin e Zi, Greqi, nuk ka asgjë të përbashkët me fjalorin politik të kohës, të përdorur e përfolur në mënyrë vulgare e qesharake, përballë realitetit të sotëm, në kushtet kur kombi shqiptar jeton i coptuar në pesë shtete. 
Çështja e separatizmit politik duhet parë drejtëpërdrejtë në realitetin e sotëm. Ky fenomen, në kushtet e ndryshimit të situatave gjeopolitike në Ballkan, veçanërisht për hapësirën shqiptare, në kushtet kur Kosova ka fituar pavarësinë dhe po synon sovranitetin e saj, po shfaqet me efekte erozive fraksionizmi, fraktura, thyerja, me pasoja shkëputjet, ndarjet, veçimet, deri në grupime e rigrupime të reja politike, duke harxhuar shumë kohë dhe energji në drejtime të gabuara. Tendenca e rinisjes nga e para në çdo rast të frakturave politike e sociale, vazhdon të shfaqë një lloj dokishontizmi politik, sepse në fund të fundit, përvoja në jetën politike shqiptare ka vërtetuar, se gjithçka që i është nënshtruar këtij cikli absurd, ka qenë një luftë me mullinjtë e erës.
Fenomeni i separatizmit politik mbetet një fenomen tipik në jetën politike e patriake shqiptare. Është vënë re se, ky lloj separatizmi nuk ka arritur tek fraksionizmi, por e ka çuar situatën në ekstremet e saj. Ky konstatim meriton shpjegim. Së pari, duhet pranuar se ende nuk është arritur niveli kulturor politik. Fraksionizmi në mendimin partiak është konsideruar i barasvlefshëm me armikun, kundërshtarin brenda shtëpisë, kurse fraksioni, i përfaqësuar nga një grupim ose lobing, shpalos pikpamje duke respektuar në vija të përgjithëshme programet themelore, rregullat e subjektit, dhe për disa çështje të tjera, një grup njerëzish kanë mendime të ndryshme. Këto veçime brenda subjektit nuk përbëjnë shumicën. Fraksioni i ruan pikpamjet dhe i bindet vendimit të shumicës. Ai nuk është vlerësuar asnjëherë si i tillë. Është kjo arësyeja e përjashtimeve, largimeve, diskriminimeve, të cilat kanë çuar në rikrijime të reja, duke e futur procesin politik në një rreth vicioz pa rrugëdalje. 
Në Republikën e Shqipërisë shembullin e separatizmit politik e dha PD-ja, nga e cila u shkëputën shumë individë, duke dalë me parti më vete. Por ndodhi ajo që ndodhi, dhe pritej ajo që kishte populli në mendim. Në lidhje me këtë fenomen në rikonfigurimin e dy qeverive të PD-së, është konstatuar se, p.sh. Sali Berisha i priti përsëri të gjithë të larguarit. duke u dhënë poste në strukturën e shtetit. Me sa duket në ikje e sipër në fundin e karrierës së tij politike, lideri ka menduar se nuk duhet të lërë bishtra prapa për të bërë një histori ndryshe, por duke futur me dinakëri brenda PD-së dhe satelitëve të saj fenomenin e bashfajësisë kolektive, e di fort mirë se kur ajo ekziston tërësisht në parti pushon së qëni edhe si bashkëfajësi. Të gjithë të rithirrurir (apo të rikthyerit plangprishës), me Pollo, Ceka, Imami, Mediu, Spahiu, Starova etj, kanë pranuar poste duke u bërë ministra, zëvëndësministra, këshilltarë. Këta karrigethyer kanë kuptuar se, përpara interesave të tyre personale kanë humbur shumë nga identiteti i tyre partiak. Pak u bën përshtypje. Të gjithë janë futur në vathë me zgjuarësi nga lideri dhe do të mbartin pasojat e historisë kolektive nën udhëheqjen e tij. Rikthimi nuk është bërë mbi bazën e analizës dhe përgjegjësive, pse këta u ndanë dhe pse këta përsëri u bashkuan pa fajtor, duke e anashkaluar procesin nga të gjitha palët.  
Tendenca për ndarje e shkëputje janë vënë re edhe tek PS-ja. Shkëputja  e Ilir Metës duhet të ketë pasur në motiv një filozofi të shkatërrimit apo shpërbërjes së PS-së. Kjo filozofi u konkretizua me veprime të paramenduara drejt aleancave të fshehta me PD-në, duke përfunduar në bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Loja e Metës shfaq krizën politike të Kryeministrit Shqiptar, i cili e formoi qeverinë pas dy muaj e gjysëm, duke kërkuar që “007” të vinte në qeverisje për ta shpëtuar nga humbja e pushtetit. Këtë arritje Ai e bëri duke i bërë shumë favore “007”-ës, duke i dhënë ministritë kryesore, shumë zëvëndësministra, drejtorë dhe 20 përqindëshin në dikasteret dhe institucionet e tjera. Aq e ka shpërblyer Berisha partnerin Meta, sa ka dëmtuar klientelën e tij brenda PD-së përballë “fshesës” së LSI-së. Njerëzit që do ta kundërshtonin këtë zgjidhje, si Ngjela, Mustafaj, Dajçi, Zogaj, Biberaj, Bakalli e te tjerë, pra “skifterët” u larguan, duke e zëvëndësuar me disa “flokëverdha e ezmere”, me nishane e gjoksmëdha, pra shkurt, futi në lista “Lenkat”. Kush kishte pesë pare mend dhe guxim për të thënë mendimin ndryshe u hoq, duke futur në listë njerëz pa peshë e kontribute, të cilët edhe në gjum mendojnë se “Diellin dhe Hënën” për ta e bën vetëm Sali Berisha. 
Ajo që duhet të gjykohet brenda fenomenit separatizëm politik, është edhe grupi i mendimit ndryshe në PS, të përfaqësuar nga Blushi&CO, të cilët edhe pse të tillë, ishin në mes të turmave protestuese(!). Qoftë ky grup apo dhe partia e Petro Koçit, nuk kanë një filozofi ndryshe nga PS-ja. Nga kjo pikpamje, ata jatë të pamotivuar, në të kundërt, mbeten të detyruar të vazhdojnë lojën aspak morale, duke e ditur që kjo nuk i çon asgjëkundi. Ata ndihen të trembur ndaj “borxhit” që kanë diku tjetër. Lëvizjet e tyre nuk kanë pauses mbrapa që të bindin opinionin, edhe nëse kanë disa dhjetra të tillë. Kjo i ka diskretituar në sytë e opinionit të majtë, pavarësisht se herë pas here hidhen në sulm me buton, siç realizuan vajtjen e tyre qesharake në Strasburg.
Problemi shtrohet: Cila është ajo forcë e jashtëzakonëshme që i bën politikanët separatist shqiptarë, qoftë majtas apo djathtas, t’i heqin vetes vlerat dhe të ngarkojnë personalitetin e tyre dhe subjektet që përfaqësojnë me mëkate në sytë e popullit shqiptar. Këtu vepron diçka më e madhe se sa dinjiteti i tyre i përfolur, pra, BORXHI që ata kanë, aty ku janë kapur dhe ku u kërkohet llogari e të vihen në veprim. Shumë shpejtë edhe ata do ta braktisin njeri tjetrin.
Ne jetën shqiptare separatizmi del nga kuadri i subjekteve politike. E njëjta frymë vepron në shoqatat e ndryshme, fondacionet, e deri në jetën private të njerëzve, ku “njëshi pa tjetër duhet të bëhet dysh”, pasi bëhet dysh kërkohet të bëhet katërsh, deri sa shkërrmoqet fare. Këtë e shikojmë kudo edhe jashtë Republikës së Shqipërisë. Asgjë nuk shkon drejt bashkimit të forcave dhe energjive, sepse krerët kudo nuk dorëzojnë karriget, krerët nuk pranojnë të futen në hierarki, por dëshirojnë vetëm qoshenë e odës. Kjo ndodh në subjektet politike shqiptare në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi, kjo ka ndodhur me shoqatat patriotike në Diasporë, me shoqatën Patriotike Çamëria, me partinë Çame, me organizimet patrotike mbarëshqiptare, me Frontin për Bashkimin Kombëtar Shqiptar, etj.
Ky fenomen çon në përfundimin: të gjithë krerët separatist pretendojnë për atdhedashuri, por në realitet të gjithë pa përjashtim, me ndarjet, përçarjet, veçimet dhe shkatërrimin e qëndrimeve të unifikuara me karakter kombëtar, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë krimin më të shëmtuar ndaj popullit të vuajtur dhe çështjes kombëtare. Këta krerë individë separatist kanë zënë pozicionet e institucioneve përfaqësuese të çështjes kombëtare, duke krijuar barriera të larta ndaj njerëzve patriotë, inteligjencies së respektuar dhe veprimtarëve që punojnë në shërbim të çështjes kombëtare. Kjo kategori, me përbuzje dhe diskriminim veçohet si “idealiste e të çmendur”, që fantazojnë edhe kur shqiptarët diskriminohen në një palo shtet si Maqedonia, nga ku nuk ndalon veprimtaria regresive e goditjes së figurave tona kombëtare. 
Këta individë separatist me bëmat e tyre tentojnë të vërtetojnë në sytë e opinionit të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë, se shqiptarët nuk e duan çështjen kombëtare, duke konfiguruar me dinakëri imazhin e gabuar dhe vrasës, se sot nuk ja vlen të merresh me çështjen kombëtare. Pra, shkurt sipas tyre, sot është marrëzi të luftosh për çështjen kombëtare. Në këtë qëndrim janë bërë aq karagjoz dhe keqbërës të kthyer në qenie të papërgjegjëshme, sa kanë dhunuar dhe vazhdojnë me këmëngulje të shpërfillin idealizmin shqiptar, atë idealizëm kombëtar, që e ka bërë këtë komb të mbijetojë në shekuj përballë qëndrimeve të nacionalizmit agresiv të fqinjëve, të cilët tentojnë edhe sot të na shpërbëjnë.  
Kjo situatë e mbarsur me agresivitet dhe dinakëri të sofistikuar po tenton të ndikojë negativisht tek rinia jonë, e cila me dhunë e diktat po detyrohet të orientohet drejt konceptit të maksimizimit të jetës, të marri maksimumin prej saj në një kohë sa më të shkurtër, kur këto mundësi nuk janë, pra, me pak mundim. Kjo filozofi e mbrapshtë separatiste i kundërvihet në çdo hap filozofisë sonë kombëtare, duke e kërcënuar çdo ditë jetën e shqiptarëve me rrezikun e determinizmit të saj në të gjitha qelizat e shoqërisë. Duke ndjekur rrugën e përçarjes, hakmarrjes, dhunimit të vlerave kombëtare, në këto 20 vjet kjo falangë separatistësh politikë pothuajse ja kanë dalë të atrofizojnë idealizmin e natyrshëm tek të gjitha shtresat e shoqërisë. Ndihet kërcënues pesimizmi në angazhimin e brezit të ri për ta bërë Shqipërinë, duke e injoruar atë dhe duke i hequr dëshirën për t’u kthyer në promotorë të politikave të zhvillimit të jetës shqiptare.   
Separatizmi politik shqiptar ka gjetur mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar, i cili qëllimshëm e ushqen atë, duke goditur nëpërmjet këtyre rrypave të trasmesionit çështjen kombëtare shqiptare dhe veçanërisht idealizmin shqiptar. Nuk ka se si të justifikohet që pasojat e këtij fenomeni vrasës e kanë bërë dhe po vazhdojnë ta bëjnë rëndom problem Shqipërinë dhe shqiptarët në opinionin ndërkombëtar, e vendosin atë në fund të listave për çështje të ndryshme integrale, duke na dhënë leksione demokracie dhe mësime qesharake deri “si milet lopa”. Ata na mbështetën pa dëshirë në antarësimin e Shqipërisë në NATO, për shkak të gjeostrategjisë dhe interesave afatgjata amerikane në rajon, duke ruajtur kombinacionet e tyre politike. 
Separatizmi politik shqiptar ka shkuar aq larg, sa vetë ndërkombëtarët shpëesh ndihen ngushtë dhe të tronditur në momënte të caktuara përpara situatës politike që percepton në Shqipëri. Më e keqja është se këta separatist kokëtrashë nuk dëshirojnë ta kuptojnë, se të gjitha të këqiat vijnë nga që “kolona e pestë” në shërbimin tradicional të UDB-së dhe të ASFALI-së kanë punuar në këto 20 vjet për ta dematerializuar, për ta shpërbërë deri në materie Kombin Shqiptar. Vëreni, duke i rreshtuar ngjarjet në kompleks. Djegiet, vrasjet, shkatërrrimet dhe situata kaotike në vitet 90-92, Peshkëpin në vitin 1994, grabitja e parave në firmat piramidale, vrasja e jugut të Shqipërisë në 97-tën, grushti i shtetit në 98-tën, hapja e dyerve pa kriter të kapitalit grek në dy mandatet socialiste, mbytja e veriut të Shqipërisë, shkatërrimi i elementëve të Sigurisë Kombëtare, sabotimi i rrugës kombëtare drejt veriut të Shqipërisë për interesa partiake, blerjet dhe shitjet e energjisë nga Serbia në të njëjtën kohë që digat mbysin Shkodrën, dhurimi i hapësirave ujore territoriale shtetit grek, keqtrajtimi i pasurive kombëtare, regjistrimi etniko fetar për ta bërë Shqipërinë artificialisht një shtet “multietnik” me efekte prapavepruese, drejt autonomisë së “vorioepirit” dhe pjesmarrjes në pushtetin qëndror, njohja e Maqedonisë pa kushte kur brenda saj jetojnë mbi 1 milion shqiptarë të diskriminuar, pra të gjitha këto veprimet dhe mjaftë të tjera në hije e kulisa të ndyra politike, që bëhen duke mos dhënë kurrë llogari, të gjitha bëhen për të sulmuar deri në shfarosje vlerat e identitetit tonë kombëtar. Politikat separatist preferenciale të “njësh-it” dalin pa kokëçarje mbi politikat standardive, duke dhunuar interesat kombëtare, pa i dhënë llogari askujt. 
Edhe faltorja e popullit, Kuvendi, nuk mbetet prapa në këtë drejtim. Pëpara opinionit shpesh del edhe Jozefina, si përcjellëse e mesazhe të “njësh-it” të partisë së saj, që kur nuk i vjen për shtat e vërteta, i ha hunda dhe menjëherë dora i shkon tek prapan…Pretendon se i digjet shpirti për Shkodrën, pa menduar se ka kohë që për interest e saj partiake tenton ta përçajë qytetarinë shkodrane, duke nxjerrë në ankand vlerat e saj qytetërimore, për t’i imponuar në opinionin shqiptar termin e shpifur separatist, “bastion blu”. Nuk ka mënyrë tjetër më të rëndomtë për ta konsideruar Shqipërinë të ndarë në “bastionin blu” të PD-se në veri dhe në “bastionin rozë” të PS-së në jug. Kjo hartë qesharake duhet të prishet. Socalistët dhe demokratët, PD-ja, PS-ja dhe kushdo tjetër parti ka të drejtë të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, duke i bashkuar shqiptarët dhe jo duke i veçuar dhe përçarë ata.
Filozofia e mbrapshtë e separatistëve shqiptarë ecën dhe më tej. Ajo çka na bën të tmerrohemi përballë kësaj maskarade politike, mbetet fakti, që politikanët shqiptarë gjithmonë kërkojnë dhe gjejnë argument, pse nuk duhet të bashkohen kur është fjala për të mbrojtur interesat në qëndrimin kombëtar, dhe në asnjë rast nuk dëshirojnë të gjejnë e të përcjellin argumente, pse shqiptarët duhet të bashkohen nën moton “një komb një qëndrim”. Mos vallë të tjetër bëjnë më pak se sa kaq? Nëse në këtë situatë do të ndërtonim një hierarki, vërehet se njerëzit që janë në pushtet e kanë më të theksuar këtë frymë separatiste, kështu ndodh brenda partive të mëdha, duke zbritur tek njerëzit e thjeshtë, të cilët flasin, ankohen, denoncojnë dhe përsëri nuk i pyet e nuk i dëgjon njeri. 
Për shkak të separatizmit politik shqiptar, kudo në hapësirën etnike shqiptare në Ballkan, klasa politike dhe opinion i gjerë shoqëror sot janë në kontradiktë me njeri tjetrin. Për shumë çështje dhe për shumë arësye opinion shoqëror shqiptar, duke ndjerë rëndë mbi shpinë pasojat e politikës, nuk mendon njësoj si klasa politike. P.sh. në Kosovë opinion nuk është dakort me qëndrimet politike dhe institucionale nën diktatin e ndërkombëtarëve, kur pretendohet se funksionon një shtet i pavarur. Kur në një testim mbi 77 për qind e popullsisë nuk është dakort për regjistrimin mbi baza etnike e fetare, nuk ka se si qeverisja e këtij vendi të bëjë të kundërtën. Nuk ka se si populli të jetë dakort me deputetët e tij në parlamentin maqedon, kur mbi 7 ligje diskriminuese miratohen edhe me votën shqiptare dhe mbi 200 mijë shqiptarë janë çregjistruar (ata konsiderohen refugjatë pa atdhe në botë dhe OKB-ja e OSBE-ja heshtin) dhe nuk kanë të drejtë votë në këtë shtet. Qeverisje të tilla e kanë humbur legjitimitetin e përfaqësimit të popullit në institucionet e tij. 
Këto fenomene nuk janë të rastësishme. Ato synojnë separatizmin në shkallë kombëtare. Kjo filozofi e mbarpshtë separatiste meriton kundërvënien totale të opinionit të shëndoshë dhe institucioneve të përgjegjëshme, duke menduar më thellë, mbi atë se çfarë kemi të nevojëshme e të domosdoshme sot për të mirën tonë dhe të Shqipërisë. Është vërtetuar tashmë se tek ne problem kryesor mbetet karrigia e kryetarit, e “njësh-it”. Fatkeqësisht kjo ka të bëjë me memorien tonë historike, ku “njëshi” identifikohet me institucionin dhe institucioni ndërtohet në forma organizative në bazë të vullnetit dhe interesave të tij. Përmbytja politike ka ndodhur dhe për shkak të veprimit të separatizmit politik, Shqipëria nuk mund të mbetet në pafundësi laborator kozmik për aplikimin e skemave të shërbimeve inteligjente. Kjo është shprehja thelbësore e krizës politike të sajuar dje dhe sot në Shqipëri.
Shqiptarët përballë këtij fenomeni vrasës, midis autoritarizmit dhe demokracisë nuk duhet të njohin partitë, apo më keq, vullnetin e krerëve (jo rrallë gënjeshtarë dhe të pabesueshëm), por duhet të bashkohen për të pranuar dhe mbrojtur parimet demokratike të një shoqërie në zhvillim. Nëse shtrohet problemi midis kreut të partisë dhe demokracisë (siç po ndodh rëndom) duhet zgjedhur mbrojtja e demokracisë. Nëse problemi shtrohet midis demokracisë dhe çështjes kombëtare, të gjithë duhet të mbështesim mbrojtjen e interesave kombëtare. Brenda këtij sistemi funksionon edhe demokracia. Një klasë politike separatist nuk ka se si të respektojë hierarkinë e vlerave kombëtare dhe radhën e veprimeve. Në të kundërt, do të ishte fatale nëse BE-ja do të planifikonte një tjetër “Euleks” edhe për Republikën e Shqipërisë. 


Tiranë, 6 shkurt 2010