E marte, 16.04.2024, 11:25 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Regjistrimi mbi baza fetare, klerikët të përçarë

E diele, 07.02.2010, 05:52 PM


TIRANE- Regjistrimi i popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare, është një çështje që ka ngjallur debat jo vetëm mes specialistëve, por edhe në ambiente të tjera, sociale e intelektuale. Ndonëse mendimet e ekspertëve, historianëve, diskutimet mes figurave të njohura dhe të panjohura në publik kanë qenë të shumta, fare pak është dëgjuar zëri i komuniteteve fetare, të vendit tonë. Por edhe në ato raste kur është dhënë një opinion, ai nuk ka qenë aspak zyrtar. Në fakt, tri selitë më të mëdha të komuniteteve fetare në vend nuk ndajnë të njëjtin mendim, për sa i përket elementit fetar në regjistrimin e popullsisë. Secila palë ka folur nëpërmjet zëdhënësve apo përfaqësuesve, të cilët thonë se përkohësisht nuk ka asnjë qëndrim zyrtar në ana e institucioneve.

Sipas përfaqësuesit të komunitetit ortodoks, një veprim i tillë nuk cenon aspak kishën ortodokse. Çështja e regjistrimit të popullsisë është një aktivitet shtetëror, dhe Kisha nuk ka lidhje me aktivitetet politike, por merret vetëm më çështjet shpirtërore. Dhe për sa kohë një veprim i tillë ndërmerret për të mirën e njerëzve, kisha nuk she asnjë problem. Të njëjtin qëndrim mban edhe komuniteti katolik. Sipas Don Gjergj Metës, një regjistrim i tillë i popullsisë nuk përbën aspak problem për sa kohë ai përdoret për qëllime statistikore. "Cilido të jetë rezultati i statistikave apo përqindjeve, ai nuk ka për të cenuar bashkëjetesën fetare apo harmoninë e komuniteteve fetare", argumenton Dom Gjergj Meta.
I njëjti reagim vjen edhe nga komuniteti mysliman. As ky institucion nuk ka një qëndrim zyrtar në lidhje me regjistrimin e popullsisë mbi bazën e etnisë dhe të fesë. Në fakt, një palë e historianëve mendojnë se një regjistrim i tillë, mdi bazën e fesë dhe të etnisë do të kishte efekte negative për këtë komunitet. Dhe këtë e argumentojnë me dukurinë e ndërrimit të fesë, nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi. Kjo dukuri, sipas tyre, është një faktor që do të çojë në një rezultat jo real, për sa i përket besimit fetar. Të njëjtin mendim ka edhe Drejtori i Kulturës në Komunitetin Mysliman, Dorian Demetja. Sipas tij, nëse regjistrimi i popullsisë bëhet mbi baza fetare, ai nuk do të jetë objektiv dhe për më tepër rezultati do të jetë fiktiv dhe jo real. "Regjistrimi i popullsisë është një proces i vështirë dhe komplikohet akoma më shumë nëse do të bëhet mbi baza etnike dhe fetare. Mendoj duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, ky regjistrim nuk do të zhvillohet në mënyrë objektive dhe për më tepër rezultati do të jetë fiktiv dhe jo real." Më tej Demetja argumenton se rezultati nuk do t'i shërbejë vendit as për qëllime ekonomike dhe as për qëllime sociale, dhe për më tepër nuk do t'i shërbejë të vërtetës dhe interesit të palës shqiptare.

*****

At Nikolla Marku: Regjistrimi fetar, tradhti kombëtare

At Nikolla Marku, famulltari i kishës "Shën-Maria", në Elbasan, e ka çuar më tej debatin mbi regjistrimin e popullsisë në aspektin fetar dhe etnik duke e cilësuar atë tradhti kombëtare. Sipas tij, një regjistrim i tillë do t'i shërbente ultranacionalistëve grekë, pasi qëllimet për këtë regjistrim i sheh si antikombëtare, të cilat mund t'i shërbejnë ëndrrës së shovinizmit grek për Vorio Epirin. Gjithashtu, prifti i kishës "Shën Maria", i cili konsiderohet si një ndër kundërshtarët e fortë të Janullatos në Shqipëri thotë se nuk është kjo koha e duhur për këtë lloj regjistrimi. "Regjistrimi në aspektin fetar dhe etnik i shërben ultranacionalistëve grekë. Priftërinjtë dhe kisha greke, besoj e motivojnë patjetër këtë çështje, ka si qëllim që të marrë këto të dhëna për të realizuar ëndrrën e tyre me sy hapur të Vorio Epirit, i cili është si të thuash një arrë gur që i ka mbetur në fyt e s'po e kapërdijnë dot. Ata kanë dëshirë që Shqipëria e Jugut të tjetërsohet dhe të marrë një pamje tjetër. Kjo është një tradhti kombëtare". At Nikolla shkon edhe më tej duke e cilësuar procesin e regjistrimit lehtësisht të manipulueshëm për shkak se Shqipëria është akoma e brishtë ekonomikisht. "Regjistrimi i popullsisë në aspektin fetar mund t'i shërbejë vetëm disa qarqeve duke përdorur edhe ekonominë e brishtë shqiptare. Njerëzit të motivuar nga kushtet ekonomike nuk do të bënin një vetëdeklarim të saktë të besimit të tyre fetar. Unë mendoj se nuk është momenti i përshtatshëm për të bërë këtë lloj regjistrimi mbi bazën e etnisë dhe përcaktimit fetar. Por dhe nuk është letra ajo që përfaqëson besimin e një njeriu". Edhe këtë herë at Nikolla nuk ka lënë jashtë kundërshtarin e tij të përhershëm, Antastas Janullatos. "Me indinjatë e them se si zoti Janullatos, bashkë me kryetarin i bektashizmit, me kreun e kishës katolike përqafojnë këtë ide. Ëndrra e kryepeshkopit grek po realizohet sepse Shqipëria do dalë 1 milionë ortodoksë, 2 milionë do dalin turq dhe shqiptarë s'do ketë më. Kjo ështe një gjë e papëlqyer për shqiptarët dhe kundër tyre". At Nikolla, një kundërshtar i përhershëm i kishës ortodokse të kryesuar nga kryepeshkopi Janullatos ka ruajtur idetë dhe parimet e kishës Autoqefale Kombëtare Shqiptare që është mbajtur nga Visarjon Xhuvani. Në kishën Shën Maria një vend të rëndësishëm zë flamuri shqiptar, meshat bëhen në shqip, madje dhe ikonat kanë shkrime në gjuhën shqipe.

*****

Historianët: Regjistrimi sjell shtremberim
Historianë e ekspertë të mbledhur bashkë në një tryezë për regjistrimin e popullsisë kanë deklaruar se regjistrimi i ri mbi bazën e përkatësisë fetare, jo vetëm nuk i shërben të vërtetës por mund të sjellë shtrembërim të saj.
Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, historiani Pëllumb Xhufi dhe staticientja Milva Ikonomi janë shprehur kundër këtij regjistrimi në takimin e sotëm, duke sjellë secili argumentet e tyre.
"Një regjistrim i tillë mbi bazën e përkatësisë fetare, jo vetëm që nuk do t'i shërbejë së vërtetës, po mund ta dëmtojë atë dhe mund të krijojë shqetësime brenda shoqërisë shqiptare dhe në marrëdhëniet e shoqërisë me vendet fqinje", - tha Meidani në fjalën e tij.
Sipas historianit Pëllumb Xhufi një nismë e tillë bie ndesh me Kushtetutën. Duke bërë një paralelizëm me Paktin Detar me Greqinë, Xhufi ka thënë se edhe regjistrimi i ri, nëse dërgohet në Kushtetuese, do të rrëzohet njësoj si marrëveshja e ujërave.
Ai ka sqaruar se përpos papajtueshmërisë me Kushtetutën, një regjistrim i tillë mbi baze etnie dhe feje bie në kundërshtim me nje ligj ndërkombëtar të miratuar që në vitin 1930.

"Ky regjistrim bie ne kundershtim me ligjin e brendshem, ne radhe te pare me Kushtetuten e Shqiperise. Nje iniciative e tille do te perfundonte si ajo e ligjit te fundit me paktin me Greqine qe u rrezua nga Gjykata Kushtetuese", u shpreh Xhufi.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe staticientja Milva Ikonomi, e cila ka thënë se të dhëna të tilla mund të merren në regjistrim themeltar. Më tepër se kaq, Ikonomi ka shtuar se këto të dhëna duhet të ruhen për t'u përdorur për qëllime të mira.

Tryeza mbi regjistrimin e popullsise ne baze te fese dhe etnise u inicua nga kryetari i levizjes G99, Erion Veliaj.

*****


Historiani: Regjistrimi mbi bazë fetare, sjell probleme brenda e jashtë kufijve
Intervista/ Historiani Ajet Shahu argumenton se perse nuk ka vlerë regjistrimi i popullsisë mbi bazë fetare dhe etike

Historianët janë disi skeptik, ndaj regjistrimi të popullsisë shqiptare mbi bazën elementit fetar dhe atij etnik.

Ajet Shahu, profesor i historisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në intervistën e dhënë për "Shekullin", shprehet se regjistrimi mbi baza të tilla do të sillte probleme. Prej tyre ai veçon prishjen e harmonisë që ekziston me komuniteteve fetare në vendin tonë.

Por sipas tij jo më pak probleme do të sillte edhe vendi fqinj Greqia, e cila ndoshta mund të keqinterpretoj rezultatet e regjistrimit dhe ti përdorë ato për të arritur synimet shekullore, ndaj jugut të Shqipërisë.

Profesor, mendoni se është besimi fetar është një kriter i vlefshëm, për regjistrimin e popullsisë?

Mendimi im është se feja është ideologji, feja është ide. Çështja e besimit është shumë private dhe nuk ka shume rëndësi që të bëhet publike. Rëndësi ka që të respektohet besimi.

Ai është e drejta më minimale që ka një qytetar, prandaj nuk e konsideroj si një kriter të vlefshëm për regjistrimin e popullsisë. Nuk besoj që ky të jetë një standard që kërkohet nga ndërkombëtarët.

Për mua, fakti që do të përdoret ky kriter, ndofta ka ndonjë domethënie që vjen nga marrëdhëniet që kemi tani me Greqinë. Kjo ndodh edhe për shkak, se ka marrë një përmasë shumë të madhe procesi i konvertimeve fetare, deri dhe etnike që kanë ndodhur, në këto vitet e fundit.

Kjo dukuri e bën të vështirë edhe faktin që është vendosur edhe kriteri fetar në procesin e regjistrimit. Për mendimin tim situatën e ndërlikon fakti që Greqia është i vetmi ndër shtetet ballkanike që e ngatërron përkatësinë fetare me përkatësinë etnike. Kjo gjë shprehë dhe një lloj frike tek qarqet intelektuale. Unë e shoh me dyshim se sa real do te jetë ky regjistrim.

Shumë njerëz mund të mos thonë të vërtetën në lidhje më përkatësinë fetare apo etninë. Si do të vërtetohet kjo?

Nuk ka rrugë tjetër veçse vetëdeklarimit. Dhe këtë deklarim do ta besojmë pasi nuk kemi rrugë tjetër. Besimi fetar është i lirë. Problemi është se kjo statistikë mund të keqinterpretohet ose mund të abuzohet më të.

P.sh. Greqia, historikisht e ka përdorur kriterin fetar, për objektivat e saj, për më tepër kriterin fetar e ka njësuar me kriterin etnik. Dhe historikisht me këtë argument ka luftuar edhe kufijtë e jugut për të shtrirë territorin e saj. Greqia gjithmonë ka përdorur formulën "çfarë është popullsi ortodokse, është popullsi greke".

Nëse hyjmë pak në histori, gjenocidi Çam ka në themel përkatësinë fetare sepse pjesa çame ishte dominuese në numër ndaj asaj myslimane. Dhe duke qenë se grekë mendonin se myslimanet janë turq, dhe ortodoksët janë grekë, bënë edhe atë shkëmbimin në emër të fesë. Duhet të them se patën goxha sukses, u arritën marrëveshje ndërkombëtare që e legalizuan këtë lëvizje të grekëve.

Po brenda Shqipërisë a do të ketë pasoja? 
Mendoj se do të ketë një lloj konflikti mes komuniteteve fetare. Do të cënoj paksa harmoninë dhe tolerancën fetare që kemi, do ti japë një plasaritje.

Pavarësisht se cili do të jetë rezultati i këtij procesi regjistrimi me bazë fetare, do të ketë një lloj pakënaqësie midis komuniteteve fetare në lidhje me manipulimet e mundshme që ata mund ti adresojnë njëri-tjetrit. Kjo më bën që të jem shumë dyshues në rezultatin e këtij procesi sepse përveçse faktit që do të abuzohet politikisht do të abuzohet edhe nga pikëpamja e tolerancës fetare.

Duke pasur parasysh që perëndimi, shpesh identifikohet me fenë e krishterë çfarë do të ndodhë në rast se në fund të regjistrimit ne do të rezultojmë një popull me shumicë myslimane?

Ndoshta do të prishet paksa imazhi ynë. Por mund të them se do të ndodhë e kundërta. Në emër të kësaj ndoshta do të cënohet liria fetar islame. Presioni i feve të reja, i feve që vijnë nga bota pjesë e të cilës duam të bëhemi, në këtë rast do ta ngushtojë paksa rrethin.

Feja e krishterë tashmë është në avantazh. Prirja është që edhe myslimanët të kthehen në të krishterë. Do të ndodhë një plasaritje mes marrëdhënieve të komuniteteve fetare për shkak se qytetarët myslimanë, mund thonë se kjo u bë për të ndryshuar besimin e tyre.

Historia tregon se më shumë se një herë shteti Grek ka synuar jugun e Shqipërisë. Ditëve të sotme ka një debat të madh në lidhje me marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mendoni se rezultatet e këtij regjistrimi me bazë fetare mund të keqinterpretohen nga Greqia?

Statistikat tregojnë se pas vitit 1945, popullsia me përkatësi islame në vendin tonë ishte rreth 70% , pjesa tjetër ishte e krishterë. Katolikë llogariteshin rreth 10% dhe pjesa e mbetur ishin ortodoksë. Problemi i përkatësisë fetare ka qenë shumë i theksuar gjatë viteve 20 të shekullit të kaluar.

Që kur u krijua edhe shteti shqiptar ne kemi një luftë shumë të ashpër për të përcaktuar kufijtë. Në atë kohë kufijtë shqiptarë më shumë u ndrydhën nga fakti se Greqia bënte presion dhe thoshte, kjo popullsi është edhe ortodokse edhe flet greqisht.

Dhe Çamëria më pas u fut në territoret greke. Kjo është një përvojë e hidhur e cila është akoma e freskët. Shqiptarët ende tremben, se mos kjo është një mënyrë e re për të sjellë një ndrydhje të mëtejshme të etnisë shqiptare. Precedenti është ky.

Ne vijmë me një përvojë historike të hidhur ku janë ngatërruar përkatësitë, qëllimisht janë ngatërruar për të përmbushur qëllimet e tyre grekët. Edhe marrëveshja detarë nuk ka se si të mos përafrohet me këtë fenomen. Këto precedentë na frikësojnë. Sidomos ky lloj regjistrimi çon në ndrydhjen etnike të shqiptarëve.

Në Greqi ka emigruar një pjesë e konsiderueshme shqiptarësh. Si mendoni se do të deklarohen ata?
Një pjesë e madhe e qytetarëve që kanë emigruar në Greqi kanë marrë nënshtetësinë, këta sigurisht që do të deklarojnë si etni, etninë greke.

Për këtë dukuri kam një lloj kundërshtie, përkatësia fetare nuk duhet të përdoret si kriter në regjistrimin e popullsisë. Para pak kohësh Kryeministri grek vendosi se do t'u njihte shtetësinë greke të gjithë fëmijëve të emigrantëve që kishin lindur në Greqi.

Kjo është një gjë shumë pozitive, por ka dhe pasoja negative për ne, sepse duke u njohur nënshtetësia greke, është e kushtëzuar edhe përkatësia etnike dhe fetare. Grekët e kanë të përcaktuar në kushtetutë përkatësinë fetare dhe etnike. Ndërsa në vendin tonë është hequr që në vitin 1967 përkatësia fetare nga mjetet e identitetit.
******************

Berisha: Nuk sjell përcarje
Edhe pse historianët e kanë kundërshtuar nismën e qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, duke e cilësuar atë të panevojshme dhe që mund të sjellë përçarje fetare dhe rritje të numrit fiktiv të minoriteteve në vend, kreu i qeverisë, Sali Berisha, i qëndron argumentit të tij se regjistrimi i popullsisë në këtë bazë nuk përbën asnjë problem.

Sipas Kryeministrit Berisha, pretendimet se deklarimi i besimit fetar sjell përçarje fetare, nuk qëndrojnë, pasi, sipas tij, të gjitha besimet fetare jetojnë në harmoni mes tyre. "Në këtë kontekst të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri si askund tjetër njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat", - tha dje Berisha.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se njerëzit janë të lirë ta pohojnë ose jo besimin e tyre fetar. Sipas tij, qeveria që ai drejton është për respektimin e plotë të besimit. "Në këtë kontekst, dua te shtoj se nëse ndokush nuk do të dojë të deklarojë besimin e tij, le të mos e bëjë, si dhe ai që ndihet ateist le ta deklarojë që është ateist. Kjo është një shoqëri e lirë. Sigurisht ka dhe ateistë. Nuk shoh këtu as dëmin më të vogël. Po të kthehem pas në vitet '90-të kishte intelektualë që mendonin se duhet të nisnin një proces masiv konvertimi. Doktrina jonë ishte, aty ku ishin 4 myslimanë, të ngrihej një xhami, aty ku ishin 4 të krishterë një kishë dhe aty ku ishin 4 bektashinj, një teqe. Ne jemi për respektimin e plotë të besimit", - u shpreh Kryeministri.
Duke pranuar vetë faktin se jo çdo vend e kryen këtë formë regjistrimi, Berisha tha se për vendin tonë është e drejtë që ta bëjë. Megjithatë, sipas tij, regjistrimi i personave në bazë të këtyre elementëve nuk do të shënohet në pasaporta, pasi konsiderohet si diskriminim. "Pavarësisht se jo në çdo vend bëhet kjo formë regjistrimi, ne na takon ta bëjmë. Është një dëshirë absolutisht legjitime dhe shumë e drejtë. Nuk do të shënohet në pasaporta. Ky është një standard tjetër, pasi kundërshtitë globale janë më të mëdha duke qenë se kjo konsiderohet si diskriminim. Nuk kam kundërshtim për një qëndrim të tillë", - përfundoi ai.
*****
*******

XHUFI: 'Berisha i dytë po bën tradhti kombëtare'
Nisma e qeverisë për të "kataloguar" shqiptarët në bazë të ndarjeve fetare dhe etnisë ka gjetur kundërshtime të forta te bota akademike shqiptare, e cila e konsideron si plotësimin e ëndrrës së vjetër greke për marrjen e territoreve shqiptare.

Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë Greqia do të kërkojë atë që ajo e quan Vorio-Epir. Historiani Pëllumb Xhufi e komentoi nismën e re të qeverisë, duke e konsideruar si një tradhti kombëtare.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora