Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valon Kurtishi: Prezantohet megalomania nacionaliste e qeverisë së Fyromit

| E diele, 07.02.2010, 09:59 PM |


Prezantohet megalomania nacionaliste e qeverisë së Fyromit

Nga Valon Kurtishi

Në organizim të komunës qendër-Shkup dhe nën përkujdesjen e kryetarit sërb të kësaj komune “maqedonase” z.Vladimir Todoroviq, opinionit publik në vend iu prezantua plani i ri i qeverisë së Fyromit për ndërtime masive në qendrën e gjerë të kryeqytetit me emrin “Shkupi 2014”. Plani parasheh një mori të ndërtimeve masive e të llojllojshme që nëse realizohen do tia ndryshojnë fytyrën historike njëherë e përgjithmonë këtij qyteti shqiptar. Sipas video-projektit që e publikuan gjithë mediat vizive në vend, plani parasheh ngritjen e një numri të ndërtesave të mëdha për nevojat e administratës shtetërore, objekte kulturore, disa hoteleve, dy ura mbi lumin Vardar, monumente, buste e skulptura të ndryshme prej mermeri e bronzi të heronjve si dhe objekte fetare sllavo-bizantine të proviniencës ortodokse. Parlamenti republikan do të mbulohet nga një kupolë e madhe surealiste prej xhami kurse në skajet e urave do të vendosen buste të mëdha të figurave të ndryshme publike të kombit maqedonas. Parashihen të ndërtohen edhe përmendore të mëdha që nuk hyjnë në kategoritë e mësipërme si p.sh kafshë të egra gjigante të specieve luanë dhe elefantë apo harqe të mëdha të llojit të arkut të triumfit që gjenden në Berlin, Paris e Romë.
Inspirimi për vendosjen e këtyre kafshëve gjigante në qendrën e Shkupit Gruevskit me siguri i është zgjuar nga vizitat e fundit në lindjen e mesme, hapësira kulturore ku faraonët egjiptianë njiheshin për përdorimin e animalizmit monumental në arkitekturë si shprehje apo simbole të fuqisë së egër ushtarake. Inspirimin për portat e mëdha trimfale me siguri e ka marë nga vizitat në disa kryeqytete europiane. Këto porta nga ana tjetër simbolizojnë pushtimet kolonialiste dhe fitoret e shumta në beteja të ndryshme.
Shuma e përgjithshme e gjithë kësaj megalomanie abuzuese me fondet e një vendi të varfër do të tejkalojë të 200 milionë eurot sa janë paraparë në fillim. Kuptohet se për këto ndërtime do të kontribuojnë gjithë qytetarët e këtij vendi pa dallim përkatësie etnike, fetare, përkatësie klasore, apo bindje politike. 

Sipas arkitektëve që me urdhër të kryeministrit kanë punuar për realizimin e këtij plani, kjo do tia ndryshojë krejtësisht pamjen qendrës së këtij qyteti, për të rikuperuar kohën e humbur me anë të siç e quajnë “simbiozë të stileve arkitektonike”. Shkupi është i mbingarkuar me arkitekturë soc-realiste prandaj është koha që me kombinimin e stileve arkitektonike ti japim një “ekspresion artistik” tha kryetari i komunës Qendër. 
Ndërsa sipas fjalëve të ministres së kulturës Elizabeta Mileva, prej realizimit të këtij plani “do të burojë identiteti kombëtar i kombit maqedonas”. Gjithashtu, shtoi kjo ministre, qeveria nëpërmjet këtyre ndërtimeve dëshiron të lërë një shenjë të sundimit të saj në histori. Këto fjalë duket sikur dalin nga thëniet e mbretërve sumerianë apo perandorëve romakë të para dy-tremijë viteve e më shumë e jo nga një qeveri e një vendi europian me më pak se dy milionë banorë në vitin 2010 të erës së re.
Tani sa për fillim mund të shtojmë se mjerë ata kombe që me ndërtime antike të stilit grek, porta triumfale romake, ndërtime barok të stilit franko-gjerman apo kisha tipike bizantine duan që në periudhën postmoderniste të prodhojnë apo ndërtojnë “identitet kombëtar maqedonas”!?. 
Gjithë këtë katastrofë arkitektonike një arkitekt maqedonas me plot të drejtë e quajti “degjenerim virtual në formë tredimensionale”. Por çështja qëndron diku tjetër dhe është shumë më e thellë sesa çoroditja arkitektonike që mund të duket në shikim të parë. 

Duke dëgjuar dhe lexuar prononcimet e deklaratat e shumta të hartuesve të këtij plani që të gjithë janë sllavë etnikë, shihet se qëllim kryesor i tyre është theksimi i karakterit kombëtar maqedonas të sheshit të gjerë të kryeqytetit të vendit. Për qeverinë e sotme nacional-romantike të Gruevskit karakteri kombëtar maqedonas është i ndryshueshëm në varësi të situatave politike. Kështu identiteti maqedonas mund të marë herë formë sllave e herë formë maqedonase antike sipas interesave momentale politike të vendit. Kjo lojë me të kaluarën e një populli e cila i bën të qeshen gjithë studiuesit vendorë e europianë është marë shumë seriozisht dhe pa fije turpi nga kryeministri dhe qeveria aktuale. D.m.th Leka i Madh dhe Justiniani i parë edhepse nuk kanë asnjë lidhje gjenetike me sllavët e sotëm bullgarishtfolës të IRJM meren si heronj nacionalë të tyre. Kështu në qendër do të ndërtohet përmendorja 35 metra e lartë e Lekës dhe një tjetër e ngjashme në përmasa për perandorin ilir Justinian që sipas qeverisë janë heronj kombëtarë të kombit maqedonas!!.
Në pjesë të ndryshme po në qendër do të ndërtohen edhe përmendore kolosale të apostujve sllavë Shën Kirilit dhe Metodit. Edhe këta sipas qeverisë së Fyromit janë heronj kombëtar të kombit maqedonas!!. Tani kontradikta etno-kulturore që lindën mes maqedonizmës e ilirizmës antike të Lekës dhe Justinianit nga njëra anë dhe apostujve të kulturës sllave si shën Kirili dhe Shën Metodi nga ana tjetër është e parëndësishme për qeverinë. Një provokim i radhës do të bëhet edhe ndaj Bullgarisë fqinje me vendosjen e përmendoreve të heronjve bullgarë si Car Samuili, Nikolla Karev apo Goce Dellcev të cilët janë figura madhore të cilësuara nga historiografia zyrtare bullgare si heronj të mëdhenj në luftën për çlirim kombëtar nga pushtimet bizantine e turke. Edhe vëllezërit Milladinov janë shkrimtarë të mëdhenj bullgarë të cilët me dorën e tyre kanë shkruar se janë bullgarë etnikë.
Goditja më e madhe në këtë rast i jepet kulturës shqiptare e cila anashkalohet në mënyrë të tmershme dhe eliminohet totalisht nga gjithë zona e gjerë e kryeqytetit të një shteti të banuar me 35% shqiptarë etnikë. Me këto ndërtime me prapavijë krejtësisht politike, Shkupi e humb definitivisht edhe atë trohë karakter shqiptar që e kishte deri tani dhe shndërrohet i gjithi në ekskluzivitet të sllavëve etnikë dhe në peng të identiteteve të tyre të dyzuara antike ose sllavojugore. Kjo në periudha afatgjata do të prodhojë krizë në identitetin kombëtar të gjeneratave të reja shqiptare në Shkup, të cilat me kalimin e kohës do të jenë gjithnjë e më shumë nën influencën përthithëse kulturore të këtyre ndërtimeve gjigante. Sllavizimi i këtillë masiv i hapësirës publike shkakton me automatizëm ndjenjë inferioriteti tek rinia shqiptare e cila pastaj sukcesivisht do të gjenerojë krizë vlerash në botën e tyre të brendshme. Rezultati përfundimtar do të jetë adaptimi dhe në perspektivë edhe asimilimi i plotë i rinisë shqiptare në Shkup.

Vendosja nga ana tjetër e Katedrales gjigante të Shën Konstantinit dhe Elenës në vendin ku dikur ka qenë shtëpia e Nënë Terezës është goditja e radhës ndaj kulturës shqiptare dhe një provokim i rëndë në baza fetare, i cili i dëmton rëndë interesat e komunitetit katolik shqiptar në Shkup. Kjo është një përpjekje që pas gjenocidit fizik dhe kulturor që pasoi vrasjen dhe asimilimin e pjesës më të madhe të shqiptarëve katolikë të Shkupit, të jepet edhe goditja përfundimtare me fshirjen totale edhe të gjurmës së fundit shqiptare katolike në Shkup – shtëpisë së Nënë Terezës.

Një lojë tjetër të ndyrë që luan Gruevski në bashkëpunim perfekt me disa grupe fundamentaliste islamike është edhe ajo në lidhje me ndërtimin e xhamisë së quajtur “Burmali” në qendër të Shkupit. Qarqet nacionaliste sllave janë të interesuar që shqiptarët ti paraqesin para Europës si myslimanë të devotshëm që kërkojnë me ngulm ndërtimin e faltoreve nëpër qendrat e qyteteve, ku të mblidhen sa më shumë besimtarë myslimanë në mënyrë që qytetet shqiptare tu ngjajnë atyre aziatike apo afrikane. Gruevski vdes nga dëshira që ti shohë shqiptarët e Shkupit të veshur me çallma dhe ferexhe arabe duke u rotulluar me llokuma orientale nëpër duar njëjtë si në Peshavar të Pakistanit apo Daka të Senegalit. Pastaj vetë Gruevski do të paraqitet në mesin e këtyre qenieve të mjera gjoja për të respektuar besimin e tyre fetar !!!. 
Gruevski në çdo vizitë të tijën në Europë në stilin tipik millosheviqian nuk i heq nga goja fjalitë kontradiktore për maqedonasit e “krishterë” dhe shqiptarët “myslimanë” që jetojnë në harmoni dhe për rrezikun nga fundamentalizmi islamik që i kanoset vendit. Me këtë fjalor makiavelist i kërkon leje Europës për ndonjë kryqëzatë të re policore-ushtarake kundër shqiptarëve. Prandaj komuniteti mysliman shqiptar në Fyrom si dhe disa grupe civile që mbrojnë ndërtimin e kësaj xhamie duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të moderuar në kërkesat e tyre. Nuk duhet të keqpërdoren ndjenjat nacionale të qytetarëve për qëllime fetare siç bën qeveria aktuale e këtij vendi. 
Shqiptarët gjithashtu nuk duhet të bëhen lodra në politikat turke për rikthim në Ballkan. Qeveria turke e cila interesohet për ndërtimin e kësaj xhamie duhet ta sqarojë prapavijën e interesit të saj në këso lloj objektesh historike dhe në përgjithësi në gjithë trashëgiminë kulturore materiale që rjedh nga periudha e sundimit otoman. Nëse dikush mendon se shqiptarët do të harxhojnë energji për të ndërtuar vepra të cilat qeveria turke i shpall për arkitekturë nacionale turke e ka shumë gabim. Turqia bashkë me Nikolla Gruevskin pak muaj më parë e uzurpuan hanin Kurshumlia në qendër të Shkupit duke e nxjerrë në rrugë Institutin e vetëm kulturor shqiptar në kryeqytet pikërisht duke arsyetuar se ky han qenka arkitekturë “turke”. Shqiptarët do të shikojnë të mbrojnë interesat e tyre kombëtare dhe nuk do të jenë shërbetorë të nacionalizmave të huaj dhe ëndrave të tyre të sëmura perandorake.

Arkitektura është pjesë thelbësore dhe më e rëndësishme e civilizimit të një populli, të një vendi. Vetë zhvillimi historik i një kombi mund të zbardhet nga studimi i asaj që quhet trashëgimi materiale kulturore e një shoqërie të caktuar. Shtrohet pyetja se ku është arkitektura shqiptare e Shkupit? Civilizimet lënë shenjat e tyre në histori me anë të ndërtimeve masive të kësaj natyre? Ku janë ndërtimet karakteristike etnike shqiptare në Shkup? Zhdukja e arkitekturës së një populli si pjesë e kulturës së tij materiale nënkupton vdekjen e ngadalshme kulturore dhe zhdukjen përfundimtare fizike të tij. Kur Isa Beu e pushtoi Shkupin në shekullin e XV ai i shkatëroi me zjarr e me hekur gjithë monumentet kulturore shqiptarë në atë qytet. Kur ushtria sërbe pushtoi Shkupin në vitin 1912, edhe ajo i zhduku me zjarr e me hekur gjithë monumentet shqiptare në qytet. Sot përsëri, plani arkitektonik siç e pamë në video-projektin qeveritar nuk parasheh ndërtimin e asnjë objekti kulturor shqiptar apo përmendoreje për ndonjë figurë historike shqiptare në gjithë hapësirën urbane të Shkupit!? Ky është një rrezik nacional për shqiptarët e këtushëm. Çështja është të jesh apo mos jesh. A do të gjejë forca komuniteti shqiptar në IRJM që ta bllokojë këtë gjenocid kulturor të përmasave gjigante që i përgatitet publikisht?