E premte, 19.04.2024, 07:12 PM (GMT+1)

Editorial

Agron Tufa: Rrno (jo)vetëm për me tregue!

E diele, 07.02.2010, 09:59 PM


Rrno (jo)vetëm për me tregue!

Nga Agron TUFA

Sindroma e kriminelit me vendin e krimit

Historia e të ashtuquajturit "Ligji i Lustracionit", apo i përkthyer në shqipen konkrete - Ligji i Dosjeve, është shndërruar në histori të mërzitshme dhe pa pikë morali.

E mërzitshme është kjo histori për shkak të shtrirjes së saj në kohë, duke ngjallur edhe me dashje, edhe padashje diskutime politiko-ideologjike deri në popull (a thua se çështja shtrohet në planin plebishitar), çka i ka dhënë diskutimin natyrën e një shakaje të tejzgjatur e të hidhur. Kjo mungesë kulture në mënyrë e shtrimit të çështjes, sa të vonuar aq dhe të tejzgjatur, krijon premisat për degradimin e shqetësimit, ashtu siç ka degraduar tashmë në lloqe gazetash e studiosh.

Lloqet e orientuara të shtypit krijojnë gjithashtu një premisë tjetër: solidaritetin dhe kurajën e asaj pjese të shoqërisë, që ka qenë e lidhur gjenealogjikisht me pushtetin ish-komunist, që tradicionalisht ka krijuar mitin familjar, ndjeshmërinë dhe mirënjohjen për privilegjet dhe që, gjegjësisht, ka trashëguar një farë nostalgjie për "parajsën e humbur", nostalgji e cila reflektohet në gjuhën dhe argumentet e tyre në shtyp. Kam përshtypjen se trajektorja e gjatë kohore, përgjatë së cilës degradoi debati mbi "Ligjin e lustracionit", është e mjaftueshme për një kurajë solidare në lidhje me pastrimin e të shkuarës komuniste, madje kuraja e këtij solidariteti në shtypin e majtë (se vetëm të tilla ka tek ne), po merr tiparet e presionit, mosbindjes, alibive teknike, ligjore e proceduriale, me qëllim që ky ligj të mos hyjë në fuqi, d.m.th., të mos zbatohet. Në rastin më të mirë, kundërshtarët e ligjit mbi Iustracionin, shpresojnë të ngjallin dekurajimin e thellë në çdo përpjekje që bëhet për të mbajtur qëndrim ligjor ndaj të kaluarës komuniste dhe kujtesës lidhur me të. 
Dhe kanë plotësisht të drejtë me veten e tyre! Thoni, cili kriminel dëshiron (me hir a me pahir) të kthehet edhe një herë në vendin e krimit? 

Kujtesa si rezistencë, si mbijetesë dhe si kumt

Meqenëse nuk ekziston as teorikisht ndonjë mundësi për të ndërhyrë dhe ndryshuar të kaluarën (periudhë apo epokë), mbetet ta vlerësojmë, analizojmë dhe mbajmë qëndrimin tonë moral, të përnaltësimit apo dënimit, pasi çdo dëshirë dhe utopi, ushqehet nga përvojat historike të sodiumit, tok me idealet apo indinjatën, të cilat kanë ndodhur në rrethanë konkrete dhe përbëjnë fatet që i bien për pjesë një populli. Përvojat e afërta sidomos, mbajnë të frekët kumtin për bashkëkohësit, pasi historia më e afërt i ka plagët ende të pathara. Dihet mendimi proverbial, që historia përsëritet dhe nëse nuk nxjerr mësim, ndëshkimi vjen edhe më i hidhur. 

Pas rënies së diktaturës ne përballemi me Kujtesën tonë kolektive. Më saktë se me përballje, kemi kundërvënien e kësaj Kujtese, luftën e njërës për të spostuar, margjinalizuar dhe sfumuar krejtësisht kujtesën Tjetër, atë që zhaurin nga dhimbja, klithmat, lotët dhe përndjekjet. Mendoj se Kujtesa zyrtare e ish-komunizmit ia ka dalë deri më tash me sukses ta spostojë kujtesën e Burgjeve, Internimeve, Persekutimit politik. Tashmë duket se e ka marrë në dorë shtypi dhe ekrani të vendosin, se çfarë kujtese duhet të kemi. Përrenjtë e zhultë të kujtimeve nuk kanë të sosur nëpër dossierë; faqet e gazetave të përditshme nuk ka ditë në këto 20 vitet e fundit, që të mos ringjallin bëmat, sagat, mitet e legjendat e diktatorit. Nuk ka gazetë që të mos hapet me një foto të diktatorit apo ministrave të tij. Një "epos" me kujtime e thashetheme të tipit: "Çfarë i tha Teme Sejko në vesh Enver Hoxhës tek Uji i Ftohtë", ndërsa nëntitulli sqaron: Dëshmon ish-bodigardi i Enver Hoxhës.  

Krejt e kundërta ndodh me rrëfimet e familjeve të masakruara, të intelektualëve të pushkatuar, dënuar apo internuar. Ata nuk gjejnë vend nëpër dosierë me vazhdim. Në një mënyrë djallëzorë, shprazja e thesit të gërbulur me kujtimet e protagonistëve të diktaturës ka arritur të ngjallë një folklor të tërë ku pak e fije, nga pensionistët gjer tek shoferët e taksive shtohet përnjëmend respekti për vampirët azganë të diktaturës.
Memuaret e viktimave nuk ngjallin asfare interesi për mediat. Disa dhjetëra libra tronditës janë botuar mezi-mezi me shpenzimet e vetë autorëve, janë botuar, sipas takatit, kryesisht shkel-e-shko dhe kanë humbur qëkur nëpër qoshke librarish, si diçka e padenjë për lexim. Dhe pikërisht e vetmja Kujtesë e denjë, që mban ndër dhëmbë kumtin e Madh, u gjend e shpërfillur, e privuar, në mungesë vëmendjeje. 

Pikërisht Kujtesa që duhej të dëshmonte dhe të na mbushte me dinjitet, u shporr pa mëshirë nga komunikimi. Mezi ia kanë dalë vetëm disa tituj, edhe ato, në sajë të ribotimeve, për të mbërritur në veshët tanë jehona tragjike e kumtit, mbi atë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Të tillë janë librat "21 vjet burg komunist" të Uran Kalakullës, "Ridënimi" i Fatos Lubonjës, "Retë dhe gurët" i Petro Markos dhe sidomos libri voluminoz i Atë Zef Pllumit "Rrno vetëm për me tregue". Tash kur diskutimi mbi ligjin e Ilustracionit ka degraduar krejtësisht, i rekomandoj lexuesit ta gjejë përgjigjen thjesht, pa hyrë në diskutime pa bukë, duke marrë në duar këtë libër të Madh. 

Rrno vetëm për me tregue

I takon priftit të pushkatuar Atë Marin Sirdanit kjo shprehje, e cila është bërë dhe titulli i librit. Është një këshillë imperative që ia jep Sirdani më të riut prej priftërinjve, fra Zefit, në pikun e terrorit komunist mbi klerin në përgjithësi. Memuaret e tre vëllimeve prej mbi 1000 faqeve “Rrno vetëm për me tregue” (i botuar së mbrami në një vëllim të vetëm), shpalosin afresket nga më të zymtat, më makabret e më gjakataret që ka njohur ndonjëherë historia e Shqipërisë. Lexuesi duhet të jetë i pajisur me nerva të forta për përballimin psikologjik të gjithë atij hadi komunist, i cili përshkohet faqe për faqe nga zhaurima mortore e vdekjes, torturave, përpëlitjeve e rraskapive nëpër kampet komuniste, pa i lënë gjë mangut përvojave të sadizmit më të sofistikuar nazist. 

Tablotë që ngërthen rrëfimi që me hyrjen e ushtrisë partizane në Shkodër, nuk janë më esenca e shurupi i trëndafiltë i serviruar nga Historia Famëk(e)uqe e PPSH-së, porse hordhi pa krisht, pa din e imam, që përveç pushkatimeve, bastisjeve, flamujve të shkijeve, lënë prapa thjesht, morrat. Një hordhi e ngjashme me ato të Çingiz-Khanit që vetëm shkreton, rrënon e perversionin çdo gjë që dëshmon vlerën e qytetërimin e mbijetuar në zgrip të historisë. Pas këtij prologu të zi, autori, pra vetë fra Zefi është dëshmitari, djelmoshi i njomë që zbret rrathët e ferrit komunist, pa Virgjil, sall me zemrën drithëruese, jo vetëm për fatin e kishës katolike dhe besimtarëve të saj, por në tanësi për fatin e individit shqiptar të çfarëdo besimi, për fatin e atij nocioni të turbullt e abstrakt që quhet “komb”, “shqyptari”, për zhdukjen e çdo ndjenje njerëzie e ndjenje mëshire. 

Rrënimi i tempujve të besimit, persekucioni fizik i përfaqësuesve të besimeve, pushkatimet dhe torturat e krerëve të kishës katolike, por edhe të klerit mysliman, gjenden përballë një fatkeqësie të përbashkët që i lidh, i bëjnë ta ndjejnë e përballojnë së bashku provën e madhe përballë Djallit të Kuq. Sa e sa faqe të shkëlqyera gjen në këtë vepër ku njeriu i besimeve të ndryshme bashkëjeton duke sakrifikiuar për tjetrin me një humanizëm të ngjashëm me sprovat e martirëve biblikë, të cilin mund ta falë vetëm përshkënditja e besimit në Zot, vetëm vlerat e mëdha shpirtërore të asaj edukate të rrallë – mbrujtën në dyert fisnike shqiptare. Përveç besimtarëve, niveli i memuarëve të padre Zef Pllumit ngërthen nivele të tjera rrëfimore me fatet tragjike të intelektualëve shqiptarë, njerëzve të shkencës dhe kulturës që ëndërronin një tjetër Shqipëri nga ajo e variantit stalinist.  

Kjo kataklizmë e përgjithshme që gllabëroi gjitha indet e jetës shqiptare rrëfehet me detaje ngjethëse, në çdo paragraf, me episode të shumta; në çdo fletë vlon druri, thyhen gjymtyrë e kafka, vdesin njerëz në tortura, vdesin nga uria, në kampet e punës në Kavajë, Maliq, miniera, gëlojnë dëshmitarë të rremë, thyhen karaktere, braktiset besimi, por ka dhe shembuj të një qëndrese të paimagjinueshme. Libri me tre vëllimet e tij është një epope e gjerë e plojës së madhe nën tisin e dridhshëm të zisë, pa asnjë shpresë të dukshme në horizont. Si i tillë është ndoshta libër që dëshmon shumë më tepër se të gjitha romanet e shkruara deri më tash mbi ekzistencën e shqiptarit për 50 vjet. Është një “Arkipelagu “GULAG” shqiptar në një variant ku e ku më autentik e më të tmerrshëm se ai sollzhenician. Në përgjithësi, 3 volumet e prozës memuaristike të At Zef Pllumit i japin shqiptarit të sotëm (e sidomos, atij të nesërm) pamjen pa maskë të komunizmit në tërësi dhe në veçanti, variantin e shëmtuar enverist aty ku thyen kokën realiteti. 

Leximin e këtij libri unë do ta quaja jo këshillë, por domosdoshmëri për të kuptuar të gjitha nivelet e shprishjes së konstitucionit shpirtëror, etik e etnopsikologjik të asaj çka ishte njëherit shqiptar. Falë Zotit këto kujtime, jashtë çdo mase të çmuara, janë dhënë me sistematikën dhe intimitetin e një shpirti të naltë që pau dhe foli nga zgavrat më lebetitëse të hadit shqiptar. Ata nuk janë më të manipulueshme, anipse një dorë – (gjithkund e vazhdimisht e shohim këtë dorë) – mundohet ta zhdukë nga qarkullimi duke i blerë njëherësh të gjitha kopjet e librit, me qëllim që këto të vërteta të mos komunikojnë me lexuesin e sotëm. Me zhdukjen misterioze të librit “Rrno veten për me tregue” komunistët (me vijim në faqen tjetër) (të sotme) të historisë, mendojnë se mund të manipulojnë edhe gjënë më të pamundur – kohën. 

“Rrno veten për me tregue” është ndoshta (të paktën për mua) libri memuaristik më tronditës në gjithë Lindjen Komuniste; mizoritë e qelive, hetuesive e kampeve të përqendrimit shqiptar nuk i gjen as në episodet më të egra të terrorit stalinist të kohes së Jezhovit e Djerzhinskijt, as në Kolimë e as në Gulak. Ato përçudnime, megjithatë, kanë mundur të ndodhin në popullin më të vogël me diktaturën më të tmerrshme. 
Mbaj mend se në një nga emisionet “Shën Libri” në NTV (emision, i cili u dogj misteriozisht në arkivë, fill pas transmetimit), e pata pyetur padre Zefin në studio: 

- Si shpjegohet gjithë kjo egërsi e paparë, gjithë kjo katastrofë humanizmi, pikërisht në Shqipëri? Mos vallë ne paskemi qenë më shpirtligj nga gjithë popujt e perandorisë komuniste të Kampit që arritëm t’i shkaktonim vetës aq dhimbje, aq vuajtje, aq përgjakje e ç’njerëzi? Nga mendoni se e ka origjinën gjithë kjo egërsi?.
I urti At Zefi i ndjerë dha një përgjigje lakonike: 
- Unë them se të gjitha këto kanë një burim të vetëm: injorancën e madhe, paditurinë. Me njerëzit e paditur, të pandriçuar, mund të bësh ç‘të duash. 
“Rrno vetëm për me tregue” – titulli i memuareve të padre Zefit është, sikundër e kuptojmë nga leximi, është një amanet që ia lë autorit plaku i ndritshëm at Marin Sirdani në vitet më makabre për kishën katolike kur sapo kishte nisur thertorja e madhe e komunizmit. Rrnoi At Zefi, ky trashëgimtar i etërve të mëdhenj, Patër Gjergj Fisha e At Gjon Shllaku (filozofi), ndër të rrallët trashëgues i asaj plejade që, siç thotë me të drejtë Dom Gjergji, ka trashëgue edhe strukturët e tyre të të menduarit. Rrnoi At Zefi dhe kallxoi gjithçka i panë sytë. Jo vetëm tregoi, por edhe dëshmoi. E ne na duhet me i pa edhe njëherë këto ngjarje përmjet syve të dëshmitarit – prej andej ku nuk zdriti asnjë fije shprese – prej zgavrës më të errët të hadit komunist, por ku shpresa qe njehësuar dhe gjallonte, siç thotë shën Agustini - rrjedhë e kulluar e kohës në shpirt. Shtojmë edhe ne: me të gjitha farërat e besimit përbrenda.

Të nderuar lexues, lexojeni këtë libër, jo aq për faktin se me mënyra të pandershme mundohen t’ua heqin duarsh, se sa për faktin se në këto 3 vëllime më mbi 1000 faqe është vizatuar pa retushe aotoportreti i një gjysëmshekulli fatal në historinë e gjenocidit mbarëshqiptar. Lexojeni, të paktën për vlerat e një rrëfimi të kulluar e brilant, për gjuhën aq tërheqëse e të padhunë, për zinxhirë të tërë kompozicionalë të realizuar si vepra letrare tejmase intriguese.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora