E enjte, 25.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Faleminderit

Kujtim Mateli: Hasan Pacani i Mazhanit - shëmbëlltyra e vlerave përmetare

E merkure, 03.02.2010, 10:58 PM


Hasan Pacani i Mazhanit-shëmbëlltyra e vlerave përmetare

Nga Kujtim Mateli

Qyteti i Përmetit është i njohur kudo për shpirtin bujar të banorëve të vet. Po si të mos jesh i tillë kur jeton mes buzëqeshjes së njerëzve, mes dashurisë për njëri-tjetrin, mes luleve që nami u ka shkuar aq larg, mes trëndafilave që kanë pagëzuar me emrin e tyre qytetin, mes diellit dhe ajrit të pastër. Mes këtyre njerëzve do ta gjesh Hasan Pacanin, i cili ka ardhur në Përmet këto vitet e fundit. Mes moshatarëve të vet e sheh tek bisedon për temat e ditës, i vëmendshëm ndaj politikës dhe premtimeve që japin. Njeriu i urtë dhe i mençur,  mendon vetëm për jetën.

Hasan Pacani u lind më  1924 në fshatin Mazhan. Në fëmijërinë e tij nuk pati shkolla që të arsimohej, por fatmirësisht ishte nga të paktët fëmijë të moshës së tij që mësoi të shkruante dhe të lexonte, pasi i ati, Muharrem Pacani, kishte qenë emigrant në Amerikë në dhjetëvjeçarin e parë e të dytë të shekullit të kaluar. Kështu, krahas mjeshtërisë së bujkut që e mësonin të gjithë fëmijët, pati mundësinë të njihej dhe me alfabetin tonë dhe të shkruante e të lexonte nëpërmjet atyre pak materialeve që i ati mundi të sillte me vete kur u kthye nga kurbeti.

*
Viti 1940, një vit pas pushtimi fashist të Shqipërisë, e gjen djaloshin 16 vjeçar duke punuar në Durrës në njërën nga shoqëritë italiane që kishte filluar të kryente punë të ndryshme. U mësua shpejt në përballimin e punëve të vështira. Pasi kthehet nga Durrësi, me po atë intensitet, iu përvesh punëve në pronën e vet. Lufta Nacionalçlirimtare përfshiu në radhët e veta Sadikun, të madhin e fëmijëve dhe Faikun 13-vjeçar. Hasanin e lanë si të vetmin mashkull të familjes që të përballonte mbajtjen e familjes me bukë.

Po viti 1949 e gjen Hasanin duke kryer shërbimin ushtarak në rrethin e Korçës. Njësia ku kryente shërbimin, në gusht të këtij viti, u vu përballë me monarkofashistët grekë të cilët synonin pushtimin e trojeve tona.  Luftime të ashpra kreu njësia e tij duke u dalluar për guxim e trimëri. Njeriu e ka si pjesën më të çmuar të jetës së tij një ngjarje të tillë. Ndaj sa herë i tregon ato fragmente betejash, ndihet se është pjesë e asaj krenarie që është e përmasave kombëtare. E ndien se ajo pjesë e jetës së tij është e veçantë


Në vitin 1951 Hasani ka përjetuar një nga momentet e tij më të bukura. Martohet me Menduri Alikollarin, njëra prej familjeve fisnike të Seniçanit me të cilën lindën një tufë me fëmijë, të cilët i dhanë gëzim e mbarësi familjes së tyre.


*
Me krijimin e kooperativës bujqësore në fshatin Mazhan, Hasanit iu ngarkua detyra e brigadierit të brigadës. Organizimi i punëve në drejtim të një brigade në ato fillime të punës kolektive, sigurisht që ka qenë i vështirë. Njerëzit ishin praktikuar për të drejtuar ekonominë e tyre private, por drejtimi i një brigade, ku ishte ekonomia e 50 familjeve të bashkuara në një të vetme, ka qenë një proces i vështirë. Po kur njeriu ka brenda qenies së tij dëshirën për të punuar, duke e gërshetuar atë edhe me përvojat e të tjerëve, gjithmonë arrin që të kapërcejë çdo vështirësi që i del përpara.


*
Një pjesë të rëndësishme të jetës së tij i kaloi në vreshtat e Piskovës. Aty përvetësoi zanatin e vreshtarit. Vreshtat e Piskovës u bënë shkollë jo vetëm për dëshnicarët, por për të gjithë përmetarët. Aty shkonin të mësonin nga të gjitha kooperativat bujqësore të rrethit të Përmetit. Piskova u bë epiqendra ku mësohej se si të mbarështrohej hardhia duke krijuar vreshta në çdo ekonomi.  Aty mësohej me agronomët më të kualifikuar. Po ferma e Piskovës, si ekonomi e re që ishte, kishte nevojë për punëtorë të kualifikuar, ndaj zgjodhi dhe mbajti më të mirët. Njeri nga këta që shërbeu për disa vite në këtë fermë ishte edhe Hasani. Aty mësoi deri në detaje se si i shërbej hardhisë. Në pak kohë dukej se nuk i mungonte asgjë  në njohjen e kësaj mjeshtërie.

*
Pas largimit nga ferma, krijoi në atë pronën e tij të vogël private rreth një dynymëshe, një vresht të vogël. Nuk i rrihej pa patur nëpër duar lastarët e rrushit, por edhe të drurëve të tjerë frutorë. Krijoi një bllok ku nuk mungonte asgjë. Aty i gjeje pothuaj të gjitha: arrat, bajamet, fiqtë, qershitë, kajsitë, mollët, ftonjtë, dardhët. Po meraku i tij i veçantë ishte hardhia. Ai vreshti i vogël disa qindra metra katrorë, i harxhonte kohën më të madhe pas kthimit nga puna. Ishin të gjitha llojet e rrushit. Çdo vit zëvendësonte pjesë të vreshtit me lloje të reja që ishin më prodhimtare.


Në mbrëmje, teksa kishte mbaruar së krasituri, sillte në mendje se sa do të ishte prodhimi  i këtij viti. Pastaj si do t`i ndante rrushtë sipas cilësisë për t`i bërë raki dhe verë. I kishin thënë se në lashtësi vera përdorej më shpesh se tani. Vera ishte delikate për të arritur cilësinë që dëshiroje. Donte kujdes, durim, të mos përtoje për të pyetur, kur ishte fjala për të mësuar se si bëhej vera më e arrirë. Nuk ishte e lehtë të mësoje të fshehtat e saj. Dikush i kishte thënë se kur Dionisi shpiku verën prej rrushi u kthye në Perëndi, që i faleshin njerëzit në mbarë faqen e dheut  deri ditët e sotme.


*

Njeriu e ndien se është i plotësuar në jetë kur edhe fëmijët e tij i ka pasonjës të denjë. Prindi dëshiron që të paktën njëri nga fëmijët të marrë në dorëzim veprën që ai lë pas. Në atë traditën e vjetër kjo i besohej njërit prej djemve. Ardi mbaroi Universitetin për Administrim- Biznes, Agroni një njohës i mirë i të fshehtave të mjeshtërisë së mbarështimit të hardhisë dhe të drurëve frutorë. Po më mirë nga fëmijët duket se dëshirën për ta ndjekur në profesionin e tij ia plotësonte Luani.


Luani mbaroi Fakultetin e Agronomisë. Tek ky kishte më tepër besim se mund të vazhdonte punën e tij të nisur. Bujqësia kërkonte agronomë, profesionet e tjera për të ishin të dorës së dytë.


Dhe Luani si për të kënaqur edhe dëshirën e t`atit e përfondoi universitetin si një student i shkëlqyer. Po kështu shkëlqeu në profesionin e tij kur u emërua agronom në kooperativën e Frashërit dhe të Kajcës. Në rrethin e Lushnjës ku shërbeu në sektorin e Goresë si agronom dhe përgjegjës sektori shfaqi pjekuri të profesionit të tij.

 

Gjatë trazirave të vitit `97 edhe Luani emigroi në Greqi bashkë me familjen e vet. Është pjesëtar i Shoqatave të emigrantëve që veprojnë në Greqi. Në një sërë artikujsh në gazetat e komunitetit shqiptar ka mbrojtur të drejtat e emigrantëve duke u bërë zëdhënës i pjesës më aktive të shqiptarëve. Krijimtarinë e vet të botuar në organe të ndryshme të shtypit dhe të pa botuar po e përgatit për botim në një libër me vlera të larta të titulluar  “ Ju flas nga Kreta”.


*

Po ajo që e ka gëzuar më shumë Hasanin është vendimi i tre djemve të tij që së shpejti, shtëpinë e tij të vjetër atje në Mazhan, do ta rindërtojnë përsëri dhe do të përtëritin të gjitha ato vlera që Hasani i krijoi gjatë një jete të tërë. Do të krijojnë një bllok me dru frutorë dhe një vresht, ashtu siç e ka konceptuar vetë Hasani. 


Mbrëmjeve, atje në qytetin e Përmetit, ku ka vite që jeton me bashkëshorten e vet, Mendurinë, mediton për atë çfarë arriti në jetë. Nuk i duket se i ka mbetur ndonjë gjë e madhe pa u realizuar. Të tetë fëmijët e tij tashmë kanë krijuar familjet e tyre dhe të gjithë e kanë bërë gjysh dhe ndonjë edhe babagjysh. Numëron …fëmijë, nipër e mbesa. Të gjithë e duan dhe nuk ka ditë që nuk i dërgojnë përshëndetje andej nga jetojnë e punojnë. I vijnë telefonata nga Kreta e largët, por edhe nga Athina e nga ishulli i Eubesë,  ku jetojnë dy vajzat e tij. Herë-herë , kur njeriun e rrëmben fantazia, mendon se ja, ai gjaku i tij do të shtohet e shumohet dhe një ditë do të kthehen në vatrat e tyre. Po do të jenë shumë. Nuk do të jenë me dhjetra, se këtë shifër e kanë arritur deri tani. Do të jenë me qindra. Ndoshta ata që do të ruajnë gjakun e tij, do të kthehen e do të krijojnë një fshat diku aty në rrethinat e Ballabanit. 
*

Nuk ishte mësuar me një shpërndarje të tillë. Në çdo orë të ditës i telefonojnë, i raportojnë, e pyesin, këshillohen me të. Dhe ai mediton gjatë gjithë kohës. U duhet dhënë drejtim të gjithave… Interesohet që nga mbeska e vogël një vjeçe e gjer tek më të rriturit. Di në hollësi problemet që ka njëri dhe tjetri. Po, pasi diskuton të veçantat e secilit, të gjithëve u jep pothuaj të njënjtën këshillë: Mbajini sytë nga Përmeti. Jemi në Lindje të kësaj Perandorie Europiane që po krijohet. Nga kjo lëvizje globale jemi ne të parët që mund të kërcënohemi.  Mos e braktisni truallin sa të mos dini se ku e keni, se një ditë do të vijnë e do ta zenë të tjerët.

 

Kujtim Mateli


(Vota: 32 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora