E premte, 29.03.2024, 05:21 AM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: Çka duhet ti kërkojë presidenti i Kosovës Sejdiu presidentit të Turqisë Abdulah Gul?

E marte, 02.02.2010, 09:59 PM


Çka duhet ti kërkojë presidenti i Kosovës Sejdiu presidentit të Turqisë Abdulah Gul?

Nga Valon Kurtishi

Presidenti aktual turk Abdulah Gul i ka bërë një ftesë presidentit të Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, që ky të vizitojë Ankaranë në dy ditët në vazhdim. Protokolli parasheh një takim kokë më kokë mes dy presidentëve, një takim më të gjerë mes delegacioneve respektive si dhe nënshkrimin e një protokolli të bashkëpunimit me një organizatë të quajtur TIKA, e cila është shumë aktive në zonën e Ballkanit dhe më gjerë. Në shikim të parë ky është një lajm thjesht telegrafik i cili ndoshta edhe nuk meriton ndonjë vëmendje të veçantë veç faktit se kjo është vizita e parë në Turqi e një zyrtari të këtij niveli pas pavarësimit të Republikës së Kosovës. 
Vizita e Sejdiut në Ankara vjen pas një turi vizitash që diplomacia dhe rrethet ekonomiko-financiare të këtij vendi aziatik në krye me presidentin Gul dhe ministrin e jashtëm Davutogllu, realizuan kohëve të fundit në Europën juglindore, nga Zagrebi në Tiranë. Në këto vizita u shpalos qartë intenca e elitave politiko-ekonomike turke për një rikthim të tyre politik, ekonomik dhe kulturor në pajtim me rethanat e reja kuptohet, në zonat që ata një kohë të gjatë i kanë mbajtur nën okupim. Kuptohet se ky nuk është në rikthim i pastër fizik me kuaj, por duhet të realizohet në pajtim me rrethanat dhe kushtet  e botës së sotme si dhe në bazë të formave moderne të neoimperializmit kulturor dhe ekonomik. 
Gjithë këto vizita, takime, propozime, oferta për bashkëpunime të ndryshme ekonomike e ndërveprime kulturore, etj të rretheve të sipërmendura turke me mikpritësit e tyre ballkanikë, vlen të analizohen nga më tepër këndvështrime, të kushtëzuara këto nga e kaluara, e sotmja dhe planet që secili prej përbërësve në këto lojëra strategjike i bën për të ardhmen. Një analizë e tillë është jashtë temës dhe hapësirës së këtij teksti të shkurtër por një diçka e vogël na shërben për të dalë në temën e këtij shkrimi. 
Kështu, presidenti Gul deklaroi në Beograd se Sërbia është partneri kyç ekonomik dhe politik i Turqisë në rajon kurse në Bosnjë tha se kufijtë e këtij vendi janë të pacënueshëm. Këto qëndrime kontradiktore tregojnë qartë se Turqia i shikon interesat e saja politike dhe ekonomike dhe për të shumë më e rëndësishme si partner është Sërbia e fuqishme sesa Bosnja e dobët dhe e vogël, edhepse këta boshnjakët mund edhe të jenë të fesë myslimane. Nga këto deklarata të cilat pasohen pastaj nga veprime konkrete në praktikë, shihet qartë se Republika e Turqisë i ka objektivat e veta strategjikë të përcaktuar qartë të cilat nuk marin parasysh dhe nuk bazohen aspak në sentimente fetare apo emocione e nostalgjira historike, por në objektiva të qartë nacionalistë/influencues dhe në përfitime të pastra ekonomike. Kjo është maksimizimi i fuqisë së shtetit kombëtar turk duke shfrytëzuar në maksimum resurset njerëzore dhe ekonomike të kombeve të Europës juglindore. Duke pasur parasysh se tërheqja në këto skema asimiluese e shfrytëzuese të popullsive ortodokse ballkanike është shumë e vështirë në mos e pamundur shkaku i trashëgimisë konfliktuoze nga e kaluara, tehu i goditjes turke është drejtuar drejt kombit shqiptar dhe atij boshnjak të cilat mendohen si më të dobët dhe më të lëndueshëm në këtë drejtim. 
Në kuadër të kësaj strategjie djallëzore duhet shikuar dhe “ftesa “ drejtuar presidentit Sejdiu për të vizituar Ankaranë (Angorën e dikurshme bizantine), e cila rastësisht ndodhet në zemër të rajonit të Anadollit – varr për miliona shqiptarë të zhdukur e asimiluar atje si rezultat i konventave dhe e marrëveshjeve xhentëlmene, jugosllavo-turke e greko-turke për shkëmbimin e popullsisë të viteve 30 e 60 të shekullit XX. 

Kjo është një ftesë interesante e cila do të shfrytëzohet me siguri nga mikpritësit turq për të zhvatur koncensionet e radhës nga Kosova e dobët, me një sovranitet të kufizuar dhe pa strategji të qartë shtetërore në lidhje me prioritetet kombëtare. Një tendencë e tillë është parë tashmë në Kosovë dhe reth Kosovës kudo ku banojnë shqiptarë. Janë bërë përpjekje sa sekrete aq edhe publike për të shtënë në dorë sektorët strategjikë të ekonomive të dobëta shqiptare në Shqipëri e Kosovë. Është po e njëjta strategji shoviniste e neoimperialiste e cila ndiqet nga Greqia që nga viti 1992. Në këtë drejtim, një numër i bankave, kompanive të naftës, ndërtimit e deri telekomunikacioneve turke janë paraqitur si blerës potencialë të aseteve strategjike shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e Fyrom. Ata kanë pasur sukses në këtë, edhepse duket qartë se këto kompani turke e greke janë shumë të dobëta dhe ofrojnë shërbime shumë më të shtrenjta se të themi kompanitë respektive gjermane, angleze apo amerikane. Megjithatë duke shfrytëzuar korrupcionin e klasës politike antishqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, këto ndërmarje të dobëta turke apo greke kanë aritur rezultate mahnitëse në grabitjen e resurseve natyrore të kombit shqiptar duke skllavëruar hap pas hapi një komb të tërë. Penetrimi ekonomik shkon pastaj dorë më dorë me penetrimin kulturor me synimin final, asimilimin e e një pjese të konsiderueshme të rinisë sonë duke i shkaktuar një dëm të madh vetë identitetit kombëtar dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Në këtë kuadër edhe ftesa dejtuar Sejdiut për të vizituar Ankaranë është më tepër një “urdhër” nga pozita e fuqisë për tu paraqitur tek zotëria dhe për të dëgjuar kërkesat të cilat pastaj duhet të plotësohen, sesa një ftesë e një presidenti drejtuar një homologu të tij.
Njoftimi publik se në sytë e presidentit turk delegacioni i Kosovës pritet të nëshkruajë një marëveshje me organizatën TIKA, tregon qartë karakterin imperialist dhe shovinist të kësaj vizite të çuditshme atje. TIKA është një organizatë shtetërore turke e cila në shikim të parë duket e ngjashme në objektiva dhe rolet e saj me organizata tjera ndërkombëtare që meren me punë të tilla humanitare. Ajo është themeluar në kohën e ndryshimeve të mëdha politike në Europën juglindore dhe Azinë qëndrore, zona këto ku është përqëndruar vëmendja e saj kryesore. Më saktësisht, kjo organizatë themelohet me vendim të kabinetit turk në Janar 1992. Ndër qëllimet kryesore të organizatës mes tjerash janë, “dhënia e ndihmës ekonomike, komerciale, teknike etj vendeve në zhvillim, si dhe themelimi i organizatave “qeveritare” në vendet në zhvillim në fushat e sistemit bankar, tregtisë ndërkombëtare, sigurimeve, financave, tatimeve”, etj. 

Kuptohet se Turqia duke qenë edhe vetë një vend në zhvillim e sipër nuk mund ti arijë këto objektiva, prandaj shihet qartë se paraqitja e tyre publike është më tepër një maskë për të fshehur qëllimet  e vërteta të organizatës, të cilat shpalosen në një mënyrë interesante dhe shumë publike në informacionin që jep vetë organizata. Sipas web-faqes zyrtare të TIKA, gjithë këto programe dhe gjithë kjo “asistencë” ofrohet për vendet ku “flitet turqishtja”. Sa për gjethe fiku pastaj është shtuar edhe fjalia, “edhe në vendet kufitare”. Në kuadër të aktiviteteve të veta, projekti kryesor i TIKA ka të bëjë me përhapjen e gjuhës turke në vendet ku flitet “turqishtja”. Në këtë drejtim janë themeluar 18 qendra të turkologjisë në zona të tilla interesante gjeografike si Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Tataristani, Krimea, Ukraina apo Uzbekistani. Shihet qartë se TIKA është dorë e zgjatur e nacionalizmit dhe neoimperializmit turk, e cila ka për detyrë që nëpërmjet gjoja “ndihmës ekonomike” të përhapë sa më shumë gjuhën dhe kulturën turke. D.m.th, të asimilojë sa më shumë shqiptarë të çoroditur të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë në turq.  Kjo është realizimi në praktikë dhe me metoda supermoderne i atyre planeve të vjetra turke dhe sërbe për “turqit” në realitet shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës, Sanxhakut, të cilët kur do vijë koha duhet të shpërngulen në Anadoll. Këtë madje ministri i jashtëm turk Davutogllu e shpalosi shumë haptas dhe ndoshta si “rastësisht” në mes të Sarajevës. “Anadolli është i juaji” u tha ai mikpritësve boshnjakë të cilët me gojë hapur e ndiqnin ministrin e jashtëm turk, “ju jeni të mirëseardhur, Anadolli u takon juve vëllezër e motra!!!. (Vi ste dobrodošli! Anatolija pripada vama, naša bra?o i sestre). Një mënyrë e tillë imperialiste e të parit të gjërave e cila çdo fenomen e sheh nga prizmi i vet dhe nuk i mer fare parasysh interesat nacionale të kombit shqiptar apo atij boshnjak, është tipari karakteristik i politikës së jashtme turke në Ballkan nga viti 1912 e deri më sot. 
Që shqiptarët në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkan të mos vazhdojnë të jenë skllevër të verbër në lojën e madhe politike të “machtpolitik”-ës që luajnë imperializmat turk dhe ata sllavë në këtë pjesë të botës, qeveritë shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të marin masa urgjente që të ndryshojnë krejtësisht objektivat dhe qëndrimet e tyre në raport me nacionalizma të tillë agresivë. Në këtë kuadër gjatë vizitës së tij në Turqi, presidenti shqiptar i Republikës së Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu, duhet në mënyrë rezolute dhe në maniret e burrështetasve të mëdhej dhe seriozë që nuk bëjnë tregti me interesat e popullit të vet, t’ia bëjnë të qartë presidentit turk dhe gjithë bandës imperialiste anadollake që i fërkon duart prapa skenës bashkë me të, disa propozime konkrete pa përmbushjen e të cilave as që duhet të diskutohet ndonjë marëveshje me këtë shtet aziatik.

Së pari, Presidenti dhe qeveria e Republikës së Turqisë duhet ti kërkojnë falje publike popullit shqiptar në përgjithësi dhe popullit shqiptar në Kosovë në veçanti, për të gjitha masakrat, dhunën, përndjekjen, përdhunimet, deportimet çnjerëzore,  asimilimin etnik dhe fetar, si dhe prapambetjen historike të popullit tonë gjatë 500 viteve të errët të okupimit turk. Këtë do ta demonstrojnë më së miri publikisht duke u përkulur në gjunjë para kështjellës së Skënderbut në Krujë, njëjtë siç u përkul Wili Brandi i madh më 7 dhjetor 1970 para memorialit të kryengritjes së getos së Varshavës. 

Së dyti, presidenti Sejdiu të kërkojë nga homologu i tij turk që Republika e Turqisë të shfuqizojë me efekt të menjëhershëm marrëveshjet raciste, terroriste, shoviniste, antinjerëzore të viteve 30 “për emigrimin në Turqi të muslimanëve nga viset jugore të shtetit tonë sërb”, që i kanë nënshkruar Miladin Stojadinoviqi e Ruzhdi Arasi dhe të cilat në fakt janë marrëveshje që e dënojnë me vdekje gjysmën e kombit shqiptar. Të kërkojë shfuqizimin edhe të marëveshjeve xhentëlmene të Fuat Koprulut me Josip Broz Titon të viteve 50 që ishin vazhdim i shkatërimit të mëtejshëm të popullit shqiptar në Ish Jugosllavi.

Së treti, presidenti Sejdiu të kërkojë që në bazë të parimit të reciprocitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, Republika e Turqisë të bëjë regjistrimin etnik të popullsisë dhe të tregojë saktë sa shqiptarë jetojnë atje. Një numër i zyrtarëve të lartë turq kanë deklaruar haptas se janë 5 milionë qytetarët turq me origjinë shqiptare. Këtë obligim ndërkombëtar tashmë e kanë realizuar qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë duke bërë regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë si dhe duke pranuar një grup popullsie prej reth 20.000 vetëve në Kosovë dhe reth 38.000 mijë personave në IRJM si minoritet etnik turk. Këta janë në fakt qytetarë të vjetër shqiptarë të Kosovës dhe IRJM që shpallen artificialisht  si turq etnikë dhe që skanë asnjë lidhje antropologjike me turqit e Anadollit.

Së katërti, Republika e Turqisë të fusë në mënyrë të menjëhershme dhe të pakusht në kushtetutën e saj nenin me të cilin e pranon ekzistencën e grupit etnik shqiptar si kategori  të veçantë kushtetuese  atje, dhe të pranojë me kushtetutë që gjuha shqipe të jetë zyrtare në ato zona të Republikës së Turqisë ku shqiptarët jetojnë në përqindje të konsiderueshme. Republika e Kosovës dhe IRJM e kanë bërë tashmë këtë. Nenet e kushtetutës së Kosovës dhe Fyromit e përcaktojnë në mënyrë të padrejtë edhe gjuhën turke si zyrtare në disa pjesë të territorit të tyre. E përsërisim, në mënyrë krejtësisht të padrejtë, pasi minoritet i vërtet turk etnik në Kosovë dhe IRJM nuk ekziston. Ka vetëm një shtresë të vogël të popullsisë qytetare shqiptare e cila për inerci e përdor këtë gjuhë aziatike në komunikimin e përditshëm.

Së pesti, presidenti Sejdiu të kërkojë që vetë Republika e Turqisë në pajtim me konventat ndërkombëtare nënshkruese e të cilave është ajo, të hapë dhe financojë me para publike të shtetit turk, mijëra shkolla fillore, të mesme e universitete, ku minoriteti i madh shqiptar prej 5 milionë banorëve në Turqi të ketë mundësi të shkollohet lirisht në gjuhën e vet amtare. Republika e Kosovës dhe qeveria shqiptare e  IRJM e kanë bërë tashmë këtë në kuriz të interesave të veta kombëtare duke pranuar disa mijëra turqishtfolës shqiptarë të Prizrenit, Mamushës apo Gostivarit si turq etnikë. Shkollimi i këtyre pseudo turqve paguhet me paratë publike të qytetarëve shqiptarë të Kosovës dhe Fyromit. Ekzistojnë kopshte, shkolla fillore, të mesme e madje edhe katedra në gjuhën turke në Prishtinë e Shkup për minoritetin e zbuluar (invented) artificial turk në Kosovë e IRJM.

Së gjashti, Republika e Turqisë përfundimisht dhe pakushte të heqë dorë nga ekzistenca e të ashtuquajturit “minoritet turk” në Kosovë dhe IRJM, pasi një grup i tillë etnik në këto vende realisht nuk ekziston dhe është rezultat i politikave tradicionale sërbe për asimilimin e shqiptarëve të pavetëdishëm myslimanë në turq, në mënyrë që këta sa më lehtë të emigrojnë në Turqi. Të heqë dorë gjithashtu nga financimi i partive politike turke në Kosovë dhe IRJM dhe të urdhërojë mbylljen e tyre të menjëhershme.

Së shtati , të kërkojë që Republika e Turqisë të heqë dorë menjëherë nga financimi i kolegjeve private me mësim në gjuhën turke në Kosovë, Shqipëri dhe IRJM, të cilat ndikojnë në mënyrë negative në identitetin kombëtar shqiptar duke çoroditur një pjesë të rinisë shqiptare e cila bie nën ndikimin e propagandave të ulta nacionaliste dhe nën ndikimin e botëkuptimit turk dhe jo shqiptar mbi jetën.

Së teti, Presdidenti Sejdiu të kërkojë nga Republika e Turqisë që të mos përzihet në Organizatat e bashkësive fetare islame në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, pasi ato janë organizata etnike shqiptare dhe nuk kanë në përbërjen e tyre turq etnikë të cilët në këto territore nuk ekzistojne dhe janë prodhim i politikave asimiluese antishqiptare të Vasa Çubriloviqit dhe Josip Broz Titos. Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë nuk përzihen në çështjet e brendshme të Komunitetit islamik të Turqisë, edhepse këta kanë të drejtë të përzihen pasi atje jetojnë reth 5 milionë shqiptarë të vërtetë e jo të imagjinuar si pseudo-turqit në këto tre shtetet shqiptare në Ballkan. Gjithashtu, trashëgimia kulturore materiale e proviniencës islamike në territoret shqiptare e ngritur gjatë viteve të okupimit turk të mos identifikohet asesi nga Turqia me kombësinë turke, pasi ajo është krejtësisht shqiptare dhe nuk mund të denacionalizohet.

Së nënti, presidenti shqiptar i Republikës së Kosovës të kërkojë që investimet turke në Kosovë, Shqipëri dhe IRJM të ndjekin rrugën dhe formën e njëjtë ligjore dhe etike si financimet e vendeve dhe investitorëve të tjerë europianë dhe të mos ndjekin rrugë agjenturore, mafioze dhe influencuese duke kushtëzuar punëmarësit shqiptarë më ndërim të përkatësisë kombëtare apo fetare. 

Së dhjeti, Shteti turk dhe qarqe të caktuara akademiko-shtetërore turke, të mos përzihen në çështje të brendshme identitare të shqiptarëve në lidhje me shkrimin dhe interpretimin e historisë kombëtare, pasi as Republikat shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe as kombi shqiptar nuk përzihen në shkruarjen apo interpretimin e historisë së kombit turk dhe Republikës së Turqisë.

Kur të realizohen pikë për pikë këto dhjetë kërkesa atëherë mund të flitet për bashkëpunim të ndërsjellë mes dy shteteve “mike” dhe “aleate” në Ballkan dhe më gjerë. Pa jetësimin e këtyre kërkesave minimale as që mund të diskutohet bashkëpunimi me një shtet të tillë i cili në mënyre brutale përzihet deri në çështje të brendshme substanciale identitare të kombit shqiptar. Presidenti Sejdiu të ketë parasysh se çka presin shqiptarët prej tij, në këtë vizitë “historike” në varrezën masive të popullit shqiptar të quajtur - Anadoll.


(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora