E premte, 19.04.2024, 11:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Sulejman Mato: Poezia e Arben Shehit, një rrugëtim i vazhdueshëm drejt lirisë

E hene, 01.02.2010, 08:50 PM


Poezia e Arben Shehit, një rrugëtim i vazhdueshëm drejt lirisë

Nga Sulejman Mato

Ka një arsye për të mbërritur gjer te mërmërima e fjalës së shkruar. Thonë që poetët janë qenie  të ndjeshme, por ndjesia nuk është një privilegj vetëm i poetëve. Diçka tjetër ndodh me ndjesitë e disa individëve të veçantë të cilët marrin guximin të hedhin mbresat e jetës në letër. Eshtë habia, ka thënë një shkrimtar  i njohur, një cilësi fëmije që jeton gjatë vetëm te poetët e vërtetë dhe i bën  ndjenjat të murmurijnë, për t’i çuar gjer te fjala.
Kjo gjë ka nodhur dhe me mikun tim Arben Shehi, me profesion arkitekt,i cili  gjen kënaqësi dhe ngushëllim herë te piktura e herë te  poezia.
Përse shkruajmë? Përgjigjja më e saktë do të ishte:”Sepse... Një fjalë pa kuptim, ose me shumë kuptime. 
Për Arben Shehin si poet, por dhe si njeri, do të citoja fjalët e shkrimtarit Arben Iliazi: “Nuk ka trokitur thuajse kurrë nëpër redaksi gazetash, rrallëherë ka marrë pjesë në aktivitete zyrtare të poezisë, pak është ftuar nga organizatorë apo botues institucionesh të letërsisë, por edhe kur kjo ka ndodhur, ai i ka refuzuar modestisht, në heshtje.” Po ç’ rëndësi kanë të gjitha këto për një poet i cili i njeh vlerat e veta dhe është i vetedijshem  për diagramin e rritjes së personalitetit të vet poetik, nga njeri libër në tjetrin.Arben Shehi nuk është një poet mediatik, ndonëse është një person publik mjaft i njohur , jo vetëm si arkitekt por dhe për funksionet publike  dhe shoqërore që ka pasur gjatë gjithe këtyre viteve, ai gjen kohën të merret me dy arte njëherësh, me poezinë dhe pikturën. I thjeshtë ,i ndjeshëm, modest dhe fjalëpak, fisnik dhe bujar, i heshtur kur duhet, dhe tepër
 energjik kur është fjala për të treguar qytetarinë e vet tradicionale si publicist dhe aktivist i shoqërisë në të cilën jetojmë...Të gjitha këto cilësi i gjen të reflektuara në poezitë e tij, të cilat kudo dhe në çdo rast janë plot emocione, plot vizione jetësore të përshkruara nga një nostalgji  humane.”Poezia është rrugëtimi im i vazhdueshëm drejt lirisë, thotë autori.”Një ide mjaft interesante, koncepti i poezisë me lirinë ka kuptim të dyfishtë, ajo nuk ka të bëjë vetëm me lirinë e shprehjes, por dhe me lirinë si  shkëputje nga e rëndomta, poezia është një univers brenda të cilit jetojnë dhimbja dhe trishtimi, realiteti dhe iluzioni, poezia  bën lidhje të fshehta me retë dhe me shirat, me ëndrrën dhe me  lirinë që jeton në sferat më të fshehta të ndërgjegjes sonë. Këtë Olimp ka prekur  Arben Shehi ditën që preku poezinë.



*     *     *
Ajo që të bie menjëherë në sy sapo lexon poezinë e parë të kësaj përmbledhjeje poetike është ndjesia e veçantë që autori ka për vendlindjen, prej të cilës burojnë dhe poezitë më të mira të këtij libri.
Më ka rritur ky ajër,- pohon  autori.-Kur frynte egër murlani..
Megjithatë,
jam ndier mbret në këto shkallë, nën këto çati, 
me çerdhe pëllumbash që i ndërtonim vetë
dhe i ruanim po vetë.......
Karakteristikë e poezisë së Shehit ,sidomos kur përshkruan gjendje, është  eliptizmi dhe imazhi si mjet artistik, një kombinim i bukur i ndjenjës dhe imazhit, pa rënë grackën e imazhinizmit.
Ja disa nga vargjet që e ilustrojnë këtë mendim:
“Një frymë larg, në Veri
Është Kosova.
“Në muzg nxitoja të thërrisja shirat...
“E mbështes kokën 
te pikëllimi i syve të tu të përlotur.”
Poezisë së tij duket sikur i mungon diçka. I mungojnë fjalët e zhurmshme. Poezia e tij duket e thjeshtë: por ne fakt shume e thelle
Poezia e tij ushqehet me dhimbje.“Çfarë nuk dhëmb nuk është jetë” thotë poeti amerikan E.Muir. Dhimbjet njerëzore Shehi i shndërron në burim të poezive më të mira të këtij libri. Shumë prekëse dhe mbase,  të denja për t’u futur në një antologji të përzgjedhur të poezisë shqipe, janë  disa poezi kushtuar  nënës, njërën prej të cilave dëshiroj ta citoj të plotë:
Po shuhet ngadalë nëna ime.
Si flaka e qiririt po dridhen ditët e saj.
Më vështron në heshtje
Dhe me sytë e mekur
Një tufë zogj të ndrojtur
I zbret në parvazin e saj të perëndimit.

Si fletë e zverdhur vjeshte
Dridhet drita në dritare mbi qelqet e holluara nga vitet,
Që mund të krisin nga çasti në çast.
Së shpejti ajo do të fluturojë
Së bashku me zogjtë. (Nënës)
Poezia e Arben Shehit  ka diçka përjetësisht të parealizuar në kohë, e cila jeton në kujtime, kjo gjë vërehet te vjershat e dashurisë,ndonëse, në vjershën “E shkruar vetëm për time bijë” ai vetë e pohon, se në jetën e tij ka pasur vetëm tri gra “
Nëna ime, 
vajza e nënës sime,
Nëna jote...
Në libër ka pak poezi sociale,  të mbarsura me shqetësimin e ditës, një prej tyre është poezia  “Hienat” në të cilën përshkruhet gjendja e punëtorëve të cilët “ Presin më kot te Ushtari i Panjohur, të papunë, të mardhur e të lagur./Ndërsa perëndimi me shkrepje vetëtimash/ ngutet të ndezë avujt e leckave të tyre/ si qirinj përshpirtjesh në këtë buzëmbrëmje. “Në këtë poezi përshkruhet një realitet migjenian, të cilit i duhet kushtuar më tepër vëmendje nga poetët tanë.
   
*      *       *
 Duke mos pretenduar i bëj një analizë të poezisë së këtij poeti trondites , i cili shkon pa u vënë re nga kritika jonë letrare, madje as nga mediet, të cilat vërtitet si fluturat rreth dritave të rreme, jam i të njëjtit mendim me poetin Arben Iliazi, kur thotë që poezia e tij “është një poezi thellësisht lirike dhe plot kontraste, një pasqyrim i plotë i lirisë, si dimension i tij i qenësishëm” Më shumë se nostalgji për jetën te poezia e tij ndjehet malli, malli për vendlindjen, malli për njerëzit e dashur të familjes, mall për rrugët ku ka shkelur këmbëzbathur dikur, mall për një pritje, pas qelqeve, në avullin e magjishëm të ndarjes, mall për shirat “mbi çatitë flurore të mjegullës”...Mall për gjithçka të bukur ka kjo jetë. Mall dhe për të papërsëriturën që përsëritet. Por, ajo që e veçon poezinë e tij nga poezitë e tjera që lexojmë rëndom nëpër libra poetikë e gazeta është
  mënyra se si ky autor e përthyen ndjenjën në prizma imazhesh. “Zogjtë ikacakë të vjeshtës janë ulur mbi thërrimet e mallit tim.” “”Do të shkoj më së fundi të bëhem erë” “Në muzg nxitoja të thërrisja shirat...”. janë disa nga vargjet me të cilat dua të ilustroj mendimin tim, për një poezi fine, të kulluar, tronditese, brilante,..... një poezi me bukuri pranuese, ashtu si e quan autori nënën e vet. Dashuria për njerëzit i kthehet në vlerë, i praron mendimet, i kthjellon imazhin. 
Ka poetë që hyjnë me bujë në poezi dhe, po me bujë e mbyllin ciklin e vet letrar, Arben Shehi nuk bën pjesë te këta lloj poetësh. Atë nuk e shqetëson as emri as lavdia, as zhurma që duhet të bëhet rreth poezisë së tij, ai ka zgjedhur heshtjen si reflektim, ai ndjek rrugën e poetëve të shquar që kanë jetuar larg zhurmës së fjalëve. Eshtë detyrë e studiuesve dhe e kritikës letrare, për të thënë fjalën e fundit, rreth vlerave tronditese te ketij poeti.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora