E premte, 19.04.2024, 12:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Mazllum Saneja: Poezia moderne polake - Eugeniusz Kasjanowicz

E diele, 31.01.2010, 08:28 PM


MAZLLUM  SANEJA  -   POEZIA MODERNE POLAKE

EUGENIUSZ  KASJANOWICZ

Zgjodhi dhe përktheu nga polonishtja: Mazllum Saneja


ÇDO GUR

Çdo gur
që e ndesh
në rrugët
e qytetit tim
të vendit tim
e mbart
në supet e mia

NË SPITAL

Akoma më frymëmarrje e rëndë
pas gjethit të blertë
sa vështirë dorën të shtrish
më thotë djaloshi
nga shtrati përballë
lulet në raft 
janë të ndjeshme si nëna
ai nuk beson se toka 
ka kohën e vet
fryhet në dritare
ai e do motrën medicinale
buzëqeshja e sëcilës 
është më e shëndetshme se barnat
derisa ai mua më shikon
tavani përplot fjalë
prapa dritares shtresa e reve
dhembjet e mbërthyera diku larg
ëndrra më mundon
kam frikë të bie në gjumë
që motra medicinale të moss jell në agim
lamentin 
mureve te korridorit

KUR LARGOHEM NGA QYTETI IM

Kur largohem nga qyteti im
mos mbyll porten
dritaren lëre hapur
zëri yt me erën le të rrjedh
dhe hap matanë peizazhin
kur unë largohem nga qyteti im
kokën mos ul
merre pëllumbin ndër duar
shikoje në sy
le të mbajë mend zemrën tënde
kur unë largohem nga qyteti im
ti mos qaj
asnjë pikë loti
zgjatmi duart si mik i vërtetë
dhe shiko zogjtë e kthyer

JAM PJESË E KOZMOSIT

Jam pjesë e kozmosit
në mua banon çdo pikë e botës
derisa rreth e përqark vërtiten kaq ngjarje
dhe fjala e butë që aq shumë e dua
fjala e brishtë
e thënë për herë të parë
q ënuk mund të kthehet
në folenë e vet
shtekton e vetmuar
në kërkim të njeriut
derisa befas duket
ylli i rënë
që me aq dashuri
e vështroj bukurinë e tij
me aq entuziazëm e hidhërim

LE TË IA LËMË FATIT 
DITËT E ARDHSHME

Le të ia lëmë fatit
ditët  e ardhshme
tërë shqetësim
e dashura Emilia
asgjë nuk na ndihmon
e vërteta perzihet me gënjeshtrën
sikur lotet tanë baltën e vjeshtës
shiko përmes dritares
shiko si bie gështenja e blertë
qe brendësirën e vet tregon
duke goditur tokën si ne 
që  përditë ngrihemi në fluturim
thyhemi derisa parandiej
se neve na shpëtojnë
vetëm flatrat e dashurisë
që i ngjitim tej
e dashura Emilia
pas disfatës tjetër
pa gjeste të mëdha
në degën e trurit tonë
duke u liruar nga vetmia
sikur nga ftohtësia
e përshkuar vjeshtake

SAHATI NË STACIONIN E TRENIT

Në ty ka aq dhembshuri
ndarjesh lamtumirësh
biseda të shkëputura
vështrime të pasigurta
 
duar të drithëruara
tës gjyshit sakat
një grosh i hedhur
nganjëherë e gjallëron

dhe sheh gëzimin
e më shpesh hidhërimin
tiktakun e zemrës
dhe në një kënd fëmijë të braktisur jetim

një vaj i thekshëm ndihet
netëve ditëve
vetmia në grumbull
dhembshëm plagos

dhe kështu ditë për ditë
na godet në zemër
deri ku do të vemi
deri ku  më

jeta si koha
sa shpejt ikën
nuk arrijmë dot t’i hipim trenit
gjithnjë në platformë të stacionit qëndrojmë

MË MBAJ

më mbaj
më shtrëngo fort
dorën
kjo erë e ftohtë e akullt
qe do të na hedh diku larg
më përqafo
dhe zemrën time
ndize në pëllëmbë të duarve
të ndjeshme si lotët
më shiko në sy
ashtu vështron hëna
atëbotë kur pishat e larta
ka kohë që nuk flenë
thuamë e dashur
natën e mirë
dhe prapë kthehu
me mjegullën mëngjesore

PËRSE GJITHNJË VONOHEMI

Përse gjithnjë vonohemi
në lindjen e parë
në dashurinë
në stacion
dhe mallkojmë
dhe sorollatemi
përse vonohemi
në gjestin tonë human
në buzëqeshje
dhe në fjalën e ndjeshme
diku larg
dhe gjithnjë diç na ikën
para nesh diku tretet larg
përse frika ankthi ngadhnjen
na rrëmbën na mbart tej
sikur të mos shohim
të mos ndjejmë
thirrjet tua
ashtu gjithnjë vonohemi
sikur të ngurosemi duke mos ditur
atëbotë

NËNA 

Nganjëherë më përpëlisin
hije të padukshme
frika dhe besimi
përditë ngremë shikimin
Ti vjen
me frymëmarrjen e ngrohtë
dhe pyet kah po nxiton
pastaj lehtë vë pëllëmbët e duarve të plasaritura
në kokën time
dhe përkëdhel nervat e çjerra
gjithë pasurinë tënde të varur
ndërmjet tavanit të rrëzuar
dhe dyshemesë së kërcëllitur
plot shqetësim
jam një verë e shkumëzuar
dhe një grusht fjalësh plot nyje
në atë kënd të dritares
ku rri ulur
kështu jetove tërë jetën
oh Nënë

NGANJËHERË MENDOJMË PËR PLEQËRINË

Atëbotë kur të vjetërohesh
jeta sikur kolltuku kërcëllin
dhe tund largësinë
që të afrohet
nënave të thinjura
dhe frymëmarrja e ngjirur e lutjes
ai peizazh monoton
dhe ai vrap i ngahershëm
sikur kokrra e rërës në xham
past merr nje grusht dhe
nga bregu më i afërt
sikur pranvera duket diku larg
sikur të këndonte qetë
derisa ai varg koralesh nga qafa jote bie
unë përgjatë bregdetit qëndroj
me kokën e përkulur
dhe notoj
derisa dallgët e stuhishme të detit
do të hedhin matanë
si barkën në breg

(Zgjodhi dhe përktheu nga polonishtja: MAZLLUM  SANEJA)

SHËNIM PËR AUTORIN:

Eugeniusz Kasjanowicz, poet, u lind në  Siemiatycze(Poloni), më 1954.
Në Siedlce të Polonisë kreu Fakultetin Filozofik, degën e pedagogjisë.
Është autor i shumë librave me poezi, në mes tjerash?
“Itaka”(1991), “Për Ty”(1992), “Aleksandria1993), “Aleksandria II”(1996), “Polonezi i Siedlces”(1997), “Fije bari”(1999), “Çdo gur”(2002), “Kush do të jem”(2003), “Letra Emilia Dickinsonit”(2003), “Ylli i dëborës”(2006), “Letra Emilies”(2006), “Letra nga Aleksandria”(2008), “Poezi të zgjedhura(2008).
     Poezia e Eugenjush Kasjanoviçit është e përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës si në anglisht, gjermanisht, greqisht, shqip.
    Është fitues i shumë shpërblimeve letrare në vendin e tij. Është e udhës të vëmë në spikamë se poeti Eugenjush Kasjanoviç mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Durrës(2006).
     Mirëfillësia dhe ndjenja e konkretësisë, freskia emocionale dhe humori i përmbajtur e ndriçojnë dhe e shquajnë  poezinë e Eugenjush Kasjanoviçit me dritën më vezulluese të lirizmit, që zgjon tek lexuesit e vëmendshëm një lexim dhe kënaqësi të veçantë.

( M.  S. )


(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora