E merkure, 24.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Rruga e një meditimi të mbarë

E diele, 31.01.2010, 08:14 PM


RRUGA E NJË MEDITIMI TË MBARË

Demë Topalli: “Haberi i mirë”, botoi “Zëri”, Prishtinë 1991

Nga Remzi Salihu

Vëllimi poetik “Haberi i mirë” i poetit Demë Topalli hap shtigje të reja të këngëtimit dhe meditimit poetik. Ky libër dallohet nga krijimet e tij më të hershme, duke futur në vargjet e veta risi dhe mbarështim artistik me një shprehje mjaft të kursyer. Vëllimi poetik ngërthen në vete tri njësi ciklike: “Haber i mirë”, “Dhembja e parë”, “I ardhtë era dhe të huaj”. Secili cikël inkarnon tërësi në vete dhe kjo tërësi strumbullohet në një ide dhe mendim gjithë ciklorë. Poeti mëton të ngjesh disponim poetik me anë të një antiteze ku e mira dhe e keqja retushohen nëpër gjakun e popullit, si diçka që përcjellët nga gjenerata në gjeneratë deri te “Ëndrra e madhe e dovletit”, sepse populli me pësimet apo ngritjet e veta mbajti të gjallë integritetin e gjakut nëpër shekuj. Ekzistencën  kombëtare nuk ta mbron askush nëse vet individi nuk e mbron me dinjitet dhe respekt. Nëse e lyp nevoja, për të duhet flijuar edhe veten “ me mijëra herë për një kremte të mbarë të një gjeografie të re” të jetesës, e cila ka kaluar nëpër kufijtë e ashpër të një harte kuptimesh të vjetra. Populli mbi supet e tij duroi të gjitha të këqijat, nëpër trupin kaluan zapti e pushtime të egra, që anatemonin çështjen e qenësisë gjatë shekujve.

          Makro dhe mikro kuptimi i së keqes dhe së mirës në poezinë e Demë Topallit shëmbëllen prej objektit që sjell errësirë mbi gjakun e ri të popullit tonë. Gëzimi dhe dhimbja janë dy fenomenet e poetit, që në esencë e shoqërojnë gjatë tërë librit. Këto dy karakteristika të disponimit personal, lidhen për një bosht kryesor të meditimit poetik. Ato rriten deri në atë shkallë sa që nga disponimi personal, vetjak, kalon në preokupim gjithëkombëtar. Dhimbja plekset si kronikë e përhershme në reflekset poetike. Ajo krijon metastaza shqetësimi që zvetënon “urtinë e re”. Poeti kërkon nga populli i vet që të dal nga ai rreth i mbyllur ku perdja e errët e atij Olimpi ka mashtruat tërë popullin e ndarë në shumë pjesë. Poeti me anë të pasthirrmave, ah, oh, ndërton figura retorike për ta shprehur dhimbjen, ndjenjën e tij të fortë. Ai gjakon që shqetësimin vetanak ta përgjithësoj tek çdo individ dhe si të tillë ku vaji dhe gëzimi do ta sjellin “haberin e mirë”. Të gjitha mashtrimet, përmbytjet, ngufatjet kolektive, çerdhohen palë-palë në muzeun e kujtesës të këngëtimit njëzet vjeçar. Imazhet poetike rrezatojnë nëpër frekuencat e përsëritura të shprehjes që aludojnë në një ëndërr të mirë të qenësisë sonë. Poeti sugjeron që dëshmitë tona shekullore të shfletohen si biografi e vërtetë e së nesërmes më të mirë e më të lumtur. Ëndrra krijuese poetin do ta shpie deri te origjina e tij e lashtë të lënë midis një pylli. Aty do ta gjej edhe të keqen edhe të mirën e trashëguar. Ku do ta shoqëroj përbindëshi, që hap varre trishtimi, ai nuk do të kursehet nëpër atë rrugë të ashpër për ta gjetur shtegun e yllit të vërtetë “në tregun e dheut”. Poeti do ta ngushëlloj veten me “me ëndrra të mira”, që sjellin gëzim dhe mirëqenie tërësore. Në rrugën e këngëtimit individual që nga përmbledhja e parë e deri te kjo e fundit do ta shoqëroj poetin i njëjti preokupim. Dallimi qëndron se tash poeti në skenën poetike vjen me një përvojë të gjatë krijuese, njëzet vjeçare. Të njëjtat motive dhe simbole, të cilat i ka trajtuar në dy vëllimet e para, në këtë libër i ka sinkronizuar me një kursim fjalësh të të shprehurit artistik. Bartja e disa figurave nga krijimet e më hershme në përmbledhjen me poezi “Haber i mirë” i përdor në mënyrë funksionale. Si duket krijuesi na lajmëron për një individualitet krijues që tenton të krijoj figurat dhe simbolet e veta autoktone, të cilat i përsërit nga cikli në cikël. Të tilla janë sintagmat, Ëndrra e madhe, Haber i mirë, Kremte  e mbarë, Ëndrra e dheut, Përroi i keq, etj. Poezitë e këtij libri shpalojnë qenësinë kombëtare me ngritjet e rrëzimet e veta, me lartësitë e Olimpit dhe me greminat e ferit. Shkaku i të gjitha këtyre baticave-zbaticave të një populli vijnë si rrjedhojë e “atij harku të zi” i “atij muri të Berlinit” që ka ndarë popullin tonë. Qenësinë e vet poeti në këtë libër e paraqet si diçka të pa afirmuar, si diçka që s’është e njoftuar ende, e që në esencë ka madhështinë e vet, e cila duhet të kërkohet dhe integrohet si çështje tërësore. Ngase ky popull i lashtë, ndër më të vjetrit në Ballkan, gjatë zhvillimit të vet pati rrënje dhe ngritje të mëdha, për të mbetur gjallë vetëm sa “një thermi”. Kjo metamorfozë nga makro dhe mikro dhe anasjelltas vjen si rrjedhojë e hidhur të një strukture tërësore nëpër rrebeshet e kohës. Sipas poetit ekzistenca e një populli kërkon durim dhe fjalim të madh, për të lindur një ditë më e mirë gjithsesi duhet flijuar diçka nga vetja, që e nesërmja të vij e mirë pa dhimbje e shqetësim Ballkani.

Kulti për të krijuar idole nëpër sistemet totalitare, ka qenë si pasojë e diktaturës moniste. Nga ky aspekt poeti nxit një “urti të re” për t’i rrëzuar nga froni i mburrjes të gjithë ato njerëz që me meritë apo pa meritë kanë hipur në piedestalin e mburrjeve, që kurse çdo gjë e mirë, humane rrjedh nga personaliteti i tyre. Poeti i vetëdijshëm se rrota e historisë nëpër kohë e hapësirë të caktuar, sjell e merr individë duke i ngritur në Olimp, ose duke i shndërruar në minj të vegjël e të pa vlerë. Në teatrin e madhështive kanë hyrë shumë personalitete si “zotra”, por kanë dalë si të përbuzur e të mohuar për gjithnjë. Figurat e mëdha të së kaluarës, pozitiv apo negativ, nëpër kokat e njerëzve, me bindjet e veta të caktuara kanë shëmbëllyer si zotëra, por në bazë edhe ata kanë qenë njerëz, si gjithë të tjerët, pos, madhështisë në vete kanë edhe vogëlsinë e vet. Me kalimin e kohës ndërrohen njerëzit, ndërrohen mendimet, ndërrohen sistemet e jetës dhe kërkohen mundësi e metoda të reja të një rendi apo organizimi shoqëror. Prandaj atë çka vendos një popull nuk mund ta vendos një njeri si individ. Poeti në poezinë “I ardhtë era dhe të huaj”, shënon një ironi të theksuar. Ai mallkon një karrierist, mediokër, që me interesat e veta të njëanshme përbirohet nëpër të gjitha skutat e së keqes për të plotësuar nevojat karieriste personale. Personat e tillë shërbejnë “midis uturima ujqish” dhe mallkojnë thesarin më të çmuar të një populli. Poeti të gjithë ata njerëz që veprojnë në këtë mënyrë i zbon nga qenësia kolektive, duke ua dhënë vendin e merituar. Në këtë mënyrë nga qielli i mburrjes do ta zbres edhe Marksin që ta kërkoj kapitalin e vet “në ferr provincash”, si diçka të tejkaluar dhe të prapambetur.

          Poeti Demë Topalli me këtë vëllim mëton të gërshetoj ndjenjën dhe meditimin. Në rrugën e tij të gjatë të meditimit poetik ndërlidh të kaluarën me të sotmen, për të mbërijtur deri te ideja e “Kremtes së Mbarë” me “Haberin e Mirë” të ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, e cila është trashëguar gjatë historisë.

          Jam i mendimit që sintagmat poetike të përsëritura shpeshherë mund të dobësojnë fuqinë e shprehjes poetike e artistike. Kështu ndodh që poeti t’i përdor gjatë tërë librit disa figura të përsëritura. Shprehjen “Një mijë vjet” do ta përdor njëzet e dy herë, Kremte e Mbarë, do ta përdor shtatë herë, Haber i Mirë pesë herë, kështu që përsëritjet e tepruara ia zevetnojnë këtë përmbledhje poetike. Metaforat e goditura në këtë libër e ftojnë lexuesin që të kuptoj se autori është duke formuar individualitet krijues: Vjershat nuk përmbajnë motive deklarative, ose pamflete ditore, por janë motive e tema të goditura. Shkrirja e ideve dhe mendimeve në një filozofi të re, individuale, e bërë të komunikueshme poezinë e Demë Topallit.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora