Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adnan Abrashi: Lumi ne që e kemi Albinin, por i mjeri ai që na ka neve?!

| E shtune, 30.01.2010, 10:12 PM |


LUMI NE QË E KEMI ALBININ, POR I MJERI AI QË NA KA NEVE?!

Nga Adnan Abrashi

Lidhur me lajmin për procesin e ringritur gjyqësor kundër Albin Kurtit nga ana e EULEX-it, ky konstatim si në kryetitullin të këtij artikulli, ishte një koment i një lexuesi të zakonshëm, në një faqe të internetit. Pra” “Lumi ne që e kemi Albinin, e mjeri ai që na ka neve!?”
Sido që të jetë, tanimë edhe pulat në kotec e dinë se rihapja e sërishme dhe aktualizimi i këtij procesi më banal gjyqësor te të gjitha kohërave në Kosovë kundër liderit të lëvizjes “Vetëvendosje, Albin Kurti, është një hakmarrje klasike e bashkësisë ndërkombëtare, e paraprirë nga ambasadori amerikan DELL, zyra e ICO-së dhe EULEKS-it në Kosovë, si dhe, edhe me bekimin e mirëfilltë dhe të heshtur të disa liderëve tanë të lartë politik servil vendor. 
Në fakt, kjo aspak nuk na çudit. Së paku jo neve shumicën që kaherë po e dimë se çka në të vërtetë po ndodh me ne?! Kush realisht vendos dhe e ka në dorë timonin e politikës së gjithëmbarshme kosovare. Edhe të atij të drejtësisë, kuptohet. Pra, janë ATA: “babaxhanët” e ekzekutimit të një programi më konspirativ global testues me fatin dhe ndjenjat e këtij populli dy milion e gjysmë, i cili, praktikisht, në bindjet e tyre konsiderohet si një GETO, apo si para-lagje më problematike e mbretërisë së tyre të madhe evropiane në krijim. A thua, kush nga ne guxon ta demaskoj këtë realitet. Kush mundet t’i kundërvihet kësaj fuqie të madhe politike e cila për këtë qëllim ka investuar mjete të mëdha marramendëse politike dhe financiare këtu. Në dukje, askush! Por, guximshëm apo si vetëflijim, këtë hap e bëri mu kjo lëvizje popullore e paraprirë nga lideri i saj, Albin Kurti, i cili, këtë lojë të ekzekutorit të tyre institucional me Kosovën, e quajti me një fjalë: “EULEXPERIMENT”. 
Merrni me mëndë?! Këtë synim të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, provuan ta demaskojnë publikisht dhe haptas këta “idealista”, “anakista”, “nacionalista”... apo nuk di si tjetër dinë t’i quajnë ATA këta djelmosha. Prandaj, në këtë shtegtim të vetë djallëzor të eksperimentimit me Kosovën, ATA, as që do të zgjedhin metoda të lejuara apo të palejuara për realizimin e këtij programi “madhor” më parë të përcaktuar?! 
Fundja, çdo gjë nga ATA në bota bëhet në emër të demokracisë, shtetit ligjor dhe drejtësisë. Në nivelet globale, zakonisht gënjeshtrat më të “ëmbla” thuren në emër të lirisë dhe demokracisë, si dhe vlerave tjera të larta universale. Për interesa gjoja të paqes, me gënjeshtra të fabrikuara mirë, shkaktohen luftërat, nën pretekstin e lirisë, tentohet të vihet kontrolli ndaj të gjithëve, në emër të barazisë bëhet diskriminimi, në emër të drejtësisë bëhen padrejtësitë e shumta...
Por, t’i lëmë ne ato “kerefeke” të dynjasë anash. T’i kthehemi halleve tona. Asaj që edhe është fabula e këtij artikulli si temë: për procesin e ringritur gjyqësor kundër Albin Kurtit nga ana e EULEX-it. 
A thua, përveç KMLDNJ-së si një përfaqësues zyrtarë i shoqërisë sonë “qengja” civile që reagoj zyrtarisht ndaj këtij procesi, ku janë të tjerët: mira e mira OJQ që shpërndajnë “kondome” kundër SIDËS, masin sa herë ngrihen dhe ulen deputetët tanë në parlament, apo dalin nga salla në nevojtore; ku janë ato shoqata që na ftojnë masivisht të dalim në zgjedhje, na mësojnë drejtësi dhe na vetdisojnë për një shoqëri demokratike me pushtet juridik, luftojnë drogën dhe prostitucionin.... Askund!! Dhe kjo nuk është çudi! Ku po i ha palla atyre për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Për atdhedashurinë dhe patriotizmin. E më së paku për Albin Kurtin dhe lëvizjen “VETËVENDOSJE”. Mjafton vetëm ti analizosh të kaluarën e disa udhëheqësve të këtyre, quaja OJQ-ve, dhe për shumicë sosh do të zbulosh se fëmijët e kujt janë ata. Ose, nga financohen për veprimtarinë e tyre të “vlefshme shoqërore” që e bëjnë...?! 
Kah po shkon kjo shoqëri e jona , o milet!? A jemi ne në tok të bukës? Deri kur ma kështu? Deri kur të heshtim dhe të jemi kukulla kolektive të këtyre lojërave dhe marrëzirave që s’kanë të ndalur ndaj nesh; ndaj dinjitetit tonë kombëtar dhe nacional..... qenies tonë njerëzore dhe UNË-it kolektiv, të cilin, ndër shekuj dhe nëpër breza e kemi ndërtuar dhe ngritur me gjak dhe lot,...
Shprehur thjesht dhe “shul –shqip”, o njerëz, ATA me ne dhe durimin tanë po luajnë “koçe“. Apo, sikur thonë bukur dhe në mënyrë më të kulturuar këta të “vetëvendosjes”: “Mbi ne ata po ushtrohen. Në Kosovë po e eksperimentojnë fuqinë e tyre të së nesërmes: politikën evropiane të sigurisë… Politika e tyre e sigurisë është politika e sigurisë së tyre. Dhe e pasigurisë sonë….”.
Por, nejse! Po të pyetesha unë për këtë çështje si individ, nga zemra do të deklarohesha: le të mbahet ky proces gjyqësor dhe shyqyr po mbahet! Ama, jo për interesin e drejtësisë së tyre djallëzore dhe kënaqjes së urrejtjes së shfrenuar që ata kanë ndaj kësaj lëvizjeje, por për të mirën e neve vetë, si popull, qytetar, apo, ndoshta tingëllon më tërheqëse të shprehemi ashtu: “për ne komunitetin që kemi pasur fatin dhe nderin të jemi objekt dhe subjekt i drejtpërdrejtë i këtij eksperimenti madhor “demokratik” “?!.
Albini sigurisht nuk do të shkoj në këtë gjykim. Ai sigurisht nuk do të lejoj që të jetë pjesë e këtyre lojërave të tyre të kurdisura. Për këtë, ka mundësi që përsëri edhe të burgoset... sërish ai të vetëflijohet si JEZUSI për mëkatet tona?! 
Ndoshta gradualisht dikur, por kur jo vonë, një ditë, edhe ne do t’i hapim sytë?!
Një ditë jo të largët, të bashkuar tog, fuqimisht do ta ngremë zërin tonë kolektiv kundër kësaj dhe të gjitha padrejtësive tjera që po na bëhen reshtur si njerëz, popull dhe komb!
Dhe krejt në fund, a e dini se çfarë përgjigje më dha plaku im i urtë popullor i lagjes, Mixha Dilë, kur e pyeta në lidhje me këtë proces gjyqësor: 
- “Ju “shkër... “ drejtësinë e tyre evropiane që na kanë ardhur ta na e shesin neve këtu në Kosovë...?!!