E enjte, 25.04.2024, 03:14 AM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Vendim pozitiv i Gjykatës kushtetuese shqiptare

E shtune, 30.01.2010, 10:59 PM


Vendim pozitiv i Gjykatës kushtetuese shqiptare

Nga Valon Kurtishi

Gjykata kushtetuese shqiptare në mbledhjen e saj të datës 26.01.2010, duke u bazuar në nenin 131/ b të Kushtetutës, rrëzoi projekt-marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë, "për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Në arsyetimin e ofruar për mediat, kushtetuesja konstaton një numër të madh të shkeljeve procedurale dhe substanciale që sipas saj janë në kundërshtim të plotë me kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të kësaj natyre. Supozohet se Greqia bashkë me Shqipërinë si vende anëtare të OKB dhe një sërë organizatash tjera politike dhe ushtarake i kanë nënshkruar dhe me automatizëm edhe ratifikuar marrëveshjet e tilla ndërkombëtare. Vendimi i anëtarëve të gjykatës ka qenë qartësisht kundër marëveshjes madje në raporte të tilla votash si 9-0 apo sipas disa informacioneve tjera 7 me 2.  
Çështja në fjalë u vendos në prill të vitit 2009 kur me rastin e vizitës së kryeministrit Karamanlis në Tiranë ajo u nënshkrua mes homologëve shqiptarë dhe grek të punëve të jashtme, ministrave Basha e Bakojanis respektivisht. Sipas të dhënave gjysëm publike kjo  marëveshje është kërkuar me ngulm për dy vite rjesht nga qeveria greke.
Kundëradmirali i Ushtrisë shqiptare Kristaq Gerveni dhe ambasadori i tanishëm në OKB Ferit Hoxha, kryenegociatori shqiptar i kësaj marrëveshjeje, e mbrojtën para mediave zgjidhjen në fjalë. Z.Hoxha është edhe kryenegociatori shqiptar në një tjetër marëveshje të diskutueshme, atë në lidhje me varrezat  e ushtarëve grekë gjoja të rënë në terrritorin shqiptar gjatë luftës botërore. Marrëveshjen e mbrojti në disa dalje të tija publike edhe vetë kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha.
Nga ana tjetër, koloneli në rezervë i Ushtrisë shqiptare Myslim Pashaj, bashkë me një numër të madhe të ushtarakëve, specialistëve, opinionistëve, ish zyrtarëve të lartë, si dhe shoqatave civile u deklaruan kundër saj, duke paraqitur edhe argumente konkrete për dëmin që sipas tyre i shkaktohej vendit nga ky pakt. 

Vendimi i Gjykatës kushtetuese në lidhje me marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë është për tu përshëndetur dhe miratur nga i gjithë kombi. Gjykata kushtetuese e ka marë vendimin me një shumicë të madhe, që është një fenomen interesant në këto rethana pasi gjykatësit shqiptarë si rallë ndonjë organizëm tjetër shoqëror ishin unikë dhe të vendosur në qëndrimin e tyre kundërshtues ndaj një vendimi me peshë rajonale.
Funksionimi i pavarësisë së gjykatave është shumë i rëndësishëm në kësi rastesh. Megjithatë, ky zhvillim nuk duhet parë vetëm nga aspekti i pavarësisë së pushteteve në një sistem demokratik. Pakti në fjalë ishte tepër i dëmshëm për Shqipërinë. Është interesant fakti se në kushtet e sotme ku ka arritur niveli i zhvillimit të teknologjisë së informacionit, qeveritë janë akoma në gjendje të ndërmarin veprime të këtilla të dëmshme për integritetin territorial të vendeve të tyre.
Edhe nëqoftëse marrëveshja në fjalë siç pretendon qeveria është e drejtë dhe me këtë vendi nuk humbet territor apo hapësirë detare, përsëri mënyra si është vepruar me rastin e miratimit të këtij pakti detar lë shumë për të dëshiruar. Duke mos hyrë në teori të ndryshme konspiracioni të tipit kush i emëroi gjykatësit e gjykatës kushtetuese, influencoi apo jo shteti Italian në një rezultat të tillë, influencuan apo jo kompanitë italiane të naftës në nënshkrimin e marëveshjes, kujt i intereson në këtë momente një ftohje apo mos më keq një konflikt politik mes Shqipërisë dhe Greqisë apo çka do të arijë opozita socialiste me këtë ftohje të marrëdhënieve me Athinën pikërisht kur atje në pushtet janë bashkëmendimtarët e tyre ideologjikë socialistë, vendimi për rëzimin e kësaj marrëveshjeje është i drejtë dhe një befasi e këndshme për opinionin publik shqiptar. Është i drejtë së paku shkaku i ngutjes dhe jotransparencës me të cilën veproi qeveria aktuale si gjatë negociatave ashtu edhe pas nënshkrimit të paktit në fjalë.
Një numër i madh historianëve, mendimtarëve e opinionistëve shqiptarë si Godo, Xhufi, Nazarko, Myftaraj, Baleta, Zheji, për të përmendur vetëm disa e kanë mbrojtur me shumë të drejtë vendimin e gjykatës shqiptare. Edhe nga rradhët e vetë qeverisë anëtarë të kabinetit Berisha si ministri i jashtëm Ilir Meta dhe ai i mbrojtjes Arben Imami – kanë deklaruar pa asnjë hezitim se pranojnë çdo vendim të kushtetueses. Ky veprim i qeverisë dhe këto deklarata të ministrave shqiptarë janë tregues të një niveli gjithnjë e në ngritje të emancipimit politik të klasës politike në vend.

Është shumë interesant mentaliteti me të cilin reagojnë zyrtarët e ndryshëm grekë ndaj vendimit të gjykatave të pavarura të një shteti tjetër sovran. Sipas ish ministres greke të punëve të jashtme Dora Bakojani, pakti qenka rrëzuar nga “ndikimi i ekstremistëve shqiptarë”. Ish ministrja e punëve të jashtme të një vendi “demokratik”, anëtar i BE dhe NATO, i jep vetes të drejtën dhe luksin që për gjykatën kushtetuese të një vendi fqinj, poashtu anëtar të NATO dhe në prag të anëtarësimit në BE, të përdorë shprehjen e tmershme “ekstremistë”. Për më tepër duke marë edhe rolin e gjykatësit  kërcënon zotin Rama, liderin socialit shqiptar i cili qenka bashkuar “që më 15 tetor të vitit të kaluar me forcat ekstremiste”!!.
Qeveria greke ka reaguar nëpërmjet ministrit plotësues të jashtëm Dimitris Droutsas, i cili edhepse ka deklaruar se nuk përzihet në çështje gjyqësore të një shteti tjetër, përsëri ka shprehur keqardhje për këtë vendim. Është akoma herët të nxiren konkluza më të sakta, por duket se ngatëresat dhe konfliktualiteti grek në të katër me Turqinë, Maqedoninë, Bullgarinë, Shqipërinë, BE i ka marë frymën diplomacisë greke. Si rjedhojë e kësaj gjendje në rastin në fjalë të paktën në këto ditët e para vërehet një sjellje e moderuar e palës greke. Një situatë e çuditshme dhe shumë jonormale kjo për grekët të mësuar me servilitetin e verbër tradicional të palës shqiptare.
Prapëseprapë, deklaratat e ministrit dhe ish ministres greke vërtetojnë edhe njëherë mentalitetin shumë të çuditshëm të politikës greke e cila në raportet e saj me Shqipërinë nuk arin kurësesi të lirohet nga stereotipet shoviniste të së kaluarës antishqiptare. Fantazmat e së kaluarës duket se janë akoma prezente si në diplomaci ashtu edhe në shtresa të gjera shoqërore atje.
Detajet që Gjykata kushtetuese pritet ti zbardhë në ditën në vazhdim do të përcaktojnë shumëçka në lidhje me këtë vendim. Qeveria shqiptare duhet të shqyrtojë seriozisht mundësinë e angazhimit të arbitrazhit ndërkombëtar për të aritur deri te një zgjidhje optimale dhe që nuk dëmton interesat kombëtare. Edhe këtu duhet qenë shumë të kujdesshëm pasi supozojmë se edhe organizata të tilla si NATO mund të marin anë shkaku i peshës strategjike dhe ndikimeve e ndryshme që ekzistojnë si zakonisht brenda organizmave të tillë ndërqeveritar. 
Delimitimi continental dhe detar duhet të jetë strikt në përputhje me parimin e baraslargësisë në mënyrë që Greqia të mos përfitojë asnjë centimetër tokë shqiptare. Kjo pasi megjithë kërkesat e njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare duke filluar nga takimi Starova –  Kuderu në vitin 1993, qeveria greke nuk ka pranuar të njohë kufirin tokësor shqiptaro-grek të 1913, një kufi ky edhe ashtu i përcaktuar arbitrarisht dhe në dëm të palës shqiptare. Pra, Greqia nuk e pranon edhe kufirin e tillë të sotëm i cili është tërësisht i padrejtë si në aspekt etnik ashtu edhe nga ekonomike, duke lënë jashtë sovranitetit shqiptar një zonë të pastër shqiptare si Çamëria me kryeqytet Janinën, si dhe duke privuar Shqipërinë nga reth 100 km vijë bregdetare dhe 15.000 mijë km2 fushë pjellore. 

Marrëveshjet e këtilla në lidhje me çështje të rëndësisë nacionale nuk duhet asesi të jenë çështje debatesh e mospajtimesh mes partive politike shqiptare. Ky është një fenomen i çuditshëm, destruktiv dhe unikal në Europë. Vetëm partitë politike shqiptare dhe askush tjetër në Europë kanë divergjenca të dukshme edhe në lidhje me çështje të tilla kardinale si integriteti territorial i vendit. Parë në tërësi, vendimi është për tu përshëndetur dhe gjykatësit duhet inkurajuar të qëndrojnë fuqishëm prapa tij. Shqipëria ka sfida shumë më emergjente për momentin sesa çështja e delimitimit, e cila kërkon kohë dhe ekspertizë profesionale të cilën duket se për momentin nuk mund ta ofrojë. Çështjet e këtilla të një peshe e rëndësie kardinale duhet të zgjidhen ngadalë dhe me kujdes. Shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye të shpejtojë në këtë rast.


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora