Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: ''Fjala e Zotit'' e përkthyeme në gjuhën e ''dreqit''..!

| E premte, 29.01.2010, 10:58 PM |


“FJALA  E  ZOTIT”
E  PËRKTHYEME  NË  GJUHËN  E  “DREQIT”..!

Nga Fritz RADOVANI
Ishte viti 1991. Gazeta e BSPSH në Tiranë, pranoi me botue një artikull t’emin me tituull “Kush asht burrë le të flasë!..”, në gjuhën Gegënishte të Veriut të Shqipnisë. Pak ditë mbas atij artikulli edhe Radio “Shkodra” më lejoi me ba njoftimet e BSPSH së Shkodres, po Gegënisht. 
Me shkuemjen drejtor në Radio të z. Anton Çefa, mujta me lexue disa artikuj prap po në Gegënisht, për përsekucionin komunist, At Mëshkallen, Marije Zojzin etj...gja, që, u pat pritë mirë nga publiku shkodranë, madje, shumë njerëz më shterngonin dorën rrugës kur më shihnin, mbasi iu ishin tha “veshët” për me ndigjue nga institucionet zyrtare tue u folë gjuha Gegënisht. 
Në vitin 1993, botova librin e parë me disa bashautorë, “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1991” libër, i cili, iu dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës së Tij, në Shqipni. Artikujt e mij aty janë Gegënisht, ndërsa, “disa” që ishin pajtue me Kongresin e vitit 1972, për “drejtëshkrimin” në Tiranë, vazhduen me shkrue në mënyrën e tyne të maparëshme...
Po në vitin 1993, botova librin  “At Pjetër Mëshkalla SJ.”, libër të cilin ia kushtova Atij Burri që, po të kishe kthye fjalët e Tija në “gjuhën e njësuar”, me siguri, do t’ishte çue nga vorri dhe prej Stom Golemit do të më kishte mallkue!..
Një kopje të këtij libri ia pata dhurue mikut tem të nderuem, Prof. Kolë Ashtës, i cili, ende vazhdonte mos me besue se mund të vinte koha me shkrue njeriu Gegënisht. Atë ditë, Ai më pat tregue se kur ishte në Kongresin e “Drejtshkrimit” të Gjuhës Shqipe, që u zhvillue në Tiranë nga data 20 – 25 Nandor 1972, ditën e fundit pra, me 25 Nandor që do të firmonin aktin e pranimit të vendimit “për varrosjen e Gjuhës Gegënishte”, Profesor Kola, që flente me zonjën Neta në hotel “Volga” në Tiranë, kishte njoftue se nuk mund të merrte pjesë në atë seancë të Kongresit, ku do të hidhte firmën e Tij, mbasi me të vërtetë kishte pak temperaturë, por “shokët” nga Kongresi, të drejtuem nga Androkli Kostallari, një fotoreporter dhe një tjetër përson i panjohtun për Profesorin, nga ora 11.00 paradreke të asaj dite kanë shkue në hotel, ku Profesori, ishte i shtrimë në shtrat dhe nën dritën e një prozhektori, e kan marrë në kamera tue firmue aktin e vendimit. Pra, edhe nëse ishe tue vdekë...Enver Hoxha ashtu si në të gjitha hetuesitë e tija, kërkonte me pa “firmat” me sytë e tij...mandej, po deshte ti, vepro ndryshej..!
Ja si shkruhet për këte kongres në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botue në Tiranë, 1985, fq. 510,: “Kongresi i Drejtshkrimit ishte një fitore e vijës marksiste-leniniste të PPSH për zgjidhjen e drejtë të problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare...”
Atyne “firmave” na, po shohim me sytë tonë tue i qendrue “besnikë” edhe sot të gjithë ata që nga qejfi apo nga halli e tortura, u detyruen me firmue...Sigurisht, kjo asht e pranueshme për secilin që ndollej mbrenda kafazit të quejtun Shqipni! Por, mos harroni kurr se ata Burra që ishin të burgosun apo të internuem, asnjëherë, nuk i kanë aprovue ata vendime të pandershme. Por, për të gjithë ata që ishin jashtë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, arbëreshët e Italisë dhe Greqisë, tue përfshi edhe krahinat e Hotit, Grudës dhe diasporën e shpërndame në botë, që i pranuen ata vendime të atij kongresi dhe, “pajtimi” i tyne me këte akt “vorrimi të Gegënishtes”, asht kenë dhe vazhdon me kenë aqsa i turpëshem e përçarës, aq antiatdhetar dhe trathtar!
Këte e vërteton fakti që sot 70% e letersisë shqipe e shkrueme në Gjuhën Gegënishte, nuk njihet fare nga intelektualët dhe brezi i rinj, ndonse, gjoja kanë mbarue edhe shkolla të larta, por tue mos harrue se këto shkolla i kanë përfundue me librat e botuem nga Enver Hoxha, të mbytun fund e krye me rrena, mashtrime dhe me ideologjinë antiatdhetare ateiste marksiste – leniniste. 
Për fatin e keq të Popullit Shqiptar, me këto libra asht helmue edhe rinia jashta Atdheut tue fillue në Prishtinë, USA e deri në kontinentin e Australisë, sëpse, politika sllavo – komuniste e çkombëtarizimit ka mbizotnue mbi botimet e librave të edukimit Atdhetar. Ajo frymë edhe sot mbizotnon në të gjitha skutat dhe qoshet ku mund të bahet fjalë me mësue Gjuhën Shqipe. Janë në të gjitha anët e kontinenteve të shpërndamë veglat e servilët e Sigurimit komunist shqiptar, që kanë punue dhe punojnë për neveritjen dhe zhdukjen e Gegënishtës dhe Letrsisë Veriore Shqipe.
Ata kanë përdorë dhe përdorin edhe sot mjetin ma të ndytë dhe të flliqun të përçamjes krahinore, fetare, kulturore, etnike, politike etj. mjete, të cilat i shërbejnë shpërbamjes kombëtare dhe politikës shoveniste sllavo – komuniste, së cilës, i kanë sherbye E. Hoxha dhe pasuesit e tij.
Në vitin 1941, Prof. Namik Ressuli, asht ndër të parët që ven gurët e Tij shkencor të Gjuhës Shqipe të Përbashkët apo të Njësueme. Ja çfarë shkruen për këte letersi Prof. N. Ressuli: “Po shkrimtarët e vjetër të Jugut, në veprat shqipe që na kanë lënë nuk dëftejnë as doktrinën, as vlerën dhe as ato pakë ndjenja atdhetare që dallojnë vëllezërit e tyre Gegë. Ata janë, vërtetë, të parët Toskë që shkruajnë gjuhën tonë, po nuk e përdorin këte si qellim në vetvehte, po si mjet, me anë të së cilës donin të përhapnin njohuritë e fesë orthodokse.” (Shkrimtarët Shqiptarë, vol I, fq. 70, Tiranë 1941.) 
Po komunistët kujt i kanë sherbye që në 1936, me grupet e tyne të para..?
Dhe ja, si shprehët Prof. Ressuli për Letersinë e Veriut, po aty fq. 12: “Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan një farë lëvizje kulturore në vëndin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet – alfabetin latin – po, janë edhe të parët, që mendojnë për Atdhenë e Gjuhën e tyre, për Shqipën e Shqipërinë...”
Prandej, ajo letërsi dhe ata shkrimtarë u hoqën nga shkollat dhe qarkullimi në vitin 1944, nga serbo – sllavët komunist shqiptar dhe, vazhdojnë me kenë ende sot jashta dyerve të shkollave e institucioneve të Shqipnisë “Demokratike”...
Në vitin 1924 e ma parë, At Fishta, Luigj Gurakuqi, Don Ndre Mjedja, Mustafa Kruja, At Anton Harapi, Don Lazër Shantoja, At Vinçenc Prennushi etj. fillojnë me mendue për një Gjuhë Shqipe të Njësueme, ku, Gegënishtja dhe Toskënishtja gjithmonë bashkë do të barazpeshonin në kandarin e drejtësisë shkencore dhe intelektuale të gjuhëtarve...
Në vitin 1942 ishte Atdhetari Mustafa Kruja që edhe pse Shqipnia ishte nën okupacionin fashist, Ai, jo, vetëm, pastroi Flamurin Kombëtar nga simbolet fashiste, tue ruejtë të pastër Flamurin tonë Kombëtar të Skenderbeut, por bashkë me intelektualët e njohtun të Shqipnisë, formoi dhe drejtoi edhe Institutin e Studimeve Shqiptare në Tiranë. Asnjëherë nuk zehët me gojë roli i madh i Këtij Atdhetari që bashkë me Ernest Koliqin dhe Xhevat Korçen, hapne në të gjitha Trojet Shqiptare 120 shkolla Shqipe, shkolla të cilat mbajtën gjallë Gjuhën Shqipe në ata Troje ku, sot, Shqiptarët nuk do të dinin as me shkrue emnin e vet në Gjuhën e Nanës...
Shumica e Këtyne Atdhetarve u zhduken, u vranë dhe u masakruen Ata vetë dhe Vepra e Tyne në sherbim t’ Atdheut! Komunistët u munduen me zhdukë edhe Visarët e Tyne... Heshtja e sotme asht vazhdimsi e rrugës së antishqiptarizmës, tue fillue nga Eshtnat e At Gjergj Fishtës...

Profesor Arshi Pipa, kur erdhi në Shkoder në vitin 1992 dhe, foli në Institutin e qytetit të Shkodres, në teartrin “Migjeni”, në Muze dhe në Tiranë, tregoi haptas damin dhe pasojat që do të sjellin mënyra sesi asht kodifikue gjuha shqipe sot dhe si asht “hartue” Letërsia e jonë! 
Prof. Karl Gurakuqi, Prof. Tajar Zavalani, At Danjel Gjeçaj, Prof. Ernest Koliqi, Prof. Martin Camaj, Prof. Guljelm Deda, Prof. Nikoll Daka, Prof. Mark Dema, Prof. Namik Resuli,  Prof Filip Fishta, Prof. Kolë Ashta dhe, shumë të tjerë kanë lanë aq shumë materiale letrare shkencore sa mund të thomi se janë të mjaftueshme për thëmelet e një Gjuhe Shqipe Letrare. 
Po, përkthimi i Ungjillit Shenjtë në gjuhën e “njësuar” nga Don Simon Filipaj, si të dukët, më pyeti një mik i emi...dhe, unë, ju përgjigja: “Ungjilli asht Fjala e Zotit..asht Shkrimi i Shenjtë i shkruem nga vetë dora e Apostujve të Jezu Krishtit. Tash dymijë vjet nuk ka mujtë askush me gjetë një gabim në Atë Ungjillë, ndërsa, përkthyesi Don Simon Filipaj asht kenë një njeri, njeriu edhe gabon...Zoti i pastë dhanë mundësinë, arësyen dhe vullnetin me ba ‘Rrëfimin e Fundit’...!”
Më shkruen një mik JÇ nga USA, se;  “Para disa javësh ka dalë në shitje Ungjilli . E mora në dorë, e pashë se ishte shkrue në gjuhën e njisueme , Mu duk sikur e ka shkrue Ramiz Alia... Ndoshta ka me mu dasht me e ble, sëpse dishroj me e pasë në shtëpi Ungjillin…” 
E, si do të kuptohet Ky Ungjillë nga 75% e Popullit Shqiptar, kur të gjithë Veriorët as nuk e flasin dhe as nuk e përdorin këte gjuhë “bastardhe” në shtëpi, shoqni apo në ...?
Por, e vërteta qendron e thanun në Korçë para gati 70 vjetësh nga At Anton Harapi: 
“Ajo që të çuditë edhe ma tepër asht, se afetarizmi n’emën të së vërtetës shkëputë besimin nga jeta; skepticizmi n’emën t’arsyes dhe të filozofisë don t’a mbajë të varun mendjen mbi problemat e para të jetës dhe të venë dyshimin si sistem: progresistat, n’emën të kulturës së vërtetë, vunë Zotin dhe Shpirtin, moralin dhe idealin në shërbim të përparimit; sociologët dhe statistat n’emën të kombsisë së vërtetë duen të shkelin dhe të shuejnë të drejtat e idealet e njeriut si njeri, dhe mbi çdo gja të hyjnojnë e të venë egoizmin kolektiv.”

Deri në vitin 1992 – 93, kishte njerëz që vazhdonin mos me besue në rrugën që u hap...
Vazhdimsia e frikës sjellë ripërsëritjen e historisë! Nëse, intelektualët e rinjë do të jenë vazhduesit e rrugës apo të labirintëve e tunelëve të pseudointelektualve të Enver Hoxhës dhe, në të njajtën kohë skllav të firmave të paraardhësve të tyne, atëherë, bashkë me Gegënishten, jo vetëm, asht varrosë  mbarë Populli Shqiptar, por edhe e gjithë Shqipnia me Trojet e Saja!

Nanë Tereza, ka thanë: “O Zot, hiqi mallkimin Tand Shqipnisë!


Melbourne, Janar 2010.