Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Një urim në Ditëlindjen e Kadaresë

| E premte, 29.01.2010, 09:59 PM |


Një urim në Ditëlindjen e Kadaresë

Tek rri pranë librave që mbajnë firmën “Kadare”, ndjej se brenda faqeve të tyre ka morrnica rrënqethëse dhe shkronjat e gjelbërta përtypin ngricën për Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur në shekuj.
Të 36 shkronjat shqipe janë shenjëza drite për botën mbarë…ato kanë vrapin e fluturimit të Pegasit.
Në këtë vrap ato ushqejnë shumë muz? me buzë të zhuritura dhe i njomin me qumështin e Lirisë, nga gjiri i bardhë i Arbërisë. 
Mesazhet nëpër Librat e Kadaresë, kanë qëndruar të mbuluara në hirin e vatrës me thinja dhe tashmë po i japin gjak botës së shëndetshme apo me ngjyrë veremi…, po e ngrohin me prushin e zjarrtë të Ilirisë ndër shekuj.
Librat me firmën “Kadarè” ngritën lart një përmendore të florinjtë në nderim të zonjës së rëndë Shqipëri…!
Unë e prek këtë përmendore dhe mbi të padashur, më rrëshqasin pikëza loti me ngjyrë argjendi të ujëvarave të bjeshkëve që aq shumë iu këndoi
Autori.  Ai qëndron si Sovran i tyre mbi retë, ndërsa librat si legjendë botërore.
Eshtë një legjendë e mpleksur me drama në kështjellat shqiptare, me fitore dhe pabesitë e jetës, si zigzaket e rrufeve.
Trimat mandilebardhë që dalin nga këto legjenda, shkrimtari jua ka pikturuar plagën e kuqe, cuditiërisht këto plagë, se c’më japin një ndjesi me formë trëndafili dhe aromë trimërie…
Në ditëlindjen e tij vimë sot për të prekur ëndrrën aq të bukur të shkrimtarit, të shkrimtarit që cau errësirën dhe ndriçoi botën me Rilindjen e Shqipërisë.
Librat tuaja ngarkuan botën me krahë metaforash dhe me zërin e Perëndive zgjuan botën për të bukurën Arbëri!
I ngarkove supet e librave me djepet shqiptare dhe tunde Kombin nga rrënja, duke dalë fitimtar mbi robërinë, ndërsa mbi ballin e Arbërisë si perëndeshë, shkrove historinë shqiptare, shqip, me emra shqip!
Në bebëzat e vargjeve llamburisin ëndrrat, dhe librat si male hijerëndë mendohen së bashku me “Homerin”, që ka veshur një këmishë bore Cajupi…, ku pinë vesën thëllëzat e bukura.
Kapakët e librave, si strehët e shtëpive kala të Gjirokastrës dhe sofatet e gurtë, që u përkëdhelën nga dashuria e plakave të mëhallave gjirokastrite, qëndrojnë rëndë-rëndë, si mburojë ushtari, ILIR!  Dritë-hijet e tyre, ndizen me prushin e një ëndrre në një çerdhe të heshtur, që për vite e vite përkundën “vetminë” në muzg.
Ju, shqiptari Kadare, ecët mbi rrugën e pashkelur me kurorë drite mbi kokë, dhe arritët në fronin e Perëndive, në Olimp.

Faleminderit Moisi që flet me Zotin dhe që i gjetët vendin e merituar, Mëmëzonjës sonë Shqipëri.

Ta gëzosh fronin dhe vite të panumërta në Ditëlindjen tuaj!

Këze Kozeta Zylo, 
28 Janar, 2010
Staten Island, New York