Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valon Kurtishi: Vazhdon farsa gjyqësore ndaj Albin Kurtit në Prishtinë

| E premte, 29.01.2010, 10:57 PM |


Vazhdon farsa gjyqësore ndaj Albin Kurtit në Prishtinë

Ex iniuria ius non oritur – Nga padrejtësia nuk buron e drejta.

Nga Valon Kurtishi

Më 15 shkurt 2010 në sallën e Gjyqit të Prishtinës do të fillojë seanca e radhës në procesin maratonë ndaj liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Sipas informacioneve të gazetave lokale paneli i gjykatësve do të jetë një përzierje e shqiptarëve të “kosovarizuar “vendorë dhe europianëve të ballkanizuar të EULEX të cilët janë edhe shtytësit dhe udhëheqësit e këtij procesi të çuditshëm gjyqësor. Procesi ka të bëjë me demonstratat që Vetëvendosja i organizoi më 10 shkurt 2007 kundër planit të të dërguarit special të OKB për statusin e Kosovës, finlandezit Marti Ahtisari, i cili paraqiste bazën për pavarësinë  e kushtëzuar dhe sovranitetin e cunguar që sot e gëzojnë shteti më i ri në botë, “Kosova multietnike” dhe një popull i ri europian ai “kosovar”. 
Në këtë protestë paqësore ku morën pjesë mëse 5000 mijë qytetarë shqiptarë dhe aktivistë të organizatës u vranë dy demonstrues dhe u lënduan rëndë reth 200 të tjerë. Policia ndërkombëtare, më konkretisht policët rumunë të angazhuar nga OKB, ishin përgjegjës të drejtpërdrejtë për vrasjen e dy protestuesve të rinj që u goditën nga disa lloje municionesh përdorimi i të cilëve është i ndaluar me Konventa ndërkombëtare. Një numër i helmeve të ndryshme paralizuese dhe djegës gjithashtu të ndaluara me marrëveshje ndërkombëtare u përdorën në shkallë të gjerë nga policia “ndërkombëtare”. Policët që përdorën këto plumba ishin pjesë e atij korpusi të ndërkombëtarëve që janë në Kosovë për ti mësuar qytetarët vendorë se si implementohen “standardet ndërkombëtare”.
Gjyqi është transferuar nga UNMIK tek EULEX (European law medemek) i cili nuk e ndjen veten përgjegjës për veprimet e policëve të OKB pasi vetë është një institucion që i përgjigjet Bashkimit Europian. Pra kështu arsyetohen ata të cilët nuk janë të interesuar të nxjerin të vërtetën në shesh dhe të cilët për të mbuluar krimin e qartë të policisë ndërkombëtare organizojnë procese të këtillë të montuar gjyqësor që skanë asgjë të përbashkët me gjyqësinë e pavarur. 
Në sallën e gjyqit duhet të sillen policët rumunë dhe të akuzohen për vrasjen e dy të rinjve të pafajshëm si dhe një numër i madh i policëve e eprorëve të tyre nga vende të ndryshme të cilat i kanë tejkaluar qartësisht kompetencat e tyre në përdorimin e çmendur të dhunës ndaj demonstruesve shqiptarë. Këta duhej të ishin në bankat e të akuzuarve të drjtësisë kombëtare e ndërkombëtare bashkë. 

Sa u takon akuzave kundër Albin Kurtit ato duket qartë se janë një montim i pastër dhe absurd për kohën në të cilën jetojmë. Akuza e rënon autoritetin e vetë Gjykatës dhe të Kurtit kur shprehet për “vepra kriminale të kryera në grup, për pjesëmarje në grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare apo për thirje në rezistencë në lidhje me ngjarjet shkurtit 2007”!?.
Këto akuza do tu përshtateshin plotësisht policëve ndërkombëtarë përgjegjës për eskalimin e situatës gjatë demonstrimit, për vrasjen dy protestuesve në një protestë të qetë të një kryeqyteti europian, për masakrimin barbar të qindra të tjerëve si dhe për përdorimin në shkallë të gjerë të një numri të substancave helmuese prej të cilave një numër i madh i aktivistëve vuajnë pasoja akoma sot e gjithë kohën.

Gjykata siç duket e konsideron organizimin e demonstratave paqësore për të shprehur vullnetin politik si një vepër kriminale. As totalitarizmat më të egër nuk kanë vepruar në këtë mënyrë. E drejta e bashkimit të personave në grupe shoqërore, e drejta e shprehjes së lirë të bindjeve politike, e drejta e shprehjes së revoltës me protestë të qetë dhe paqësore, janë të drejta fundamentale, thelbësore, bazike të demokracive liberale perëndimore. Ato tashmë janë pjesë përbërëse e korpusit të të drejtave dhe lirive të njeriut, nënshkruese të të cilave janë gjithë shtetet anëtare të OKB. 
Me këtë bie poshtë me automatizëm pika e parë në lidhje me veprimet kriminale të Albin Kurtit dhe aktivistëve të tjerë të Vetëvendosjes. Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre nuk mund të vërtetohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast. Nëse z.Kurti ka intervenuar për të shpëtuar ndonjë qytetar rasti ose ndonjë djalosh të ri nga dhuna e shfrenuar e policisë rumune dhe ndërkombëtareve të tjerë, kjo nuk përbën kurrësesi pengim të personit zyrtar në kryerjen e punëve të tij. Edhe vetëmbrojtja apo mbrojtja e të tjerëve nga dhuna e shfrenuar e policisë sërbe në të kaluarën e apartheidit arsyetohej nga pushteti sërb në të njëjtën mënyrë. Prokurorët e EULEX siç duket e imitojnë pushtetin kriminal sërb edhe në finesat e ndryshme juridike.

Pika tjetër e akuzës në lidhje me thirjen në rezistencë ndaj ngjarjeve të shkurtit është gjithshtu një farsë e vërtetë pa asnjë lidhje me realitetin. Nëse apeli i një grupi të veçantë të komunitetit civil të vendit për të reaguar paqësisht ndaj një vendimi të caktuar në lidhje me fatet e atij komuniteti konsiderohet si vepër penale për tu dënuar, kjo është krejtësisht jashtë kohës së sotme në të cilën jetojmë. Sistemi europian i drejtësisë është së paku që nga viti 1789 në mbrojtje të shprehjes së lirë të mendimit për çështje të caktuara shoqërore. Nëse Vetëvendosja e ka shprehur mendimin e vet publik në lidhje me masakrën e 10 shkurtit 2007, kjo nuk përbën asnjë krim, përkundrazi i shërben zgjimit të ndjenjës së solidarizimit me ata që vuajnë dhe përpiqen për të mirën e përgjithshme, për interesat kolektive, për popullin e thjeshtë. 

Shikuar në përgjithësi, vazhdimi i kësaj farse gjyqësore është një turp për EULEX, UNMIK, qeverinë e Kosovës dhe gjithë të involvuarit në të. Vetë drejtësia, vlerat sublime e të larta morale që ajo ka për detyrë të mbrojë e respektojë fyhen dhe vihen në dyshim nga ky pseudo-proces. Përkundrazi, vepër të mirëfilltë kriminale të dënueshme në bazë të ligjeve të sovranit e të zotit kanë kryer ata që vranë dy protestues të paqësorë, masakruan reth 200 të tjerë si dhe helmuan mëse 5000 njerëz në qendër të Prishtinës. 
Zoti Kurti duhet të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet sa më parë nga pengesa të tilla të cilat i marin kohën e çmuar dhe mendjen e kthjellët e cila na duhet të gjithëve diku tjetër.
Albin Kurti është sot lideri i padiskutueshëm i shoqërisë civile shqiptare në gjithë territoret etnike si në Shqipërinë administrative ashtu edhe në krahinat shqiptare të mbetura nën sundimet e huaja si Novi Pazari, Kosova e rafshi i Dukagjinit, IRJM perëndimore apo Çamëria. Ai i duhet sot më shumë se kurrë lirisë së përçudnuar të Kosovës si dhe marrëdhënieve të çoroditura të komponentëve të ndryshëm socialë në gjithë formacionet politiko-juridike ku janë copëtuar pikë e pesë shqiptarët sot.
Ne e presim me padurim momentin e lirimit definitiv të Albin Kurtit nga pengesa të kësaj natyre, në mënyrë që të realizojmë planet dhe objektivat e vendosura nga mbarë shoqëria civile shqiptare me nismat dhe iniciativat e ndryshme shumëvjeçare të tij.