E premte, 19.04.2024, 02:03 AM (GMT+1)

Faleminderit

Fatos Baxhaku: ''Tani po, na mbeti vetëm Zoti''

E premte, 29.01.2010, 10:56 PM


Tani po, na mbeti vetëm Zoti

Nga Fatos Baxhaku

Thonë që atë ditë fillimmarsi ka bërë i ftohtë i hidhur në Shkodër. Nga ata që kanë mbetur ende gjallë askush nuk di ta thotë saktë nëse acari vinte nga Cukali, nga Kiri a Buna, nga Drini, apo “dreqi vetë e din se prej kah”. Apo mbase vetë shkodranët e thjeshtë ndienin një të ftohtë brenda mendjeve të tyre tashmë të mpita e të hallakatura? Askush nuk e di ta thotë saktësisht. Dimë vetëm se në kujtimet e shumta të qytetit të stërlashtë, agimi i zbërdhylët i 4 marsit të 1946 është gdhendur thellë, njësoj si mbi një gur varri, që mund ta marrësh e ta heqësh, ta shkulësh, ta shkelësh, madje edhe ta përbuzësh e ta pështysh, por gjithsesi, të bën që t’i fshish baltën e të shohësh me kuriozitet prej fëmijë mbi të. Në agim të kësaj dite të ftohtë marsi dy klerikë jezuitë, At Xhovani Fausti, italian, numri dy i jezuitëve, dhe At Daniel Dajani, drejtori i Seminarit Papnor të Shkodrës, u pushkatuan pas varrezave të Rrmajit. Një prift i frikësuar dhe një mjek italian, i mbetur nga lufta, u bënë shërbimet e fundit kufomave të sakatuara.

Marsi nuk ka mbërritur ende dhe andaj këto radhë nuk kanë të bëjnë me ndonjë përkujtim të martirizimit të dy prelatëve të kishës katolike. Këto radhë nuk kanë të bëjnë madje as me problematikën e brendshme të fesë dhe të debateve që lidhen me të. Këto radhë rreken vetëm të kujtojnë mënyrën se si At Xhovani Fausti, polemist i shquar në vitet 20-30 të shekullit XX, e konceptonte debatin në radhë të parë intelektual e më tej edhe atë politik. Vetë kleriku i lartë përballoi shumë kritika. Ishte novator. Kishte krijuar një shoqëri të studimeve për Islamin, jepte mësim Kuranin dhe ishte studiues i njohur i botës islamike. Kjo gjë, e padëgjuar për kohën, ngriti mbi të një stuhi kritikash, madje edhe fyerjesh që vinin nga të gjitha anët. Por nga rruga e tij atë e ndau vetëm plumbi. Nga shënimet që ka lënë pas ka mbetur edhe ky pasazh ku ai e thotë qartë se si e konceptonte ai debatin:

“…E tillë më duket se duhet të jetë gjithë sjellja ime në trajtimin e çështjeve mes të cilave hyn polemika me kundërshtarët intelektualë. Nëse fjalët e tyre mund të kenë një kuptim të drejtë, le t’i preferojmë ato, të paktën nuk kemi të bëjmë me hipokritë, të cilët kërkojnë dykuptimin për të mashtruar të afërmin. Edhe nëse duket, që efektivisht ata kanë ndër mend një kuptim që nuk është i drejti, është më mirë të shtrëngohemi të mbajmë atë të drejtin, duke e lënë tjetrin me arsye. 
Shpesh, është vetëm injoranca që i pengon njerëzit të përqafojnë të vërtetën. Duhet të kërkojmë të afrohen ata vetë, duke i bërë largësitë sa më të vogla që të jetë e mundur, me butësi dhe maturi sa më të madhe. E dëmton shumë çështjen e së vërtetës zelli i tepruar, i cili është i gatshëm më shumë të dënojë se sa të falë, dhe preferon më mirë t’i sulmojë pa dallim kundërshtarët e së vërtetës, se sa të studiojë me kujdes rrugët nëpërmjet të cilave mund të shkohet tek e vërteta, duke bërë gjithçka për të gjithë…”.

Kanë kaluar 64 vjet që nga koha e vrasjes së priftit. Shumë gjëra kanë ndryshuar që asokohe. Ne hamë më mirë, vishemi më mirë, kemi televizorë të stërmbushur me ngjyra, makina, celularë, gjëra plot sa të duash që na kanë ardhur falë ndryshimit të shpejtë të botës mbarë, porse në lëmë të debatit kemi mbetur po atë fëmijë grindavecë, kapriçiozë, të llastuar e të paditur, shumë e shumë herë edhe të paedukuar. Polemikat që lindën pas zgjedhjeve ishin zënka jonë e parë e madhe, absurde, krejt e kotë. Një grindje primitive, e paarsyeshme, e egër deri në palcë dhe që kishte në qendër jo miletin, por vetëm e vetëm unin e dikujt. Mendimi ndryshe dhe respekti për të, alfa e demokracisë, as nuk duket dhe as që ka ndërmend të zbatohet ndonjëherë ndër këto anët tona. Përkundrazi, në vend të tij kemi sy të hakërryer, ofendime me nënë e me babë, jo përplasje idesh, por përplasje personash njësoj sikur të ishim në ndonjë betejë antike dhe jo në mijëvjeçarin e tretë. “Më mirë pranoni një kundërshtar të drejtë sesa hipokritin”, na ka lënë porosi prifti i vjetër. Në vend të kësaj ne kemi bërë pikërisht të kundërtën, madje hipokrizinë e kemi shndërruar në një profesion gati-gati kombëtar.

E kundërta e injorancës, pra kultura dhe profesionalizmi e bëjnë debatin e shëndoshë, ka dashur të na thotë Fausti mes të tjerash. Por ne ende nuk kemi aspak lidhje me këtë punë. Një rast i vetëm vlen sa për një mijë të marrë së bashku në ilustrimin e kësaj pike. Me rastin e përmbytjes më të fundit të Shkodrës me rrethina nisi një garë e paparë, kush e kush të flasë sa më shumë, disa për të sharë pa fund e disa të tjerë për t’u mbrojtur pa fund. Të dyja palët pretendojnë se janë të përkryer, të pagabueshëm, gati-gati një shkallë më lart se kompjuterët, njësoj sikur të ishin qenie të një planeti tjetër perfekt. U fol pa masë, dolën në dritë rregullore, letra, ditarë, procesverbale, skica, shënime… Të gjitha këto u përdorën si ushta për të ndërsyer njëri-tjetrin. Folën e folën të gjithë me radhë, më së shumti ata që nuk ia kishin aspak idenë kësaj pune. Vetëm ata, njerëzit e digave, inxhinierët, teknikët, projektuesit njerëzit që i kanë kushtuar jetën kësaj pune dhe pikërisht prandaj nuk kanë aspak nevojë të jenë hipokritë, u dukën vetëm “tinzash” në ndonjë edicion të fshehur lajmesh. Numëroni se sa herë kanë folur për digat “të mëdhenjtë” e politikës dhe të shtypit dhe sa herë kanë dalë publikisht specialistët e vërtetë dhe do ta kuptoni se çfarë debati të pavlerë kemi ndjekur gjithë këtë muaj. Në këtë mes një peshë goxha të madhe kemi edhe ne të shtypit, por kjo është një temë tjetër që ha diskutim.

“Zelli i tepruar është më shumë i gatshëm të dënojë sesa të falë”, shkruante dikur prifti. Ne të tillë të zellshëm kemi me shumicë. Mjafton që Berisha a Rama të hedhin ndonjë fjalë dhe atëherë gjithë zulma e të zellshmëve me tepri vihet në lëvizje. Në shumë raste për nga egërsia dhe broçkullitja këta ua kalojnë edhe shefave të tyre. Ani pse shumë prej tyre kjo punë edhe nuk iu shkon. Ani pse nuk kanë formimin a shtatin e duhur. E rëndësishme është që shefi të shohë se sa të zellshëm i ka njerëzit rreth e rrotull.

E kështu, vit pas viti, ne rrimë me shpresën, tashmë të kotë, se më në fund do të vijë dita edhe te ne kur njerëzia do të diskutojë a debatojë qetësisht duke ndarë të njëjtin qiell e të njëjtin dhe që na ka caktuar Perëndia vetë. Por koha kalon dhe në vend të kësaj përditë e më tepër shohim se hakërrimi fiton mbi arsyen, uni mbi interesin e të gjithëve, budallallëqet fëminore mbi edukatën elementare, kaosi mbi rregullat, urrejtja mbi dashamirësinë, mendjengushtësia mbi kulturën…
“Me butësi dhe maturi”, na këshillonte prifti i vjetër, por këto fjalë tashmë përbëjnë objekt talljeje për shumëkënd që kemi vendosur mbi krye. A nuk ishte sherri më i fundit, “çështja Islami” në Këshillin e Europës, një turp i padëgjuar? Me këtë ia përforcuam bindjen botës se tashmë jemi shndërruar në eksportuesin numër një në Europë të marrëzive politike. E meqë, përditë e më tepër, po fryhet angështia që na ofron politika jonë zemërngushtë, atëherë s’na mbetet gjë tjetër veçse t’u kthehemi e t’u rikthehemi punëve të të parëve, të atyre që ishin burra të vërtetë, madje edhe në brishtësinë e tyre. “Tash vetëm Zoti e din kët punë”, do të kenë thënë me siguri shkodranët e vjetër.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora